Nga Flamur Shabani (Vlera e njeriut matet nga pastërtia e shpirtit të tij).
Antologjia me poezi të zgjedhura "Nëpër dallgët e jetës " nga poeti Kujtim Hajdari, përçohet tejendanë nga drita. Poezitë kanë jetë, kanë frymëmarrje, kanë dashuri, sakrificë, vuajtje, gëzim, ylber, agim, kanë diell, kanë hënë, buzëqeshje, pranverë, freski, kaltërsi, vesë, shpirt..., sipas temës që trajton. Krijimtaria frymëzohet nga mirësia : nga motivimi për të shprehur dashurinë për njerëzit, larg urrejtjes që ndokush e përqafon për të goditur të gjithë ata që i shikon mbi veten dhe i kanë zënë rrugën për të çarë drejt ligësisë së kamufluar. Heroi lirik i antologjisë është qytetari që jeton, mendon e vepron në shumë shtete: nga Shqipëria, në Greqi, Itali, deri përtej oqeanit në Amerikë. Ai ka bërë të vetën shprehjen: " Te njeriu çdo gjë duhet të jetë e bukur: dhe veshja, dhe shpirti, dhe mendimet". Por jeta jo gjithmonë ka qenë bujare me poetin. Ajo i ngjan një deti, me gjithë dallgëzimet dhe qetësinë e tij. " Sa herë mua më ke ngritur, / Sa herë errësirës poshtë më ke zbritur... "- shprehet ai në poezinë "O det ", e cila përbën një sintezë të të gjitha viteve të jetuara, të cilat kanë qenë me luhatje, sipas fluksit të politikës. Brenda vargjeve shprehet edhe dhimbja e poetit për vuajtjet në diktaturë, atëherë " Kur vitet e rënda më vrisnin mbi shpinë, / e koha më hidhte baltë e suferinë..." - rënkon ai. Megjithatë, midis viteve gjen edhe çaste të bukura: " Herë më përplasje në breg si fundërrinë,/ herë në majë të dallgëve më jepje lirinë ",- ngushëllohet më pas. Duhet të kujtojmë me këtë rast, se poeti K. Hajdari botoi herët, që në vitet e rinisë si në gazetën lokale, ashtu dhe në "Drita" e "Zëri i rinisë". Pas mbarimit të shkollës së mesme përgatiti tri vëllime: një me poezi "A do të vijë pranvera?", një me tregime " Violinisti" dhe një dramë " Netë pa gjumë ", por veprat e tij nuk panë dritën e botimit për frymë antiparti. Fatkeqësi... Vërejmë me keqardhje se Lushnja është i vetmi rreth në Shqipëri, ku poetët më të mirë janë persekutuar për luftë klasore dhe ide armiqësore. Kujtojmë të parin poet me emër, që u dënua me largim nga arsimi dhe riedukim në kooperativë bujqësore e më vonë në repartin e dekorit të qytetit, poetin Faslli Haliti, për poezinë e tij " Dielli dhe rrëketë" ; po kështu iu mohua e drejta e botimit lirikut Sherif Bali, poetit tjetër Elmas Qerreti, Izet Shehu, Baki Nezha, Halil Jaçellari, por dhe më të madhit prej tyre, poetit dhe shkrimtarit Visar Zhiti, i cili vuajti 10 vjet burg për frymë antiparti në vëllimin e parë poetik që çoi për botim. Theksojmë shprehjen filozofike, e cila i shkon më së shumti për shtat Kujtim Hajdarit : " Njeriu bujar ka parajsën në tokë, të ligjtë tashmë jetojnë në ferr". " I përhumbur përpiqem të rizgjohem,/ me patericën që vitet ma bënë "dhuratë ",- thotë poeti. Ai gjen lumturinë e vet pas martesës. Bashkëshortes i kushton vargjet më të ndiera, të cilat zënë një pjesë të rëndësishme të përmbledhjes. "Ti je një një nimfë, një nimfë e engjëlluar,/ që drita nuk zbehet e nuk