top of page

PO TI, O GJYSH, Ç’ZEMËR KE PËR VETEN?



Se bashku me time shoqe kishim vajtur në Itali. Familja e Dritanit të ndjerë jetonte po në atë apartament. Një mbasdite u shtriva me femijet dhe, me fjalet më të thjeshta, po u tregoja perralla. Papritur, Kevini vuri gishtin siper kanotieres sime dhe preku cikatriçen. Pastaj, teper kureshtar, ma ngriti kanotieren dhe pa si zbriste ajo shenjë deri pranë stomakut. - Çfarë është kjo, gjysh? - pyeti me gjysmë zëri. Si t’ia beja? Çfarë t’u thosha femijeve per operacionin? Une e kisha bekuar atehere zemren time, qe kishte duruar nëntë muaj në spital me Dritanin, më kishte lejuar t’i beja mortin tim biri, por edhe të hidhja në leter “Per dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Ky libër, me hiret perkujtimore të Tanit, u perurua në krye të vitit. Pak kohë më pas perfundova në kirurgji. Si heshta nje grimë i kapur në zor prej pyetjes së befte të vogelushit, një frymë e mirë më ndihmoi për zgjidhen. Me fjalet të thjeshta ne perralla po tregonim dhe, prapë si në përrallë, ia nisa: Njëherë, gjyshi u sëmur dhe u desh që ilaçin t’ia hidhnin te zemra. Mbasi ia hapën gjoksin, kur gjyshi u bë më mirë, mjekët u mblodhën rreth shtratit të tij. - Sa e çuditshme, - foli njëri prej tyre, - të gjithë njerezit kanë një zemer, ju kishit dy. - Dy kam, - u tha gjyshi. - Dhe e patë çfarë shkruhet aty? - E pamë me sytë tanë, - pohoi mjeku menjehere. - Në njërën zemër shkruhet Kevin, në zemrën tjetër shkruhet Livia. Kur u ngritëm e po rrinim në divan, sapo Lona u kthye nga puna, Kevini nxitoi t’i jepte lajmin e gezueshëm. - Mami, mami, gjyshi jonë ka dy zemra! - Dhe Lona e dashtun, që e dua si bijën time, ashtu siç ishim, në çast na fotografoi. Po tash? Tash kaq jeni rritur, sa e përfshini gjyshin me një dorë. Dhe ndryshe nga bota e përrallës, në botën reale sot ju besoni të vërtetën. Besoni pra, siç thoni ju, se gjyshi nuk ka dy, por katër zemra. Këto dy të tjerat i ka për Oliverin e për Marsin, djemtë e Bardhylit, nipat e gjyshit nga e bija, ajo bijëza që dikur, atje në malet e veri-lindjes, e pati quajtur Riviera. Pastaj të gjithë bini në mendime, sikur jeni duke pyetur: “Po ti, o gjysh, ç’zemër ke për veten?”

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page