top of page

Pionier i letërsisë së minoritetit grek në Shqipëri


Spiro Xhai

Nderim për Spiro Xhain


Pionier i letërsisë së minoritetit grek në Shqipëri


Spiro Xhai...

Një emër që më kthen prapa, më kthen në mesin e dytë të viteve pesëdhjetë kur emri im bënte vend modest, nga Fieri ku vazhdoja shkollën e mesme, në faqet e gazetës “Zëri i rinisë”. Më kthen në fillimin e viteve gjashtëdhjetë kur, student tashmë, isha thuajse i përçdonumër në faqet e “Zërit të rinisë”...

Pranë emrit tim të vogël ishte emri i madh i Spiro Xhait...

Asokohe “jam njohur” me Spiron, jam njohur me tregimet, reportazhet, përkthimet e tij...

Fizikisht do ta njihja, si sot e njëmbëdhjetë vjet më parë, në pritjen që organizonte Ambasada Shqiptare me rastin e festës Kombëtare me trupin diplomatik të akredituar në Athinë. Do të takonim duart e këmbenim zërat me emrat tanë. I menjëhershëm do të vinte shtrëngimi i duarve, shtrëngim që mban në vetvete mall dhe dashuri. Emrat e kishin bërë të veten, na kishin kthyer dekada mbrapa në hapësirë për të na kthyer në truall, nën një vështrim dhe buzëqeshje që nxirrej nga pusi i thellë i shpirtit.

Spiroja ishte në shoqëri të një botuesi të madh grek, Jovanit. Kur më prezantoi me të duke i thënë edhe se isha dibran Jovani menjëherë u çel për të më treguar se edhe ai e njihte Dibrën, madje “kishte qenë atje”. Jo fizikisht, jo vetë por nëpërmjet djalit të tij Vasil Jovanit që për vite të tëra kishte punuar e jetuar në Bulqizë. Një histori me subjekt romani historia e tyre. E njihja Vasilin, madje me të dhe me shokët e tij inxhinierë gjeologë e inxhinierë minierash kisha zbritur në thellësitë e Bulqizës dhe isha ngjitur në lartësitë e maleve të Dhoksit, Theknës e Tërnovës...

Spiroja përkthente bisedën tonë, qeshte dhe humbte në kujtime të largëta...

Spiron do ta takoja më pas në zyrat e Shtëpisë Botuese Jovani ku punonte dhe punoi duke krijuar e përkthyer në dy gjuhë deri ditën e ikjes në përjetësi. Do ta takoja në veprimtari të ndryshme zyrtare e shoqërore, në rrugët e Athinës në pamjen e njeriut që nuk e kërrusin vitet, të njeriut që kur i merr dorën të duket se ke marrë një gjë të çmuar.

“Zyrtarisht”, sepse Spiro Xhai ishte i pranishëm në të gjitha evenimentet e mëdha, e kam takuar më 25 nëntor 2007 në sallën e madhe në katin e nëndheshëm të hotelit Divani Caravel, atë ditë kur erdhi dhe u takua me emigrantët Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Biseduam dhe i bëra një fotografi...

Nëpërmjet një gazete të përditshme shqiptare mësova se Spiro Xhai, intelektuali, shkrimtari, përkthyesi, NJERIU...është nis rrugës së fundit të jetës së njeriut. Është nisur duke lënë një pasuri të madhe, pasuri që mbi të gjitha lidhet me dy popuj, me dy vende, Greqinë dhe Shqipërinë, të cilat ai i deshi si fëmija nënën.

Nuk po kërkoj më shumë në biografinë e Spiro Xhait. Nuk po kërkoj sepse më mirë dhe më me ndjenjë për të ka shkruar Nasho Jorgaqi- shkrimtar, eseist, biograf njerëzish të mëdhenj të kombit shqiptar (Noli, Stafa...), bashkëkohës i afërt i tij...

Unë, nga ana ime, po shtoj vetëm kaq: Spiro Xhai, ndërmjet shumë të tjerash, përkthime e krijime në dy gjuhë, ka përkthyer edhe veprën “Gjuha e Perëndive” të Aristidh Kolës. Domethënëse, tepër domethënëse...

Spiro Xhai foli dhe shkroi në “Gjuhën e Perëndive”...

A. ASHIKU

* * *

Këto ditë mbylli sytë në Athinë shkrimtari Spiro Xhai, një emër ky i njohur e i nderuar në opinionin tonë letrar e më gjerë. Ai ka meritën të jetë një nga pionierët dhe themeluesit e letërsisë së minoritetit grek në Shqipëri, dekan i saj për dekada të tëra.

