top of page

PËRTEJ NJË VALLEJE  PALIKARËSH" 


PËRTEJ NJË VALLEJE  PALIKARËSH"        

I.- Mbi lëvizjen e lirë të çamëve në . vendin e të parëve.

Nëse do të zyrtarizohet, ose kur të zyrtarizohet “Lëvizja e lirë dhe kthimi i çamëvenë Çamëri”, janë të rëndësishme të mbahen parasysh disa sjellje dhe veprime. Të nderuar miq! Ju uroj që familjarisht të jeni shëndoshë e mirë. Siç e dini, “Çështja Çame” ka 148 (1876 -2024) vjet që është krijuar nga Fuqitë e Mëdha, si rrjedhojë e ndërhyrjeve të paarsyeshme në trupin gjeografik të trojeve të etnisë shqiptare. Që nga ajo kohë e deri sot, Çamërisë dhe banorëve të saj autoktonë, nuk i janë ndarë goditjet e rënda etnike, politike, ekonomike, sociale, duke e dëmtuar thellë gjatë gjithë jetës. Gjatë mbi një shekulli jemi njohur me përpjekjet e komunitetit shqiptar në Çamëri për të shëruar (recover) plagët e shumëllojshme që i janë shkaktuar, sikundër nuk kanë munguar dhe traktatet, konventat, takimet shumëpalëshe dhe dypalëshe për të zgjidhur një problem të lindur nga ideatorë të çmendur racisto-fetarë. Në të gjitha takimet dy palëshe (Shqipëri-Greqi) “deklarohet” se e diskutojnë, por mbas çdo takimi “deklarohet” se palët arrijnë në një mendim për t’u rimbledhur dhe ridiskutuar çështjen. Kështu takimet mblidhen dhe rimblidhen duke lënë të kuptohet se “Çështja Çame”, mbetet problem që do zgjidhet në një kohë të caktuar. Të gjitha këto vazhdimësi “mblidhu”, “rimblidhu” dhe sillu përqark, më ngjasojnë me vallet që sillen rrotull dhe protagonistët e të dy palëve në takime më shfaqen si “palikarë”, ose “levendë” (njerëz guximtarë) që dine t’i vërtisin (sorollasin) këto valle dëshpërimi.                 • U trumbetua shumë takimi Kretë-Tiranë, u shpresua për një fundvalleje. Tek gazeta “Panorama” datë 11 nëntor 2017, ishte një shkrim lidhur me takimin e Kretës, me siglën konica.al. Mbasi e lexova, pashë që mungonin shumë gjëra që nuk thuheshin, ndofta edhe nga mos njohja në detaje e problemeve nga autori. Në këtë situatë mendova se duhej një sqarim plotësues dhe veprova duke bërë komentin e më poshtëm, të cilin e postova si koment në fund të atij shkrimi. Komenti u pasqyrua, por komentet e bëra në këto rrugë mediatike, nuk arrihen të lexohen prej të gjithëve. Kjo është një e metë që nuk mund të rregullohet, prandaj po e rishkruaj në këtë artikull më të plotë.

II.-Koment për artikullin-analizë "Bisedimet e Kretës, pse Shqipëria s'ka pajtuar studio ndërkombëtare. Greqia në gjendje të vështirë...". Konica.al.         Përgjithësisht, si dhe herë të tjera të këtij autori, analiza është bazuar me të vërteta, megjithatë e ndjej të nevojshme të bëj disa sqarime:                                                            a)- Periudha nga koha që Italia hyri në territoret e shtetit grek dhe konkretisht në rajonin e Çamërisë e deri sa ajo u largua prej atij territori, prefekturat e Çamërisë (të Thesprotisë, Artës dhe të Prevezës), kanë qenë të administruara me mirëkuptim, me bashkëqeverisje nga të dyja palët, pala italiane dhe ajo greke. Xhandarmëria dhe korofillaqia ishin në bashkëveprim, po ashtu titullarët dhe nëpunësat e administratës ishin me origjinë greke dhe vllahe, ndërsa nëpunës me origjinë shqiptare (çamë) nuk kishte. Ishte një grup i vogël njerëzish, me origjinë shqiptare nga Çamëria (çamë) që u inkuadruan në ushtrinë italiane. Ata persona ishin larguar vite më parë nga Çamëria, ishin integruar e përfshirë edhe në administratat e larta shtetërore në shtetin shqiptar. Si rrjedhojë, kur Shqipëria u pushtua nga Italia, ata u inkuadruan në partinë fashiste itaiane dhe u përpoqën për të tërhequr banorët e Çamërisë për t’u bashkuar me ushtrinë italiane, por nuk ia arritën qëllimit. Fakt që e vërtetonte në atë kohë edhe ish ambasadori italian në Athinë, i cili i shkruante Romës se banorët e Çamërisë nuk e mbështesin pushtimin italian, nuk pranojnë të luftojnë kundër Greqisë. Ndërsa studiuesi dhe shkrimtari grek i asaj kohe, Jani Sharra shkruan: "Edhe kur italianët pushtuan Gumenicën, rrallë ndonjë çam u bashkua me ta". 

