Pak fjalë për një Ese interesante


Prof.dr. Eshref Ymeri


Ditën e djeshme, intelektuali Nue Oroshi kishte botuar në internet Esenë me titull Marshi i filluar, kokat e bllokuara dhe lëvozhga e qëruar”. Kjo është një Ese bukur interesante, kushtuar trurit të politikanëve shqiptarë, të cilin ai e ka trajtuar si një intelektual me brumosje atdhetarie. Zotëria Nue Oroshi, si një intelektual me vizion perëndimor, rekomandon me shumë të drejtë se duhet të punojnë intelektualët dhe ekspertët më të mirë shqiptarë në trojet etnike shqiptare dhe nga diaspora atdhetare që në krye të politikës të vijë një elitë e re e politikanëve, të cilët e kanë të kaluar çështjen e kokave të bllokuara si dhe të levozhgës së qëruar, por me një vullnet të çeliktë dhe me një diapazon të gjerë të diturive do ta bëjnë drejtimin e shteteve dhe bashkimin e kombit shqiptar, në një shtet të vetëm, duke ndjekur  një rrugë dhe drejtuar kombin shqiptar aty ku e ka vendin, aty  ku dielli lind në perëndim”.

Jam i bindur plotësisht që populli shqiptar është mjaft i dëshiruar që të ketë në krye pikërisht politikanë të të tillë formati intelektual, siç rekomandon zotëria i nderuar Nue Oroshi. Por kam tri shqetësime që më bëjnë të dyshoj nëse do të jetë e mundur që të vijnë në krye politikanë të tillë.

Së pari, siç e kam theksuar shpeshherë në portale të ndryshme, shqiptarët vuajnë nga përçarja tragjike, të cilën e kanë gjenetike, që nga lashtësia pellazgoiliriane. Kjo përçarje vihet re edhe në radhët shqiptarëve të Diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka e pati ngritur si shqetësim shtatëdhjetë vjet më parë bashkëkohësi i Fan Nolit, zotëria Kosta Çekrezi, në librin me titull Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, të botuar në Vashington në vitin 1951. Dëshminë e kësaj përçarjeje e jep sot Federata Mbarëshqiptare “Vatra”.

Pra, përçarja ka qenë dhe mbetet një virus varrmihës në radhët e shqiptarëve, e cila ka qenë arsyeja kryesore e copëtimit të trojeve tona etnike, sepse shovinizmi evropianoperëndimor, nën presionin e shovinizmit rusomadh, armikut të betuar të kombit shqiptar, e ka njohur mirë natyrën përçarëse që na ka karakterizuar brez pas brezi. Prandaj Ismail Qemali deklaronte:

‘... Evropa ... na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për t’u qeverisur” (Citohet sipas: “Ismail Qemali më 1913: Evropa na konsideron të paaftë për të qeverisur”. Faqja e internetit “Bota Sot”. 02 maj 2019).

Së dyti, shqiptarët, tradicionalisht, kanë mbajtur një qëndrim servil ndaj të huajve. Prandaj nga radhët e tyre vazhdimisht kanë dalë politikanë mercenarë që u kanë shërbyer të huajve, duke nëpërkëmbur tragjikisht interesat tona kombëtare. Kësisoj, shqiptarët, duke e zhvendosur te të huajt gravitacionin e mikpritjes dhe të nderimit deri në servilizëm me aromë tradhtie, gjatë shekujve kanë pasë krijuar një boshllëk të ndjeshëm për ngjizjen e unitetit brenda vetvetes, çka ka krijuar truall për përçarjen tragjike që i ka karakterizuar me kalimin e shekujve. Ky nderim i të huajve deri në servilizëm revoltues, ka pasë qenë shkaku vendimtar i qëndrimit shpërfillës që politikanët shqiptarë kanë mbajtur ndaj popullit të vet. Kjo është arsyeja kryesore që ardhacakët sllavë, të dyndur nga stepat ruse drejt Gadishullit të Ilirisë, popullin rrënjës shqiptar e robëruan dhe e masakruan në mënyrat më barbare.

Së treti, politikanët shqiptarë janë të etur për vetëpasurim, deri në pangopësi. Pikërisht etja për vetëpasurim i bën politikanët shqiptarë të rrinë të mbërthyer pas kolltukut të pushtetit deri në marrëzi. Sepse politika në trojet shqiptare, sipas mendësisë së tyre të mykur, është biznesi më fitimprurës, i cili të bën që “sot ta ngrysësh ditën pa bukë, por të nesërmen të krekosesh në kolltuk”. Pasionin e papërmbajtur për të qëndruar përjetësisht në pushtet, atyre ua nguliti sidomos sundimi komunist gati gjysmëshekullor. Shembullin më të shëmtuar për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, e dhanë politikanët komunistë të shtetit amë, me kriminelin Enver Hoxha në krye. Lexuesit e nderuar le të kujtojnë për një çast Bllokun kriminal në Tiranën e Re, i cili ishte shndërruar në një shportë karavidhesh. Të strukur brenda asaj vatre kriminelësh, nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës së Republikës, ata bënin një jetë luksoze, ndërkohë që populli i gjorë përtej caqeve të asaj shporte karavidhesh, jetonte në varfëri ekstreme.

Pajtohem plotësisht me intelektualin e nderuar Nue Oroshi se qoftë në trojet etnike, qoftë në Diasporë, ka mjaft intelektualë me vizion perëndimor që mund të vihen në krye të politikës në hapësirën Tiranë-Prishtinë-Shkup-Ulqin. Por intelektualë të tillë, me dinjitet të lartë kombëtar, qëndrojnë jashtë radhëve të partive politike, të cilat janë në krye të veprimtarisë përçarëse në radhët e kombit shqiptar. Fakti që në hapësirën e lartpërmendur janë të regjistruara në gjykata 92 parti politike, dëshmon më së miri se përçarja ndërshqiptare vazhdon të ketë përmasa tragjike deri në ditët tona. Prandaj lind pyetja: kush mund t’i ftojë dhe si mund të vihen në krye të politikës intelektualë të tillë, të cilët janë të papranueshëm për natyrën përçarëse të partive politike?

Edhe sikur intelektualë të tillë, me vizion perëndimor, siç rekomandon zotëria Nue Oroshi, të ishte e mundur që, “me ndihmën e magjisë”, të vijnë në krye të politikës, do të ishte më se e domosdoshme që në Kushtetutë të bëhej një shtojcë, sipas së cilës, në krye të vendit apo në drejtim të një partie politike, nuk mund të qëndrojë askush, e shumta, më tepër se dy mandate.

Jam i bindur që pyetja e mësipërme mbetet pa përgjigje.

Sinsinati, Ohajo

17 prill 2020

30 views

Shkrimet e fundit