PAMJE MBRESËLËNËSE FESTIVE NGA QYTETI BADEN I AUSTRISË


PAMJE MBRESËLËNËSE FESTIVE NGA QYTETI BADEN I AUSTRISË

SHKA “17 Shkurti” nga qyteti Baden i Austrisë tashmë me vite të tëra tradicionalisht për nder të festave kombëtare, atë të “17 Shkurtit”, Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe atë të “28 Nëntorit”, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, por dhe në raste të ndryshme kohëpaskohe, sjell para bashkatdhetarëve dhe jo vetëm, një program të larmishëm dhe të pasur kulturor. Ajo është bërë një vatër e atdhetarizmit dhe qarkullimit ndërkulturor dhe ruajtjes së vlerave e traditës shqiptare në Austri.


Më 8 shkurt 2020 erdhi përsëri dita, kur SHKA “17 Shkurti” nga qyteti i Badenit në Austri ftoi bashkatdhetarët nga të gjitha viset e Austrisë, për një ndejë të përbashkët, për një çmallje mes njëri-tjetrit, për një kremtim plot krenari dhe kryelartësi të festës së Pavarësisë së Kosovës. Në skenë u paraqit një program madhështor me këngë e valle burimore shqiptare, këngë epike e kreshnike dhe recitime të ndryshme. U mbajtën fjalime mbi sakrificën e gjeneratave të tëra gjersa erdhi pavarësia, u rikujtuan dëshmorët dhe ata që ndihmuan në çlirimin dhe shtetngritjen e Kosovës dhe mbeti për t’u dëshiruar se bashkë me miqtë tanë, Kosova së shpejti do të futet në familjen e madhe dhe të lirë europiane.

Hapjen e manifestimit e bëri moderatorja Katrina Durmishi, e cila në shqip dhe gjermanisht udhëhoqi programin. Ajo përshëndeti të gjithë për mirëseardhje, të cilët kishin mbushur sallën dhe falënderoi pjesëmarësit për praninë e tyre, gjë që shumë e çmojnë anëtarët e shoqatës. “Prania e juaj sot këtu, tregon se shoqata jonë bën një punë të vyer dhe për lavdi, vajzat dhe djemtë që janë të kyçur në shoqatë, janë krenarë me prejardhjen e tyre dhe ballëlartë prezantohen sot para nesh”, shtoi ajo më tutje. Pastaj ajo prezantoi sponzorët e këtij koncerti, pa të cilët vështirë se do të realizohej ky aktivitet, si dhe falënderoi për praninë e tyre intelektualët, aktivistët dhe kryetarët e disa shoqatave shqiptare në Austri. Më pas ftoi ajo në skenë për një fjalë rasti përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të Organeve Bashkiake të Badenit, të cilët kishin nderuar me praninë e tyre organizatorin edhe atë si, Zv. Ambasadorin e Shqipërisë në Austri, z. Tonin Beci, Konsullen e Kosovës në Austri znj. Xheraldina Pufja, Deputeten e Parlamentit të Austrisë znj. Carmen Jeitler Cincelli, Eurodeputetin z. Lukas Mandl etj. Të gjithë ishin të mendimit se komuniteti shqiptar në Austri meriton fjalët më të mira, se shqiptarët janë një pjesë shumë mirë e integruar në shoqërinë austriake, se japin për çdo ditë kontributin e tyre për një bashkëjetesë mes përkatësive etnike në Austri dhe se njëkohësisht janë trashëgues të denjë të vlerave të tyre kombëtare, që i bën të veçantë, të çmuar dhe të nderuar.

Pas fjalëve përshëndetëse, u hap dera për atmosferën festive, të cilën e sollën para të pranishmëve grupi i angazhuar në program: Agron Nuredini, përgjegjës artistik, Tahir Turkaj e Afrim Rukolli, solistë, Arben Bunjaku e DJ Xheni, instrumentistë dhe këngëtarët Hamdi Hyseni, Xhafer Ahmetaj, Naxhije Nuredini dhe Syne Loshi. Me disa recitale u paraqitën nxënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, grupi i mësuesit Ibrahim Hasanaj. Këngëtarja e re Patricia Quku u paraqit gjithashtu me një këngë. Për vallet u përkujdesën grupi i valltarëve të shoqatës, udhëhequr nga koreografja Diellëza Turkaj.

Për ushqimet e shumëllojshme tradicionale ishte përkujdesur Furra “Hasi” nga qyteti i Badenit.

Manifestimi për nder të 12-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Baden, u përmbyll me një atmosferë të këndshme gazmore, duke vënë në pah se shqiptarët dinë të festojnë dhe argëtohen në qetësi, se janë një fis me një pasuri e pjekuri qytetare, se e duan gjuhën, kulturën dhe atdheun, por dhe se janë mikpritës e dashamirë ndaj kombeve të tjera. SHKA “17 Shkurti” falënderon të gjithë përkrahësit, mbështetësit e ndryshëm dhe ju uron 12-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Nga: #Besim #Xhelili

Vjenë/Baden, 9 shkurt 2020



12 views

Shkrimet e fundit