rresht". Gjuha metaforike është e përzgjedhur. Ai e quan të dashurën nimfë, madje nimfë engjëllore. Ajo është dritë që nuk zbehet kurrë. Nimfa luan me shpirtin e tij, i cili është det i kulluar. Zemra e tij e mbushur me lumturi është gati të plasë e ai të vdesë. Është dorëzim pa kushte? Jo. Përsëri më tej ai e pranon këtë heshtje, sepse ka besim se do të rizgjohet përsëri në krahët e së dashurës. Mjaft poezi janë krijuar vitet e fundit, pasi bashkëshortja u nda nga jeta. Poezitë kanë dhimbje e vuajtje shpirtërore. Gjithçka është njerëzore, aspak pesimizëm. Në poezinë " Kudo " ai shprehet: " Unë të ndiej kudo, / të ndiej nëpër shtëpi, në ballkon,/ të ndiej jashtë në kopsht, në oborr..." Nuk do që ta besojë këtë humbje të gjysmës së tij më të mirë, i duket e pabesueshme, ndaj ngre pyetjen dyshuese: " Pse thonë s'je më?" Por prapë e kundërshton: "Nuk është e vërtetë." Këtë e justifikon me praninë e fakteve: "Poshtë në oborr,/ dëgjoj cicërimat e nipojve..."- nëpërmjet të cilave jepet ideja e vijimësisë së jetës në brezat pasardhës. " Gabojnë,/ ne përditë jemi bashkë si përherë... - Ai nuk e pranon ndarjen: - - "Koha le të shkojë,/ nuk ka për të tretur" . Marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë sublime, qiellore, plot sakrifica njerëzore për hir të dashurisë. " Ti shpirtin ma vure në një sfond me diell"- thekson poeti dhe vazhdon : "Unë të bëra flutur, të ngrita në qiell/dhe zemrën time ta dhashë në dorë". Edhe pas shumë vitesh, i plagosur rëndë në shpirt, për humbjen e pësuar, kujton vetëm ditëlindjen e saj: " Aq shumë na lëndon e na dhemb,/sa për ne vetëm ditëlindje ke ". Mungesa është torturuese. Një jetë e tërë së bashku, e ka mbushur plot me buzëqeshjen, ndriçimin e syve të saj. Në gjithçka gjen figurën e nënës së fëmijëve, përkëdhelitë dhe zërin e saj : "Të gjithë tingujt e botës në zërin tënd gjej " - shprehet poeti. Është njësuar gjithçka me të, çdo tingull që dëgjohet në shtëpi, kur diçka bie përtokë, çdo cicërimë zogu në degën e ullirit në oborr, çdo zë fëmije, çdo krismë bubullime e shoqëruar me gjarpërimin e zjarrtë të vetëtimave, i kujton njeriun e zemrës. K.Hajdari i thur himn dashurisë. Duke vuajtur një jetë si familje e persekutuar, poeti e përjeton atë me gjithë qenien e vet, edhe përtej një dashurie të zakonshme. " Dashuritë s'vdesin as kur i burgosin,/dashuritë s'humbin as kur i përflasin,/ me zili e vrer dhe kur i tymosin,/ dashuritë krahët më shumë i përplasin". Vargje që të lënë pa fjalë për forcën shprehëse, metaforat e përzgjedhura, të lehta, të bukura e shumëngjyrëshe si krahë fluture. Dashuria e tjetërson njeriun, e bën atë tjetër njeri. "Të bëra princeshë, ti më bëre mbret "- thotë poeti, sikur do të vulosë gjithçka që ka përjetuar me bashkëshorten. Asgjë s'është më si më parë. " Ëndrrat e bukura që ti sheh,/.../agimet nuk çelin pa ty, pa ne". Duket sikur bota është shuar për poetin. Çdo ditë i duket errësirë, aq sa dhe agimet nuk zbardhin më në mungesë të jetës bashkëshortore.
