top of page

”Paralelet e Karantinës”, do ngelet si dëshmi kohe


Doc. Odise Çaçi


I dashur prof.dr. Fatmir Terziu. Ju falemderit për konsideratën që ruani për mua. Ju kam ndjekur hap pas hapi në shkrimet e poezitë tuaja, pavarësisht se nuk jam shkrimtar, por një studiues historie, por që shkruaj shpesh edhe prozë, por më shumë poezi.


Paralelet e Karantinës”, për mendimin tim modest më kujton periudhën kur ushtarët e rinj, shkonin për të kryer shërbimin ushtarak, ku kryenin tre muaj karantinë. Këtë më kujtoi poezia juaj, por në kushte të reja, ku një “Virus, i mbiquajturi Korona -19, po bllokon planetin tokë, ku rreth tij vërtiten hipoteza si shkencore dhe konspirative. Dikush në komentin e parë ka thënë,” i ngjan Sterjo Spase…”, por mendoj se jo se shkrimtari Spasse me romanin “Pse” nuk jepte asnjë zgjidhje.

Poezia juaj është tepër intriguese dhe shumë filozofike, ku karantina është boshti, si puna e Furkës së Leshit.. Për këtë karantinë do shkruajnë shumë pena, do nxjerrin dhe konkluzione, por besoj se me mbylljen e saj, poezia juaj, do ngelet si libri “Murtaja” i Albert Kamisë, apo dhe “Katedralja e Parisit” e Viktor Hygosë, por në periudha të ndryshme. Ju shtroni shumë pyetje për jetën, për njeriun, se çfarë mendon ai për këtë karantinë të ardhur nga Qielli.

Ju përmendni deshtë pa dele dhe kjo më çoi në një vajtojcë të Pilurit në vitet 1947 kur shkoi në Kuç të Vlorës për të ngushëlluar për mikun e tyre dhe ajo vajtoi: ”O ju kuç, shkëmbi ju zëntë, po bejlerët ç`i bëtë, ikën deshtë e ngelën dhëntë”. Pasi gjyqi i “popullit” dënoi intelektualët me vdekje se ishin kundër vendimeve të Partisë. Po prapë më kujtohet një Sho Gjukuria, nga Dhërmiu, kur erdhi në Brataj të Vlorës dhe mori gjithë deshët e Cjepët, dhe shoku im në krah më tha, se çfarë i mungonte tufës, së xha Akim Valles_...?

Une mendoj se në Pazar nuk blihet as jeta, as dashuria e sinqertë, as miqësia. Mashkulli vërtet është shtylla e shtëpisë, por kur di që ta mbajë këtë rol. Në rast epidemie nga kolera, që para erës sonë dhe duke vazhduar ne 1348-1351, 1539,1628-1632, 1768, pa llogaritur gripin spanjoll më 1928 dhe me Koronën-19 2020… jeta është e shtrenjtë dhe nuk kthehet mbrapsht. Po ike nuk kthehesh më, ajo nuk blihet në Pazar…

Varreza pa varr nuk mund të ketë se, vdekja eshtë kapak floriri kur vdes me nder e lavdi. Edhe gozhda do sqeparin, qyteti qytetarin, shiko për një moment Çernobilin, fshati pa fshatarë, shteti do funksionojë që ti paraprihet katastrofës. Nëse kjo vazhdon gjatë atëhere në vatrat tona do jetë problem ushqimi, siç shpreheni ju ”sofra pa kafshatën” dhe “Fshatari pa kafshë”. Dhe mendoj, se atëhere njerëzit do shikojnë në heshtje njeri-tjetrin, pasi s`do ketë as embëlsirë, por do ketë pikëllim, dhimbje, përshpëritje, etj..

Britmat e njerëzve do jenë të llahtarshme!!! Dhe mendoj se e reja ka nevojë për të moshuarin me përvojë, për problemet e jetës. Jeta do vazhdojë me gjithë hallkat e saj, shkollë, dituri, liri dhe drita do dalë mbi erësirën e madhe. Dashuria mes njerëzve do rikthehet, çdo gjë do sqarohet dhe zënkat do të kalojnë në plan të dytë. Kështu, brezi që e kaloi këtë do lë kujtime dhe brezi që e preku vetë do e mbajë mend gjatë gjithë jetës.

Poezia juaj ishte një gërshetim filozofik me atë artististik, një poemë, ndonëse me pak vargje, por me një brendi të madhe.

Nga doc: Odise Çaçi, nga karantina shtëpisë , Vlorë , më 25.4.2020

102 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page