top of page

PERSONALITET SHQIPTAR I PËRMASAVE BOTËRORE



PROF. DR. ISUF LUZAJ-NJERIU I TRI DASHURIVE


- Dashuria e atdheut, dashuria e librave dhe dashuria e shkrimit m’u bënë arsye dhe principe jete.

- Kam pasur armiq të gjuhës sime... Këta armiq qenë ose armiq të atdheut, ose të idealit, dhe armiqësia e tyre kundër meje ishte vetëm një pretekst absurd për të mbështetur kalbësirat ose ferrat dhe drizat e shpirtit të tyre.

- Më 1984, presidenti i SHBA-ve, Ronald Regan, i ndau prof. dr. Isuf Luzajt medaljen më të lartë në fushën e arsimit “PROFESOR I AMERIKËS”




Fati jetësor i njeriut është një mister në vet. Vjen në jeta ai, me të qarat e zakonshme, sikur i frikohet këtyre hapësirave të paana dhe të panjohura, dhe pastaj gradualisht përballet e kacafytet me dallgët e jetës, të cilat varet nga cila kahe fryjnë dhe sa e kanë lartësinë. Dhe, ndodhë që, njeriu të përpëlitet sa andej-këndej, vetëm për të mbijetuar e, në raste, mu ato valëvitje e shpijnë në brigjet e shpresës dhe të një kënaqësie të kërkuar kaherë.

Kështu disi ngjason jeta e një intelektuali të shquar shqiptar, i një krijuesi, studiuesi e filozofi të rrallë, jo vetëm te shqiptarët, për ta përmbyllur jetën fizike me një pasuri tejet të madhe dijesh, të lëna në formë shkrimi, në më se 100 vëllime.

Gjithmonë duke u udhëhequr nga tri dashuri, që nuk iu shqiten përjetësisht: atdheu, libri dhe shkrimi, ai la një shëmbëllesë të jashtëzakonshme të një mendjendrituri dhe karakteri të fortë, për lakmi.


Diçka biografike



Isuf Luzaj është i lindur në Kaninën e Vlorës, më 21 shkurt 1913. Kjo datë përafrohet me një distancë tremujore me datën e madhe historike - ngritjes së Flamurit në Vlorë.

Pas përfundimit të shkollimit fillor në vendlindje, ai gjimnazin e shtetit për degën e mësuesisë e kishte mbaruar në Shkodrën e kulturës tradicionale. Për ta pasuruar dijen më tej, kishte mësyrë djepin e kulturës-Francën, përkatësisht ishte regjistruar në Universitetin e Sorbonës, në vitin 1933, ku qëndroi deri më 1935. rrethanat politike e deshën që ai të mos e mbaroi fakultetin, por të kthehet në atdhe, duke kryer punën e mësimdhënësit të gjuhës frënge në Normalen e Elbasanit, në Liceun e Korçës, në Institutit tregtar të Vlorës e gjetiu.

Ai do ta priste me pushkë në dorë, më 7 prill 1939, pushtuesin fashist në Skelë të Vlorës.

Kundërshtitë e tij ndaj atij sistemi janë edhe në formën tjetër, duke e kundërshtuar punën profesionale në arsim, për çka do të përjetoi dhunë sistematike dhe në forma të ndryshme. Kështu, më 10 prill 1939 ai drejtorit të Institutit të Vlorës kërkesën për dorëheqjen nga detyra që ushtronte. Arsyet, që ai ia parashtroi më pastaj edhe me shkrim, janë: “Për arsye se agresioni italian ndaj popullit shqiptar është një okupacion ushtarak që vë në robëri atdheun tim;(...) për arsye së unë jam shqiptar e jo kolon në qendër të Evropës... Për arsye se s’ekziston shtet shqiptar, nuk pranoj t’i mësoj shqipen në gjuhën italiane një populli në robëri. Nuk i shërbej e s’i betohem dot një mbreti të huaj, një shteti të huaj, një populli të kolonizuar me anë të fuqisë brutale.”

