Kadri Tarelli shkruan:
Kishte pak kohë që kishin përfunduar zgjedhjet për kryetar komune, ku u votua sipas dëshirës dhe oreksit, për të zgjedhur më të mirin e katundit dhe të katundarëve.
Midis burrave më të fisëm dhe grave më të zonja, fati e ndihmoi Maksutin, një burrë i pashëm, serioz në dukje dhe mjaft i afrueshëm me të gjithë. Nuk thoshte kurrë një fjalë të ligë apo të hidhur, për më tepër nuk merrej fare me thashetheme. Burrë Zotni për ta pirë në kupë, deri ditën që vuri mollaqet në karrigen e kryetarit.
Çdo ditë shkonte në zyrë para orarit. Rregullohej mirë para pasqyrës që ishte varur pas dere nga kryetari i vjetër. Shikohej dhe nuk ngopej me pamjen e tij. I dukej vetja i bukur, madje pasi kaloi një farë kohe në detyrë, filloi të mendojë se është edhe shumë i mençur, sepse u jepte drejtim vartësve dhe të gjithë nevojtarëve e hallexhinjve të shumtë, që nuk pushonin gjithë ditën e lume. Nuk mërzitej veç premtonte, po punë s’mbaronte. Vuri re se njerëzit filluan të rrallohen dhe nuk po e bezdisnin më si më parë, aq sa po thoshte me vete: Çudi e madhe me këta njerëz. Mirë që po e kuptojnë, se disa s’janë në terezi fare! Pse hallet e tyre do t’i zgjidh unë? Mua po më luan mendja të sajoj ndonjë tender, se kryetari për këto punë dallohet e nderohet……., Unë për komunën mendoj, jo për vete…..
Në kafe nuk shkonte më si më parë. Pse mund ulej një kryetar, me një copë fshatar që s’ka haber nga punët e zyrës? Pyeste veten dhe i jepte përgjigje: Qeveria jo, po ne vetë….. (e kam fjalën edhe për kryetarët e parë), i kemi ndarë punët, ashtu edhe kafet, restorantet, miqtë, hotelet, plazhet, pushimet dhe muhabetet. Nuk jemi një soj. Unë tani jam kryetar….!
Një ditë prej ditësh, pasi porositi vartësit, (sekretaren), i hipi makinës për të takuar shokët kryetarë, në kafen e preferuar, diku larg syrit të banorëve të komunës së tij. Vuri re se, në paketë kishte mbetur vetëm një cigare. I foli shoferit të ndalojë, zbriti dhe u nis drejt klubit në qendër të komunës. Zakonisht këtë punë ia ngarkonte shoferit, por sot seç iu shkrep të shkonte vetë.
Dera e klubit ishte e hapur, dhe ashtu rëndë-rëndë u drejtua për tek banaku. Klientët, miqtë e tij të vjetër e nderuan, lëvizën nga karriget, duke e ftuar të ulej me ta, ndërsa ai vetëm ngriti pak dorën në shenjë përshëndetje. Pasi mori cigaret, u nis për të dalë, po Zylfiu që me zor po e përcillte këtë takim të beftë e mospërfillës me kryetarin, nuk duroi dhe i thotë: “Po folë, o kryetar, se na bëhet qejfi dhe na shtohet jeta”. Një shprehje që thuhej rëndom mes shokësh, kur ata nuk e kishin mendjen te të tjerët përrreth. Ndërsa Sadushi vazhdoi më tej, ku e la Zylfiu: “Fole o kryetar, se me votën tonë u bëre i pari i Komunës”.
Kryetarin sikur e pickoi grenxa….! Bëri një hap dhe ndaloi. U kthye drejt tavolinës dhe e ngriti zërin që ta dëgjojnë të gjithë: “As njërit e as tjetrit nuk ua di për nder, sepse votat ua kam blerë. Besoj se ua kam dhënë paratë dhe nuk u kam asnjë borxh”. Donte të vazhdonte, por e kuptoi që i shkeli në kallo miqtë e tij të vjetër. Doli si i xhindosur nga gjaku që i vërshoi në kokë: “Kur jep paratë, nuk thuhet as faleminderit. Çudi si erdhi kjo punë…!? - e qetësoi veten. – Pazari, pazar është….. Dikush shet dhe dikush ble. Oj… trutharët! Kanë kurrajo të kërkojnë nder, e nderim. Nuk ankohen për vete, që e shitën shpirtin për një grusht parash, po më kërkojnë edhe t’i begenis. Mos mërziten, se pas katër vjetësh, do më luten përsëri t’ua ble votën. Ai që shitet një herë, s’e ka për gjë të shitet përsëri. Kështu më thoshte baba, …. Ndjes pastë! - Me këto mendime hipi në makinë dhe i tha shoferit, - nisu!
Klientët në klub shtangën një çast, por nuk bënë zë. Edhe ata ishin katandisur si Zylfiu, tregetarë të shpirtit. Veç Shahini, një burrë i shkurtër, por i sertë në fjalë, që aty nga qoshja e ndoqi nga fillimi këtë skenë, i erdhi keq për miqtë e tij, megjithatë e theu heshtje dhe e nguli thumbin edhe më thellë: “Kush pranon të bëhet krimb, mos ankohet se e shkelin!”.
I tha këto fjalë dhe doli. U kënaq me veten për këtë gjetje filozofike, por u trishtua, sepse nuk e mendonte kurrë, që Zylfiu dhe Sadushi që mbahen si burra të fortë, të ditur e të pakorruptueshëm, ta shesin veten për aq para, sa nuk i dalin as për kafe e duhan.
Nuk di i shkreti njeri, kujt t’i besojë, shitësit apo blerësit…..!?
Kadri Tarelli
Mars 2020.
Comments