Sytë e dashuruar
Fatmir Terziu
Një dritë e pastër, e paimagjinueshme dhe e kristaltë
rrëshqiti nga retina në trupin tim
duart e gllabëruan si të huaj
këmbët e morën ndër vete pa e trazuar
buzët e afruan akoma më shumë
me një perimetër të ri u shpërndanë duke u shquar
copa rrezesh të mirëfillta
dhe gjithnaja u dritësua, vetëm një palë sy shikonin një palë
engjëj të bardhë
u shpërdanë anembanë në kristal.
Dhe mbetën yjet të shastisura vërdallë
kemi nevojë për dritën e pastër o qiell!
Nga autobuzi
Fatmir Terziu
Kornizë e zbehtë e rrugëve
shkëputur nga mendja, vetëm një paragraf.
Papritmas mbolla karakafte
në mure, ura, ndërtesa e pallate.
Enkas në të gjitha ikjet dhe ardhjet
lëvrimet folën me gjuhën e zogjve.
Përtej syve nuhatja një lule mali erëmirë
e mjekra lazdrohej në xham si një fëmijë.
Comments