top of page

PIKTORJA QË OPERON ME NGJYRAT DHE MENDIMIN


MARJANA GOXHABELLIU

SHPENDI TOPOLLAJ




Në rrethin e piktorëve tanë, Marjana Goxhibelliu është një emër i njohur dhe i respektuar. Dinjitoze, atë nuk e kanë bërë vetëm vlerat e saj njerëzore, por edhe arti i guximshëm e plot pasion që ajo na jep. Është disi e habitshme kur mëson se ajo nuk i ka kryer studimet për pikturë, por për psikologji. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që ajo, në rrugëmin e saj artistik, i ka mëshuar përherë më shumë formës sesa përmbajtjes, gjë e praktikuar nga kubistët si Picasso, Braku, Legeri etj. teksa çonin më tej përpjekjet e Paul Cezane aty nga fillimi i njëmijëenëntëqindës. Ndjekësit e Picassos me ato figurat e tyre gjeometrike, patën një ndikim të madh në zhvillimet e pikturës së mëvonshme, aqsa aktualisht diskutimet dhe dyshimet rreth këtij arti, janë të pakuptimta. I kam parë edhe tablotë realiste të kësaj piktoreje, me shumë e shumë ekspozita të mirëpritura brenda dhe jashtë vendit, por ajo mesa duket është prirur nga arti që rëndom e quajmë abstraksionist, pasi e shtyrë nga profesioni, ka dashur të komunikojë me shikuesit nëpërmjet mendimit.

Kanë aktruar në telajo me format edhe piktorë me emër si Wassily Kandinsky e Paul Klee që e kanë gjetur harmoninë atje ku kanë dashur ata dhe jo ku ka qenë shija apo kërkesa e të tjerëve. Albreecht Dureri ka thënë se “Një piktor i mirë është plot piktura përbrenda”. Dhe përbrenda, piktori ka shijet, konceptimet, zgjidhjet dhe preferencat e tij që janë krejt personale dhe të pangjashme me ato të të tjerëve. Koha kur edhe te ne piktorët futeshin në rresht ka kaluar, duke u lënë mundësi dhe hapësira të lira atyre. Marjana, një autore e kulturuar, me kontakte të pafund me rryma e prirje të kolegëve, mesa duket e gjen dhe e shpreh veten në këtë lloj pikture. Mundet që ai që i sheh tablotë e saj, ta lodhë trurin për të zbërthyer artin dhe mesazhin që ka dashur të thotë, por nuk duhet harruar sesa kohë, mund e lodhje i ka kushtuar vetë kësaj autoreje vendimi për kompozimin e punimin e radhës. Ajo, së pari tek ato tablo me përmasa relativisht të vogla, që nuk kapin as 70 cm, ka kuvenduar me veten dhe pastaj ka menduar edhe për shikuesin e tyre. Dhe natyrisht që i ka dhënë karar se jo vetëm ajo është e lirë të vrasë mendjen rreth tyre, por edhe shikuesit gjithashtu, janë krejt të lirë të mendojnë si të duan. Rëndësi për të ka fakti se ajo, atë që nxjerr nga mendja, dora dhe peneli i saj, e bën me përkushtim e dashuri.

