top of page

POET I AROMAVE TË SHPIRTIT


BASIR BUSHKASHI, POET I AROMAVE TË SHPIRTIT DHE I KËNDSHIKIMIT MESAZHOR


Për vëllimin”S`më pyesin vitet” Nga MEVLUD BUCI Basir Bushkashi është një poet liriko-filozofik në dritën e shpirtit njerëzor,ku çmon njeriun,virtytet me nota prekëse dhe qëndis një verb të thjeshtë,komunikues.Vargjet e tij janë të frymëzuara,me detaje që reflektojnë një këndvështrim human,duke qëmtuar nga jeta,çaste,zbulime,meditime,kujtesë e mall.Ai është poeti që do dhe entuziazmohet nga bukuria e jetës dhe në shpirtin e njeriut gjen blerim e mirësi.Mesazhet e realitetit i përcjell me një thjeshtësi të habitshme ku asesi nuk përjashtohet thellësia e tyre evokuese,të cilat e bëjnë lexuesin të meditojë gjatë,të shohë në të përvojat e tij,të bukurën dhe madhështinë e jetës kur ajo jetohet me kuptim.Kështu, nuk vjen rastësisht përkushtimi i tij për figura të shquara,por edhe për njerëz të zakonshëm,për shokë e miq,për të njohur e të panjohur, që zënë vend në këtë poezi lirike-refleksive. Në librin e tij të fundit”S`më pyesin vitet”,autori i është përmbajtur idesë se vitet bëjnë punën e tyre,por poeti sikur don t`i ndalojë ato të mos shkojnë deri te plakja dhe ia arrin kësaj poetiksht duke na prezantuar një libër me frymë rinore.Poeti është në kërkim të gjurmëve më të bukura të viteve,ato gjurmë që u njomën me frymën e dashurisë,respektit e të mirënjohjes,që në një pikë të caktuar të vëzhgimit kohor,kur kthen kokën pas, të bëjnë që të mos skuqesh.Poeti kërkon nga jeta maksimumin ndërsa shprehet: “Dhe kur do t ë iki/përgjithmonë/S`më pyesin,s`ma thonë”. Vështrimi i jetës,kohës,kombit,mirësitë, jepen aq natyrshën në poezitë(të sugjeruar veçmas për t``u rilexuar):”Ftesë e një vendlindasi”,”Po sikur?”,”A Z Çajupi,tungjateta!” ,”Bukuria”, ”Përgjithkund ca zogj”,”Krejt i vetmuar”,”Dritëro Agolli”,”Dhimbje”,”Kur u largova”,”Fluturim”,”Libri i burrërisë”,”Pse kaq megullim?” etj. Si poet i Mallunxës së Matit,I lidhur fort me trevën e vet,me punën si mësues dhe një përvojë të madhe në komunikimin me njerëz,ai nuk harron që ta traskriptojë peizazhin,jetën dhe të deshifrojë thjeshtësisht ndjenja,mendime,peizazhe: “Këndojnë plot zogj/në harenë e vet/sa harbohet pylli/po mbi të gjithë/drithërohet bilbili”. Ajo që duhet spikatur te ky poet është verbi i thjeshtë e emocionues,ide e ripërsëritur,por që përbën pikën më të foortë të origjinalitetit të tij të spikatur poetik.Vizioni njerëzor i shpirtlirisë i veshur me një vel të hollë romantic, është një veçori që përbën frymën e tij poetike prej nga burojnë dhe përpjekjet për gjetjen natyrshëm të mjeteve stilistikore. Lirizmi poetik i Bushkashit është i dallueshëm dhe vetëm i tij,e rëndësishme kjo për një poet që nuk do t`i ngjajë askujt,por që të tjerët e përshëndesin modelin e tij të arritur poetik.Më mirë se në poezinë”Një bli” kjo nuk mund të shprehet kur poeti ngre kumtin:”Një bli harliset/mbi të tjerë/më madhështor/më mbretëror/Dhe e dini pse/ju miqtë e mi/se rrënjët i ka/në thellësi”. Poeti e zgjedh figurën e blirit jo të lisit,as të bredhit,panjës a të ndonjë druri tjetër,se poeti kërkon të jetë si një dru që aromon anë rrugës për njerëzit,prandaj vargjet e tij nuk vijnë nga një stërmundim as përpjekje për racionalizim, që të bëhen interesantë sipas modës,përkundrazi,ato vijnë natyrshëm,gjithë kërkime