top of page

Pano Hallko me një libër transparent për Ballkanin


Pano Hallko me një libër transparent për Ballkanin

Nga Fatmir Terziu

 

 

Ndërsa shekujt fshehin skutave të historisë së shkruar e të pashkruar pallton e madhe të dimrave të politikës në një emërtesë „Ballkan“ që ka zëvendësuar emërtesën e vjetër të një gadishulli në zemër të Europës, vetë fusha e gjeopolitikës i qep dhe i shqep përditë këtij territori kostume dhe veshje interesazh. Në këtë qepje dhe shqepje hera-herës ndihen dhe viktimizimet e vetë viktimat që tashmë bëhen pasqyrë realitetesh në strukturën narrative të „Ballkani, viktimë e Gjeopolitikës“ (2023). „Ballkani, viktimë e Gjeopolitikës“ i ristrukturuar nga pena e studiuesit Pano Hallko është një studim që karakterizohet nga tërësia e asaj që vjen nga gjeneza e Gadishullit Ballkanik. Kjo gjenezë e përfshirë në dyzetë e pesë tematika me të cilat autori kalon në majë të gjilpërës mjaft fakte, tematika, gjetje dhe sqarime bëhet në thelb më interesante kur në skenë të parë bie në thelbin e kërëhsrisë njohja më e gjerë dhe më e thellë e vetë këtij gadishulli që mbart një të shkuar sa të dukshme e të padukshme në tërë rrjedhën e tij.


Vetë emri "Gadishulli Ballkanik" u propozua dhe u fut për herë të parë në qarqet shkencore në vitin 1808 nga gjeografi gjerman August Zoine në librin e tij të botuar në atë kohë "Një përpjekje për një përshkrim shkencor të tokës". Në justifikimin e emrit të synuar, autori i tij udhëhiqej mbi të gjitha nga një konsideratë analogjie, e lidhur me faktin se dy gadishujt e tjerë të Evropës Jugore, përkatësisht Apenin dhe Pirenejtë, u emëruan sipas maleve që dominojnë mbi to, dhe në të dytin, u piketua një vend nga konsiderata, se gjeografët e lashtë kishin formuluar tashmë idenë se mali Hemus, i quajtur më vonë Stara Planina, ose Ballkani, i cili përshkon gadishullin horizontalisht dhe pa ndërprerje, i jepte formën gjeografike tokave që ndodheshin në jug të lumit Danub. Kur hulumtoi etimologjinë e fjalës "Ballkan", filologu i shquar bullgar Ivan Duridanov shkroi se fjala proto-indo-evropiane b(h)erg(h)o do të thotë "mal", se fjala "berg" ka ardhur prej saj, që në gjuhën trake do të thoshte „vend i lartë, breg, mal“, në gjuhën e sllavëve do të thoshte „breg', dhe në gjuhët gjermanike u formua fjala „berg“, që do të thotë „mal“.

Në gjeografi, pranohet se në terma të përgjithshëm, vendet që ndodhen në Gadishullin Ballkanik ndahen në tre grupe:

             1. vendet që ndodhen tërësisht në Ballkan dhe këto janë: Shqipëria; Bosnja dhe Hercegovina; Bullgaria; Greqia; Kosova; Maqedonia; Mali i Zi;

             2. vendet ku pjesa më e madhe e territorit të tyre gjendet në Ballkan dhe këto janë: Serbia; Kroacia; dhe Sllovenia;

             3. vendet që zënë një territor shumë të vogël në Ballkan dhe këto janë: Rumania; Turqia; dhe Italia.


