![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_97829b5af75849129601be50b32bbfe9~mv2.jpeg/v1/fill/w_108,h_149,al_c,q_80,usm_0.66_1.00_0.01,blur_2,enc_auto/a48dbc_97829b5af75849129601be50b32bbfe9~mv2.jpeg)
Lexoj „Librin e nënës sime“ , të Albert Cohen, e cila është një vepër monumentale për çdo qënie njerëzore që ka lindur në këtë botë. Asnjeri nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë kur ka lëshuar thirrjen e parë dhe asnjëri nuk do të nënshkruajë kontratë kur të ikë nga kjo botë. Megjithatë, deri në vdekje, atij do t’i kujtohet nëna e vet…Dhe unë në çaste të veçanta, kur jam vetëm, kujtoj me mallëngjim fytyrën e nënës sime të dashur, fjalët e saja të mira për birin e saj. Me kalimin e moshës, ajo ishte bërë edhe më e urtë, më fjalëpakë. Megjithatë, ajo kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe dinte të tregonte me saktësi histori të familjes sonë, me një dhunti të veçantë prej aktoreje teatri që e ka pasur qysh në moshë të re, kur vazhdonte gjimnazin e Tiranës « Nëna Mbretëreshë », si dhe më vonë në ushtrimin e profesionit të saj fisnik, si edukatore kopshti. Ajo u largua nga kjo jetë më 1 dhjetor 2011, në krahët e bashkëshortes sime, Rozës, e cila për disa vite me radhë i shërbeu me devotshmëri, sikur ta kishte nënën e saj. I përjetshëm qoftë kujtimi i saj, i tim eti dhe të gjithë të afërmve të paharruar që nuk janë më në këtë jetë.
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_8a38c9d36d344da9b90b71cbeffe824a~mv2.jpeg/v1/fill/w_130,h_133,al_c,q_80,usm_0.66_1.00_0.01,blur_2,enc_auto/a48dbc_8a38c9d36d344da9b90b71cbeffe824a~mv2.jpeg)