top of page

P0LITIKA FISKALE DHE LUFTA NDAJ EVAZIONIT FISKAL


PJESA II

P0LITIKA FISKALE DHE LUFTA NDAJ EVAZIONIT FISKAL

Nga të dhënat e institucioneve të pavarura brenda dhe jashtë vendit konstatohet se shkalla e lartë e evazionit fiskal dhe e informalitetit, zë afërsisht 40-45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një efekt të të ardhurave në Buxhetin Vjetor afërsisht 800-900 milionë euro.

Në bazë të studimeve të bëra për sistemin fiskal në vende të Europës, Gjermania ka mbi 40 lloj taksa, por specifike janë disa që mund të aplikohen sa më shpejt në vendin tonë: TVSH e diferencuar 6-7% për artikujt e konsumit të gjerë, sidomos ushqimorë; Tatim Fitimi 15%, taksë shtesë për të pasurit dhe taksë solidariteti 5.5% mbi të ardhurat, tatim mbi trashëgiminë apo dhuratat 7-50%, etj. Përvoja kanë dhe vendet e Ballkanit, siç është Maqedonia e Veriut, që nuk ka përjashtime të qenësishme nga TVSH me përjashtim të disa shërbimeve, nuk ka kufizime në vlerë për përjashtimin nga TVSH, siç ka shteti shqiptar deri në 10 milionë lekë të reja, që janë të përjashtuar nga TVSH dhe sipas raportit qeveritar të fundvitit 2021 zënë afërsisht 60-70% të të gjithë numrit të bizneseve në Shqipëri.

Edhe pse kemi pasur rritje të PBB 3-4% në vitet e fundit, zhvillimi i vendit në aspektin cilësor duket se po ecën me hapa të ngadaltë. Kjo përcaktohet nga niveli i varfërisë dhe nga vulnerabiliteti ekonomik e social që ka kapur zonat periferike të vendit. Po rriten pabarazitë dhe diferencat ndërmjet shtresave sociale dhe kjo po zgjerohet çdo ditë. Pasuria ka tendencën të përqëndrohet në pak duar. Po t’u referohemi disa shifrave të raportit të Bankës së Shqipërisë 2020-2021 dhe të dhënave të tjera nga institucione të pavarura, afërsisht 5% e popullsisë zotëron gati 90% të pasurisë kombëtare, ose 4% e depozituesve (depozitues janë afërsisht 2.4 milion vetë) në bankat e nivelit të dytë zotërojnë rreth 3.7 miliard euro ose 45% e depozitave (depozita gjithsej janë 9.2 deri 9.5 miliard euro).

Si duhet ngushtuar ky hendek? Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na këshillojnë të shikojmë politikat fiskale, me synimin që kush ka më shumë të ardhura të paguajë më shumë taksa. Efektive do të jetë vendosja e taksës së solidaritetit apo taksa për të pasurit, sipas modelit gjerman, për të ardhurat vjetore mbi 250 mijë euro, në nivelin 6-7%. Të ardhurat nga kjo taksë të shkojnë për ndihmë sociale, rritje pensionesh, pagash etj. Kjo masë shpie në ngushtimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve. (Referohu Super rich call to pay more taxes in Davos.)

Rritja e PBB-së nuk është shoqëruar në parametrat e duhura me rritjen e cilësisë së jetës dhe përmirësimin e kushteve të saj. Nuk po përkthehet në një rritje të mirëqenies së qytetarëve, sepse me gjithë përmirësimet, ende nuk kemi një shpërndarje të drejtë të të ardhurave. Në Shqipëri vetëm 1/5 ose 20% e PBB-së shpërndahet për paga, ndërkohë që mesatarja në vendet e OECD (The Organisation for Economic Co-operation and Development) është 55%. Ne jemi vendi me pagën bruto mesatare më të ulët në Ballkan (419 euro, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor arrin 773 euro).Jemi gjithashtu vendi me produktivitetin më të ulët në Ballkan.


Ekonomia shqiptare është përqëndruar në sektorët me produktivitet të ulët si Fasoneria dhe Call Center. Sot në Shqipëri janë mbi 40 mijë sipërmarrje të tilla.