Heroi lirik sot ka hapësirë më të madhe se dikur. Lëvizja në vende të tjera e ka bërë të njohë vajza shumë të bukura, për të cilat lind ndjenja e dashurisë, por vetëm kaq. Përsëri ndarja është e dhimbshme. Nostalgjia për kohën e njohjes sjell trishtim. Kështu, poezia " Në më kujtofsh një ditë ", është një rezyme dashurie, e cila nuk ekziston më. Poeti lëshon pasthirrmën: " ...mos u dëshpëro, mos i mbush sytë me lot, mos u dëshpëro pse harruam këngët, ndiq vrapin e lumit". Më tej këshillon: " ...në dallgët e lumit do të ndiesh hapin tim, do të më kujtosh kudo në hapësirë, mjaft që zemra ta kërkojë, s'do ta ndiesh mungesën time, edhe pse e vrave me gjuhën tënde pa fre, megjithatë prapë nuk munde, nuk ta lashë ta nëpërkëmbje". Grekja e bukur është një tjetër kujtim i dashurisë së pamundur. Kujtimet e vendlindjes e thërrasin dhe e lënë pa gjumë. Ai nuk i premton ta presë, sepse do të ishte një mashtrim, që do t'i shtojë vetëm dhimbje. Ndarjet, edhe pse nga zënkat, shoqërohen me pendim e dhimbje, e cila bluan shpirtrat e tyre dhe shuan yjet si rrezet që ha perëndimi. Dashuria e humbur është ciknë me borë, me erë fishkëlluese që sjell pikëllim. Ende heroi është në mëdyshje: nuk di, këngët thërmuese që enden në ajër t'i kyçë në plagët e zemrës apo t'i kthejë prapë tek e dashura. Lamtumira e ndarjes për poetin është shumë e rëndë. Ai nuk ka frikën e vdekjes, sa ç'ka fikjen e dritës në sytë e vajzës. Ky është fillimi i vdekjes për të. Edhe përballë vajzës së bukur si agim, ai qëndron si akull, pa folur. E vrenjt çupën dhe e bën të largohet. Kjo e pezmaton. Ajo mund ta ketë quajtur dhe idiot. Por po të dinte hallet dhe brengat e poetit, përsëri do të ikte, megjithatë do të çonte dy pika lot. Dashuria është e përjetshme. Edhe kur nuk ka bashkim për arsye të ndryshme, ajo i përndjek të dy deri në amshim. Kur heroi lirik e humbet jetën, pa mundur të gëzojë dashurinë e vajzës, e cila në vend të zemrës kishte gur, ishte e ftohtë, nuk i përgjigjet dashurisë, " ...e çove në Ferr dashurinë" - thotë poeti. Ai çohet nga Ferri për të dashurën që i vjen te varri. Kjo është forca e dashurisë: edhe të vdekurit i ngjall . Shpesh dashuria është zhgënjim, gjë që çon në humbjen e jetës së vajzës. Por prej një dashurie bota s'mbaron kurrë, një tjetër e re do të ndezë si prushi, ndaj " jetoje jetën me të gjitha aromat e luleve dhe rrezet plot shkëlqim të agimit" Për djalin ikja e vajzës është e rëndë sa pesha e maleve. Ajo që ndizte zjarr në gjoksin e tij, nuk ia largoi pluhurin në zemër dhe mbeti lule në kujtime. Ndarja nuk ka prekje duarsh, as puthje e përqafim; ka veç dhimbje, urrejtje dhe zëra të dridhur, fjalë të akullta, dëshpërim dhe lot të hidhur. Agimi duket se u ftoh edhe më shumë. Këtë ndarje në rrugë dikush e shikon shtrembër e psherëtin me keqardhje. Sa është e bukur dashuria, po aq e hidhur është ndarja prej së dashurës. Ajo mbetet një kujtim si lule plot ngjyra. Ajo ishte një zjarr që prushëronte në zemrën e djaloshit. Pas ndarjes zjarri është bërë akull e zemra ka heshtur. Gjithsesi, kur trajton dashuritë e shkuara të rinisë, nuk bën askënd fajtor, thjesht për to ka mall. Jeta e vështirë në atdhe e