top of page

PIKTORI


PIKTORI

Tregim

Kushtuar piktorit VIKTOR BULLGARI

Më në fund peneli i mbeti në ajër. Ai thuajse ngriu i tëri para portretit dhe vetëm sytë e tij, që u hodhën nga e dashura e adhuruar u drodhën. "Mbaruam për sot",-tha ai, duke e ulur penelin ngadalë. Ajo sikur u zgjua prej një ëndërrimi dhe e hodhi menjëherë mantelin e kaltër mbi trupin lakuriq, sikur të ndodhej befas para një turme vizitorësh në ekspozitën e tij, kur portreti i saj qëndronte i varur para syve lakmitarë të së bukurës ndritëse. Qe i dhjeti portret që i bënte të dashurës gjatë dhjetë viteve të fundit e, në atë përzierje ngjyrash nuk po e gjente dot atë nuancë fërfëritëse të gjinjve që në portretet e mëparshme merrnin befas ngjyrat e diferencuara të manushaqeve, me një kadencë farfuritëse maramendëse. 1. Diçka kishte ndodhur. Ajo iu afrua ngadalë, i tërhoqi penelin nga dora që e kishte ende një dridhmë të lehtë dhe, me leckën përmbi tryezë, e fshiu furçën, duke e vendosur bashkë me të tjerat. Koka e tij e stërmadhe, me kaçurrelat thuajse të thinjtë që i ranë mbi ballin e gjerë, u var mbi supin e saj. Ishte ajo tani që e vështronte portretin e pambaruar të vetvetes, me ato linja drithëruese ku shëtiste dora e tij në të tjera çaste, derisa zbriste mëtëposhtë mistereve rrëqethëse të femrës. Ai vuante po njëlloj edhe kur do ta pikturonte, gjithmonë para kryerjes së aktit njerëzor të njësimit të lumtur përmes ofshamës së britmave të lëshimeve të vetvetes në atë humnerë kënaqësish të pafundme. Dhe vetëm kur do të rikthehej në gjendjen e mëparshme, gishtërinjtë e tij do të rrëshqisnin ndër gjinjtë e bukura, në atë pjerrësi ovale, që këtë herë i kishin dridhur penelin e nuanca që dilte prej trazimit të ngjyrave, nuk e merrte dot atë ndryshim që kishin bërë vitet e pamëshirshme: zbehjen, kadencën e diku një varje të gjinjve... Nganjëherë, vitet që kalojnë, si pa u kuptuar, bëhen të pamëshirshme, gati fatale. Ku ishte tani ai portret i saj me buzët e ndezura, sensuale, që dukeshin sikur të ftonin për ta puthur, gushës elegante, supeve të mbushura e sisëve të kërcyera, mbi të cilat ai mbetej pa frymë? -Do të merrem me detin, tani e tutje, - tha ai... Do pikturoj detin... Do ta hedh atë mbi telajo, me të gjitha ngjyrat, në kohë të ndryshme të ditë-natës dhe me po ato reflekse të befta e lozonjare si ju femrat...Po edhe me ullirin që jeton më shumë se një shekull dhe me vajin e tij mba gjallë jetën njerëzore...Persëri si ju që e lindni dhe e rilindni jetën parreshtur.... -Nuk më do më?,-tha ajo duke u ngjeshur si kulpër mbi trupin e tij. Nuk e kanë fajin femrat se sa ju piktorët që vizatoni materien në natyrë, po edhe njeriun,që ndërron e s'ka asnjëherë mundësinë të mos ndryshojë... Ai e pa me qetësinë e tij të