b)- Problemi i “Çështjes Çame” nuk duhet trajtuar i shkëputur duke u përqëndruar tek vitet 1940-1945. Një shkëputje e tillë ka qëllime manipuluese dhe sposton nga e vërteta realitetin e ngjarjeve, situatat tejet të vështira që shteti grek u krijoi banorëve të rajonit të Thesprotisë, duke filluar që në ditët e para të kalimit të krahinës nën administrimin e shtetit grek. Në mars 1913 u vranë 72 burra çamë pa asnjë vendim gjyqi, por duke përdorur mashtrimet. Gjatë viteve njëzet të shekullit XX, çamëve u hoqën të drejtat e pronësisë me pretekstin se ishin gjoja “Toka të Reja”, “Toka të abandonuara” , dhe “Toka pa pronarë”. Qendrimi i shtetit grek bazohej tek marrëveshja greko-turke (ndërrimi i popullsive me bazë kriterin e besimit fetar) ku çamët, pronarët e vërtetë, konsideroheshin të shpërngulur, si të tillë nuk gëzonin asnjë të drejtë dhe për më shumë ata për shtetin grek ishin “inekzistentë”, “të padukshëm”, pavarësisht se çamët ishin në vendin e tyre, mbasi jo të gjithë ishin larguar; u rrëmbyen pronat gjoja me reformën agrare dhe u a dhuruan të ardhurve aziatikë (ortodoksëve turq). Çamëve nuk u njihej asnjë të drejtë si minoritet deri edhe tek moskryerja e asnjë shërbimi demografik, nuk u regjistroheshin lindjet as vdekjet e tyre. Për punësim në administratën shtetërore as që mendohej. c)- Lidhur me pretendimet dhe spekulimet e shtetit grek, se çamët kanë bashkëpunuar me gjermanët, nuk rezultojnë dokumenta zyrtare që vërtetojnë një bashkëpunim të tillë. Përkundrazi ka dokumente që nga shqiptarët e Çamërisë ishin inkuadruar me ushtrinë gjermane rreth 70 burra, ndërsa po nga shqiptarët e Çamërisë (çamë), ka dokumente që mbi 700 veta, djem dhe vajza çame, kanë marrë pjesë me partizanët e EAM-it (forcë e majtë greke) që luftonte kundër gjermanit dhe EDES-it (forcë e djathtë greke), për çlirimin e vendit nga okupatori. Disponoj listën me emrat dhe mbiemrat e djemve dhe vajzave çame që ishin partizanë të inkuadruar në forcat e EAM-it. Sipas ditarëve të luftës të oficerëve gjermanë, rezulton se për periudhën prej 15 muaj dhe 17 ditë që forcat gjermane kanë qëndruar në rajonin e Çamërisë, jo vetëm që nuk ka patur fronte lufte mes ushtrisë gjermane dhe forcave të EDES-it, përkundrazi janë realizuar marrëveshje mossulmimi mes tyre dhe se të dyja palët do të luftonin partizanët e EAM-it. Ditarët e Luftës të oficerëve gjermanë dëshmojnë se në rajonin e Thesproti/Çamërisë nuk është kryer asnjë aksion luftarak. (Artikulli i plotë tek libri: “Dhimbja dhe moshkalli i Çamërisë”. Bot.Viti 2017-FD). ç)- Për të mos hyrë në hollësi historike, pasi ato janë të trajtuara nga intelektualët shqiptarë me origjinë nga Çamëria, si dhe nga historianët realistë grekë, shqiptarë dhe personalitete të shquara të huaj bashkëkohës të asaj periudhe dhe të mëvonshëm.  Ndër qëndrimet e shumta realiste të studiuesve e historianëve, sjellim dhe qendrimin e profesorit grek në Universitetin e Maqedonisë në Selanik z. Konstandinos Tsitselikis, i cili hapur me paanësi dhe realisht i kujton politikës greke: “I sollët grekët (lexo:ortodoksët turq-FD) ardhacakë nga Anadolli dhe dëbuat çamët”. Profesori Tsitselikis me deklarimet e tij të argumentuara hedh pretendimet absurde greke të bashkëpunimit të çamëve me okupatorin duke deklaruar: “Është artificiale ideja se të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, pasi pati një pjesë që u rreshtuan në luftën antifashiste me ELAS mbi 500 çamë”. Deklarime të tilla, me fakte reale që rrëzojnë akuzat greke, janë të shumta. Konkluzioni për arsyen pse shteti grek nuk tërhiqet nga akuzat false është mëse i qartë: “Turpi që kanë kryer, nuk i lejon ta shlyejnë me një pranim të turpit të kryer, duke shkelur edhe mbi parimin e krishterë të pendimit”.                                    ● Realiteti i qëndrimit të shtetit dhe kishës ortodokse greke ndaj çamëve myslimanë, nuk gjendet duke shkëputur periudha, sipas orekseve, por të vërtetat gjenden lehtësisht, nëse ekziston dëshira dhe vullneti për të pasqyruar të vërtetat dhe me paanësi, duke analizuar çdo vit dhe çdo ngjarje që nga janari i vitit 1913 deri sot. Analizat duhet të jenë të bazuara me fakte, argumente nga grup ekspertësh, pa mëdyshjr edhe me pjesëmarrje ekspertësh nga intelektualë çamë. Jo analiza mbi baza opinionesh, shpifjesh, thashethemesh, manipulimesh.  