top of page

Përtej një nderi meritor për Profesorin

Updated: Feb 8


Përtej një nderi meritor për Profesorin Adham Prifti

 

Nga Fatmir Terziu

 

 

Pikërisht në kohën e lirë, dhe më së shumti jashtë orarit të punës sime, kur unë vendos të dërgoj revistën time të printuar „Albanian Post“ në restorantin „Ronel“ një telefonatë është sa e natyrshme, aq dhe e fisshme dhe miqësore për një takim dhe një kafe me Profesorin e muzikës Adham Prifti. Kështu sa hyn në mjedisin e ëmbël dhe tejet dashamirës të „Ronel“ ndjen erën e sapopjekur  të byrekut me mish të grirë dhe qepë të freskëta. Është një erë që të josh, por dhe një porosi e Adhamit që nuk të lë bosh. Kështu duket se fillon koha me të cilën një kafe, një shishe me ujë, dhe një racion byreku të shton aradhën e gjërave që kemi për ti thënë njëri-tjetrit. Në sfondin e murit ballë nesh është një punim arti që ngjan si lutje e përulur në drejtim të Mekës. Mëngjesi në praninë hipnotike të mesazhit kristian ngjizet në qasjen tjetër të shijuar artistikisht nga pronari i restorantit Neritan Çela. Duke pritur porosinë e lartcituar, të cilën miku im Adhami e ka bërë më herët, ndjen dhe në qoshkën e sapomoderuar organon me të cilën Adhami rikthen vite e vite në një pikë të këndshme, me muzikën që ta qetëson shpirtin dhe mendjen. Një ndjesi që i shkon shtat ambientit dhe fytyrës së palëvizshme të portretit, të ngrirë në lëkurë terrakote, që duket art më vete i rrëmbyer nga bukuria artistike e drurit të punuar mjeshtërisht që rrethon tërë pamjen ballore të restorantit.


Fatmir Terziu dhe Adham Prifti

Bindja mbulon tërë madhështinë e notave muzikore që dehen nën duar profesionisti. Një burkë mëndafshi dhe një zog fluturak agojnë në qiejt e kripur e të ftohtë të një artmrekullie tjetër. Lotët si perla të thyera kot presin diellin, që vonon këto ditë në Londër, por që mbetet tek syri i mëshirshëm i Allahut. Kështu thotë një mbishkrim i thellë, diku në një shënim arti “Dielli është syri i mëshirshëm i Allahut. Qëndroni nën rrezet e tij dhe shpirti juaj do të lulëzojë". Por mesazhi i këtij dielli, mesazhi në sfondin e saj, në sfondin e kësaj panorame është shumë larg. Diku, kilometra larg në një distancë të heshtur, në këndin e ndonjë Shtëpie të Talentëve të muzikës, ku duart dhe talenti i Adham Priftit shënjuan kohën, vendin dhe hapësirën e duhur për të mbrujtur në zemër respektin nga qindra e qindra nxënës, studentë e mjeshtra që zunë udhën e bukur të muzikës në vite e vite falë leksioneve të Profesorit Adham Prifti. Asokohe besimi fetar ishte i ndaluar dhe muzika ishte besimi që ushqente shpirtrat e  talentëve.




Kështu ndodh edhe në këtë moment. Dikush hyn në derë. Dhe menjëherë e merr drejtimin drejt tavolinës sonë, ku pak minuta më parë u hoqën pjatat me byrekun tradicional shqiptar. Dhe ai person menjëherë e përshëndet në fillim profesorin dhe i qetë i thotë se e mban mend nga vitet e shkollës, dhe mban ende të njëjtin respekt për të. E kështu si përshëndetja dhe njohja shkojnë dhe delegojnë sytë e mi në një mjedis ndryshe, aty ku pikërisht mbetet një mesazh i bukur: “Më puth gishtat, nënë, dhe më trego sërish për qetësinë e mermertë të Mekës, …”. E kështu unë e kuptoj se për Profesor Adham Priftin, muzika dhe çdo gjë e lidhur me të është bekimi i nënës dhe babait të tij, është Meka muzikore që ishte dhe mbeti në shpirtin e tij të lirë, të urtë, të sjellshëm e mjaft të talentuar.




