top of page

PAK DHÉ TË SHKRIFTË


Daniel Gazulli

I dashur miku im Fatmir Terziu, Ju urojmë ma të mirën e zemrave tona. Qetësi shpirtnore në jetën e përditëshme, por sidomos nëse do të keni ndonjëherë edhe çaste të vështira në jetë;

- Paqë me vetveten dhe me të tjerët;

- Të falnderoni Zotin për ate që keni dhe të mos kërkoni kurrë ma shumë; ajo që keni asht burimi i gëzimeve; ajo që do të lakmoni, mund të bahet burim i një jete në ankth;

- Besoni se nesër do të jeni ma mirë: asgja nuk mund të realizohet pa besim.

Juej – Daniel Gàzulli

“Fjala e Lirë” Londër; E mërkurë, 1 Janar 2011

DANIEL GÀZULLI

PAK DHÉ TË SHKRIFTË

Nesër,

mbi rrasën e varrit tim

me shkronja të derdhuna le të shënojnë

emën e mbiemën,

asgja ma shumë.

Datëlindja? Kush e di, asht tepër e largët,

dhe nëse ndonjeni do të pysë:

Rron apo ka vdekë?

Mos u nxitoni të përgjigjeni.

Përse të mundoheni më kot

të shkrueni ma shumë?

Përse të shprehni dhimbshuni?

A nuk kisha unë edhe me vdekjen feeling?

(Ndoshta ndonjë kalimtar

për tek varret e të tijëve

do të lëshojë edhe fjalë të jargëta, ani.

Do të thotë se isha pijanik, bie fjala,

po askush s’ do ta besojë po të thotë

se edhe për atë

nuk ndjeja dashuni).

Unë as që e kërkova atë rrasë të lëmuet.

Do të kisha preferue

mbi varr të kisha dhé të shkriftë

ku të harbonin lulet.

Rrasë të lëmuet le të kenë

ishdrejtori i Bankës,

kryebashkiaku im,

gjyqtarët, të gjithë;

ata do të kenë lanë patjetër diçka

që të afërmit t’i shpenzojnë pa kursim;

çfarë lashë unë,

veç katër-pesë librave,

të papaguem ende plotësisht?

Le të kalojnë atypranë fjalëjargëtit

dhe gazetarët e kërrusun, gjithë mundim,

e të thonë se në jetë

paskam pasë shoqni me endacakët;

le të thonë,

por askush nuk mund të thotë se

kur kalon pranë varrit tim

ndjehet erë e keqe

si tek varri i doktorit përbri,

që para se të operonte pacientin,

“operonte” pa mëshirë xhepat e të afërmëve të tij.

Kryqi le të jetë i madh dhe i pagdhendun.

Edhe ma i madh ishte ai që mbajta në jetë

në udhëtimin mbrenda vehtes.

Por le të jetë Kryq i thjeshtë,

jo Kryq i shtrejtë,

si tek varri i fqinjit,

anëtar i shtatë partive (dikush thotë tetë),

dhe pronar i shtatë hoteleve në plazh

dhe i një të teti në qytet, ku, thonë,

e shoqja pret e përcjell lesbiket.

Ata, kryetari, doktori, gjykatësi, të gjithë,

lulet do t’i kenë të gdhenduna në mermer,

lulet mbi varrin tim le të vyshken:

të paktën ato dikur

mbanin aromë dehëse për shpirtin

dhe ditën flutura prisnin e përcillnin,

kurse natën u shkelnin synin yjeve në qiell

dhe lanin petalet me vesën e mëngjesit.

Vetëm pak dhé të shkriftë dhe lule do të kisha dashtë,

të ndjehesha i lirë.

O, sa me dhimbsen ata mbi varret e të cilëve

randojnë shtatoret!

Shënim: Në kujtim të Poetit!

40 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page