top of page

PLAGËT E EMIGRACIONIT


PLAGËT E EMIGRACIONIT KLANDESTIN NË ROMANIN

“EMIGRANTI FISNIK” TË SETKI Q.JASHARIT




Në tri dekada tranzicion të tejzgjatur, shqiptarët, ndoshta si asnjë komb tjetër, veç të tjerash përjetuan dhimbshëm, madje dhe tragjikisht plagët e rënda të emigracionit klandestin. Ky realitet i trishtë ka shërbyer si subjekt i dhjetra tregimeve, novelave e romaneve të autorëve, të njohur, por edhe të rinj.

Setki Q.Jashari, që bën pjesë tek këta të fundit, ka shkruar dhe botuar romanin “Emigranti fisnik”, ku në 266 faqe të tij trajton me mjeshtri artistike ngjarje dhe episode, produkte të kësaj plage të rëndë shoqërore.


PAK RADHË PËR SUBJEKTIN


Ngjarjet nisin tri dekada më parë, kur shndrrimet epokale të shoqërisë shqiptare, me kalimin nga diktatura në demokraci u shoqëruan, veç varfërisë së tejskajshme, edhe me fenomene tejet negative, siç qenë edhe trafiqet e paligjshme, e veçanërisht trafiku i qenieve njerëzore. Pasi e ka përjetuar dhimbshëm atë realitet, sidomos në vendlindjen e tij, nga ku Otranto përpiu dhjetra jetë njerëzore, autori e ndërton subjektin e këtij romani, duke i renditur ngjarjet në mënyrë kronologjike, që nga arratisja e të rinjve drejt Greqisë e Italisë për t’i shpëtuar skamjes e varfërisë e deri tek shtrirja e tentakulave të krimit të organizuar, duke rekrutuar e përfshirë në këtë rrjet përfaqëuesit më të urryer të shoqërisë.

Kështu, në njërën linjë të romanit vepron personazhi kryesor Marino Bradi, i rritur jetim, i zhytur në brejtjen e pafundme të vetmisë, ankthit, çmendurisë, i cili simbolizon emigrantin fisnik, në linjën tjetër janë llumi i shoqërisë, si Shemsia, një putanë e përdalë, që pasi ka siguruar suportin e njerëzve të pushtetshëm organizon për vite të tëra rrjetin e furnizimit të trafikantëve me viktima të këtij trafiku, duke i transporuar ato nga Dibra për në Vlorë e duke i detyruar të qëndrojnë atje me ditë e javë, deri sa t’ua zhvaste shumicën e parave në hotele e motele të rëndomta. Ndërsa përbindëshi tjetër është Indrit Kruzo, zotëruesi më tipik i veseve më të poshtra njerëzore, i cili bën rolin e mashtruesit e të tutorit të disa prej vajzave më të bukura nga vendlinja e tij, si Marjana, Matilda, Anita, etj.

Dhe ndërsa Marino Brado simbolizion të riun shqiptar që synon të ardhmen e tij me punë të ndershme, madje duke u bërë shembull për familjet pronare tokash në Mançerata të Italisë, e deri heroi i tyre pas shpëtimit të Matildës nga kthetrat e njërit prej mafiozëve më të rrezikshëm që vepronte në atë zonë, duke e vrarë atë me shatin me të cilin prashiste duhan, Indrit Kruzo organizon rrjetin më të rrezikshëm të shfrytëzimit të prostituave, duke krijuar lidhje me mafiozë vendas dhe madje edhe me eksponentë të kriminalizuar nga policia. Ky maniak, nën ndikimin e fuqisë së parasë së pamerituar është bërë njeriu më i babëzitur, i zhytur në batakun më të neveritshëm, duke u shndrruar në cinik, i pabesë e pa karakter.

Viktimë e aktivitetit kriminal është edhe Rudina Struga, e cila sakrifikoi rininë e saj, për të shpëtuar motrën, Marjanën nga kthetrat e kryebanditit Indrit Kruzo, por u kthye në arkivol që nga Italia…


MJERIMI, PJELLË E DJALLIT!