sapondezjes. Ndjeu nga brenda vetes vagëllimin e shpirtit erotik. Kjo qenie delikate, e kishte bërë për vete që dhjetë vite më parë, kur ajo u shfaq papritur në qytetin e tij, ashtu krenare, me ecjen shpërfillëse, tek i dridhej e i fërgëllonte krejt trupi, që nga gjinjtë elegantë deri tek vithet që i vibronin, tok me tik-takun e këpucëve me taka. E kishte ndjekur si zagar gjer te kthesa e rrugës kryesore, e kishte pritur sa ajo hyri e doli nga tri dyqane dhe pastaj i brofi përpara saj. - Jam Vironi, - i qe prezantuar ai, - një piktor. Të më falni që ju ndalova dhe që mora guximin tu....tu... lutem shumë... sepse më sugjestiononi krejt natyrshëm,...të më besoni... Se, një portret po të më lejoni t’ua bëja, me përkushtimin tim ndaj artit,- do ju falënderoja me përgjërim. Mandej do të ishte një punë, oh, një krijim, që do të vlente jo vetëm për mua, po edhe për juve! ... E pastaj i qenë shterur fjalët që mezi i nxori nga goja, si një të dënuari para trupit gjykues, apo më keq akoma, si të ishte para varjes në litar. ... Ajo deshi t'i përgjigjej ashpër, sikundër kishte bërë edhe me tipa të tillë që e ndalonin rrugës, po ky person i fantaksur, - sikundër i dukej, se ç'kishte diçka përvuajtëse të sinqertë, si prej fëmije, po...po nuk i tha asgjë... Shmangu flokët e gjata, me një vrull dore e iku më përtej, me trokëllimën e takave të nervozuara, por ai i doli më përpara, me nxitim... - Mos ma vrisni, ju lutem... këtë... këtë ...dëshirë krijuese ...për...ekspozitën time te ardhshme, dhe... dhe ... ajo që do pikturoj do të jeni ju e do t’u përkasë vetëm juve... Kaq. - Gaboheni rëndë zotëri!, - i qe kthyer ajo. Nuk jam një modele rruge, siç mund të pandehni... As manekin vitrinash që të më ekspozoni. Dhe qeshi bujshëm, duke rrëfyer dhëmbët e bardhë si dëbora e të kuqin rozë që iu shtri deri afër veshëve, prej tendosjes së gazit zbavitës. Befas ndali. Një hije e bukur serioziteti i erdhi po aty, po aq shpërfillëse dhe tha: - Më quajnë Vera, - qe shprehur ajo, - e ngërthyer. Kam ardhur këtu, në këtë qytet, tek halla ime, e sapo kthyer nga Italia, për ta parë e jo për të pozuar para jush. Se këtë doni ju piktorët, apo jo? ...Ta hidhni femrën në pëlhurë e pastaj në krevatin tuaj! Kam lexuar e dëgjuar shumë për ju. ... Ktheu shpinën elegante dhe i kërciti takat me nervozizmin e ikjes, deri sa ktheu rrugën, po edhe sytë nga mbrapa. Stepi ai që tha se ishte piktor e se e kishte emrin Viron... e që donte ta pikturonte ..kishte qëndruar si një pikëpyetje në mesin e rrugës, si një pikëpyetje gjigante, në mjerimin e tij. Dhe atë tjetrën, e përpiu kthesa e zhytur nën akaciet e reja që sapo kishin shpërthyer fletët e reja. Gjoksi nisi t'i rrahë vrullshme nga frymëmarrja e shpejtuar..."Mos vallë e vrau, edhe këtë njeri...?!"