Prej këtu nisën pastaj dërgimi dhunisht në kuesturën italiane, përjetimet e burgut të Vlorës, atë të Barit, të Ventotenes, të Cortona d’Arezzo-s. Mu për shkak të një fati të tillë ai kishte përjetuar jetën e përkohshme në Itali, Austri, Argjentinë dhe së fundi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë burgimit të shkurtër në Vlorë, ai kishte punuar me 57 të burgosur ordinerë, moshash të ndryshme, për t;’ua mësuar shkrim-leximin dhe sado pak historinë kombëtare, duke pasur një sukses të dukshëm. Ai bindet nga ajo punë se të këqijat mes njerëzve dhe shqiptarëve gjithsesi vijnë nga injoranca, në të cilën aq shumë kishin investuar dashakëqijtë e këtij kombi gjatë historisë.

Kudo të vajti, në rrethana tepër të rënda, e më së shumti për një intelektual të atij rangu, ai mbeti i vetvetes, por edhe përkrahës dhe edukator e moralist i dalluar. Në Bari, po e zëmë, ai ishte i burgosur me një grup nxënësish të shkollës së mesme të Vlorës, të cilët i trajtonte edhe si fëmijët e tij, por edhe si edukatori i tyre, duke u dhënë këshilla për jetën e skëterrës dhe përkujdesjen ndaj njëri-tjetrit. Për ato qëndrime të pathyeshme ai pëson në veçanti nga të tjerët, por sërish mbeti brenda ndërgjegjes së tij. Jeta e të internuarit në kështjellën Cortona ishte për të njëfarë lehtësimi, sepse kushtet ishin paksa më të mira dhe kreu detyrën e një mësuesi. Aty gjeti mirëkuptim tek zonja e pansionit. Ndihmesë të veçantë i pat dhënë një intelektuale e dëshmuar, Anetta Tribioli, e cila kishte mbetur pa krijuar familje, por kishte dije të shumta, duke i folur edhe tri-katër gjuhë të huaja,. Ajo ia solli atu nxënësit për t’ia mësuar privatisht dijet e Isufit nga latinishtja, frëngjishtja, anglishtja, aritmetika, fizikë e kimi. Me atë zonjë Isufi shuante kërshërinë e komunikimit për temat “letrare, artistike, filozofike”. Përndryshe Luzaj shkruan: “E respektova si më respektoi e, ndonëse shpirtërisht u deshëm, fizikisht e lashë ashtu si e gjeta. Prandaj jetoi miqësia.” Në Corona ai kishte gjetur edhe të tjerë shqiptarë të internuar Ali e Feriz Agollin nga Dibra, Ali Klisurën, Llazar Fundon, Sotir Kozmon, Sali Vuiçiternin, Azis Klaoshin nga Dibra, Izet Bebeziqin, Faslli Frashërin, Abaz Ermenjin, Zef Malën e 100 shqiptarë të tjerë, të cilët u liruan më 1941.

Isuf Luzaj më 1941 kthehet në Shqipëri dhe është si misionar i Ballit Kombëtar, duke qenë edhe pjesëmarrës në Mbledhjen e famshme të Mukjes (1943), kur manifestohet edhe zyrtarisht ndarja e përjetshme më komunistët, kur ky mbrojti tezën e nacionalizmit për Kosovën dhe Shqipërinë Etnike. Gjatë luftës ishte takuar disa herë më Enver Hoxhën, por asnjëherë nuk ishte pajtuar me ideologjinë e tij. “Jam i bindur që fitorja sovjetike do të mbulojë Evropën Lindore dhe atë Jug Lindore dhe ju do ta fitoni këtë luftë. Unë nuk kam as frikë dhe as turp, siç thua ti, por nuk bashkohem me ty.”- i kishte thënë atij.

Kjo situatë e rëndë për një falangë si dhe për atë, e detyron që më 1844 të ikën nga atdheu, duke u vendosur fillimisht në Austri, pastaj në Itali, ku nuk i ndahet burgimi. Por një lehtësim i bën Sandro Petrini, që ishte njohur nga Ventotene gjatë internimit. Ai e rekomandoi që të punoi në Bibliotekën e Vatikanit. Kjo kishte edhe arsyen tjetër ngase, që nga viti 1946 e deri më 1950, Stalini i kërkonte qeverisë italiane që të kthente në Shqipëri, për gjyqe të popullit për krime lufte, edhe dhjetë shqiptarë të tjerë (Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Gjon Markagjoni, Kolë Bibë Mirakaj, Hasan Dosti, Qazim Mulleti, Faik Quku dhe Isuf Luzaj).