Unë jam një djalosh. Më trego edhe për atë flutur që ngriu në heshtjen e rrjetës së kohës para syve qiellorë të pelegrinit me të cilin u dashurove, përpara se të mbulohesh përgjithmonë para Qabesë. Unë jam gjashtëmbëdhjetë vjeç. Unë isha i dashuruar me muzikën, e nga e dinit se dashuria për muzikën është liri. Kjo zgjedhje është një privilegj i rezervuar për të paktët. Unë flas pas shumë kohësh. Ky është kujtimi im më i mirë nga Shtëpia e Pionierit në Burrel. Tani më mbani mend? Dhe memorja udhëton si një pelegrinazh i qetë, në brendësi të rrënjëve që gërmojnë fatet e vetë jetës. Eh, mali me malin nuk takohen. Jo më kot e thotë populli këtë.

Bluja tipike e dritës dhe neoni i restorantit të Neritan Çelës duket se i jep një shkëlqim celofani dhe një risk limon mbi tiparet silikoni të fytyrës transparente të mikut që tashmë ndjen respektin e dyfishtë. Buzët e tij pompojnë mirësjellje. Një bisedë dhe një memorje respekti që shton buzëqeshjen, si dikur në bangat e shkollës ku jepte mësim Profesori Adham Prifti. E mua më duket se ripërsëritet ajo kërshëri e nxënësit të ri:

- Mirëmëngjes Profesor Adhami.

Dhe Profesori i qetë si dikur në kulmin e zellit dhe pasionit, në kulmin e talentit dhe përkushtimit novator, kur tentoi të bënte dhe realizoi kitarën e parë, flet me një zë tipik që ia dallon respektin për talentët e tij: A i mësuat ato që ua kisha dhënë detyrë për sot?

Ky nxënës është në memorje. Ai është një udhëzim, një udhë, një bisedë, një vazhdim udhësh, është jashtëzakonisht i zellshëm në mësimin e muzikës. Sot është vetëm një bisedë. Është një memorje. Arsyeja nuk i ka më rrënjët në dallimet klasore. Ka risi të tjera kulturore dhe fetare në mjedise të ndryshme. Dhe Profesor Adhami dhe atëherë, si në shumë raste nuk la arsyen më të vogël të dallimit. Kështu dhe ata që shikoheshin ndryshe kishin dorën dhe mendjen e Adhamit, ndaj sot e respektojnë. Dhe nuk janë pak. Janë me dhjetra e dhjetëra. Dhe kjo është ajo që kemi thënë edhe më herët, pra zbulimi i tiparit dhe talentit të Njeriut të ëprkushtuar e të respektuar, modelit për brezat.

 

Eureka tek talenti tjetër i Profesor Adham Priftit?



Eureka! Kjo ndodhte gjithnjë kur zbulonim, se ishte shfaqur në sytë tanë ndonjë gjë. Sa shumë ndjenja. Sa shumë gëzim kur quhej shpikje! Sa më shumë që ne e duam një histori të tillë, të mirë në moment, kuptonim dhe mbanin frymën se shpikjet e mëdha nuk vijnë me të vërtetë nga ajri i hollë. Nuk zbresin me shkalla nga ajri më saktë. Ata zbresin si dhuratë në mendjen e atyrë që sjellin në jetë gjëra të mira. Karl Benz është i njohur për shpikjen e makinës së parë me benzinë, por ka pasur tashmë rrota dhe kamionë dhe motorë me djegie të brendshme. Thomas Edison shpiku fonografinë, por ai qëndronte mbi shpatullat e atyre që tashmë kishin regjistruar dhe riprodhonin tingujt. Kush meriton kredi për shpikjen e kitarës elektrike? Përgjigja është e komplikuar. Ashtu si makina e Benz dhe fonografia e Edison, kitara elektrike nuk ishte një shpikje por rezultat i një evolucioni. Dhe sigurisht, instrumenti vazhdoi të zhvillohej edhe pasi modeli i saj ishte vendosur në mes të shekullit të 20-të. Elektrikat që ne luajmë çdo ditë përfundimisht u shfaqën falë ardhjes së tingujve të elektrizuar, kërkesave në ndryshim të muzikantëve dhe konkurrencës në treg. Dhe kishte shumë novacione të vogla përgjatë rrugës për të na sjellë kitarë elektrike siç e njohim aktualisht.

            Brezi i viteve tetëdhjetë në Shqipëri, natyrisht e kishte në sy dhe në vëmendje një kitarë elektrike dhe normalisht dinte pak gjëra për historinë e saj. Historia fillonte herët në botë. Në vitin 1890, një oficeri amerikan të marinës me emrin George Breed iu dha një patentë për “Metodën dhe aparatin e tij për prodhimin e tingujve muzikorë me energji elektrike”. Aparati u ndërtua si në një kitarë dhe vibrimet e transferuara funksionuan nga telat me një rrymë elektrike. Shpikja e Breed-it krijoi tingujt që janë përshkruar si: “jashtëzakonisht e pazakontë dhe jo-guitarlike”. Kjo nuk e përforcoi zërin aq sa krijonte frekuenca për pajisjen që të tingëllonte, por Breed meriton një sy për të qenë ndër të parët për të kombinuar një instrument me tela me energji elektrike.

