PEQINI – VENDI I NJERËZVE TË NDERSHËM E ATDHETAR
Për librin e ri të Astrit Kaziut kushtuar Peqinit
SHPENDI TOPOLLAJ
Pas promovimit disa vite më parë të librit kushtuar jetës dhe veprës së atdhetarit sypatrembur dhe luftëtarit heroik antifashist Mustafa Gjinishi të autori të respektuar Astrit Kaziu, ndihem i nderuar të ndodhem sërish mes njerëzve të mirë të Peqinit, për të thënë modestisht dy fjalë rreth librit tjetër të tij “Për nxënësit e mi dhe jo vetëm…” Në planin personal, ndaj Astritit kam edhe një detyrim, pasi ai është nipi i miqve të mi dhe sidomos i të ndjerit dhe të paharruarit pedagogut tim të shtrenjtë Tomorr Dedja. Në këto rrethana e kam njohur herët Astritin, dhe kam vënë re me kënaqësi se ai ka mbetur po ai; njeriu dhe intelektuali i ndershëm, i ditur, i thjeshtë dhe mbi të gjitha i flaktë në dashurinë për vendlindjen. Ka në libër një kapitull me titullin “Televizioni dhe “zhurmuesi”, ku i mirënjohuri Ylli Pepo, aso kohe nëndrejtor i RTV shqiptar, duke parë aftësitë profesionale, i bën ofertën Astritit për ta marrë në kryeqytet në institucionin e tij, por ai nuk pranon. Kjo ndodhi më solli ndërmend një histori nga lashtësia, ku Plutarku i famshëm që e donte shumë vendlindjen e tij Keronenë edhe pse i thoshin përse nuk shkon të jetosh në Romë ose Athinë, përgjigjej: - Unë e di që Keronea është një fshat i vogël, por nuk do të largohem kurrë prej këtu, sepse nuk dua të bëhet edhe më i vogël me largimin tim. Astrit Kaziu këtu ka kaluar jetën e tij me dinjitet dhe tani është thinjur. Por është ashtu sikurse shprehej Edgar Po - ja se “Flokët e thinjur janë arkivat e të kaluarës”. Dhe këtë arkivë, pra këto kujtime, ai nuk do t`i mbajë për vete, por i hyn punës aspak të lehtë që t`i hedhë në letër ato dhe t`i botojë. Ky është edhe një shërbim që Astriti i bën banorëve të këtij qyteti, pasi “Bota - thosh Alfons de Lamartini - është një libër, faqet e të cilit hapen përpara nesh në çdo hap që hedhim”. Librin e ribotuar me profesionalizëm nga SHB 2M Printing në Durrës, ku e rekomandova Astritin, ai e ka kompozuar në formë tregimesh. Astriti shkruan pa sforco, krejt natyrshëm, ashtu sikurse komunikohet në jetën e përditëshme. Personazhet e tij janë të ndryshëm, por ai nuk i diferencon ata në stilin e tij; Peqini ka nxjerrë mjaft figura që kanë dhënë kontribute të rëndësishme si në historinë ashtu edhe në kulturën shqiptare, dhe patjetër që autori i këtij libri kur flet për ta nuk e fsheh krenarinë. Por njëkohësisht, ai ndihet mirë edhe kur përshkruan ngjarje me njerëz të zakonshëm; si punonjës administrate, partiakë, të afërm, kolegë mësues apo nxënës shkolle qofshin ata. Ndaj edhe këta të fundit ai i quan shokë, bashkëbisedues, mirëkuptues. Dhe mbi të gjitha ai mbetet përherë njeri dhe kuadër me integritet, që di ta ruajë dinjitetin si para sekretarit të parë, kur ndëshkohet pa bërë asgjë, si tani në pluralizëm, ku pavarësisht bindjeve, është mik me këdo. Astriti është modeli sesi duhet të ndihemi dhe të sillemi vëllazërisht, me të tjerët, duke i qëndruar larg debateve kokëforta që sjellin përçarje, smirave meskine, kundërshtive pa bereqet që nuk të çojnë askund, apo militantizmit fanatik që po e mundon këtë vend për karriget e arrivistëve. Ai e di mirë se si kudo edhe në këtë qytet ka vend për kritika, si për të djeshmen ashtu edhe për kohën që po kalojmë, por ato i bën pa pasion, pa provokuar askënd, mund të themi miqësisht, madje me një ndjenjë të hollë humori. Përshkrimet e tij rreth reagimit të njerëzve që edhe pse ishte e dënueshme, kërkonin të shihnin nëpër ekranet e televizorëve, ç`bëhej nëpër botë, furnizimi i tyre me ato kanaçet e famshme nga vetë Astriti me flokët e gjata, manovrimet për t`i shpëtuar syrit të vigjilentëve, loja me atë radiogalenën me babanë e ndershëm e besnik ndaj parimeve, parashikimi i rezultatit të ndeshjes së futbollit që ai tjetri nuk e dinte se ai e kishte parë qysh më parë etj. janë pjesë ku në çdo rresht është e pranishme ana artistike e autorit të librit. Kjo vërtetohet më së miri dhe ngrihet në nivelin e talentit, kur lexojmë tregimin aq të goditur “Si u bëra milioner”, ku nuk mund ta mbash të qeshurën nga fillimi në mbarim, pasi, ndërsa zjente qyteti nga hamendjet e thashethemet për të, ai konkludon se “…Ama, milioner, në mos me para, më doli nami, si milioner, pa para”. Astriti ndalet gjatë te puna e tij dhe e shokëve e shoqeve në arsim, nxënësve u jep kumte nga përvoja e fituar, gjithmonë me dëshirën që ata të bëhen sa më të vlefshëm për vete, familje, Peqinin e tyre dhe Atdheun. Ai i porosit ata që të krenohen me familjet dhe vendin e tyre, të lexojnë, të pasurojnë bibliotekat, të mbajnë zgjuar interesin për sa më shumë kulturë dhe të mbajnë shënime. Pastaj shkon më tej, tek e shkuara; pra tek etimologjia e emrit të qytetit, duke nisur nga Klodiana 2.000 vjeçare, rruga Egnatia, Kalaja, Sahat - kulla, Xhamia, Ura e lashtë etj. Bën apel për vëmendje nga qeveritarët, për ta zhvilluar më shumë Peqinin, këtë trevë me kaq tradita të vyera dhe bujari të pashoqe. Dhe jo të zihen me zyra edhe mjediset e pallatit të kulturës, kur - siç shprehet ai - aty fare mirë mund të ngrihet muzeu, ku të gjithë të mësojnë dhe të frymëzohen nga sa kanë bërë të parët e tyre dhe ta çojnë këtë trashëgimi më përpara. Peqini, vërtetë është një qytet i vogël, por madhësia e një qyteti matet me njerëzit e shquar që ka nxjerrë. Ndaj deduksioni që përftohet nga leximi i këtij libri, është se ai meriton shumë më tepër. Por për këtë, duhet ngritur zëri, si nga ata që e drejtojnë atë, si nga intelektualët si Astrit Kaziu që duke e dashur qytetin e tyre, ashtu siç e donte dikur Plutarku i Beotisë, njëri nga njerëzit më të ditur të kohës, Keronenë e tij, dëgjojnë zërin e ndërgjegjes që u thotë: Flisni!
Comments