Duhet theksuar gjithashtu se në literaturë është hedhur teza se i ashtuquajturi „rajoni ballkanik“ është një kufi midis dy megakulturave, atë evropiane dhe aziatike, të cilat ndryshojnë thellësisht dhe thelbësisht në modelet e tyre të të menduarit, duke u karakterizuar nga perëndimi nga racionalizmi i trashëguar, por dhe nga grekët e lashtë, që dhe për Lindjen, është tipik misticizmi, traditat e të cilit në Ballkan sintetizohen në orfizëm. Në këtë pikë pranohet gjithashtu se pikërisht për shkak të kësaj “vije kufitare” të rajonit, në të u formua një “dual shpirtëror” dominues, i cili i jep gadishullit “statusin e zonës margjinale” dhe krijon vështirësi në identifikimin personal dhe kolektiv. Në literaturë ekziston edhe mendimi se vetë kontinenti i Evropës përbëhet nga disa bashkësi të formuara historikisht, si „Homo scandinavicus“, „Homo britannicus“, „Homo italicus“, ndër të cilat është edhe „Homo balkanicus“, ku në librin studimor të Pano Hallkos, pak a shumë brenda vetë tenmatikave që ai ka marrë në konsideratë duke se propozohet edhe nocioni nevojës për të „ndërtuar një komunitet ballkanik të tipit modern“. Tema e Ballkanit dhe e „njeriut ballkanik“ (Homo Balkanicus) jo pak herë është bërë objekt analizash dhe diskutimesh shoqërore dhe psikologjike në kuadrin e ideve të evropianizimit të rajonit, por që në jo pak raste vetë „Ballkani viktimë e Gjeopolitikës“ shkon në fakte që sipas autorit ku thekson ndikimin e fuqive të mëdha në Ballkan, dhe që sipas tij „Dy herë kaloi Lindja nëpër detin Adriatik për në Itali. Së pari në periudhën e ngulimeve greke dhe së dyti me veshjet bizantine“ (277).

Në librin e tij Pano Hallko, një ekspert i kësaj fushe, i kushton një vëmendje të madhe e shfaq një interes të jashtëzakonshëm dhe për anën gjeopolitike, ku ai hyn në detaje njohurish që anatemojnë me forcën ecliteraturës fakte mjaft të rëndësishme. Autori e sheh edhe Shekspirin në tragjedinë e tij „Troiles dhe Hrisida“ se greku është „simboli i hileqarit dhe i ngatërrestarit“ (324). me këtë dhe me mjaft fakte të tjera ai shkon në rrjedha historike, në fakte e gjetje të rëndësishme për të na treguar se konsensusi i vendosur deri vonë për identitetin gjeografik dhe politik të vendeve dhe shteteve të vendosura në të ashtuquajturin Ballkan tashmë është prishur dhe pikëpamjet divergjente ekzistuese imponojnë zbatimin e të ashtuquajturit "vizion kaleidoskopik" mbi rajonin e Ballkanit.

Këto fakte shihen edhe në literaturën gjeopolitike, por sikurse dihet sot dalin në plan të parë edhe argumentet e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat pretendojnë të hedhin poshtë barrën e trajtimit të tyre ballkanik dhe të konsiderohen si vende të Europës Qendrore, por dhe mjaft vende të tjera që zënë vendndodhje territoriale pothuajse simbolike në Gadishullin Ballkanik atë Turqisë (6%) dhe Rumanisë (5%) definitivisht nuk ofron bazat e nevojshme për t'i trajtuar ato si vendet ballkanike.

             Autori i „Ballkani viktimë e Gjeopolitikës“ mendoj se ka prurë një libër të strukturuar mirë, të thelluar në kërkime, dhe që duke e lexuar atë kupton dhe arsyet pse sot  theksohet se e ashtuquajtura „karakteristikë e Detit të Zi“ e Ballkanit jep një arsye për shqyrtimin me përparësi të marrëdhënieve të tyre të thella dhe shumëdrejtimëshe me dhe veçanërisht varësitë nga vendet e tjera të Detit të Zi, ndër të cilat është veçanërisht dominimi i fortë i Rusisë.  Në këtë studim gjithësesi gjenden dhe rrugë që të shpien tek thelbi më i thellë i popujve ballkanikë që është në një shkallë të lartë të paracaktuar nga fakti se të gjithë ata janë thellësisht të lidhur historiko-gjenetikisht, apo edhe të rënduar nga „zhytja“ e tyre totale shekullore në strukturën psiko-mendore dhe ekonomiko-politike të Perandorisë Osmane, si rezultat i së cilës karakteristikat e tyre kulturore, ose qytetëruese janë thellësisht të ndryshme nga ato të kombeve të Evropës Qendrore dhe Perëndimore.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page