Më 1948 Luzaj emigron në Argjentinë, ku kryen edhe studimet për letërsi në Universitetin e Buenos Airesit. Dija dhe kultura e tij e lartë bën që ai të kryej detyra të rëndësisë së veçantë atje, si drejtor i Institutin frëng për studime të larta (1960), këshilltar i Ministrisë së Arsimit të Argjentinës. Ndërsa më 1965 ai emigron në SHBA, ku punoi profesor i filozofisë frënge në Universitetin e Nju-Hempshirëse e po ashtu edhe profesor i letërsisë frënge, spanjolle, e tjerë.

Për punën e tij të jashtëzakonshme, e cila nxori edhe risi metodike e metodologjike në procesin mësimor, më 1984, kur në Universitetin e Indianes, ku u ligjëronte studentëve nga gjithë bota filozofinë, presidenti i SHBA-ve, Ronald Regan, e dekoroi prof.dr. Isuf Luzajt me medaljen më të lartë në fushën e arsimit “PEOFESOR I AMERIKËS”. Këtë dekoratë, ai e kishte shprehur dëshirën që “...Do të doja që kjo medalje të varej në një gozhdë muri në Muze të Tiranës.”

Në një shkrim të tijin, në formë ditari, ai me pak fjali përmbledh bukur gjithë fatin dhe përjetimet e jetës së tij: “I vobektë, rritur zbathur dhe rreckak; i përvëluar nga një ideal i shenjtë, luftëtar i zhgënjyer nga shoqëria njerëzore e kohës sime, i shfrytëzuar nga ata që unë i besoja të idealit; i rrahur, torturuar dhe burgosur shumë herë; i plagosur shpirtërisht nga tragjedia e pashembullt e familjes sime, kam qenë i shtrënguar t’i bëj ballë vetmërisht jetës absurde me të vetmin Moral: Idealin, pa mundur të respektoja principe Etike, aq më pak Estetike.”

Prof dr. Isuf Luzaj e përmbylli jetën ndershmërisht më 27 nëntor 2000, në Çikago të Amerikës, ndërsa më 2 dhjetor të atij viti (me amanetin e tij), varroset në Kaninën e ëndrrave fëmijërore dhe atdhetare.

Se sa ishte i madh autoriteti i tij, dëshmojë me dhjetëra letra që i dërgojnë shqiptarët anë e kënd botës, por edhe personalitetet e shquara botërore, si Sharl de Gol, Alcide de Gasperi, Palmirio Toliati, Alessandro Petrini, Stanislav Mikojalċik, gjeneral Anders Vlasislav e tjerë, si dhe personalitete të shquara të kulturës: Pablo Neruda, Jorge Luis Borges, Theofan S. Noli, e të tjerë.


Veprimtaria letrare-shkencore


Me krijimtari letrare prof. dr. Isuf Luzaj ishte marrë që në vitet ’30 të shekullit XX. Ai në Shqipëri, më 1937 në Korçë, e kishte botuar një vëllim poetik me titullin “Rrëfimet”. Por krijimtarinë asnjëherë nuk e kishte ndërprerë, pavarësisht rrethanave jetësore në të cilat ishte ndodhur. Ajo i ishte bërë gjithçkaja në jetë: shoqëruese nëpër udhëtimet e rënda e të kushtëzuara si dhe në birucat e burgjeve. Ai nuk ishte shqitur nga kjo dhunti edhe në rastet më tragjike për fatin e atyre krijimeve, të cilat i ishin asgjësuar disa herë. Një herë ia dogjën veprat fashistët, një herë tjetër ia asgjësuan ato komunistët dhe së treti iu asgjësuan nga shtegtimet e kushtëzuara. Por ai i rikrijoi sërish.

