top of page

Pa vazhdim



Astrit Lulushi


Kur një rrugë planifikohet dhe çdo ditë a çdo vit puna vazhdon, ajo përfundon dhe lidhet me rrugë të tjera; vendi gjallërohet, njerëzit jetojnë më mirë, e vizione të reja krijohen. Mendo shtetin si të ishte rrugë e ngjashme, dhe jo ku çdo gjë e krijuar dje, pardje a nga fillimi, prishet; menaxhmenti i ri vjen dhe puna nis nga e para. Në Shqipëri kjo është bërë traditë. Çdo qeveri që vjen në pushtet merret me përlyerjen, nxirrjen a prishjen e punës së qeverisë para-ardhëse; vazhdimësia këputet, mungon, dhe shteti kurrë nuk ngrihet, por veç zvarritet, deri sa të vdesë, sepse, si njeriu, shteti është krijuar për të ecur përpara.

Në vitin 27 pes., kur Roma u shpall perandori dhe Augusti, perandor, Aleksandri i Madh kishte 300 vjet i vdekur. Por miti i tij si ‘i Madh’ ishte formuar plotësisht. Megjithëse ka edhe nga ata që thonë se të gjitha taktikat që përdori Aleksandri u krijuan nga i ati, Filipi, i cili ndërtoi makinerinë e luftës nga themeli; ushtria maqedonase e pajisur dhe e stërvitur mirë u krijua nga Filipi; forca elitare e kalorësisë që Aleksandri përdori u krijua nga Filipi; taktika për të sulmuar pas shpine ushtrinë kundërshtare u krijua nga Filipi; bashkimi helen me idenë për të përhapur kulturën e tyre, duke pushtuar Persinë e fuqishme, u krijua nga Filipi; gjithçka që Aleksandri kishte nevojë, e gjeti gati nga i ati.

Konsensusi midis të gjithëve në botën antike ishte se Aleksandri vërtet ishte gjenerali më i madh që kishte jetuar ndonjëherë. Kështu mendonte edhe perandori August.

“Pasi pa trupin e Aleksandrit që në fakt e preku, dhe thuhet se një copë hunde u këput, ai nuk pranoi të shihte eshtrat e Ptolemejve, duke thënë: ‘Unë erdha të shihja një mbret, jo kufoma’”, shkruan Cassius Dio, autor i Historisë së Romës së lashtë nga mbërritja e Eneas deri në Perandori.

Ekziston edhe një variant nga një tjetër historian i lashtë, Suetonius, autor i Jetës së Çezarëve. Ai thotë se, “Augusti qëndroi para sarkofagut me trupin e Aleksandrit të Madh, dhe tregoi respektin e tij duke vendosur lule dhe një kurorë të artë. Kur e pyetën më pas nëse dëshironte të shihte edhe varrin e Ptolemejve, ai u përgjigj: ‘Dëshira ime ishte të shihja një mbret, jo kufoma’”.

Këto dy përshkrime ndryshojnë në atë që Cassius Dio e paraqet Augustin si të pakujdesshëm dhe arrogant, duke dëmtuar trupin e "gjeneralit më të madh që ka jetuar ndonjëherë". Dhe Suetoni paraqet një August më të respektueshëm, i cili nderon Aleksandrin me lule dhe një kurorë. Por nga të dy këto citime del se Augusti e shikonte Aleksandrin si të barabartë, ndërsa i shihte mbretërit Ptolemeasit thjesht si imitime të trashëgimisë së madhe të Aleksandrit.

Perandori August bëri shumë më shumë për perandorinë e tij dhe për historinë sesa Aleksandri për të vetën. Por respekti që Augusti tregoi për Perandorin e parë dhe më të madh të Perandorisë më të madhe në histori duhet të na thotë diçka. Por çfarë? - se udhëheqësi i urtë, i mençur, ecën në gjurmët e paraardhësve, dhe rruga e përparimit vazhdon. Ajo që ka ndodhur e ndodh në Shqipëri është se sapo merr pushtetin, puna e parë që udhëheqësi bën është prishja e çdo gjëje që ka lënë udhëheqësi paraardhës; kjo është arsyeja që thonë se kështu përpara nuk ecet dhe vendi nuk bëhet; apo njerëzit hidhen në vjedhje e korrupsion, ose ikin, pasi nuk shohin të hapet ndonjë dritare a të krijohet perspektivë. Të gjithë punojnë vetëm për sot, sepse e dinē se puna e tyre, nëse mbetet, do të shkojë kot, dhe ata që vijnë thonë: “Vetëm Partia ime di të bëjë shtet”, por s’bën gjë, dhe shteti 108 vjeçar vazhdon të mbetet foshnje, i fundit në Ballkan e jashtë Evrope.

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page