d)- E fundit dhe tepër e sigurtë, si i thonë fjalës, “ta dijë gjithë bota mbarë”, është se çamët nuk ikën nga frika se do t’i dënonte gjykata greke, siç flitet në pretendimet greke, por u dëbuan dhunshëm.  Familjet e besimit mysliman që arritën të shpëtonin nga masakrat çnjerëzore (rreth 70% e tyre, sepse 30% e banorëve u masakruan, u vranë dhe u zhdukën); u larguan për ti shpëtuar vdekjes që nuk po ua kursenin banditët, burgaxhinjtë dhe zervistët e Napoleon Zervës (pasardhës i një nga shtatë familjeve të pasura të larguar nga Kostandinopoja në kohën e Kryqëzatave). Misioni i masakrave të kryera ndaj çamëve myslimanë, lexohet edhe tek vetë deklarimet e tyre se ndjeheshin të lumtur që çliruan rajonin e Thesprotisë nga çamët myslimanë, që kishin 500 vjet që u kishin hypur në kurriz vëllezërve të tyre të krishterë. Këtu demagogët grekë aludojnë pushtimin e tyre nga perandoria Osmane, me çamët e besimit mysliman. Kuptohet, aspak e bazuar me marëdhëniet vërteta të dy popujve fqinj deri para krijimit të sgtetit Grek. Të shprehurit e mësipërme lidhen pa dyshim me predikimet e kishës ortodokse greke, që kush nuk është ortodoks nuk është grek, si rrjedhojë është i padëshirueshëm të banojë në territoret e Greqisë. Kështu, shqiptarët e Thesproti/ Çamërisë, duke qenë të besimit mysliman, pavarisht se ishin autoktonë, u trajtuan si turq dhe si të tillë u masakruan dhe u dëbuan nga vendi i tyre. Pretendimet me thëniet absurde “bashkëpunëtorë” me këtë apo atë armik, apo “tradhëtarë” të kombit grek se u konvertuan në këtë apo atë besim fetar, janë qesharake dhe shumë foshnjore. Banorët e rajonit të Thesprotisë, u bënë theror jo nga bashkëpunimet e sajuara dhe tradhëtitë, se po të ishte ashtu, nuk do të vriteshin në masë fëmijët dhe të vegjëlit, as gratë shtatzana, as të sëmurët dhe as pleqtë, ndërsa gjykata të dënonte ata që ishin bashkëpunëtorë (nëse do të vërtetoheshin të tillë). Masakrat çnjerëzore, dëbimet e dhunshme u shtrinë në të gjithë banorët myslimanë të Thesprotisë pa dallim mes fajtorëve-pakicë dhe jo fajtorëve-shumicë, moshave dhe gjinive, por u realizua një genocid i pastër. Është kjo e vërtetë që çamëve myslimanë drejtësia duhet t’u kthejë dinjitetin, t’u jepen të drejtat sipas ligjeve të vendosura prej institucioneve ndërkombëtare dhe të kërkohet që të vihen në zbatim po prej tyre. Familjet e komunitetit çam me banim në Shqipëri vazhdojnë të kenë besim tek qëndrimet parimore demokratike, duke filluar nga  shteti dhe shoqëria civile greke, tek që ndrimet e paanshme të Këshillit të Europës, i detyruar të mbikqyrë dhe vendosë të drejtat e pakicave në përputhje me Konventat dhe Ligjet përkatse ndërkombëtare. Sqarojmë se Ligji Grek i Luftës ndaj Shqipërisë, nga vetë koha kur u vendos, përjashton përfshirjen e çamëve. Kjo është një e vërtetë si drita e diellit, pasi çamët në vitin e daljes së atij ligji ishin nënshtetas grekë dhe jo armiq të saj. Mballomat e bëra më pas ligjit, mbas masakrimit të çamëve dhe dëbimit të dhunshëm nga vendlindja, kuptohet janë të njëanshme dhe saktësisht i ngjajnë poezisë “Ujku dhe Qengji” të Çajupit, ku një qengj pinte ujë në lumë, ndërsa ujkun e kish shtrënguar uria dhe i drejtohet qengjit se i trubullonte ujin. Qengji u përgjigj: “Zot, lumi shkon poshtë, ti pi përmbi mua, ujë të kulluar”. Ujku i thotë se ia kishte trubulluar i vëllai, prandaj do merrte hak. Qengji përsëri i thotë se nuk kishte vëlla, ishte i vetëm. Atëhere ujku i egërsuar i thotë se ia kishte trubulluar i ati dhe i vërsulet qengjit duke e dënuar me “Ligjin e Luftës”. Dëshironim që takimi i Kretës të përfundonte me rezultate të drejts në zgjidhjet e problemeve ndërpalëse me paanësi, larg ngurtësive, kokëfortësisë, qëndrimeve inerte, të mbretëronte shkëputja nga negativiteti dhe absurditeti. Por u hap dhe u mbyll sikur nuk u zhvillua. U shtua një “NUL” tjetër greko-shqiptar!. Këtë koment gjykova si sqarues të analizës të bërë nga konica.al.