SA POSHTË E UL VIRTYTIN NJERËZOR


Tipizimi i personazheve, i realizuar mjeshtërisht nga autori S.Q.Jashari i mundëson lexuesit njohjen e strukturës së këtij romani që trajton emigracionin klandestin si një nga plagë më të rënda të shoqërisë shqiptare. Viktima të kësaj plage janë pikërisht djem e vajza nga familje të varfëra. Është gjendja e tyre e mjeruar që i detyron të marrin detet me skafe, pa patur siguri jete. Kështu, personazhi kryesor, Marino Bradi kur detyrohet të braktisë nënën e vetme, i thotë asaj: “Më mirë i vdekur, se sa gjithmonë një bajgë e qelbur, që s’i hyn as dreqit në punë…”. Ndërsa tek bashkfshatari i tij, Metushi “caku i mjerimit të asaj familjeje kishte arritur në ekstrem dhe ata nuk pyësnin aspak për çmimin që lypsej të paguanin, vetëm e vetëm t’i shpëtonin skëterrës: të siguronin para. Se si, aspak nuk u interesonte. Hej mjerim, ti pjellë e djallit, sa poshtë e ul virtytin njerëzor”. Dhe për ta argumentuar këtë, autori sjell rastin e Anitës, vajzës së Metushit, e cila me “bekimin”e të jatit i shkon pas trafikantit Artur Guduri, që si edhe Indrit Kruzo vazhon me cinizëm lojën e tij, duke e nxjerrë prenë si prostitutë rrugëve të Italisë.

Përballë tyre autori vë “emigranin fisnik” Marino Bradi, si dhe Rudina Strugën, e cila “kishte marrë guximin, pa përfillur vështirësitë e jashtëzakonshme për moshën dhe gjininë, e maskuar si djalosh, të shkonte në Itali në kërkim të motrës së saj, të grabitur nga trafikantët…”, por që fatkeqsisht, pasi e takon motrën dhe krijon një familje solide me Marinon do të vritet nga kryebanditi Kruzo, për t’u kthyer kufomë në vendlindje…. Kjo do ta zhyste në dëshpërim të thellë Marino Bradin pasi kishte humbur vajzën, që pasi e kishte shpëtuar nga dallgët e detit (kur ajo ishte maskuar si djalosh për të mos e njohur) “…i ishte dukur herë si hirushja e përrallave që kishte shpëtuar nga shtriga dhe po kërkonte princin e humbur” dhe më pas “iu bë si Kleopatra e Egjiptit që po udhëtonte drejt Romës, ku Qezari kushedi në ç’haman dëfrehej…” dhe “…më së fundi iu duk si Merlin Monro, që dikush e kishte fyer, ia kishte prishur ënddrën…”.

E perifrazova kështu autorin në fq.58 të këtij romani, për të evidentuar horizontin e tij kulturor, çka dëshmon se ai ka lexuar shumë ndaj dhe ia ka arritur të shkruaj një vepër kaq cilësore.

Gjithsesi, përveçse përshkrimit me nota therëse të këtyre ngjarjeve makabare, autori S.Q. Jashari jep mjeshtërisht miqësinë me italianët Antonio Ferara, Sofie Baxhi, Viktor Rosini, bashkëshorten e tij Angjelina, dhe vajzat Luçia e Serena, - një miqësi kjo që do evidentojë vlerat më të mira njerëzore të të dyja shteteve tona fqinje.