Po ashtu në zhvillimin e bujqësisë, nëpërmjet politikave fiskale zhvillimore, taksave dhe tatimeve, sidomos në aplikimin me rigorozitet e TVSH-së në masën 5-6% si në blerje dhe shitje, ashtu dhe të subvencionet të drejtpërdrejta për bujqësinë. Modeli i aplikuar i stimulimit të bujqësisë nëpërmjet TVSH-së 6% në blerje të prodhimeve bujqësore dhe 20% në shitje në fazën e përpunimit nuk ishte i drejtë dhe dështoi, sepse cënon ekuilibrin e TVSH-së. Ky është tatim mbi konsumatorin me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit apo uljen e tij. Bujqësia shqiptare, me gjithë tendencën rritëse, është më shumë deficitare, prodhon shumë në sezon, por ky prodhim shitet me çmime të ulta duke dëmtuar prodhuesit (fermerët). Kjo ka bërë që shumë prodhime të lihen pa mbledhur sepse çmimet e shitjes nuk justifikojnë kostot e prodhimit.

Bujqësia dhe blegtoria duhen stimuluar nëpërmjet subvencioneve, jo fermerë të veçantë, por bashkësi të fermerëve (Shoqata fermerësh) duke stimuluar koperimin për teknikën bujqësore, farërat etj., për kapitale, informacion, vizion dhe mbrojtje tregtare. Ka ardhur koha për ta kthyer bujqësinë shqiptare me projekte afatgjata në bujqësi intensive të orientuar drejt tregut, sidomos për eksporte. Vëmëndje për masa të shpejta i duhet kushtuar zhvillimit të tregut të tokës në fashat, e pa ndarë kjo me krijimin e mundësive ku njerëzve t'u rikthehet besimi për tu marrë me tokën, të sigurojnë të ardhura prej saj dhe punës, për të jetuar në zonat rurale. Kështu sigurohet rikthimi i energjive intelektuale dhe muskulore, sidomos nga të rinjtë, për tu përdorur me efektivitet, dinjitet dhe prosperitet brenda vendit.

Pse po pengohet zhvillimi ekonomik i vendit dhe në veçanti bujqësia?

Së pari. Rreth 95% e sipërmarrjeve shqiptare kanë 1-10 të punësuar. Dimensionet e vogla limitojnë investimet në inovacion dhe kualifikimin e burimeve njerëzore, të cilat ndikojnë në konkurencën globale. Nëse shohim indeksin e inovacionit në botë, Shqipëria renditet e 68-ta, pra shumë poshtë mesatares të vendeve të rajonit. Nga të dhënat e studimeve, në sektorin e bimëve medicinale, Shqipëria ka rreth 3 mijë e 200 specie bimore, që përbëjnë afërsisht 30% të specieve të faunës që ka Europa. Për grumbullimin e tyre punojnë rreth 80 mijë punonjës, në zonat rurale. Në këtë industri dhe pasuri të madhe, që e gjitha shkon për eksport, shteti investon fare pak (rreth 170 mijë deri 200 mijë euro në vit). Duhet të zgjerohen investimet në këtë industri me subvencione për përpunimin dhe industrializimin e bimëve medicinale, që kjo pasuri të eksportohet jo si lëndë e parë, por si produkt i gatshëm, duke rritur vlerën e tyre. Është pasuri natyrore që sjell vlera të shtuara dhe që duhet ti përfitojë Shqipëria dhe shqiptarët nëpërmjet teknologjive të përparuara të përpunimit dhe jo vendet e tjera ku eksportohen si lëndë të para.

Së dyti. Jemi vendi me nivel arsimor ndër më të ultit në Europë. Të diplomuar nga shkollat e larta kemi, por ata nuk kanë përgatitjen profesionale për të punuar në specialitetin përkatës apo tregun e punës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, rreth 22.5% deri në 25% e të papunëve janë me shkollë të lartë, kemi 346 doktorantë pa punë, shifër kjo e lartë. Sistemi ynë edukativ, me gjithë reformën arsimore që ka filluar të japë shenjat e para të përmirësimit, është ende i paaftë të përgatisë profesionistë që ti përgjigjen tregut të punës me kompetencë profesionale, sidomos në fushën e teknologjive të reja. Ka shembuj si Estonia, me karakteristika shumë të ngjashme me Shqipërinë, e cila sot është shndërruar në një “lojtare” tregu e rëndësishme në lidhje me ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe produkteve në fushën e teknologjisë. Kjo filloi që në vitin 1992, kur niveli i të ardhurave për frymë në Estoni dhe Shqipëri ishte afërsisht rreth 3000 USD në vit. Ndërsa sot të ardhurat për frymë në Estoni llogariten 7 deri 8 herë më shumë se në Shqipëri. Kryeministri i Estonisë në atë kohë, Mart Leart, ndërmori një sërë reformash në fushën e investimeve, por dhe të politikave fiskale lehtësuese. Do të ishte me interes të inspirohemi nga Estonia dhe politika që ajo ka ndjekur, ta aplikojmë përvojën e saj në Shqipëri duke mbajtur parasysh dhe kontekstin shqiptar.

Së treti. Shqipëria paguan shtrenjtë inefiçencën e administratës publike dhe burokracinë. Zbatimi i ligjit prej saj megjithë përmirësimet, vazhdon të lërë për të dëshiruar. Prej studimeve jo reale e të sakta apo procedurave me mangësi nga administrata, me mungesë profesionalizmi(veç të tjerave) p.sh. për të kaluar shërbime apo prona publike në private në formën e koncesioneve, janë marrë vendime të gabuara. Nga kontratat e firmosura për këto veprimtari humbet gjithmonë shteti shqiptar, si në rastin e ÇEZ-it, koncesioneve të naftës, çështja Becetti etj., ku humbjet llogariten disa qindra milionë euro.

Së katërti. Politikat fiskale në Shqipëri favorizojnë më shumë të pasurit dhe barra fiskale spostohet drejt të varfërve. Ekonomia shqiptare nuk ka të zhvilluar industrinë përpunuese, si rrjedhojë nafta, mineralet, gurët dekorativë eksportohen si lëndë e parë. Të punësuarit shqiptarë punojnë 48 orë në javë dhe paguhen vetëm 35-40 mijë lekë në muaj. Paga të tilla janë nën nivelin e dinjitetit, ku nuk stimulohet konsumi dhe nuk gjenerohet zhvillim. Këtu duhet të ndërhyjë politika fiskale që ajo të jetë sa më e barabartë, duke favorizuar të punësuarit shqiptarë jo vetëm në rritjen e pagës, por dhe në tatime më të ulta. Vendosja e ekuilibrit në këtë drejtim kërkon studime dhe vendimmarrje të veçantë e të shpejtë.

Së pesti. Politika fiskale të favorshme për investitorët e huaj. Të gjitha vendet e rajonit kanë lëvizur në këtë drejtim, ndërsa ne si gjithmonë mbetemi mbrapa. Vazhdojmë të mbajmë nivelin e tatim fitimit në masën 15%, si për bizneset dhe për investitorët vendas apo të huaj, ndërkohë që Bullgaria, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut e kanë 10%, Mali i Zi 9%, Hungaria për investimet e huaja e ka ulur tatim fitimin në masën 9%, ndërsa Serbia subvencionon një pjesë të investimit dhe pagat e investitorëve të huaj. Kroacia dhe Sllovenia japin subvencione për kompanitë që investojnë në fushën e IT, etj.

Njëkohësisht duhet parë dhe klima e përgjithshme, si në fushën e infrastrukturës, arsimit, korrupsionit, stabilitetit politik etj.

Përballja me ekonominë informale dhe evazionin fiskal

Mbushje të boshllëqeve dhe përmirësim të legjislacionit për shoqëritë tregtare apo dhe ligje të tjera që lidhen me procedurat tatimore, ligji për TVSH-në, Tatimin mbi të Ardhurat etj, janë një domosdoshmëri për qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e tyre. Ndryshimi çdo vit i këtyre ligjeve krijon konfuzion për biznesin dhe politika fiskale të paqëndrueshme. Për më efikasitet, lufta kundër evazionit fiskal duhet të prekë tre aspekte të shoqërive tregtare: qeverisje, menaxhim dhe administrim; politika të kontabilitetit dhe të sistemit të raportimit; praktika të mira auditimi dhe kontrolli, jo vetëm manualisht, por nëpërmjet sistemeve të IT me softuerë me teknologji të përparuar dhe harmonizim të shkencës e të praktikës kontabile me shkencat e disiplinat e tjera, duke përgatitur kontabilistë me njohje komplekse, që t’i pëtgjigjen kërkesave të shek. XXI.

Luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal duhet ta shikojmë në kushtet e Shqipërisë nga pikëpamja social-kulturore dhe psikologjike. Mënjanimi nga punësimi i personave nepotikë apo militantë dhe prioriteti për emërimet e punonjësve profesionistë, është një masë sociale me rëndësi në sigurimin e prosperitetit dhe forcimin e shtetit ligjor.

Theksi duhet vënë në shtimin dhe përmirësimin për të njohur këto dukuri dhe në bashkëpunimin mes faktorëve të ndryshëm që mund të kontribuojnë në realizimin e njohjes më mirë të tyre, si dhe në masat për t’i minimizuar ato. Po t’u referohemi shifrave dhe burimeve të ndryshme për vitin 2020-2021 Shqipëria për 1 milion banorë prodhon dhe mbledh më pak të ardhura publike për të njëjtën bazë krahasimi me vendet e tjera. Për shembull, Kroacia për 1 milion banorë prodhon 13,4 miliardë USD dhe mbledh tatim-taksa 6.2 miliardë USD në vit, ndërsa vendi ynë prodhon rreth 4.5 miliardë USD dhe mbledh 1.3 miliardë USD në vit. Pra Shqipëria renditet e fundit në rajon duke përjashtuar vetëm Kosovën. Nëse luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal do ta shihnim pastërtisht vetëm nga perspektiva e politikëbërjes dhe politikave administrative, atëherë këtë luftë do ta ngrinim mbi katër elemente, që janë: marrëdhëniet shtet-biznes; vlerësimi i detyrimit tatimor të bizneseve dhe zbatimi i drejtë i tyre; dokumentimi i veprimtarisë së biznesit dhe modeli i administrimit me standard; e teknologji e përparuar dhe e integruar me trekëndëshin Doganë-Tatime-Kasë (Konsumator).

Çelësi i administrimit dhe luftës kundër informalitetit e evaziont fiskal tek trekendëshi: Doganë-Tatime-Konsumator duhet gjetur nëpërmjet teknologjisë së informacionit të fiskalizimit. Në prespektivë duhet menduar për heqjen e TVSH në doganë etj. TVSH në doganë që biznesi e paguan në formë, paradhënie duhet të paguhet sipas kuptimit të këtij tatimi, kur malli krijon vlerë të shtuar, pasi shitet. Kjo mënyrë e të paguarit të TVSH-së në doganë, me argumentin se nuk mblidhet dot gjatë procesit të krijimit të vlerës, e rëndon gjendjen financiare të biznesit, sepse ai paguan një tatim që nuk e ka realizuar. Kjo ka dhe kosto shtesë për biznesin, i cili, në disa raste, për të gjetur këtë tatim në doganë, detyrohet të marrë kredi ose overdraft. Po ashtu duhet studiuar heqja dhe reduktimi i mëtejshëmi i referencave në doganë për një grup të caktuar mallrash, të cilat rritin koston e biznesit. Dogana duhet të veprojë me vetdeklarimin që bën biznesi dhe dokumentet shoqëruese që disponon për importet nga vende të ndryshme.Në Shqipëri nuk është aplikuar asnjëherë amnisti fiskale. Mendojmë se një amnisti fiskale mund të bëhet vetëm kur shteti t’i ketë kapacitetet e nevojshme administrative për ta zbatuar drejt atë, dhe sidomos nëse është i përgatitur që ta zbatojë drejt dhe me eficencë ligjin në të ardhmen, duke mos lejuar përsëritjen e fenomenit. Pra, të krijohet besimi se ligji do zbatohet me korrektësi, njëlloj për të gjithë, dhe shkelësit do të dënohen. Përndryshe, amnistia do të rrisë pakënaqësinë tek ata që e zbatojnë ligjin dhe do të shkatërrojë besimin tek ligji dhe tek qeveria.

Lideret e demokracive të përparuara në Europë dhe SHBA nuk i vendosën binarët e demokracisë kundër taksave, por përkundrazi ndërtuan sisteme të tilla taksash që ti përgjigjen nivelit kulturor ekonomiko e shoqëror, dhe demokracisë së një vendi të caktuar.

Prof.dr. Agim Binaj

Fahri Dahri ekspert ekonomie

Tiranë, më 08/09/2022.-

109 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page