të sinqerta e zbulime lirike,pse jo edhe dramatike,mbi jetën,të bukurën ,shpirtin,arratinë e kujtesës duke u ndalur në ato çaste me një bukuri të pashlyer. Stinët zënë vend here- here te femra,dashuria,bukuria e saj,kuptimi i thjeshtë :”Një vajzë e bukur/një police/shenja policie/mban përmbi gji” dhe çfarë intesiteti të ndjenjës mund të përftohet këtu për të ardhur edhe në konkludime të tjera:”honeve të shpirtit/kërleshen erërat/kërleshen aq egër/sa gjoksi më dhemb”;dhe:”Më tha zemra/për të të thënë/qenke si hënë”…Aroma që përfohet nga këto vargje është mahnitëse.Brenda një çast,poeti kalon në konstatim i thjeshtë i befasishëm në pamje më të zymta ,pastaj në kthjellim:bukuria e femrës është mahnitëse dhe nuk varet nga rrobja apo shenjat e jashtme… Bushkashi është një konstruktor i vargut.Poezitë e tij nuk janë shumë të gjata,dallohen për minimumin e vargjeve dhe maksimumin e ideve e zbulimeve përmes rrjedhshmërisë së thjeshtë.Kështu,ky lloj ndërtimi e sjell poezinë e tij në një nivel të mirë realizimi duke fryrë si një fllad i ëmbël bjeshkor,si një nimfë liqenore e Ulzës dhe e kodrave magjike përreth saj. Edhe kur Basiri rrok tema sociale nuk e përdor satirën,as heshtat goditëse të saj,sepse ai është poet lirik,i butë,më tepër shpreh keqardhje dhe kërkon sa më shpejt ndreqjen e ca veseve që duhet të kuptohen e të mos përsëriten përmes vetëkorrigjimit. Poezia e tij është e pastër si kristali,jo kristal i ftohtë,e kthjellët si një qiell mbi kreshtat e maleve,e shtrirë si kodrat e valëzuara të Burrelit plot lule dhe hijeshi,është një poezi që ka qëllim komunikimin,jo mbylljen dhe tjetërsimin absurd,një poezi e konkretësisë por edhe e përgjithësimit dhe e reflektimit.Ajo nuk zhytet në brenga lënduese e në qarje të një ligështuesi pesimit,përkundrazi të afron optimizëm dhe gëzim,edhe pse koha ikën,thinjat zbardhen edhe më,vitet mprehin presën,por poeti nxiton ta mbushë vargun me aroma të bukura të dashurisë njerëzore si lirik i heshtur,pa bujë,por që tërheq vëmendjen e një rrethi të madhe lexuesish dhe mban respektin si poet me zë dhe dashamirës,larg çdo hipokrizie,e për nga lirizmi ta kujton Seremben tonë të madh,por edhe bardët popullorë e lirikën agolliane,natyrisht duke qenë vetvetja. Koncentrimi i mendimit jepet përmes një lakonizmi për t`u pasur zili,ngrehina e vjershës vjen përmes zhvillimit të një mendimi me peshë,që ka një bërethamë rrezatuese,kjo ngrehinë është e hijshme dhe komode,e ngrohtë si një vatër e thjeshtë ku duhet të trokasësh lehtë,pa bujë,sepse e di që aty gjen vetëm dashuri. Në përfundim ,mund të themi se Basir Bushkashi me librin e tij të shtatëmbëdhjetë me poezi”S`më pyesin vitet” ,relizon një ligjërim poetik në hulli të ligjërimit të tij të më parshëm,por ajo që sjell të re është se ai edhe pse tashmë vitet i ka më të shtuara mbi supet e tij,freskinë,energjinë e vargut e shpërfaq në mënyrë të tillë sikur i ka prapësuar disa vite dhe gjendet në një moshë më të re.Kjo, se nuk jeton kohën reale,por kohën e vet poetike.Poeti matjan Bajram Canameti, ka të drejtë kur e përkufizon portretin e Basirit me vargjet:”Te fjala jote,poet fisnik/mbruhen udhët malore/si një diamante shndrit/agimeve mëngjesore”.Natyrisht,diamanti është vlera ndiesore dhe estetike e verbit të tij krijues…

14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page