Elbasani si trevë e ndërmjetme folklorike, ruan dhe trashëgon shumë kostume popullore të mirëfilta, të punuara me art e dashuri mga mjeshtri i madh popull. Ato shprehim me një forcë të madhe specifikën etnike, e cila paraqet një aspekt të mënyrës së jetesës, të lidhur ngushtë me historinë dhe, në të njëjtën kohë, i dallon nga veshjet e zonave dhe të rretheve të tjera të Shqipërisë.
Treva e Elbasanit në Shqipërinë e mesme numëron 37 lloje kostumesh popullore autentike, me mbi 10-të variante. Në këtë trevë çdo 11 mijë banorë përfaqësohen me kostumin e tyre popullor. Vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 këngë popullore, bazuar në krijuesit korifenj të kësaj muzike si Isuf Myzyri, Leks Vini, Mustafa Bodini etj.
Sipas broshurës etno-kulturore „Kostume popullore të rrethit të Elvbasanit“ mësohet nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme. Ajo ndahet në katër njësi etnografike. Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit, dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës”.
Sipas këtij studimi të hershëm, që i përket viteve 80-të, dokumenti më i vjetër arkeologjik që ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit është basorelievi i skalitur në gur, “figura e nuses ilire.” Ajo i përket shekullit të II- III, dhe është gjetur në fshatin Tërbaç të Krrabës, nga disa fshatarë. Një pjesë e kësaj zone vazhdon të ruajë këtë lloj veshje duke u përdorur në kostumet e grave të Krrabës, Funarit, si edhe Godoleshit.
“Elemente të tjera të veshjes popullore të dokumentuara në zbulimet arkeologjike, janë edhe vargonjtë e mesit, tirqet, kallcet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë së Shmilit, Krrabës dhe në atë të Shpatit” thuhet në këtë material të përgatitur nga Shtëpia e Kulturës dhe krijimtarisë Popullore të Rrethit të Elbasanit në vitin 1982. Më vonë shfaqen opinga, xhoka, bruca, që vazhdojnë të përdoren në veshjet e Elbasanit. Opinga përdoret në të gjithë rajonin, ndërsa xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë, përdoret në Elbasan, në malësinë e Krrabës së Tiranës, si dhe në Peqin.
Tipike në Peqin, është veshja me jakuce e burrave të qytetit, të cilën e përdorte edhe Isuf Myzyri (kompozitor, artist i popullit).
Në shekujt XVI – XVII, merr hov kostumi popullor i grave.
Në shekujt XVI – XVII me zhvillimin e zejtarisë, një zhvillim të madh mori përpunimi dhe tregëtimi i mëndafshit. Ai u përdor për eksport, por edhe si lëndë e parë për përgatitjen e kostumeve popullore të grave të qytetit. Ndaj kostumi shqiptarçe i grave të qytetit të Elbasanit, i huazuar më vonë nga gratë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Peqinit, u bë kostumi mbizotërues i grave të Shqipërisë së Mesme.
Ai vazhdon të vishet nga gratë e kësaj zone të Shqipërisë dhe është kryesor në graderobën e ansambleve artistike dhe folklorike. Jehonë ky kostum ka bërë edhe në festivalet ndërkombëtare. Shumëllojshëmria e Kostumeve Popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Europian.
Materiali në fjalë shpjegon se “Elbasani është një nga trevat më të pasura etno-folklorike të Shqipërisë. Në Elbasan këndohet e kërcehet me shumë pasion kënga e vallja popullore qytetare dhe në të njënjtën kohë ruhen me shumë fanatizëm e krenari kostumet tradicionale popullore. Treva e Elbasanit numëron 37 lloje kostumesh popullore autentike. Në këtë trevë çdo 11 mijë banorë përfaqësohen me kostumin e tyre popullor .Vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 këngë popullore, bazuar në krijuesit korifenj të kësaj muzike si Isuf Myzyri, Leks Vini, Mustafa Bodini etj.
Kënga dhe vallja popullore elbasanase janë një pjesë e asaj pasurie të madhe të trashëgimisë kulturore të kësaj treve, e cila është prezente në çdo familje e që i shoqëron në çdo hap gëzimet.
Comments