Gjatë një periudhe pesëvjeçare që filloi në vitin 1919, një mbikëqyrës i kontrollit të cilësisë në Gibson i quajtur Lloyd Loar po eksperimentonte me marrje-dhënie dhe përforcime. Në vitin 1923, ai madje ndërtoi një prototip të një kitarë të harpës së elektrizuar. Deri në vitin 1924, Loari kishte projektuar edhe një bas elektrik dhe realizoi një koncert në një violë elektrike që kishte ndërtuar. Në vitin 1933, Loar dhe të tjerët formuan kompaninë Vivi-Tone për të vendosur koncepte të reja për vendosjen e energjisë elektrike së bashku me akustikën. Kjo rezultoi në akustikë të elektrizuar të hershme, por kompania hoqi dorë nga kitarat dhe u zhvendos përpara tastierave shumë kohë më parë. Pastaj janë Stromberg-Voisinet dhe Vega, Vintage Stromberg Ad, Adolph Rickenbacker dhe George Beauchamp e deri sa vetë kitara elektrike u bë një vegël mjaft e njohur. Pra ajo ka një histori të madhe, që njihet në botë, jo thjesht si arsye që lidhet me muzikën.

 

Po në Shqipëri, a ka dhe a ekziston një histori për këtë instrument?

 

Natyrisht që ka dhe vëmendja ka mbetur mjaft larg, ndoshta e harruar sikurse harrohen dhe janë harruar mjaft gjëra të rëndëishme shqiptare. Njeriu që ngriti një kitarë elektrike në vitet tetëdhjetë është një emër i dëgjuar i muzikës. Ai tashmë mbledh me talentin e tij qindra e qindra shqiptarë që frekuentojnë “Vila Ronel” në Londër, një pronë tashmë e shkëlqyer komunitare e pronarëve Neritan dhe Valbona Çela. Ndërsa e ndjekim talentin e tij, thjesht një bisedë e shkurtër na zgjoi se Adham Prifti, nuk është thjesht muzikant, kompozitor, apo dhe masovik i vjetër, por dhe një implementues i kitarës elektrike, me mënyrë të thjeshtë, dhe me metoda shqiptare, të kohës kur lidhja me botën nuk ekzistonte. Biseda solli këtë mesazh: “Nëse është me interes po ju tregoj historinë edhe foton e kitarës elektrike, të cilën e kam bërë komplet vetë, pasi kam pasur shumë pasion dhe punimin në dru si dhe elektronikën, pasi pjesët e kitarës dhe të tjerat si magnetet me thurrje teli, për marrjen e tingujve dhe amplifikatorin i bëra vetë. Kjo pasi gjatë kohës 8 vjeçare, vazhdoja një kurs pranë URT Durrës, ku mora dhe kategorinë e dytë si radioteknik”.


Kjo bisedë na shtyu të shkojmë më tej, të shohim fotografinë e kitarës elektrike të bërë nga Adhami dhe të lexojmë madje dhe “Antologjinë e Këngës Durrsake”. E para, kitara elektrike, vërtetë në një pamje të shkëlqyer, (sipas fotografisë origjinale të mbajtur me kujdes nga autori i saj) është një kitarë që u përdor për të kthyer dridhjen e telave të ssaj, pas ndërtimit gati-gati origjinal të autorit shqiptar të asaj kohe, në sinjale elektrike. E dyta, pra “Antologjia e Këngës Durrsake” e përshkruan kështu këtë artist: “Adham Prifti Kompozitor. Një ndër kompozitorët më të talentuar durrsakë. Studioi fizarmonikë që në moshën 11 vjeçare, ndërsa ishte në “Shtëpinë e Pionierit” e më pas u aktivizua në orkestrën e saj. Në moshën 16 vjeçare mori pjesë në Festivalin e Këngës në Durrës, si dhe në anketat muzikore të Pallatit “Rinia”. Suksesi i tij i mëvonshëm është pjesëmarrja në Festivalin e 45 të Këngës në Radio-Televionin Shqiptar me këngën “Të lutem më merr”. Pas mbarimit të Akademisë së Arteve u emërua në Burrel, ku u dallua si organizator i festivaleve të ndryshme. U kthye në Durrës në vitin 1984, ku punoi me pasion në aktivitete të shumta artistike. Sot jeton dhe punon në Londër. Të gjithë artistët dhe artdashësit durrsakë i urojnë plot respekt mjeshtrit Adham Prifti, shëndet dhe krijimtari të bukur”.