2. Kjo kishte ndodhur dhjetë vite më parë, kur ai bëri portretin e saj, deri tek mesi, pa e zbuluar gjoksin, ashtu në kryeneçësinë e saj, po ajo kishte dalë nga pëlhura krejt lakuriq në sensibilitetin e saj e të piktorit bashkë, si të ishte vullkani para shpërthimit, zjarri para ndezjes së flakëve, deti para dallgëzimeve, dielli para lëshimit të rezeve të para, si lulja e porsa çelur... e ato buzë që përvëlonin nga epshi ndezës edhe vetë pëlhurën ku ishin hedhur... Kishte aq shumë ndjenjë ky portret! Dhe në gjithë ekspozitën e tij, të gjithë vizitorët këtu ndalonin e vështronin si të magjepsur, pa vajtur më tej. Dhe u afruan blerësit, si të ishin në ankand. Ofronin shuma të mëdha! Po, të gjithë kishin të njëjtin përgjigje:- Është e shitur! Tashmë, kjo është e jotja, - i kishte thënë ai asaj. - Jo, këtu je ti e të përket vetëm ty!, - kishte thënë ajo. E kishte kthyer krahët po njëlloj, si edhe më përpara.... Ajo nuk e shpjegonte dot sesi në portretin e dytë, e lejoi atë t'i vizatonte gjoksin e bëshëm, që ai e realizoi pas një kundrimi tronditës në karrigen e tij prej kashte, i mbështetur me trupin e tij të fuqishëm, me drojën e një njeriu që pret të rrëzohet përtokë. Edhe bojërat i trazoi në atë heshtje drithëruese, kur çdo qelizë e trupit qe i tejshkuar nga rryma e elektricitetit të vazhduar. Të atillë gjinj ai kishte parë tek skulpturat nudo të Fidias që ruheshin në muzeun e Athinës, që i kishte soditur me orë të tëra, i ulur në stolin e mermerit aty pranë. Nuk i tha asaj asnjë fjalë mikluese, duke patur frikë se mos i prishej mendja e i mbulonte ato dy "pjeshka" ovale të sapo pjekura, që përskuqnin në ngjyrat e trëndafilave të sapo çelur, me thithkat prej qelibari si në të kaltër. I duhej edhe pak qetësi e mundim që ta sajonte ngjyrën e tyre në atë vegim, që mund të ishte edhe zhgënjyes, prej befasisë tronditëse të tekave te saj, kur ajo arriti deri këtu, që ta tundonte e pushtonte krejt vetëdijen krijuese të piktorit... Në kompozimin e tretë, ajo e lejoi atë që të vizatonte lirshëm gjer në afërsi të të fshehtave të saj, duke hedhur mantelin e kaltër rrëzë kofshëve të saj që i kishte puthur vetëm rrezatimi diellor e u kishte dhënë ngjyrimin e lehtë të bronzit, e atij i dukej se kishte po atë refleksion metali. Kompozimi u realizua në karrigen e tij të kashtës, që do të përsëritej edhe tri herë të tjera në pozicione te ndryshme, ashtu si do të sugjeronte piktori, tek këmbët e saj të mrekullueshme, që do të pozicionoheshin herë në trajtën e gërshërës e herë në trajtën lineare, të shtrira, po edhe në këmbë, me njërën dorë te mbështetësia ovale e karriges, prekur me majat e gishtave elegante. Gjithçka me kërkesën e saj këmbëngulëse, që të mos ekspozoheshin e të veprohej, sikundër kishin bërë dikur profesorët e tij që nudot e tyre nuk i ekspozonin asnjëherë, po i mbanin, si pronën e tyre "të ndaluar" për syrin e të tjerëve. Flitej për një kohë të tmerrshëm! Fidias grek nuk ia kishin ndaluar e as thyer në ato mijëra vite të ekzistencës njerëzore, po në diktaturën shqiptare, profesori i Vironit u mat që t'i thyente nga frika, të gjitha nudot që mbante në shtëpi, ngaqë njeri prej miqve të tij, kishte folur i mrekulluar në një rreth shokësh të tjerë, në pije e sipër, pa e vrarë fare mendjen se aty kishte edhe veshë të tjerë, veshë me partishmëri, që do të denonconin në Degën e Punëve të Brendshme, gjersa i kishin vajtur e kontrolluar profesorin që kishte studiuar Artet e Bukura në Athinë, për t'i hedhur hekurat. Mirëpo, skulptori e kishte ndjerë shikimin e djallëzuar të vizitorit dhe i kishte fshehur ato. Nudot e tij qenë varrosur në fundin e oborrit, si t’u kishte rënë përsipër hiri i vullkanit të Pompeit, njëherë e përgjithmonë. E kur ajo qe bindur se ky piktor, e dashuronte verbërisht, pa guxuar as ta prekte me dorë, duke shtuar mbi kanavacën e kavaletit edhe pasionin e jashtëzakonshëm vetjak, e kishte lejuar që të vizatonte edhe misterin e saj, në tre kompozimet e fundit, që piktura të dilte e plotë, si Venusi i Afërditës. Ajo tashmë, ia kishte dhënë atij gjithçka që ai e donte e digjej për të, nga zjarret e padukshme të Erosit, në shtratin e ngushtë që e mbante për t’u prehur, gjersa qenë rrëzuar e rrëkëllyer midis telajove të shumta që binin mbi trupat e tyre....

