top of page

Pafajësia më pyet e strukur



Fatmir Terziu




Pafajësia më pyet e strukur

mes gishtave të lodhura të meridianit

e mbuluar me tik-take rrahjesh që dalin për t'i dalluar

në një paruke mode

qasje të reja duke të hutuar

madje dhe të rejat fshihen nga kujtesa

sa herë që shoh përqark me një lëvizje të kokës

ndjej se telat e zogjve janë zëvendësuar me maska

sa qesharake se si shtohen përditë tituj për bizhamat e botës,

për nderjet e njoma e gjysëm të thata

ditë, javë, muaj… pa data

që kilivilen me virusin e kohës.


Pafajësia më pyet e strukur

Çfarë prisnit?...

…të përkëdhelnit me fjalën e duhur

të shkulnin fjalën e ngulur?!

Çdo gjuhë është si puna e parmakëve

që shkulen nga rrebeshet e papritura,

ku fati i tyre përfundon nën dhe,

e kjo nuk është sfidë e harbuar e fjalëve

por ajo që ndodh si me ne.


Pafajësia më pyet e strukur

Çfarë prisnit

të zgjonit duke ëndërruar një univers

sikur të mos e dinit, se fjala është si jeta

kur jeta futet pa e kuptuar në një thes.


Pafajësia na pyet e strukur

të gjithë heshtim

si në një provim në rrjeshtin e parë

edhe pse duhet të qajmë prapë qeshim

kur gishtat e diellit nxihen në këtë hambar.


Pafajësia më pyet e strukur

kështu ndoshta kuptojmë vetëm kaq

sa e pasur, sa e dlirë, sa e ëmbël është gjuha jonë

por Naimi i këndoi nga larg.

39 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page