detyroi të marrë rrugët e mërgimit, duke mbajtur kokën pas, në vendlindje, ku ka lënë nënën plakë. Nga dita e përcjelljes, i mbeti në mend zëri kumbues i nënës: "Ku do të shkosh, o bir ?" Nga ky çast jeta e poetit kthehet në një dramë: çfarë e pret atje ku do të shkojë? A do ta gjejë përsëri nënën kur të kthehet? Ai kërkon t'ia kthejë borxhin e sakrificave, që ajo bëri për ta rritur. Por në dhé të huaj askush nuk e pret. Gjithçka i duket e ftohtë, ndryshe nga vendlindja, ku e presin me gëzim, përqafime e këngë. Përcjellja ishte takimi i fundit me nënën, e cila ndërroi jetë pa mundur të gëzojë nipat, që i falnin dritë. Takimi me ta mund t'i shtonte ca ditë më shumë e do t'i mjaftonin për të qenë e kënaqur. Ndryshimi i sistemit la gjurmë në jetën e poetit, sikurse të gjithë shqiptarëve që u ndeshën me situata të panjohura më parë. Kaltërsia e qiellit në atdhe, u shndërrua në qiell gri. Larg, në dhé të huaj, kujton gjallërinë dhe zhurmën e qytetit në atdhe, ndryshe nga qyteti në mërgim që është i heshtur, asgjë s'pipëtin e nuk lëviz në rrugë. Poeti ka mall për fëmijërinë, për tokën pranë shtëpisë, valët e grurit dhe miken e bukur si një ëndërr. Në telefon pyet për dardhën në arë e grurin që mblidhnin dikur. Kujton bashkëfshatarët, por ata janë të paktë. Shtëpitë e vjetra, sikurse dhe pleqtë, kanë mbetur shumë pak. Janë ndërtuar të reja, por janë bosh. Rinia e kaluar në diktaturë është një peng i poetit. " Buzët digjeshin për pak liri, gjuha e terrorizuar fshihej në humnerat e frikës..." - shprehet ai nëpërmjet metaforave, duke treguar makthin e përjetuar në moshën më të bukur e më produktive. Mjerimin ekonomik e psikologjik e jep të sintetizuar në vargjet " ...Ne u larguam si nga kolera, prej vendit e djepit që na tundi, për një kacidhe rrugëve të botës". Nuk u ngop me atdheun në rini, nuk mundi të shuante mallin e ta dehte. Megjithatë, atdheu do të mbetet gjithmonë një nënë e përgjëruar dhe vetë ai, biri i saj me zemër të përvëluar. Jeta e tij është e ndarë në dy pjesë si dy jetime: njëra humbur pa atdhe, tjetra larg shpirtit tim - thotë poeti. Ndihet i pikëlluar, sepse fshati është i braktisur, nuk e njeh më, nuk i thërret " bir", sepse koha e ndoqi në botë si kusar e vendi mbeti i shkretë. Poetit i dhemb kur shikon një shoqëri që po degradon nga dita në ditë. Vrapon si e çmendur për sa më shumë pasuri, pushtet, nam e lavdi; bie pre e vesit dhe e fyerjes së njëri-tjetrit deri në rrëmbimin e armëve. Në vitet e fundit të jetës reflekton për çfarë ka jetuar dhe qan vitet e jetës të shkuara kot. I dhemb për të pastrehët, të cilët jetojnë në kontrast me të pasurit, që vrapojnë për luks e pasuri, kurse ata, të këputur, kërkojnë në kazanët për të mbajtur shpirtin gjallë. Poetit i dhemb degjenerimi moral i disa vajzave të reja, që rrugëve të Evropës shesin nderin e tyre tek pleqtë e pasur. Në këto raste poeti mban qëndrim si shqiptar, si prind, si baba, po edhe si mësues ( profesioni i poetit) për këto vajza që kalojnë nga njëri mashkull te tjetri, duke e trajtuar trupin si një plaçkë tregu, ndërsa moshataret