top of page

Paritet



Koncepti i paritetit në tërësinë e kulturës është vetëm një emër identik me logjikën e fiksuar në veprat e artit, në krijimtari, reflektim krijues, përfshirje oratorike, për të gjetur barabartësinë e kuptimit të mesazhit. Në këtë të fundit, teknika merret me organizimin e brendshëm të vetë mesazhit, me logjikën e tij të brendshme. Në të kundërt, pariteti i tërësisë së kulturës është, që nga fillimi, një nga shpërndarjet dhe riprodhimet oratorike më delikate, dhe për këtë arsye mbetet në formën e tij aspektive, objekti i vetë objektives, ajo që në fakt cilësohet si faktor gjithmonë i jashtëm i një gjendjeje e të qenurit i barabartë, veçanërisht në lidhje me statusin. Po a ka paritet? A ka pasur paritet? A mund të ketë paritet?

Tërësia e faktorëve që mbështeten tek konceptet e kulturës gjejnë mbështetje në format më ideologjike, pasi tërësia, e qasur si gjithëpërfshirje, “konkurencë në ekonominë e tregut”, pikërisht mbron veten me kujdes nga potenciali i plotë i enigmave që përmbahen në të gjitha lidhjet e sublidhjet, kulturat e kros-kulturat, diskurset dhe semantikat, njësimet dhe metimet, mitet dhe legjendat, format dhe formëzimet, po aq dhe tek produktet dhe produktivitetet. Duke e parë këtë, si një dhimbje, në këtë lidhje, shihet se vetë tërësia e faktorëve të kulturës në Shqipëri ende jeton në mënyrë parazitare nga forma ekstrakt artistike e prodhimit diktues të ndërvartësisë, pa marrë parasysh detyrimin ndaj qasjes së projekteve, ku tërësia e brendshme artistike e nënkuptuar nga funksionaliteti i saj, është jo vetëm tenderim i paracaktuar, i fiksuar, por edhe një zmaltim me para të majme, pa shqetësim për ligjet e formës, të kërkuara nga autonomia estetike.

Autonomia estetike është një rreze e vogël në tunelin e gjatë të errësirës së një gjysëmshekulli. Ne kemi pak dritë në atë tunel. Nëse një ndriçim të fuqishëm na e ka prurë pena e Visar Zhitit, ajo ka qenë thuajse e vetmja, që ka ndaluar në vetë alarmin e hedhur e të padëgjuar nga Robert Elsie, ku natyrshëm nuk mund të jetë vetëm për fizionominë e tërësisë së kulturës, por më së shumti për nevojën e arsyes, ndriçimit që vjen nga errësira, dhe jo atij që fiksohet si ndriçim për errësirën. Me këtë fiksim “ndriçimi” rezultati për fizionominë e tërësisë së kulturës është në thelb një përzierje e drejtimit të gabuar, të vetëmontuar, ngurtësia fotografike e dhimbjes, pa e provuar thelbin e dhimbjes, pa e kuptuar anën më dekorative të saj, bukurinë e dhimbjes, një model ku ndalon mendjemadhësia e subjektorëve dhe ku mungon saktësia nga njëra anë, aty ku ende sfumohen mbetjet individualiste, sentimentalizmi dhe disponimi tashmë racional dhe adaptues si qasje postmoderne me sloganizmin nga ana tjetër.

Miratimi i përcaktimit të Elsies për veprën tradicionale të artit nga koncepti i dritës së fundit të tuneli, dhe jo thjesht si drita në fund të tunelit, mbetet të kuptohet si prania e asaj që është jo prezente, tërësia e kulturës përcaktohet nga fakti se nuk kundërshton rreptësisht një parim tjetër me atë të ndriçimit të fakteve dhe faktorëve, por përkundrazi nga fakti që ruan aurën e kalbjes si një mjegull e mjegullt. Me këtë do të thotë kultura e sotme shqiptare tradhëton abuzimet e veta ideologjike. Ajo nuk kërkon ndihmën dhe vlerën estetike të veprës dhe përvojës së Zhitit, por mjaftohet me zmaltimin e emrit të tij, që në këtë rast ai e ka bërë me fakt dhe me punë një emër që gjithnjë e më shumë pritet të vihet në këndin e duhur të dritës për errësirën.

Kohët e fundit në Shqipëri, po aq dhe në Kosovë, në jo pak raste, është bërë zakon në mes të zyrtarëve kulturorë, si dhe sociologëve opinionistë, panelistë e të tjerë, të paralajmërojnë kundër nënvlerësimit të tërësisë së kulturës gjatë kohës me Covid-19 duke treguar hijet e frikës dhe jo rëndësinë kohës, rëndësinë e saj të madhe, si kohë nën kushte të pazakonshme, për zhvillimin e vetëdijes së konsumatorëve të saj. Është për t’u marrë seriozisht, pa snobizëm të kulturuar, elementi që duhet ndriçuar me arsyen e paritetit, ku forca e mesazhi vijnë si arsye të fuqishme prej realitetit. Në këtë aspektualitet, ky realitet dhe aktualitet i tërësisë së kulturës është i rëndësishëm si një moment i shpirtit që mbizotëron sot, për të kuptuar atë moment të shpirtrave të heshtur, të vdekur, të zvaritur, të nënshtruar e të nëpërkëmbur me diktatin e paritetit dhëmbëhekur. Kushdo që injoron ndikimin e tij nga skepticizmi për atë që i mbush njerëzit me dritën e errësirës njerëzve do të ishte naiv. Megjithatë, për aq kohë sa ekziston një shkëlqim mashtrues për këshillimin për ta marrë seriozisht, pariteti do të vazhdojë të tundë kokën e kryet e majme të tij si gjeldeti, e jo më në temperaturën e furrës, por në sfurkun majisës të kulturës.

37 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page