Në vitin 1954, në Buenos Aires, në gjuhën spanjolle, Luzaj e kishte botuar romani n “Lumenjtë derdhen të kuq”. Veprat e tjera të botuara , janë: “Gloria e çmendjes” (1995), “Ekzistenca dhe botësia” (1996), “Sëmundja e shekullit tonë” (1999), “Lamtumira e yjve”, “Filozofia e bukurisë”, “.

Ai kishte lënë në dorëshkrim më së 100 vëllime, në të cilat kishte histori, filozofi, letërsi nga më të ndryshmet, rrjedhojë kjo e një studiuesi të përkushtuar. Ai kishte dijet të shumta dhe diapazon të gjerë njohurish, që nga historia dhe filozofia shqiptare e deri të ato të përbotshmet.

Disa nga veprat e tij janë: “Eterokokracia e ‘Ballit Kombëtar’”, në të cilën flitet për politikën dhe personalitetet e Ballit Kombëtar; “Kohë shtatzanë”, ku trajtohet politika dhe zhvillimet aktuale deri në vitet 1948; “Diplomacia aleate”, që për temë ka funksionalizimin e Rusisë përmes katër komisarëve për Ballkanin, të cilët u vendosen në Beligrad. Për Shqipërinë ishte përgjegjës komisari Sergej Simonoviç; “Ditari i përpjekjes”, ku janë radhitur shënimet autentike të fatit të tij që nga burgosja, internimet në disa vende, përmes së cilës jepet realisht pasqyra e gjendjen dhe mekanizmave shtetëror të kohës për çbërjen shqiptare. Kjo periudhë përfshinë kohën që nga viti 1939-1949.; “Anarkia shqiptare”, shpjegon dyfaqësinë dhe falsitetin e grupimeve politike shqiptare, që mendohej se kishin për qëllim ardhmërinë e lumtur të vendit, ndërsa e bënin të kundërtën, duke u treguar arrogant, të pabesë dhe njerëz të interesave personale e grupore; “Ditari i mësonjësit” ku radhiten në disa vëllime aktiviteti i tij profesional, nga të cilat rrëfime argëtohen mjaft çështje që kanë të bëjnë me arsimin por edhe me filozofinë e jetës, e përmbushur me plot këshilla për gjeneratat e reja.


Letërkëmbimi si dëshmi vlere


Në letërkëmbim që kishte Isuf Luzaj me njerëz të letrave, shihet se sa e kanë vlerësuar ata dhe ku e kanë parë madhështinë intelektuale të tij. Po e zëmë, shkrimtari Pablo Neruda i shkruan kështu:





”I nderuar Profesor,

I admiruari im Borges më dërgoi “Lumenjtë...” dhe fjalë të mira për ju. Edhe pse nuk jam dakord me fenë dhe me politikën tuaj, ne mund të jemi miq, si poetë.

Poezitë dhe novelat tuaja shprehin fuqishëm vullnet, dashuri për atdheun dhe mallin e të mërguarit.

Edhe pse nuk keni gjuhën tonë, këto do të jenë një zbulim për poetët latino-amerikanë.

Me simpati poetike,

Pablo Neruda


Fjalë miradije i jep edhe krijuesi gjenial i letrave, Jorge Luis Borges:

Buenos Aires

17.5.955


I dashuri shqiptar,

Lexova ditarët dhe jam i gëzuar për ecurinë tuaj intelektuale, por nuk do të më pëlqente një rutinë akademike t’ju largonte nga spontaniteti i imagjinatës poetike. Kujtoni gjithmonë ç’ju kam thënë: Ju keni lindur poet dhe jeni bërë mësues i jetës. Kjo është një shenjë e mirë që tregon tiparet e demokracisë sonë, e cila priret drejt zbulimit të vlerave morale.

Një përqafim nga miku i juaj dhe atdheut tuaj

Jorge Luis Borges


Ja edhe një letër e shkrimtarit e eruditit tonë, Fan S, Noli:


Boston, Massachusetts

28-11-1954

Profesor Isuf Luzi

Buenos Aires


I dashur lab,

Lexova në gazetë që do të vishë këtu si delegat i Universitetit të Buenos Airesit në konvencionin botëror të filozofisë. Shën Gjergjin e ke si shtëpinë t’ënde. Këtu do të vinë për të të mirëseardhur shumë shqipo të mërgatës t’ënde.