e tyre shkojnë të qeta me burra e fëmijë në trotuare. Autori godet mbeturinat e zakoneve prapanike, që ende ekzistojnë në vendin tonë, siç është dashuria e pamundur e të rinjve pa dijeninë dhe lejen e prindërve, të cilët e dënojnë deri me vrasje vajzën që bën një "turp " të tillë. Vdekja e vajzës jo rrallë ka çuar edhe në vdekjen e djalit, i cili sakrifikon veten, sepse pa vajzën që dashuronte, nuk i duhet më jeta. Kujtim Hajdari nuk e pranon masakrën pas përmbysjes së diktaturës, kur u përmbys gjithçka, saqë iu turrën edhe ullirit të moçëm për ta prerë. Ishte një ulli shekullor, që ruante historinë. Në hijen e tij njerëzit kalonin vapën në paqe, qetësi; po kështu dhe bagëtia. Gojëdhënat flisnin se nën hijen e tij kishin bërë dasmë djajtë dhe zanat kishin vallëzuar tri ditë e tri net; po kështu një çift të rinjsh ishin çmendur nën hije të tij. Vetëm ndërhyrja e një plaku të moçëm i pengoi djemtë ta prisnin ullirin, duke thënë se " është gjynah të zhdukni nga fshati gjithë këto histori". Vetmia për poetin krijon stres, depresion shpirtëror. Ajo është e frikshme si një shtrigë e keqe, e cila e ka çuar në rrugë të gabuar, duke i ngritur kurthe e leqe, sa të harronte çdo gjë të ëmbël në këtë botë. " Sa herë jemi kacafytur të dy e jemi zënë,/.../ e prapë mizorisë tënde nuk i jam dhënë ", - thotë poeti. Motivi i jetës rinore, i djemve që e mbytin hidhërimin në pije, në drogë dhe i vajzave kapriçioze, që nuk shfrytëzojnë bukurinë e moshës, është ndër motivet më të rrahura të poetit. Ai thotë: " O djalë i pashëm me trupin azgan,/ bukurisë tënde kush nuk do t'i falej.../.../cila femër vallë nuk do t'i përmallej?" ose për vajzën: " Do kujtosh nazet e mëdha,/ ëndrra djemsh që perënduan..." Problematikat e shoqërisë shqiptare trazojnë shpirtin e poetit. Ai godet korrupsionin, duke përfshirë edhe mikun e tij, të cilit i këshillon se "prehje s'të japin milionat, as shtëpitë që ke...". Po kaq çnjerëzore dhe të neveritshme janë edhe divorcet familjare, që dënojnë kryesisht fëmijët, për të cilët gjykata do të vendosë kur duhet ta takojnë fëmijën. Pse i kufizohet liria fëmijës? Pse kërkojnë të fshihet pjesa më e bukur e jetës? Në poezinë "Errësirat" poeti thotë se "errësirat gjithmonë imponojnë frikë", siç është rruga e errët në lagje, e cila i kujton galeritë e kromit në Bulqizë e kampin e internimit në Gjazë. Jeta kapitaliste solli me vete edhe transformimin e natyrës, duke prishur ekosistemin natyror. Kështu kompanitë e biznesit u zunë pritë lumenjve dhe ujërat, që vraponin si kuajt në garë, i ndrynë në tubacione, duke shterur shtratin e tyre. Jeta e ka një fund biologjik, por poeti nuk do t'i thotë botës lamtumirë, nuk pajtohet me ndarjen nga jeta, sepse pas do të lërë zërin e tij mes njerëzve, do të lërë vargjet, që do të ngrohin zemrat e djegur nga malli. "Qan ti jetën tënde " - mesazh për vajzat, që shesin nderin për të mbijetuar. Poeti godet pa mëshirë veset e shoqërisë, siç janë disa gra që e mbajnë veten për zonja të mëdha, por s'janë gjë tjetër veçse si gjithë të tjerat, po me ndryshimin se lëkura e tyre është