3. - Më duhet të shkoj përsëri në spital tek halla, - tha ajo, pasi u vesh me nxitim. Mjekët nuk ia kanë gjetur akoma se nga a e ka atë dridhje e temperaturë që i erdhi kaq papritur, si u kthye nga Italia. Piktori e afroi pranë vetes, i preku kokën e bukur me të dyja duart dhe e puthi lehtë në buzë. I tha që të kujdesej për hallën, po s'kishte pse qëndronte gjithë natën në spital, në atë erë të keqe të të sëmurëve që sëmurin edhe të tjerët pa qenë të sëmurë... Se ai do ta priste që të vinte e ta përfundonin kompozimin e dhjetë, që do të ishte kryevepra e tyre. E të hapnin një shishe shampanjë që ia kishte sjellë nga Greqia i vëllai, një piktor më ndryshe se ai.... Ajo i shpupurisi kaçurrelat që kishin filluar t'i thinjeshin edhe tani e puthi ajo, me dëshirën e pasionin e saj vajzëror. Qe zhdukur tani "perdja" që i ndante, ajo transparencë e mantelit të kaltër që ajo e hidhte mbi kofshët e saj dhe atë e bënte t'i ngrinte penelin në dorë, si me magji... E kishte vendosur: do të martohej menjëherë me këtë vajzë-pikturë që e kishte hasur papritur, si të kishte rënë nga qielli, vetëm për të. Gjithçka po ndodhte heshtur, në natyrësinë e saj. E ëma u nda nga jeta, para do vitesh, me po atë merak, që ai nuk po martohej akoma, edhe pse i kishte të shkelur të pesëdhjetat... - Jam martuar me artin, moj nënë, - i kishte thënë ai dhe mbyllej ca në studion që kishte hapur në qendrën e qytetit e ca në dhomën e tij, duke pikturuar jetën përreth: detin, ullinjtë dhe femrat, si "krijesat më të bukura që kishte krijuar mëma natyrë", - sikundër shkruante edhe Shekspiri në njërën nga tragjeditë e tij. Dhe do të pikturonte pareshtur Ofelinë e tij në disa variante, para e pas çmendurisë së saj e hedhjes në ujërat e liqenit...., pastaj edhe Ana Kareninën e Tolstoit, para e pas hedhjes së saj në rrotat e trenit. U ndodha në studjon e tij, kur ai pikturonte krijesën e Tolstoit, po si e përfytyronte ai:të ndezur nga daashuria për Vronskin, me një fërgëllim ndijesie të pazakontë, që jonizonte edhe ajrin...E pa që më kishte shtangur fryma e saj erotike dhe ma fali...E mua më ngjau sikur më dhuroi gjithë botën!Gjithçka ndodhte nga ato valë dashurie pasionante që gllabëronin shpirtin e njeriut! Por tani, piktori, nuk kishte përpara vetes një personazh letrar, po një krijesë reale. - Eja sonte të flemë bashkë,-e ftoi ai Verën befas, pas seancës së fundit, me vrullin e tij erotik...Të flejmë si dy engjëj ... E kam përfunduar edhe kryeveprën time, në njërën nga faqet e murit që e patinova me kujdes, në aliazhin më të fortë e më të bukur, ku penelata e rikrijon jetën, ashtu siç është, bile në përsosjen e saj. Me atë mister magjie që e ka vetë Erosi. Eja ta shohësh, e dashur, eja! ... Ajo u rikthye nga ai, para se të largohej dhe e puthi me dorën