Leon Tolstoi është shprehur një herë se “Dashuria plot pasion e artistit për ato që krijoi është vetë zemra e artit. Pa dashuri s`ka vepër arti”. Pak më lart përmenda Kandinskyn; tani të më thotë dikush në është i zoti të gjejë figurat njerëzore te tabloja e tij “Kozakë”. Por a e dini sesa kushton ajo? Ose shihni veprën e piktorit shqiptar nga më të shquarit, Ibrahim Kodra, dhe do të më jepni të drejtë. Katrorë, rrathë, kënde që veç e veç s`thonë asgjë, por së bashku, pra në tërësinë e tyre, flasin shumë. Them flasin shumë, pasi kanë shumë shpjegime. Po t`i pyesësh një nga një ata që i sodisin, nuk do jenë aspak në një mendje mes tyre. Por pikërisht këtu qëndron edhe talenti i artistit dhe forca misterioze e artit të tij. Për disa artistë, bukurinë e natyrës, njerëzit fare mirë mund ta shohin po në natyrë, se më të përsosur se atje talenti, qoftë edhe i vetë gjeniut nuk mund ta pikturojë. Pse a nuk dinte vallë në vitin 1928 Picasso të pikturonte një kokë? Atëherë si shpjegohet që ai, i pranuari si më i madhi i shekullit që shkoi, na e ka dhënë atë me trajta që të kujtojë dadaizmin? Kështu që artisti kërkon rrugë të reja komunikimi me ata, rrugë ndofta krejt të reja, ndofta edhe të kundërshtuara. Një piktor i tillë, më shumë sesa t`i qëndrojë besnik riprodhimit, kërkon të krijojë dhe të japë ato ndjeshmëri që njeriu nuk i gjen tjetërkund. Veç duhet mbajtur mirë parasysh se Marjana Goxhabelliu, në të gjithë krijimtarinë e saj, përveç harmonisë solide të vendosjes së detajeve në dukje të pangjashme, ka dhe një harmoni gati perfekte ngjyrash. Ajo luan me aq mjeshtëri me to, sa ato gati - gati bëhen zotëruese dhe të ngjallin një emocion dhe kënaqësi të veçantë estetike. Në qoftë se piktorja vendos vida, gozhdë, susta e vegla të tjera që të kujtojnë epokën moderne ku jetojmë, e bën këtë aq natyrshëm, sa askush nuk e vë re artificin. Në funksion të zhvillimit të mendimit deri në fantazi dhe për të mos influencuar në të, ajo, as diçitura nuk u vendos tablove të saj. Po a zbret ajo te arti primitiv. Patjetër.

Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi ne jemi vazhdimësi e atyre njerëzve që sado primitiv që ishin, u munduan të bënin art, qoftë edhe nëpër shpella. Besonin te fryma, në atë që ne modernët e quajtëm animizëm. Por a nuk jemi edhe ne që besojmë në të, pra te shpirti? Dhe a nuk do të vazhdojë njeriu të besojë në të në jetë të jetëve? Nga shpirti i shenjtë deri te shpirti i njeriut, te shpirtërorja. Po të mos qe kjo, nuk do ishim njerëz. Këtë dukuri të padukshme, jo piktorët, por as filozofët nuk e ezaurojnë dot. Do na ndjek pas gjithmonë. Si e tillë, pse të mos merret me të edhe kjo piktore? Ja pse është e përligjur edhe dhënia e formave njerëzore atyre veglave apo demave të toreadorëve që paraqet.

Ose të paktën, sido që ta vërtitësh, ato njeriun të sjellin para syve. Kurse Don Kishoti, ka brenda nderimin për qëllimin dhe sarkazmën për utopinë ndaj atij njeriu që se hoqi ndonjëherë pancirin. Ai vërtetë deri më sot na është dhënë në mijra mënyra, por Marjana e përshkruan atë edhe komikisht edhe tragjikisht. E portretizon atë ashtu siç do ta bënte surrealisti Salvador Dali. Të bije në sy fytyra e tij e trishtuar, por po aq e trishtuar është edhe fytyra e Rosinantit të tij. I rroftë heshta që desh të mbërthente botën mbarë, dhe që vazhdon të qëndrojë krenare dhe kërcënuese. Edhe nudove të Marianës nuk u mungon një skicim me psikologji. Ajo nuk ka synim të përshkruaj trajtat e përkryera të femrës, por gjendjen e tyre psikologjike, me hallet, preokupimet dhe përvujtshmërinë e tyre të përditshme, dhe përtej tyre. Të dhimbsen dhe sepse të bëhen edhe më të dashura ato gra. Ka disa tablo që edhe pse disi të rrëmujshme në dukje, ngjajnë si natyra të qeta të mirëfillta. Madje, të para nga larg, vetëm për të tilla, mund t`i marrësh ato, pasi i japin të tillë pamje, korrektësia në vendosjen dhe alternimin e ngjyrave. Ja, këto mendime më lindën edhe mua, teksa ju ktheva dhe një herë albumit të saj të vitit 2013. Se në vazhdim kam bindjen se ajo ka ecur akoma më para.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page