e mbuluar nga kremrat e përgojojnë botën parë e mbrapë, saqë të ngjallin krupë. "Zgjohu, mike!" i drejtohet poeti një gruaje të ndrydhur në shtëpi, ndërsa burri bredh nëpër mejhane e me gra të tjera. "Zgjohu! - thotë poeti, - shih ç'bëjnë të tjerat". Pemët e larta të pyllit krijojnë hije, duke penguar rrezet e diellit të depërtojnë. Errësira të kujton popujt që durojnë shtypjen, varfërinë dhe errësirën sociale. Ashtu si pylli, nuk shohin dritën askund dhe heshtin me dhimbje, të mbytur në halle. Jeta e njeriut lypës është bërë thuajse pa vlerë. Pas vdekjes së një lypseje, vetëm qeni që ushqente i gjendet pranë. Askush nuk pati mëshirë. E varrosin punëtorët e komunës. Duket sikur qentë janë më të "njerëzishëm " se vetë njerëzit. Edhe qeni i poetit e ndoqi pas autobusin kur u nis për në mërgim. Qeni e kërkoi disa muaj radhazi, derisa në fund u zhduk në pyll pa gjurmë. Poeti trajton problemet që lidhen me familjen dhe marrëdhëniet midis fqinjëve. Trajtimi njerëzor i fëmijës është detyrë kryesore e çdo prindi. Tërheqja dhunshëm e fëmijës dhe flakërima e pëllëmbës mbi fytyrën e tij, s'ka asgjë të përbashkët me ndjesinë e të qenit nënë. Vapa metaforike në poezinë "Bën vapë " shkaktohet nga grindja me fjalë e dy grave në rrugë, që ndiqen me sy nga kalimtarët, të cilët vihen në siklet përballë një situate të tillë, të cilat vapës së mesditës zjarr, i shtojnë vapën e grindjes. Jeta e poetit ka qenë e vështirë. Ai ka ndier shira mbi supe, vetëtimat me flakë i verbuan sytë, bubullimat e bënë shurdh, por të gjitha ikën, shkuan. Veçse lanë gjurmë në kujtesë. Gjithsesi, ai gjeti forcën dhe vullnetin t'u gjente një shteg problemeve e të kthehej prapë i qeshur si zog i lirë. Problemet e sherreve midis grave janë shqetësim i përhershëm i autorit, i cili kërkon që ato të tregohen të matura, të mos shuajnë diellin e të zbresin natën mbi tokë. Para se të shkojë, poeti kërkon që "natyrën ta shohë me ngjyra ylberi, me agimin e ndezur dhe perëndimin e bukur.../.../këtë jetë e do shumë, aq shumë, sa ka frikë/ të jetë i harruar para se dheut t'i jetë falë/ të jetë i vdekur para se syrin ta fikë". Poezia e Kujtim Hajdarit është konkrete. Ajo buron nga jeta shoqërore dhe i drejtohet njeriut. Nuk është e përgjithshme dhe abstrakte. Vargu është i matur, me një metrikë që varion sipas tematikës që trajtohet. Vargjet janë të rimuar me rimë të alternuar, rrallë edhe me rimë të përputhur. Fjalori është i pasur me një gjuhë të zgjedhur metaforike, duke mos i përdorur figurat si qëllim në vetvete, po në çdo rast ato janë funksionale në shërbim të mesazhit që përçojnë. Ky vëllim antologjik e ngre poetin K.Hajdari në shkallët e larta të krijimtarisë poetike, midis poetëve më të mirë të vendit.
P[ershendetje Flamur Shabani! Duke rilexuar shkrimin tuaj ese analitike per Antologjine e poetit Kujtim Hajdari, shpreh mendimin tim se keni dhene vleresimet e duhura per poezine e Kujtimit. Kjo ese le t'i sherbeje edhe atyre qe nuk e njohin mire krijimtarine e lavderueshme te Kujtim Hajdarit, por edhe atyre qe e anashkalojne ate. ju uroj shendet!