III.-Mbi “lëvizjen e lirë të çamëve në vendlindje?”                                o                    Më 12.11.2017 shtypi jepte informacione me hamendësime, sepse asgjë nuk është bërë zyrtarisht e ditur se çfarë është diskutuar dhe çfarë jo. Me gjithatë takimi u mbyll. Opinionet do vërshojnë lumë si zakonisht!! Disa portale shtypi arritën të japin edhe një lajm, jo zyrtar, por me pikëpyetje se në Kretë qenka biseduar për lëvizjen e lirë të çamëve, në Greqi. Nëse ky lajm është në axhendë (rend dite) dhe arrihet të zyrtarizohet, mendoj se do të mund të arrihen disa përfitime dypalëshe: Para se të pozicionohemi, është e nevojshme të sqarojmë deklarimet e shpejta që po vërehen në organet e shtypit, si mjet ndihmës dhe nxitës në përkrahje të këtij apo atij veprimi.  “Është një hap i mirë”. Kjo shprehje është e rëndësishme kur i përgjigjet vërtet veprimeve që diktojnë një fillim të mbarë; por në rastin hipotetik “lëvizja e lirë e çamëve”, nuk mund të përdoret, pasi veprimi i palës greke, për moslejimin e lëvizjes së lirë të çamëve në vendlindjen e tyre, është një handikap (defekt) ligjor ndërkombëtar. Veprim që duhet kritikuar, dënuar dhe korrigjuar menjëherë. Por kjo nuk ndodh, sepse “gjykata” e caktuar për ta gjykuar dhe dënuar vepruesin e kundraligjshëm, është në “çoroditje”, e hallkatur në drejtimin që duhet të ndjekë:                          - atë të zbatimit të ligjshmërisë,                     - apo të ruajtjes së interesave vetëm brenda anëtarësisë së saj. Por le ta quajmë “një hap të mirë”, sikundër thuhet.                ● Është hap i mirë. Me pranimin dhe ligjërimin e “lëvizjes së lirë të çamëve” në vendlindje, shteti grek “arratiset” përfundimisht nga qëndrimi kundërshtues se “Çështja Çame” nuk ekziston. Fitohet me vështirësi një problem i qenë që padrejtësisht është trajtuar si i “pa qenë”, por me lehtësi është mashtruar për dekada të tëra si Këshilli i Europës dhe shumë të tjerë.                                                  ● Është hap i mirë, pasi do sjellë vlera të rëndësishme në të ardhmen. Do të rikthehet fqinjësia e 111 viteve më parë dhe njerëzit e dy popujve tanë do të rinisin vëllazërimin e ndërprerë në luftrat Ballkanike dhe ato Botërore.                         ● Do rriten garancinë për ruajtjen dhe stabilitetin e shteteve dhe popujve në rajon, si rrjedhojë do të zgjerohen dhe shtohen investimet ndërpalëse, do të zhvillohet tregtia, kultura, arsimi dhe do të ngrihet në nivele të shëndosha miqësia mes popujve dhe shteteve të Ballkanit. Në kuptimin simbolik, do të shembet muri i “Berlinit” në Ballka                                          ● Do të çvlerësohen epitetet e përdorura gjërësisht nga injorantët politikë, nacionalistë dhe fetarë ndaj etnisë shqiptare, të cilët nga mungesa e kulturës, miopia politike, fetare e nacionaliste, nuk arrinin të bënin dhe bëjnë dallimin thelbësor të kombit shqiptar, populli më i vjetër në Ballkan, me popujt e tjerë të ardhur nga Azia e Largët, e Mesme dhe e vogël, apo nga Afrika e veriut. Epitetet pa baza etnie si “turq”, “shqiptaro - turq”, “shqipfolës”, “çamo-turq”, etj. të sajuara në koridoret e nacionalizmit ekstrem dhe përcaktimeve të kombit mbi baza fetare, si gjatë periudhës bizantine dhe osmane, ku për 500 vjet trojet etnike shqiptare trajtoheshin si troje të perandorisë osmane, apo principata shqiptare, kanë dëmtuar rëndë ndërgjegjen kombëtare dhe sociale mes popujve të Ballkanit.  