top of page

Pasuri



Astrit Lulushi


Njeriu ka shumë nevoja ose nevojë pêr shumë gjëra, që nëse do të ndaheshin, mirëqenia do të arrihej më lehtë dhe përqëndrimi do të ishte më i saktë drejt objektivit.

Ka nevoja të natyrshme, që lindin me njeriun, dhe kur nuk përmbushen, prodhojnë dhimbje - siç janë ushqimi dhe veshja, nevoja të cilat lehtë mund të plotësohen.

Ka pastaj nevoja të cilat, megjithëse të natyrshme, nuk janë të domosdoshme, siç është kënaqësia e disa prej shqisave. Këto janë nevojat më të vështira për tu përmbushur.

Por ka nevoja që nuk janë as natyrore dhe as të domosdoshme, nevoja të luksit dhe lakmisë, dukjes dhe shkëlqimit, të cilat kurrë nuk përfundojnë, këto janë shumë të vështira për t'u kënaqur.

Eshtë e vështirë, nëse jo e pamundur, të përcaktosh kufijtë e dëshirës për pasuri - sepse nuk ka pasuri që mund t’a kënaqë njeriun - sasia është gjithmonë relative, është e pamundur të ruhet proporcioni midis asaj që dëshiron dhe asaj që merr; sepse matja e lumturisë vetëm me atë që merr është aq e kotë sa të provosh të shprehësh një thysë me numërues, por pa emërues.

Një njeri nuk e ndjen humbjen e gjërave me të cilat nuk ndeshet kurrë, ai është po aq i lumtur pa to; ndërsa një tjetër, i cili mund të ketë njëqind herë më shumë, ndihet i mjerë sepse nuk arrin të marrë një gjë që dëshiron. Çdo njeri që ka një horizont të vetin pret të arrijë aq sa mendon se është e mundur. Nëse një objekt duket brenda horizontit të tij, ai me besim mund të konsideronte marrjen e tij, dhe është i lumtur; por nëse i dalin vështirësi përpara, ai dëshpërohet. Ajo që qëndron përtej horizontit nuk ka asnjë efekt mbi të - -pra, pronat e mëdha të të pasurve nuk i ngacmojnë të varfërit, dhe anasjelltas, njeriu i pasur nuk ngushëllohet nga pasuria për mosrealizimin e shpresave të tij. Pasuria është si uji i detit; sa më shumë të pish më i etur bëhesh; e njëjta gjë është e vërtetë për famën.

Humbja e një gjëje me vlerë shënon edhe fundin e pikëllimit, sepse sa më shpejt që fati zvogëlon shumën e pasurisë menjëherë zvogëlon edhe shumën e kërkesave; kur vjen fatkeqësia, njeriu ul sasinë e pretendimeve sepse është pikërisht ajo që është më e dhimbshme; pas kësaj, dhimbja bëhet gjithnjë e më e pakët dhe nuk ndjehet më; si një plagë e vjetër që mbyllet. Në të kundërt, kur një fat i mirë na bie, pretendimet tona rriten, dhe në këtë ndjenjë ekspansioni, qëndron kënaqësia. Por kjo nuk zgjat më shumë se vetë procesi, dhe kur zgjerimi është i plotë, kënaqësia merr fund; kërkesat tashmë janë përmbushur, dhe rrjedhimisht njeriu bëhet indiferent ndaj sasisë së pasurisë që i kënaq ato. Ka një fragment tek Odyssey që ilustron këtë të vërtetë:

“...mendimet e njeriut janë si dita e dhënë nga perëndia; pakënaqësia buron nga një përpjekje e vazhdueshme për të rritur sasinë e kërkesave tona, kur ne jemi të pafuqishëm për të rritur sasinë që do t'i kënaqë ato”.

Njeriu ka shumë nevoja, tek ato bazohet e gjithë ekzistenca e tij, prandaj nuk është për t'u habitur që pasuria zë vendin kryesor, por jo se është nderi më i madh se çdo gjë tjetër në botë - ashtu si diçka që nuk sjell fitim, nuk bën që përfitimi të jetë i vetmi qëllim për jetë më të mirë. Njeriu që ka lindur në pozitë pasurie, e shikon pasurinë si diçka pa të cilën nuk mund të jetojë më shumë se sa mund të jetojë pa ajër; Por njeriu që ka lindur në një pozitë të dobët e shikon atë si të natyrëshme dhe nëse në ndonjë rast bëhet i pasur, e konsideron pasurinë si një tepricë, si diçka që duhet të shijohet ose tretet, sepse, nëse e humbet, ai mund të fillojë ashtu si dhe më parë, me një ankth më pak; ose, siç thotë Shekspiri;

“Nëse jeni mbret, ku është kurora juaj? - Kurora ime është në zemrën time, jo mbi kokën time; Kurora ime quhet përmbajtje, të cilës mbretërit rrallë i gëzohen.”

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page