e saj elegante. Derën e mbylli ngadalë, si të donte të mos përmendej nga ajo përgjumje romanike e tij, ashtu në këmbë dhe humbi në rrugën poshtë akacieve të dendura...... Po ajo nuk u kthye atë natë .... As të nesërmen... Ai telefononte në adresë të saj çdo gjysmë ore... Ditën e tretë u dëgjua një tjetër zë... Qe halla e saj. Ai u drodh i tëri. - Kush je ti që telefonon pa pushim!? Telefefoni celular rrëshqiti nga dora e ra përdhe... Zëri dëgjohej ende. - Jam Viron Balldreni, shoku më i afërt i Verës. Më thuaj të lutem se ç'ka ndodhur? - E keqja më e lehtë, po, ndodhi për fajin tim të paditur, qyshkur u ktheva nga Italia e u shtrova në Spitalin Infektiv, duke i thënë dhjetëra herë që të mos vinte të me shihte. Ajo është fare e çmendur! Si të gjitha të rejat e sotme, kur janë edhe të bukura, gjithsesi kokëkrisura. Nuk më dëgjoi dhe flama që më zuri mua e zuri edhe atë... Një flamë e çuditshme, me numrin 19, më ngjitëse se kolera dhe që e quajtën COVID! Zëri i përtejmë nuk u dëgjua më. U pre si prej asfiksie frymëmarrjeje. Ai e përplasi telefonin mbi kolonën e derës së shtëpisë me sa fuqi që kishte... Ra në gjunjë, si i goditur nga rrufetë e qiellit që e përcëllojnë pemën brenda pak minutash e koka e Balldrenit u përkul mbi qafën e tij. Nuk kuptoi sa qëndroi ashtu. Pastaj u ngrit me vrull dhe doli nga oborri i shtëpisë... Duke e lënë edhe portën hapur.... Që nga vdekja e nënës s'kishte më frymë njeriu aty. I vëllai, piktor edhe ai, banonte diku me larg, qyshkur ishte kthyer nga Greqia, bashkë me pikturat e tij që nuk kishte mundur t'i shiste. Dhe gjysmë ore më pas ai ndodhej para derës së mbyllur e të hekurt të Spitalit Infektiv. Roja i nxori të dyja duart përpara që ta ndalonte. Po ai i dha një të shtyrë e u gjend brenda oborrit, kur sapo këmbeheshin ambulancat, me "ulërimat" e tyre! Te dera tjetër një infermiere që e njihte, me maskë në fytyrë, i thirri ashpër, me emër: - Ku vete, o derëzi?! Më thuaj kë kërkon që të të ndihmoj, zoti Viron. Ai shqiptoi emrin e saj dhe infermieria u përgjigj në çastin e duhur. - Moos!!! ... Ajo bëri dy herë të njëjtin gabim që t'i kërkon ta bësh përsëri. Hyri edhe ajo me forcë të shihte hallën e saj dhe u karantinua nga mjekët menjëherë. Kjo është një flamë e keqe dhe e pamëshirshme, që ngjitet menjëherë. Trupi i tij i bëshëm u lëshua e ra përdhe. Infermieria thuajse ulëriti e në çast mbërriti mjeku, me stetoskopin në qafë e maskën në fytyrë. I vendosi gishtërinjtë e dorës brenda dorashkës transparente e ia hoqi shpejt. - Merreni brenda!, - urdhëroi. Në reaminacion ... I infektuar edhe ky.... Kush e solli? Apo erdhi me këmbët e veta? Nuk u përgjigj askush. E hodhën mbi shtratin lëvizës dhe e shtynë në brendësinë e dy portave të aluminit që u hapën vetiu e u mbyllën po kështu!

4 Komplikacioni i tij qe edhe më i rëndë se kishte pësuar një atak kardiak të menjëhershëm. Ndërhyrja e ndihmës mjekësore e atypëratyshme, e kishte shpëtuar, po infeksioni kishte depërtuar edhe në trupin e bëshëm të piktorit të njohur të qytetit të tyre, që tërhoqi gjithë vëmendjen e kujdesin e personelit të spitalit. Viron Balldreni kishte lënë gjurmë në vetëdijen e secilit qytetar me personalitetin e thekshëm të një artisti të mëvetshëm, më shumë të heshtur, që ngjante si i mënjanuar, por që ishte kurdoherë i kudondodhur, me portretet e kompozimet e tij të arteve figurative, të cilat ekspozoheshin në qendrat më të rëndësishme të qytetit të tyre dhe në ato ekspozita personale mbresëlënëse që organizonte hera-herës. Mjeku Drini Hoxhori, mandej, kishte ndodhur që edhe të pinte kafe me të në mjediset e Hotel Turizmit, apo në lokalin e Arteve "Frashëri", që njiheshin për shërbimin e kulturuar e bërjen e kafesë ekspres, me nam. Po, pas asaj, derisa ai do të ishte një nga të sëmurët me dy komplikacione, e meritonte vëmendjen maksimale në trajtimin mjekësor. Disa orë më vonë, kur pacienti i tij do ta tejkalonte eficiencën kardiake e do të intensifikoheshin mjekimet antivirus ndaj infeksionit që kishte marrë, mjeku do t'i telefononte të vëllait, Leandro Balldrenit, me të cilin njihej edhe më mirë, pa e alarmuar shumë, ndonëse goditja që kishte pësuar qe e menjëhershme dhe i qe përhapur në një pjesë të rëndësishme të mushkërive, shoqëruar me një temperaturë prej 39 gradësh. Po sa erdhi në vete, i sëmuri pyeti përsëri të njohurën e tij. Doktor Drini nuk u përgjigj aty për aty, po tha se komplikacioni i saj qe paksa me i lehtë, i kapur në kohën e duhur po gjithsesi në kushtet e një karantine të rreptë, ndërkohë që infeksioni ishte importuar nga jashtë shtetit e i kapur megjithatë në kohën e duhur, pa komplikacione shtesë. Vironi qe lutur për ta parë atë, po mjekut i duhej të respektonte profesionin e tij e kushtet e rrezikshmërisë së dyanshme të sëmundjes inflamative e i shtrëngoi kyçin e dorës, për t'i lënë të kuptohej se kërkonte diçka të pamundur! Ndërkohë, infermieria e turnit, i bëri injeksionin e parë në llërën e dorës së djathtë që pasoi pas pak në një përgjumje të thellë. Qe çasti kur nga krevati do ta kalonin trupin e tij në barelë e do ta hiqnin nga reanimacioni, do ta kalonin me shpejtësi në korridorin e gjerë, ku pas pak, do të dallohej fjala "Urgjenca"...

Gjithçka do të përhapej e do të merrej vesh, jo vetëm për Viron Balldrenin, po për gjithkënd që hynte në atë derë, me shpejtësi alarmuese .. . nga persona që kishin ndodhur aty, në çastin e rrëzimit, po edhe nga një infermiere që e njihte piktorin Balldreni, nga ai portret ekspresiv i një vajze te re, në ekspozitën e tij të pikturës, vite të shkuara, që nuk mund të harrohej prej vizitorëve të shumtë, të cilët ballafaqoheshin ndofta për herë te parë me një impresion të tillë tundues, sensual, gati marramendës. I vëllai që e mori vesh prej të tillë personash, do t'i telefononte ai i pari Dr. Drinit, i cili do t'i thoshte, i përmbajtur, se gjendja e tij qe më serioze nga sa e mendonte dhe se i vëllai po trajtohej, me të gjithë përkushtimin e tij profesional e shoqëror. Po, - kishte shtuar ai, - këto shenja vazhdojnë acarimin e tyre dhe se, krahas trajtimit, duhen ditë e net të merren vesh e të ketë përmirësime, apo.... Këtu kishte heshtur dhe e kishte lënë që të pinin një kafe të nesërmen..... Po ditën tjetër, një helikopter që u ul me ngadalë në anën e pasme të Spitalit Rajonal, do ta merrte edhe piktorin e njohur Viron Balldreni e do ta çonte për trajtim më të avancuar në Spitalin Infektiv të Tiranës. Doktor Drini nuk kishte më nge të shkonte e të pinte më kafe me të vëllanë e tij, por do të dilte te dera e jashtme e spitalit të nesërmen, ku ai kishte ardhur dhe e kërkonte me insistim, e do ta vinte në dijeni për gjithçka që kishte ndodhur, në një përhapje galopante të infeksionit në të gjithë mushkëritë dhe se, mbahej vetëm me oksigjen, kur trupi i tij i bëshëm qe lëshuar i tëri, nga temperatura e lartë dhe nga paniku... - E megjithatë, - kishte shtuar ai, - interesohej për një vajzë a një grua, me emrin Vera e pastaj humbiste në vetëdijen e tij, në një halucinacion të rrezikshëm.... Nuk dua t’u vë në panik, - përfundoi ai, -por gjendja mbetet serioze. Prandaj edhe e dërguam në Tiranë, ku shërbimi është edhe më i specializuar. Piktori nuk dëgjonte më, ashtu i hutuar e i pushtuar edhe ai nga paniku i përhapur. U largua kokulur, në një ecje të lëshuar e duke u përplasur me njerëzit në trotuarin e gjerë... U ul në barin më të afërt e kërkoi të pijë një dopio konjak... E ktheu me eks të gjithë gotën dhe e mbështeti kurrizin në shpinën e karriges. Në ekranin e televizorit, spikeri vazhdonte të fliste me njëfarë paniku edhe ai... Qe buletini i lajmeve të fundit të asaj dite të tensionuar dhe, nuk e priste që të dëgjonte edhe emrin e të vëllait që ishte transferuar në Spitalin Qendror, me urgjencë. .... Ndjeu lotët që t'i vareshin, ashtu të nxehta, nëpër faqe ...i fshiu me pëllëmbën e dorës e kërkoi një dopjo tjetër të lëngut të hidhët qe sapo e piu përsëri me eks ... Me atë ai kishte mësuar "zhgarravinat" e para të vizatimeve, derisa i hyri edhe atij pasioni për të ecur në gjurmët e të vëllait artist, që e njihte i gjithë qyteti e i hapnin rrugën sa e shihnin ..... Dy ditë me pas, kryetari i bashkisë së qytetit e kishte thirrur në zyrën e tij dhe i kishte shtrënguar dorën e i kishte thënë që të bëhej i fortë... se i vëllai nuk e kishte përballuar dot flamën e përhapur me nr. 19 dhe se shpenzimet për përcjelljen e tij, me nderim e me fare pak njerëz, - sikundër qenë rregullat e tanishme, - do të përballoheshin nga kjo bashki. Leandër Balldreni kishte heshtur e qe ulur në karrige, me duart shtrënguar në tëmthat që i rrihnin si me çekanët e të gjithë rruzullit tokësor... Gjithçka kishte ndodhur me shpejtësinë e vetëtimave që bien nga qielli e kur ti je krejt i pambrojtur karshi tyre..... Shkallët e bashkisë i kapërceu pa vetëdije, herë nga një e herë nga dy... Dikush e mbante nga krahu, gjer përjashta derës, ku një taksi e porositur nga vet kryetari i Bashkisë do ta shpinte ... ku?... As ai nuk e dinte...

5 Varrimi do të bëhej pas dy ditësh me fare pak njerëz që mbanin maska të zeza në fytyrë gjatë gjithë kohës së përmortshme ... Para varrezave të qytetit, në kodrinën pas përroit, ndali makina e komunales "Paqja e Përtejme", makina e kryetarit të bashkisë me dy shoqëruesit e vet dhe taksia që kishte marrë Leandri. Pas pak ndali aty edhe një makinë e vogël,"Smart", nga e cila zbriti një njeri i vetëm, vajza e veshur në të zeza me tufën e madhe të luleve. Dy nga punëtorët e zyrës së varrimeve që prisnin aty, vrapuan të nxirrnin arkivolin..... Gjithçka u krye me shpejtësi e në heshtjen më të thellë, gjersa u hodhën mbi piktorin e nderuar edhe grushtet me baltën e fundit e mbi pirgun e krijuar kobshëm u vendosën lulet. - Lamtumirë Viron Balldreni. Qyteti ynë nuk do ta harrojë kurrë as emrin tënd e as veprën që le pas, si vlerë e lartë arti e qytetërimi të përkorë. ...Vendosi edhe Leandri kurorën e tij e, pas pak, u afrua Vera, me lotët që rridhnin e pa i fshehur ato nga sytë e atyre njerëzve kureshtarë, ndaj së panjohurës, që rrezatonte me kurmin e saj në të zeza... Ata u larguan po në heshtje, por ajo do të mbeste aty e nuk do të largohej, as kur të dy veturat qenë larguar, pas tyre edhe dy punëtorët që mblodhën veglat e tyre të varrimit e litarin ... Mbasdite, në të thyer koha, kjo vajzë u shfaq, pa asnjë droje në shtëpinë e të dashurit që nuk ishte më ... Qëndroi para të vëllait e pazëshme e pa asnjë droje... - Ma hap, të lutem, dhomën e tij, që nuk arrita dot ta shihja, pa e përfunduar ai portretin mural... timin....dhe të tij. Leandri uli kokën lehtë e shtriu dorën e djathtë që ajo të ecte para tij, gjersa u ngjitën në katin e dytë të ndërtesës. I vëllai e hapi derën e kyçur dhe nxitoi të hapte perden e derën prej xhami të ballkonit e të depërtonte drita e ditës në të thyer të saj. Në murin e patinuar u shfaq portreti i parë i saj, i pari fare, ku ai kishte derdhur të gjithë talentin e tij, ndjenjën erotike të dashurisë, sensibilitetin aq të prekshëm e delikat të së dashurës, që dukej si e gjallë e në një ravgim hyjnor të syve, të buzëve, të qafës së praruar e të gjinjve që ai i kishte pikturuar të mishta, me freskinë e praruar të natyrës, duke zbritur mëtëposhtë hireve femërore, ashtu siç i kishte parë, me imagjinatën e tij të ndezur e hyjnore, edhe pse në këtë modelim të parë, ajo nuk kishte dashur që të zbulohej. Por ai kishte depërtuar në gjithë qenien e saj si femër e brishtë, në freskinë e saj pranverore, si të ishte vetë Botiçeli mbi kryeveprën Venera, ashtu si e përfytyronte në krijimin e përjetshëm edhe Perëndesha Romake e dashurisë dhe e bukurisë. - Kjo dhomë e kjo pikturë murale, - tha Leandri, - që këndej e tutje, për gjithë jetën, është e juaja. Bashkë edhe me dhjetë portretet që im vëlla ju përkushtoi e nuk i ekspozoi kurrë... Ai ishte im vëlla që më mësoi ta ndjek nga pas vetes, por atë ju e udhëhoqët dhe e frymëzuat në një lartësi shpirtërore hyjnore... .

Shkruar në Piqeras e përfunduar në Athinë në shtatorin e motit 2021



15 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif