Pas një begonje
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 18, 2020
- 1 min read

Pas një begonje
Nga Fatmir Terziu
Përditë mendja thurr sexhade ajri,
me enigmën e panjohur të një zonje,
në tru, në sy, në trup digjet malli,
për erëmirën e saj prej begonje.
E shkallët e mbajnë peshën e hijes,
sikurse gjethet që meken nga trupi saj,
enigma rrëmon si maja e lagur e fijes,
në një gjilpërë që syve u vihet faj.
E shtati i saj ‘belqin’ e ‘qibar’
zgjatet si ditët në çdo pranverë,
lulet e saj plot nektar e sheqer,
ende mendjen e ngasin atje zvarë.
Pas një begonje që u rrit në mendje
u lodh jeta duke thurrur sexhade,
me enigmën si një mbulesë lecke,
mbulon në përhumbje imazhet…
Shtëpia e mban të terrur nën çati,
një rrënjë të yshtur që në fëmijëri,
aty ku begonja çel dhe vyshket tashti,
enigmës gjithë trupi i mban mëri.
PAS NJE BEGONJE, nje poezi e ngrohte, e dlire, qe rrjedh natyrshem dhe
plot nerv poetik.
Jane befasues vargjet:
"E shkallet e mbajne peshen e hijes,
sikurse gjethet qe meken nga trupi saj,
enigma rremon si maja e lagur e fijes ,
ne nje gjilpere qe syve u vihet faj."
Ku, detajet, figurat e fresketa origjinale, brishtesia, na mbushin
me dritherima emocionale.
Urime
MYSLIM MASKA