Partizan i orëve të para, një nga udhëheqësit kryesorë të rezistencës antifashiste të minoritetit, zëvendëskomisar i Brigadës së XIX sulmuese. Organizator energjik që pas çlirimit kreu detyra me përgjegjësi, nga të cilat spikat drejtimi për vite me radhë i Shtëpisë Botuese "Naim Frashri".

Shkrimtar i talentuar, intelektual me interesa të gjera dhe njeri i veprimit, punëtor i palodhur dhe modest, ai la gjurmë të pashlyera në jetën e tij. Spiro Xhai mbetet një nga emrat simbol të miqësisë vëllazërore të minoritetit grek me popullin shqiptar. Ata që e njohën nga afër nuk mund të harrojnë faktin që për të ishte i huaj çdo lloj nacionalizmi.

Në mozaikun e letërsisë së minoritetit grek, spikat si një shkrimtar me diapazon të gjerë. Romancier, tregimtar, dramaturg, biograf, përkthyes e publicist, ai është autor i një vargu veprash me kontribute në letërsinë e pasluftës. Spiro Xhai ishte nga shkrimtarët bilinguinë, që shkroi në gjuhën amtare dhe po vetë i përktheu në gjuhën shqipe.

Krijimtaria e tij në radhë të parë qe pasqyrë e jetës së minoritetit, por edhe një gjeografi më e gjerë, ku shpalosej përgjithësisht realiteti shqiptar. Në këtë pikëpamje, veçanërisht me tematikën e veprave të tij, ishte një zë origjinal. Në një kohë kur letërsia e minoritetit zhvillohej kryesisht në fushën e poezisë, ai lëvronte prozën, duke i sjellë frymëmarrje krijimtarisë letrare të kësaj etnie.

Emri i Spiro Xhait u shfaq në letërsi qysh në vitet pesëdhjetë, me një nga veprat më të suksesshme të kohës, siç qe novela "Pesë letra" (1956), e cila pati jehonë dhe u përkthye dhe në gjuhë të huaja. Në të trajtohej tema e kurbetit, një nga plagët e minoritetit, që në pendën e autorit gjente një shprehje realiste, me nota të dhimbshme dramatike, shkruar me vërtetësi psikologjike dhe mjeshtërisht.

Më tej, prej tij lexuesi mori novelën "Dashuri cigane", një vepër kjo përsëri me një temë origjinale, krejtësisht e paprekur nga letërsia jonë. Ishte jeta e komunitetit rom, një mjedis fare i panjohur, ku gjallonin karaktere të spikatura dhe jepej me ngjyra piktoreske atmosfera e jetës së tyre.

Krijimtaria e Xhait fitoi përmasa të gjera dhe vlera të reja në dy romanet që ai shkroi, siç janë "Spitali partizan" (1967) dhe "Kronikë dropullite" (1989). Janë këto vepra ku hidhet dritë në dy epoka të ndryshme, të asaj të Luftës Nacional Çlirimtare dhe të jetës së minoritetit në vitet e socializmit.

Romanet janë të mbushur plot jetë, me njerëz dhe situata realiste, me konflikte të gjalla, me tipa e portrete interesante, përmes një rrëfimi tërheqës. Mbresa të veçanta të lë jeta e minoritetit, njerëzit e mençur e punëtorë të kësaj etnie, bota e tyre e pasur shpirtërore, disa nga tiparet e komunitetit që përfaqësojnë, bashkëjetesa e admirueshme.

Spiro Xhai biograf shkroi dhe dy monografi me vlera studimore dhe edukative, siç janë "Thanas Ziko" dhe "Lefter Talo", figura të dashura e të nderuara, që kanë hyrë në historinë e minoritetit grek në Shqipëri.

Me vlera njohëse paraqitet dhe publicistika e pasur që ai shkroi nëpër vite, sidomos si bashkëpunëtor i gazetës së minoritetit grek "Llaiko Vima". Ai është ndër përkthyesit e shquar të letërsisë greke në Shqipëri, që nga proza e antikitetit e deri tek "Apologjia e Sokratit" e K. Varnalisit. Ai la pas emrin e një shkrimtari të nderuar dhe shëmbëlltyrën e një njeriu të dashur, të mençur e të urtë. Një karakter i admirueshëm për konsekuencën dhe koherencën e jetës së tij, luftëtar i paepur për drejtësi e për të vërtetën, krijues që e kish në shpirt artin dhe punën, njeri i progresit që dinte të shikonte para dhe prapa, duke gjykuar për botën dhe njerëzit objektivisht, dialektikisht dhe ndershmërisht.

Edhe pse i kthyer te rrënjët, në vendin e origjinës, ku kaloi vitet e fundit të jetës, ai do t'i mbante të gjalla lidhjet shpirtërore me Shqipërinë, me fatin e saj, me miqtë e shokët që kish lënë këtu, pa të cilët nuk e merrte me mend ekzistencën e tij si njeri dhe artist.

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page