Të pres vëllazërisht!

Fanoli


Mendime sentenciale e filozofike

nga veprat e Isuf Luzajt


Në të gjitha veprat ose edhe ditarët e prof. Luzajt kanë depërtuar, mes synimeve të përcaktuara tematike, edhe mendime të natyrës filozofike dhe sentenciale, të cilat gjithsesi e kanë plotësuar tërësinë e veprës, përkatësisht e zbukuruar atë. Kjo mënyrë shkrimi shpjegon dy gjëra: aftësinë e mendimit të koncentruar e domethënës, në përbërje tepër të shkurtër të shprehjes, si dhe ruajtjen e dhuntisë së lindur poetike, e cila shpërthen sapo e gjen rastin për të dalë.

Për ta bërë më të besueshëm mendimin e sapothënë dhe duke menduar se ato kanë në vete vlera që mësojnë dhe freskojnë mendjen njerëzore, po i japim vetëm disa nga ato.


”Trim përpara rrezikut, i vendosur përpara detyrës, shenjtor përpara misionit; çilimi, foshnjë, përpara dredhisë. I mirë, aq i mirë, sa është mëkat që burri të jetë aq i mirë.”

*

“Sigurisht, që të shkruhet historia jonë moderne kombëtare kërkohet një punë më se gjysmë shekulli për të shpluhuruar arkivat e Vjenës, Parisit, Londrës, Romës, Venecjes, Raguzës, Athinës, Belgradit, Sofjes, Stambollit, Kairos, Arabisë, Sirisë, Palestinës e Persisë.”

*

“Dashuria e vret e e varros miqësinë në të shumtën e rasteve në jetë, sepse dëshira për posedim errëson logjikën e vullnetit e dobësia njerëzore në gjak e mish ia lë vendin boshimit seksual.”

*

“Përballë një sinqeriteti të thellë është zor që njerëzit e thjeshtë të jenë shumë misteriozë.”

*

“Politika e Moskës ishte të sakrifikohej populli shqiptar për t’u krijuar probleme armatave gjermane e italiane në Ballkan, për të lehtësuar frontin ruso-gjerman dhe, më në fund, për të instaluar një qeveri kukull komuniste, satelite të Moskës.”

*

“Mbetet tani që të pasurohet me kulturën euro-amerikane, me ndjenjën latine italiane,me logjikën franceze, me vendosmërinë gjermane dhe me filozofinë perëndimore të shekullit të 20-të, që shqiptari të perfeksionohet me një idiomikraci moderne, përparimtare, duke ruajtur karakteristikat e tij poetike BESË-NDER-BURRËRI.”

*

“As unë s’e di se si m’u bënë arsye dhe principe jete tri dashuri: A) dashuria e atdheut, B) dashuria e librave dhe C) dashuria e shkrimit.”

*

“Koha më mësoi të frenoj rrëmbimin, të njoh dhelpërinë e hipokritit, të mbyll në kuti të hekurt sinqeritetin djaloshar.”

*

“Morali, Etika dhe Estetika kristiane nuk është ai i Niçes, Heideggerit, Sartrit, pale konceptet kafshore të marksizmit.”

*

“Tre shokë dhe miq të pandarë kam pasur besnikë gjatë gjithë jetës sime: vetminë, mërzinë dhe kureshtjen për të njohur.”

*

“Zakonisht, koha më e lumtur e jetës është gjysmë-mosha: 30 deri 50 vjeç, kur pasionet e errëta të rinisë janë ftohur dhe sëmundjet e pleqërisë nuk kanë ardhur.”

*

“Pushteti imponon vullnetin e tij, i bazuar në një pakicë të organizuar me fuqi: polici, ushtri, korrupsion.”

*

“Guximi i bazuar në shpresë për shpërblim, në frikë për dënim, në eksperiencë për sukses, në mëri dhe inat të tërbuar vërbonjës, në moskuptimin e rrezikut, ai lloj guximi është banalitet që nuk e meriton emrin guxim.”