 

Po kush është Profesor Adham Prifti?

 

Që në moshën 5 vjeçare filloi të mësojë çiftelinë. Me këtë instrument shfaqej shpesh në festivalet artistike, që organizoheshin atëherë, deri në mbarim të shkollës 8-vjeçare. Në klasën e 6-të, filloi të mësojë fizarmonikën në Shtëpinë e Pionierit, Durrës, si dhe në klasë të 8-të, filloi të mësojë kitarën. Këto instrumenta muzikorë i zotëroi bukur shumë shpejt dhe pikërisht pas këtyre filloi edhe kompozimet e para dhe aktivitetet e ndryshme artistike e festivalet që organizoheshin në Durrës. Pas përfundimit të shkollës së emsme, studioi në Akademinë e Arteve, ku përfundoi studimet me rezultate shumë të mira. Viti 1974, viti në të cilin ai kreu Akademinë e dërgoi me një emërim të shpejtë në Burrel. 

Në Burrel me ardhjen e tij, u hap Shtëpia e Pionierit, ku menjëherë u caktua dhe Përgjegjës i Aktiviteteve Artistike. Kë të detyrë e kreu shumë mirë duke organizuar festivale të shumta e koncerte të mëdha artistike, që edhe sot mbahen mend nga ish-nxënës e bashkëkohës të tij, që e kujtojnë me nostalgji atë kohë. Kudo e shihje Adhamin. Duke mësuar nxënës për kitarë, fizarmonikë, këngë. Ai ishte në të gjitha evenimentet festive. Po këtu spikati dhe talenti i tij në fushën e kompozimit. Mbahet mend mjaft mirë nga të gjithë pjesa e kompozuar për dajre e orkestër, që u shafq në konkurimin e asambleve artistike të rretheve të organizuar në Durrës, në Tetor të vitit 1974. Ishte një kompozim i bukur i ksaj gjinie, që e luajti me mjeshtëri dajren Xhevat Lishi. Vazhda e kompozimeve vazhdoi dhe më pas në shumë festivale të Këngës në rrethe. Në Festivalin Kombëtar të fëmijëve, në Shkodër si dhe në Festivalin e 45-të të Këngës në RTSH, emri dhe vepra e tij ishin ndër më të vlerësuarat.

Jo vetë kaq, për ti ardhur vetë në ndihmë Bandës Muzikore të Burrelit, Adham Prifti, shumë shpejt mësoi vetë edhe Trombonin dhe u inkuadrua menjëherë në Fanfaren e Burrelit. Adhami ishte i apasionuar dhe në sport. Në kohë të lirë e shikoje me armën e gjahut në krahë, ku gjuante me pasion, sa herë që kishte kohë të lirë, pasion që e ka dhe e mban edhe sot e kësaj dite.

 

Rikthimi në Durrësin e zemrës


Ai u rikthye në Durrës pas disa vitesh, dhe përsëri atje punoi me përkushtim në organizimin e aktiviteteve të kulturës, si dhe në mësimdhënie në ish-Shtëpinë e Pionierit në rrethet e fizarmonikës. Kohët e fundit punoi si mësues muzike në arsimin e detyrueshëm shkollor në Atdhe. Kjo ishte deri në vitin 1999, vit i cili e detyroi të emigrojë si shumë shqiptarë të tjerë në Britani të Madhe, ku përsëri aty u evidentua në ushtrimin e këtij profesioni në argëtimin dhe organizimet e shumta festive të komunitetit shqiptar.

            Tashmë kushdo që frekuenton “Vila Ronel” në Kilburn High Road në Londër, natyrisht e sheh të thjeshtin, të talentuarin dhe modestin, Profesorin e nderuar Adham Prifti, gjithnjë në shoqërinë e bashkëshortes së tij po aq të respektuar e të dashur me të gjithë, duke i dhënë atmosferë gëzimi ambientit. Ai bie menjëherë në sy, krah shoqes së tij të tij, me urtësinë, xhentilesën, kulturën dhe mirësjedhjen e dashamirësinë që i karakterizon të dy.

Është ky, pra Adham Prifti, njeriu që me modesti i dha Durrësit dhe Shqipërisë, Kitarën Elektrike, talentin e kompozimit, muzikën dhe angazhimin e tij. