top of page

Personazhe historikë e kulturorë


Personazhe historikë e kulturorë në gjysmën e shekullit XIX në Shkodër. ========================================

Udhëtimi drejt së panjohurës në mesin e shekullit të XIX në botën kulturore britanike u kthye dalë nga dalë në një udhëtim për argëtim në një domosdoshmëri për të mbledhur përvojë e fituar dije. Territori i së ashtëquajturës Turqi Evropiane apo Lindje e Afërt vazhdoi për një kohë të gjatë të grishte kureshtje dhe interes.

Shpesh herë këto territore u panë drejtë për së drejtë si një vazhdim i Orientit që ndodhej shumë afër pothuajse tëk pragu i derës ku pas teksteve të hershme të Bajronit , Leak e Ulhart nuk mungojnë të gjejnë pasqyrim dhe skicat dhe tablotë e ndryshme. Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të udhëtarëve të mëparshëm britanikë që udhëtuan në Shqipëri ishte dhe Edward Lear (1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani.

Përmes portreteve të pikturuara prej tij në Shkodër arrijmë të gjurmojmë një seri personazhesh kulturorë dhe historikë të kryeqendrës së veriut së Shqipërisë.

Edward Lear në kulturën britanike është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”, por në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851.

Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Lear-i ndërmori në Shqipëri më 24 shtator –4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit “A journey through Albania and other European provinces of Turkish Empire” që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e XV, Krujën.

E veçanta e Lear-it krahasuar me udhëtarët e tjerë britanikë nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit (porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri.Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit”.

Në 2 tetor të vitit 1848 ai arriti deri në Shkodër ku u prit nga zv.konsulli britanik, Spiridon Bonnati. Edward Lear kishte letra rekomandimi për z Bonati dhe ai e rregulloi të flinte në shtëpinë e një farmacisti venecian të quajtur Marko.

Pasioni i Lear-it ishte piktura dhe gravurat. Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin. Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe, ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut.

Për këtë arsye pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër.

Ditën e katërt të qëndrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për miqtë. Që herët në datën 5 tetor 1848 shkoi në shtëpinë e Konsullit për të vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar.

I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare në ditë më vonë në 6 tetor , Lear pikturoi Kaliopi Bonatin, vajzën e dytë të zv/konsullit britanik ne Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran.

Familja Bonati kishte ardhur nga Korfuzi dhe ishte vendosur ne Shkodër. Disa të dhëna interesante rreth familjes Bonati gjenden në një libër të botuar në Itali për jetën e doktor Xhenaro [Gennaro] Simini [1812-1880], Giacinto Simini, “Një atdhetar nga Leçe në Shqipërinë osmane” [Un Patriota Leccese Nell’Albania Ottomana], nxjerrë nën kujdesin e Mirella Galletti, Parathënia e Franco Cardini, Argo 2011.

Dr.Xhenaro Semini që ka jetuar në Shkodër në shënimet e tij shkruan se origjina e Spiridon Bonatti, përndryshe italian nga Venediku, “me prejardhje e ndjenja” [f. 17, 99] ishte nga Venediku. Më parë Spiridon Bonati kish shërbyer në Prevezë si konsull britanik. Ai shërbeu për një kohë të gjatë në Shkodër si zvkonsull i Britanisë së Madhe.

Tetë vjet më vonë më 1856 një nga vajzat e tij Elena Bonati u martua me Dr. Xhenaro [Gennaro] Simini [1812-1880], që ishte vendosur në Shkodër pas vitit 1848. Ai bënte pjesë në rrethin e emigrantëve politikë që për t’i shpëtuar reaksionit burbon, … gjetën strehim të përkohshëm në trojet arbërore…përfshirë portet e Tivarit, Durrësit, Prevezës, Vlorës, për t’u ngulur më tej në Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, etj. Shumica vijonin më tutje, në Ishujt Jonianë, Greqi, Dalmaci e Stamboll.

Elena Bonati lindi në Shkodër dhe ishte grua e nderuar dhe respektuar nga mbarë populli. Ata lindën pesë fëmijë: Guljelmin, Angjolinën, Gjiacintin, Atilion dhe Emilion. Vajza vdiq në moshë të re.

Nga viti 1842-1847 pranë konsullatës britanike punoi edhe Pashko Vasa si sekretar i kësaj nën konsullate. Gjatë punës së tij në këtë nënkonsullatë pati rast të njihte atdhetarë italianë, të cilët Burbonët i kishin dëbuar nga Napoli. Shumica e këtyre atdhetarëve italianë pajiseshin me dokumente identiteti të lëshuara prej komisarit britanik të ishujve jonianë, ndaj si emigrantë politikë gjenin si pikë kontakti nënkonsullatën britanike në Shkodër.

Këto kontakte dhe shkëmbime idesh me këta revolucionarë të përndjekur krijuan humusin ideor ku Pashko Vasa gjeti solidaritet kulturor dhe njohu idetë politike që mbizotëronin në Evropë.

Është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi aktivitetet revolucionare ku një vend të rëndësishëm zë formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë të ideologjive liberale dhe kombëtare. Pas kontakteve me këto ide, Pashko Vasa e braktisi punën nën nënkonsullatën britanike për të vajtur në Itali që të merrte pjesë, bashkë me internacionalistë të tjerë, në çlirimin e këtij vendi nga sundimet e huaja, me qëllim që “të rrokë shpatën italiane dhe të ngadhënjejë ose të vdesë me lavdi bashkë me italianët”.

Mesa duket në këto vite ai është njohur me Katerina Bonatin (Ninën), motra e Elenës me të cilën ai u martua më vonë më 23 maj të vitit 1861, në Stamboll. Katerina Bonati ishte vejushë e një oficeri garabildian Xhovani Montezi i vrarë në ekspeditën e Garibaldit në Itali më 1 tetor 1860.

Pashko Vasa kishte qenë më parë i martuar që më 1855 me një grua shqiptare për të cilën nuk ka të dhëna. Ata patën së bashku katër vajza dhe një djalë, ndër të cilët tri vajza dhe djali vdiqën në moshë të njomë, ndërsa vajza e katërt Roza, vdiq më vonë, por edhe ajo e re, në moshën 28–vjeçare.

Nga martesa me Katerina Bonattin i lindi vajza Tereza Teodolina Paskalina më 1864. Katerina Bonnati vdiq e sëmurë nga tuberkulozi, në vitin 1884 në Bejrut, ku Pashko Vasa është i emëruar një vit më parë, më 8 maj 1883, si Konsull i Përgjithshëm i Libanit.

Ndërkohë motra e saj, Elena Bonati vdiq më 30 shtator 1873 . Sipas dorëshkrimit, humbja e kësaj gruaje të virtytshme shkaktoi pikëllimin e Shkodrës mbarë. I shoqi i saj Dr Semini vdiq 7 vjet më vonë në 9 prill 1880. Në funeralin e tij morën pjesë autoritetet qeveritare, konsullore, kleri, qytetarë, malësorë, të krishterë dhe myslimanë, kurse arkivoli shoqërohej nga një trupë ushtarakësh otomanë të kryesuar nga kolonel Hodo Bej.

Ky ishte një nga aktivistët më të rëndësishëm të Lidhjes së Prizrenit në Shkodër. Ai ishte i biri i Mahmud beg Sokolit, në një familje me prejardhje nga viset e Sumës të vendosur në lagjen Dërgut në kohën e Pashallëkut të Shkodrës. Më 1876 u gradua kolonel i xhandarmërisë së Shkodrës, atëherë me titullin kullukçibash.

Pas ndodhive të Lidhjes së Prizrenit, kur skema e lëshimit të territoreve kaloi nga Plava e Gucia në Hot, Grudë e Kelmend sipas linjës Korti, Hodo begu u zgjodh kryetar i Komitetit të degës vendore të Lidhjes, me zëvendës Preng Bibë Dodën. Komiteti nxorri kushtrimin dhe Hodo Begu u priu 8.000 burrave për në Tuz, ku Hodo Begut i ishin bashkuar gati tërë oficerët e xhandarmërisë osmane.



Pas veprimeve në mbrojtjen e bajrakëve të Malësisë së Madhe, Hodo Begu u gradua pashë mirliva (gjeneral brigade) dhe nisi të punonte për mobilizim të përgjithshëm në të gjitha viset shqiptare, për punën e tij për autonomi nuk vonoi shumë dhe më 12 dhjetor 1880 Dervish Pasha i arrestoi dhe i nisi për në Stamboll.

Pas takimeve në Babu-serasqeri (Ministria e Luftës), burimet e kohës tregojnë se Sulltani donte t’i internonte në Erzurum, por ndërhyrja e ambasadorëve të shumtë bënë që mos të merrej ky vendim dhe të qëndronin në Stamboll. Hodo Pasha refuzoi për arsye shëndetësore emërtimin mytesarif i Damaskut. Sipas Bushatit e internuan në Erzinxhan, ku disa burime thonë se nga dëshpërimi u hodh nga pallati apo kështjella, burime të tjera kumtojnë se ndërroi jetë nga kolera, ose u ekzekutua më 1883.

Në krye të kortezhit ishte banda muzikore e qytetit dhe arqipeshkvi tetëdhjetëvjeçar. Kallja e trupit në dhé e Dr Seminit u shoqëria me breshëri të shtënash. [ff. 105-106].

Afërsia familjare e Dr Seminit me Pashko Vasën mund të ketë ndikuar në aktivizimin e tij politik në çështjen shqiptare në vitet e Lidhjes së Prizrenit. Pashko Vasa në shkurt 1878 u emërua si këshilltar i valiut të Kosovës, Qamil Pashës.

Pashko Vasa arriti në Kosovë në pranverë 1878. Ai ishte një nga organizatorët e Lidhjes së Prizrenit. Pandehet se është autor i memorandumeve të muajit mars të këtij viti drejtuar A.H Layard, ambasador i Britanisë së Madhe, pranë Portës së Lartë, dhe të memorandumit të datës 20 qershor, drejtuar përfaqësuesve të Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Francës në Kongresin e Berlinit për çështjen shqiptare. Në memorandumin e fundit, midis nënshkrimeve të tjera, gjendet dhe ai i Pashko Vasës.

Si dihet Pashko Vasa është një nga formuluesit kryesorë të shqiptarizmit ideologjisë nacionaliste që kërkonte në fushën politike, të çlironte atdheun nga robëria e huaj shekullore dhe të formonte shtetin kombëtar shqiptar, të shtrirë në mbarë trojet shqiptare; në fushën shoqërore, të çlironte vendin nga marrëdhëniet e vjetëruara feudale dhe ta shkëpuste nga prapambetja politike, ekonomike dhe shoqërore duke vendosur rendin demokratik përparimtar, nën shembullin e vendeve të qytetëruara të kohës; në fushën kulturore, të çlironte masat nga prapambetja mendore dhe të shpejtonte zhvillimin e tyre arsimor, kulturor dhe shkencor me bazë gjuhën shqipe.

Si e tillë ajo do ishte një lëvizje revolucionare kombëtare me karakter çlirimtar, demokratik dhe iluminist. Idealet e vjetra revolucionare të Dr Seminit gjetën një ambjent pjellor në përpjekjet e shqiptarëve për të afirmuar kombësinë e tyre dhe betejave për të mbrojtur Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.

Dr. Semini, sipas dorëshkrimit, u lidh aq shumë pas vendit që i shpëtoi jetën aq sa e mbështeti “gjithmonë” pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Madje, pas pavarësisë së Italisë Simini nuk pranoi ofertat për poste qeveritare – sikurse përmendëm – ndërkohë që miku i tij, avokati Del Donno, u kthye në Itali dhe madje u zgjodh edhe deputet.

Aq shumë u njësua Simini me atdheun e ri sa u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare pas Kongresit të Berlinit me 13 korrik 1878. Sipas dorëshkrimit, “Gennaro Simini ishte një ndër krerët e lëvizjes së Lidhjes së Prizrenit dhe punoi që Kongresi i Berlinit të njihte pavarësinë e Shqipërisë nga qeveria turke” [f. 104].

Ky pohim është paksa i egzagjeruar pasi në dokumentacionin e degës së Lidhjes së Prizenit për Shkodrën nuk gjendet një e dhënë e tillë por ai duhet marrë në formën e pohimeve romantike që karakterizojnë kujtimet dhe shënimet e shekullit të XIX përsa i përket idealeve të lirisë kombëtare të popujve.

Shkodra si një nga qendrat më të mëdha administrative të popullsisë shqiptare në shekullin e XIX ishte kthyer dhe një qytet kozmopolit ku kishin gjetur strehë pikëpamjet e nacionalizmit romantik, shteformimit, rilindjes italiane e revolucionit të vitit 1848.

Skicimi i galerisë së personazheve historikë shqiptarë që ndërvepruan me botën evropiane është i vështirë pasi duhen gjurmuar tekste dhe autorë të shekullit të XIX, ndonjëherë dhe në dorëshkrime.

Gjithësesi tekste të tilla si të Lear apo Dr Seminit na lejojnë që të kemi mundësinë për të hedhur dritë mbi disa nga këta personazhe të rëndësishëm që mbizotëruan në jetën publike të Shkodrës si familja Bonati, Pashko Vasa, Dr Semini, Hodo Sokoli.

Ndërveprimet e tyre shoqërore shpesh herë ndikuan dhe në farkëtimin e identitetit shqiptar që vinte si në të gjitha rastet në Evropën Lindore si një shumësi e identiteteve të ndryshëm kulturorë.

Bibliografi:

1- Agron Alibali. NJË INCIDENT DIPLOMATIK NË SHKODËR – MARS 1865. www.peizazhe.com. dt. 13 Korrik 2021 2- Andre Hammond, The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914, The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3 (Jul.,2004). 3- Afrim Q. Karagjozi, Eduard Liri, Botimet Enciklopedike, Tiranë, 1997 4- Barbara Jelavich, The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces, The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81 (June.,1955) 5- Kristo Frashëri, Historia e Qytetërimit Shqiptar, Akademia e Shkencave: Tiranë, 2008. 6- Ymer Jaka. Bioibibliografi. Pashko Vasa. Vepra I, Botimet Toena, Tiranë, 2009, fq 55-56.



43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page