Arsyeja, gjykimi njerëzor në misionet e veta, detyrohet të dallojë dhe veçojë fenomenet shoqërore dhe të ndërtojë taktikat dhe strategjitë e vijimësisë. Ndarje të mëdha, shumë shqetësuese dhe me dhimbje therëse kanë shoqëruar njerëzimin ndërshekuj. Nga mosfrenimet e tyre vazhdojnë edhe në ditët tona. Rendi skllavopronar i ndante njerëzit në pak skllavoprarë dhe shumë skllevër. Mesjeta bizantine dhe osmane i gruponte dhe ndante njerëzit për mësymje sipas besimeve fetare, duke u konkretizuar me shekullin e kaluar me besimtarët ortodoksë në grekë dhe ata myslimanë në turq, ku krahas mësymjeve u organizuan edhe spostimet nga vendbanimet mijëvjeçare. Nga shekulli i kaluar e në vijim vërejmë grupimin dhe ndarjen e shoqërisë njerëzore në të “majtë” dhe të “djathtë”, aspak me prirje idesh (larg njohjes së realitetit), me interesa të theksuara vetiake, me synime të qarta dëmtimesh shkatërruese të shumicës njerëzore, sikur skllavopronaria. E drejta e veçantë që gëzon shoqëria njerëzore në epokën tonë, në njohjen e rendeve ekonomiko-shoqërore, duhet të arsyetojë në vendosjen e të “Drejtës natyrore”, që na jep mundësira për të realizuar rendin më të mirë të mundshëm të shoqërisë, në ekonomi, politikë, duke u paraqitur kryesisht në marrëdhëniet mes shteteve, si dhe këtyre të fundit me individët. Në demokraci veprojnë pozita dhe opozita, të cilat duhet të bashkëjetojnë e veprojnë për vendosjen e të “drejtës natyrore”, larg konflikteve bajate, bllokimeve dhe kontradiktave antagoniste, veprime që frenojnë progresin dhe krijojnë kriza të shumëllojshme. Një ndreqje e qëndrimeve të gabuara, qoftë dhe të ndërrtuara me vetdije nga segmente të caktuara shtetërore, politike, fetare dhe sociale ndërballkanike, do të çlirojë energji të pallogaritshme në dobi të të gjithë popujve të këtij gadishulli të emërtuar “fuçi baruti”. Një zyrtarizim për “lëvizje të lirë” të popujve, të paktën ndërballkanikë, patjetër do të shoqërohet me detyra dhe të drejta të cilat duhen respektuar me rigorozitet, larg mllefeve, ndasive dhe armiqësive disa dhjetëravjeçare të kultivuara nga ekspansionet nacionaliste, fetare etj. ● Në atmosferën që dëshirohet dhe me shpresë të realizohet, në rastet e takimeve dy apo më shumë palëshe, detyrat dhe të drejtat e  popujve dhe komuniteteve brenda tyre, duhet të paraprijnë nxitjen e politikës për të ndërmarrë veprime miqësie, sheshim me urtësi e drejtësi të problemeve dhe zgjidhje të pranueshme që vetë koha na i dikton.                                                               Në këndvështrimin lidhur me ngërçin politik, ekonomik e social të trashëgimtarëve të rajonit të Çamërisë, në kohën kur mendjet e liderëve të kthjellohen, mendoj:                                        - Anëtarësia e komunitetit çam duhet të jetë shumë e kujdesshme, të mos priret nga euforia, të mos fillojë nga meritat e këtij apo atij, të mos infektojë qytetarët e këtij komuniteti me egoizma, mburrje dhe as me sharje apo akuza të çfardollojshme ndaj askujt, as ndaj shtetit të atjeshëm dhe as këtij të këtushmit. Shpresojmë dhe dëshirojmë se po hyjmë në një periudhë kalimi nga e kaluara e çatdhesimit, në të atë të riatdhesimit, periudhë e cila kërkon “heshtjen relative”, domosdoshmërisht me ndjekjen parreshtur të ecurive lidhur me çështjen tonë dhe në asnjë rast të mos injorohet vigjilenca për çdo thënie e veprim të shumëanshëm. Duhet me qetësi e durim të pritet derisa të kemi një zyrtarizim përfundimtar të bisedimeve Athinë-  Tiranë. Të mos lejohet që ”bishti të bëhet më i rëndë se sqepari”.                          - Nëse arrihet të zyrtarizohet “lëvizja e lirë e çamëve në vendin e të parëve”, me të drejta dhe detyra kushtetuese si gjithë qytetarët, do të kemi disa pritshmëri, të cilat duhen strukturuar me mënyra dhe forma të ndryshme për të arritur tek çdo person me origjinë çame. Detyra që i takojnë kryesisht Shoqërisë Politike Atdhetare “Çamëria”, sigurisht në konsultim me mënçurinë shqiptare.             - Të fillojë regjistrimi i të gjithë qytetarëve me origjinë nga Çamëria, duke shënuar emërin, emrin e babait, gjyshit dhe mbiemrin, vendlindjen e babait ose të gjyshit, sipas rastit (me të dy toponimet, atë para 1940-tës dhe të sotmin që ka vendosur shteti grek). Ky regjistrim duhet theksuar se bëhet thjesht për qëllime demografike. Fondet për këtë proces të financohen nga shteti, në të kundërt të sponsorizohet nga biznesmenët.                    - Nëse zyrtarizohet “Rikthimi- pronësimi”, vizitat fillimisht duhet të organizohen në rrugë shtetërore, ose me grupe sipas dëshirave, por tepër të kujdesshëm në të gjitha lëvizjet në rajonin e Çamërisë. Asnjëherë të mos krijohen konflikte me strehuesit që ndodhen në banesat e prindërve apo gjyshërve tanë, por të trajtohen si gjitonë, fqinj, të përshëndeten me mirësjellje. Shmangje nga çdo provokim, të mos krijohet asnjë ndodhi e papritur, e padëshiruar. Nuk janë ata që kanë zaptuar shtëpitë dhe vendin tonë, ishte shteti i atëhershëm grek përgjegjës që e krijoi këtë situatë. Kushdo që do shkojë për vizitë, apo rikthim në vendlindjen e tij ose të prindërve duhet ta bëjë zemrën “gur”, të mos ligështohet, të gëzojë që mbas shumë dekadash këmba shkel në truallin e tij. Lëvizjet tona, qofshin individuale ose në grup, fillimisht të kuptohen si lëvizje të karaketerit “turistik”. Këto qendrime do të jenë vazhdimisht në rifreskime, hap pas hapi dhe sipas situatave për dy apo tre dekada. - Lëvizjet dhe qendrimet e çamëve në “Tokën tonë”, të karakterizohen nga sjellje të denja, të një niveli të lartë mirëkuptimi me bujtësit e atjeshëm, sepse sipas gjykimit tim, çdo sjellje, çdo bisedë me të atjeshmit, çdo veprim i qytetëruar nga ana jonë, do ketë ndikime të rëndësishme në hapat e tjera, dhe do të sigurojnë vendosjen e drejtësisë së mohuar, të shumë kërkuar në dekadat e largimit prej strehës prindërore.                                           – Rëndësi të veçantë merr “lëvizja e lirë” (e jona-atje), edhe për faktin sepse do të eksplorojmë vendin, do shikojmë shtëpitë tona (disa prej të cilave janë në gjendje të mirë), do kujtojmë prindërit, motrat dhe vllezërit që kishim kur ishim të vegjël dhe mblidheshim rreth vatrave të ngrohta, do njihemi me trojet rreth shtëpive, do mësojmë se me cilin ishin fqinjë prindërtit tanë, do njohim dhromet, rrugicat, përrenjtë, lumenjtë, arat. Do njohim qytetet, fshatrat, malet, kodrat, gjithçka nga ato që kishin prindërit tanë ndërshekuj. Do vizitojmë varret e gjyshërve tanë. Do marrim ajër nga ajri i pastër i atij vendi të bekuar. Po, do të shikohen shumë gjera. Por seicili nga ne, duhet që t’i jape forcë e jetë durimit, mirësjelljes, të tregojmë se tek ne mbretëron respekti, sinqeriteti, dhimshuria për këdo. Larg mërive, mllefeve, sepse nuk janë ata të djeshmit, por edhe shumica e jonë nuk jemi ata të pamjeve direkte të masakrave. Plaga e freskët dhemb vërtet më shumë se sa kur ajo ka kohë që ka ndodhur. Jo. Plaga nuk harrohet asnjëherë, por dhimbja ka lehtësira, prandaj dhe kohët sjellin pendime, falje dhe vazhdime të mëtejshme në jetë. Asnjëherë pa anashkaluar sinqeritetin reciprok.

                            ***                                         

Të nderuar miq, këto që po shkruaj nuk janë gjëra që nuk dihen, madje mundet të përsosen, por i shkrova për pa asnjë dyshim si një bisedë mes nesh duke pirë kafe tek “Juvenilja, “Taivani” apo një drekë tek lokali “Tepelena” ose gjetiu. Ju duke lexuar këto rrjeshta kaloni kohën duke bashkëbiseduar dhe unë duke i shkruar këto ashtu po ndjehem, midis jush!. “Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria” për situatat që kalojmë dhe që presim se do ndodhin (edhe në mos aktualisht, dikur do të ndodhin) duhet të jetë më aktive, të krijojë struktura për të ndikuar sa më mirë dhe saktë tek çdo familje çame. E nesërmja doemos duhet të na gjejë të përgatitur. Kjo është idea e shkrimit. 

Miku juaj Fahri Dahri                                     

Itali, më 14 nëntor 2017.-

Shënim: Ky artikull, është i 7 viteve më parë, me disa përditësime. Sot e dimë se si u zhvillua takimi bilateral. Kemi zhvillime të tjera mes dy shteteve, kuptohen dhe vërtetohen qasjet mes nesh, por e sigurtë se e ardhmja do të sjellë pritshmëri pozitive, gjithçka do të gjejë strehë në vendin e vet. Kjo është një e vërtetë dialektike, ndërsa koha se kur, është në vartësi të kushteve objektive që do të krijojë shoqëria demokratike. 

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page