HYJNIZIMI I SË BUKURËS DHE DASHURIZË NJERËZORE


Në këtë roman, në strukturën dhe përmbajten e të cilit mbizotërojnë skena krimi, akte përdhunimi e trafikimi të qenieve njerëzore, autori sjell natyrshëm edhe hyjnizimin e së bukurës e të dashurisë njerëzore. Rasti më perfekt këtu është përshkrimi i bukurisë fizike e shpirtërore të Rudinës, si atëhere kur: “..aroma e shampos dhe avulli i lëkurës së vajzës e ngacmuan Marinon të kthente kokën nga vajza. U mahnit nga bukuria e saj. Iu bë se aty kishte zbritur vetë perëndia e bukurisë. Ç’farë lëkure e brishtë. Sytë kaltëroshë, flokët akoma të lagur që më shumë ia tundonin epshin dhe gjoksi nga buronte magjia e joshjes dehëse…Rudina ia mbërthente trupin, kokën me gishtërinjtë njomëzakë, të cilët duke lozuar me flokët e partnerit, i përcillnin ndjeshëm, ëmbël, gjithmonë në ndezje, kënaqësinë e momentit. Djaloshi, i ngopur me magjinë e sisëve, i rrëshqiti të dy duart, nën trupin e vajzës, drejt shpatullave dhe ndali buzët e tija në buzët e saja, tek gjuhët e tyre u përleshën ethshëm me njëra tjetrën, ndërsa penisi i tij, i tejlodhur, më në fund gjeti shtëpizën ku u relaksua, duke qarë nga dashuria e pashkruar. Ata s’kishin të ngopur me njëri-tjetrin, sikur deshën të lanin borxhet e shumë viteve pritjeje, sikur të rrëfenin në maksimumin e mundshëm, etjen, dashurinë, mallin….”. (Fq.68-69)

Episode të tilla dashurore, duke intriguar këndshëm, autori jep edhe në lidhjen e motrës së Rudinës, Marjana Strugës me avokatin italian Serxhio Rosini, i cili fatkeqsisht vdes në moshë të re nga një sëmundje kanceroze, por që lë pas trashëgimtaren me emrin e tezes Rudinë…

Vlerat e këtij romani konsistojnë edhe në mesazhet që përcjell për domosdoshmërinë e konsiderimit të punës së ndershme për të patur një jetesë normale e pa telashe dhe të konsolidimit të shtetit ligjor e të luftës pa kompromis kundër korrupsëionit e trafiqeve të paligjshme, si kushte për t’u integruar në Europën e Bashkuar. Kjo, pasi autori konkludon se: “Bota sot vërtet po tundet nga themelet. Po respektohet më shumë një qen se sa një njeri. E përse? Sepse njeriu shpesh i kalon kufijtë e normales dhe as që bëhet fjalë për mirëbesim e garanci. Sot njerëzit po braktisin në masë fshatin, tokën, bujqësinë, blegtorinë, duke mbipopulluar qytetet dhe vetvetiu lindin shumë probleme sociale, por edhe sëmundje që as u dihej emri më parë”. Ndoshta edhe ky konkluzion i ka shërbyer Kujtim Xhepexhiut për të evidentuar në parathënien e romanit faktin se: “Në këtë vepër, gjithçka vjen e gjallë, reale, gati në natyrale dhe lexuesit i duket sikur i ka njohur me kohë personazhet e këtij romani, disa prej të cilëve, me shpirt mizor, i urren në kulm dhe ca të tjerë i simpatizon dhe i dashuron. Këta të fundit gdhenden në kujtesën e lexuesve, duke lënë mbresa të pashlyeshme. Patjetër kjo është meritë e autorit që arrin të skalisë figura të tilla mbresëlënëse jo vetëm për rrethin miqësor e shoqëror, por edhe për shumë familje italiane, ku çifti Marino-Rudina, jetoi dhe punoi me devotshmëri. Lidhjen e fortë shqiptarë-italianë, autori e ka realizuar bukur dhe me realizëm përmes lidhjes martesore Matilda-Antonio dhe Marjana-Serxhio”.

Dhe si konkluzion i konkluzionit, mund të ishte ajo çfarë shkruan autori në faqen 151 të këtij romani, se: “Një njeri është i lumtur edhe kur i respektohet emri, brenda të cilit është dhe personaliteti, edhe fisnikëria e tij”.

54 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page