top of page

PEISAZH ME BRYMË



Nga Thani Naqo

Nata spërkati brymë,

u thinjën pemët e duken si shtriga,

u thinjën mustaqet e qenit,

u thinjën tjegullat,

u verbuan dritaret dhe lumi.


Doli dielli,

djersinë pemët e,

duken si nuset lakuriq kur dalin nga banja,

djersinë mustaqet e qenit,

djersinë çatitë,

djersiu gardhi,

mëllenja shkundi brymën nga puplat

dhe kriu-kriu ia thirri këngës.


Lotojnë dritaret,

lotojnë sytë e komshies,

i bëj ca shenja,

ajo fshihet pas kortinës,

e pikëluar nga thurrjet me grep.

Thonë se po bën pajën,

loton jo se do martohet përtej malit,

por se atje nuk bie brymë e dëborë.


Djersiu stela e kotecit,

ka-ka-ka kakarit një pulë,

ki-ki-ri-kiiiiii pincon sqepin

dhe ia sëllon këngës së zgjimit.


Krahët i përpoqi aq fort,

sa u shkund bryma e gjithësisë,

u shkund dhe bishti hënor i këndezit lafshëkuq.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page