Tregu i romëve “Parku Rinia”
Nga Fatmir Terziu
Gjuhët janë vigjilente,
jo sa sytë,
qofshin me syze optike, dielli, apo dhe lente
një dhomë e ndezur nga hëna gjysëm e plotë,
e butë coha që prek
ballin e mbushur me djersë
poshtë një zog,
mbi të dhe nën të një botë,
toka dhe qielli janë mbledhur në një gotë,
verë e shtrydhur,
rrahjet e zemrës metojnë me kujdes.
Dy trupa shastisin tregun e zhurmshëm
një kanape,
një mëndafsh i mbushur me flokë bore,
e pasmja takon diku në një mbrothësi,
e përparmja më kot mbulohet nga krahët,
ndërsa romi me mustaqe lëpin një përzierje krudo,
romja fshin bulëzat e djersës dhe jep xhevap:
e shesim edhe këtë nudo.
Elbasan, gusht 2019
Tek berberana e Zaranikës
Nga Fatmir Terziu
Koka është si toka kur zhvishet nga geni
në një berberanë
flokët janë vetë rendi
imagjinatë, perceptim
apo një modifikim i leshrave trendi…
… kjo i përket edhe kokës së zhveshur:
me lesh të ashpër e të bardhë
e vetmja rrugë e mbetur e pashkelur
mendja duke kullotur mbi xham,
kohë e kohërave më parë,
shkel një hapësirë të mbjellur me zjarr
me dy anë të ndara nga një urë
të mbytura me thashëtheme e fjalë
dhe dy krahë të një lumi
që mbledh poshtë
në një rrjedhje të ndjeshme
kujtimet e lodhura të viteve
ku koha ecën e ndalon sipas ritmeve
tek përskuqja e faqeve pa një buzëqeshje.
Bota ende shtrydh thashëthemet
e përroit që nga fryrjet u bë lum i prushtë,
mbrëmjeve pret që të dehet
diku poshtë Ullishtes në një nyje të ngushtë.
Leshrat bien lotë duke lënë thinjat mbi xham,
aty, në Zaranikë, në një berberhanë.
Elbasan, gusht 2019.
Plazma në “Sheshin Gensher”
Nga Fatmir Terziu
Në Sheshin “Gensher” plazma dirigjohet nga pasthirmat,
në zagushinë e Bezistanit të moçëm,
kumuritë zbaviten
në një shtrojë shumëngjyrëshe me qindra arna gjethesh,
hija ende si shkopi i Sulltanit zhvishet,
e dehur nga kënaja mes gishtave.
Plazma rrëshqet mes metaforave të një reklame
harpa i ka mbyllur sytë nga frika
një shtrëngatë e madhe mund ta zgjoj atë në agim
në kitarë me Alfons Balliçin mjeshtër,
por ajo enkas ka nisur të lëshojë melodinë e saj
diku në kërkim
të mozaikut të vjetër.
Plazma shëtit gjeografinë e radhës
po e vidhos në mëndafshin e natës.
Elbasan, gusht 2019.
Comments