PEISAZH ME BRYMË
Nata spërkati brymë,
u thinjën pemët,
qershia duket si shtrig;ë,
u thinjën mustaqet e qenit,
u thinjën tjegullat,
edhe kapelet e oxhakëve,
u verbuan dritaret
dhe syri i lëngshëm i lumit.
Doli dielli,
djersinë pemët si nuset kur dalin nga banja,
djersinë mustaqet e qenit,
djersinë çatitë,
djersiu gardhi,
djersinë kapelet e oxhakëve.
mëllenja shkund brymën dhe ia thirret këngës:
kriu-kriuuuuu!
Lotojnë dritaret,
mjegullohen sytë e komshies,
i bëj ca shenja çamarroke,
ajo struket pas kortinës,
e pikëluar me grep,
vajton pa zë ditë e natë,
jo se do martohet përtej malit,
por se përtej malit nuk bie brymë e as dëborë.
Djersiu stela e kotecit,
kakarisin pulat,
teto Frosa jep lajmin e mëngjesit:
një jariçkë u shkel dhe u bë pulë.
Ki-ki-ri-kiiiiii pincon sqepin dhëndri i ri,
lafsha ka filluar t'i skuqet,
i përpoqi krahët sa u shkund gjithësia,
u shkund edhe bryma nga bishti i tij hënor
Comments