*

“Më i pari dhe më i thjeshti emocion që njeriu zbulon që në foshnjërinë e hershme është kurioziteti.”

*

“Ndjenja e vdekjes dhe e dashurisë janë dy krahë që na bëjnë të fluturojmë përtej kohës dhe hapësirës.”

*

“Frika e vdekjes është e ndryshme mes të lumturit dhe të dëshpëruarit.”

*

“Pengimet. Difikultetet, zorshmëria janë termometri i shpirtit që na tregon se sa të fortë a të dobët jemi.”

*

“Dinjiteti nuk fitohet kurrë me karrigen ku ulet njeriu, as me floririn që mban mëshehur pasaniku; ai fitohet me punë të mundimshme dhe me sakrifica të ndershme në udhët e martirologjisë. Dinjiteti është i fortë si stralli, i thellë si deti, i pakufi si hapësira, i pa matur si koha.”

*

“Miqësia është një objekt shumë delikat, si kristal i hollë që, nga një ndryshim i vogël temperature thuhet, duke mbetur vetëm cickërra pasqyre të kujtimeve që japin helm.”

*

“Lumturia fizike është një mirazh në shkretëtirë. Sa më shumë afrohemi, aq më shumë largohet.”

*

“Lumturia shpirtërore arrihet me inteligjencë, vullnet dhe studim. Shembuj janë: Buda, Konfuci, Sokrati, Krishti, sheh Sadiu...”

*

“Shpresa është gënjeshtra më e ëmbël që e bën të jetueshme jetën; na qëndron besnike deri në çastin e epitafit.”

*

“Poezia është muzikë në fjalë dhe muzika është poezi në tinguj.”

*

“Sinqeriteti është kur të flasim ç’mendojmë, të bëjmë ashti siç mendojmë; të japim ç’kemi premtuar: të jemi ashti siç dëshirojmë që të jemi Sinqeriteti është fytyra e shpirtit, ashtu si disimulacioni është mosha e shpirtit.”

*

“Gjeniu është talenti që prodhon i pari krijesën origjinale të ngjitjes së ekstazës, pa vënë fre, rregulla e rregullore, siç nuk i vihet ligji valës së detit.”

*

“Gënjeshtra politike e tregtarëve të flamurëve është antitezë e ndjenjës së bukur që konstituon patriotizmin e zemrës e të harmonisë shpirtërore, që i vë çimento të fortë nacionalizmit civil.”

47 views2 comments

2 Comments


fahri dahri
fahri dahri
Jan 04, 2021

Respekte z. Gashi. sa shumë e pafundme është dija. Lexon këto fjali filozofike, ndalesh tek rrugëtimi personal dhe gjen përkufizimet përkatëse, nuk e teproj po të them të sakta. Sa e vërtetë dhe e saktë është edhe shprehja që ne trashëgojmë nga të parët : "Sa të rrosh, do të mësosh". Por përsëri habitemi me "varfërinë" e teksteve tona shkollore, nisur nga fillorja e deri në të mesmen, ku duhet të bëhet një kthesë rrënjësore, të cilat duhenët ti shërbejnë dijeve të nipërve dhe mbesave tona.

Duhet të largohemi nga retorikat boshe që, për fat të keq kanë pllakosur etikën dhe moralin shqiptar, i cili duhet rigjetur pikërisht tek këta shkrues të niveleve më të larta botërore. Resoekte.

fahr…

Like

Prof Dr Eshref Ymeri:

Përshëndetje atdhetare zotërisë së nderuar Sinan Gashi I nderuar Zotëri Sinan, Ju uroj gëzuar Vitin e Ri 2021, shëndet dhe mbarësi familjare. Ju përshëndes ngrohtësisht për botimin në këtë portal të nderuar të “copëzave” nga jeta e personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, Profesor Isuf Luzaj. Me vlera të jashtëzakonshme edukative për brezin e rij janë veprat e këtij Profesori të Madh. Fragmentet që keni shkëputur nga mendimi i tij filozofik janë perla të vërteta në thesarin e mendimit filozofik shqiptar. Me respekt dhe mirënjohje. Eshref Ymeri Santa Barbara, Kaliforni 03 janar 2021

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page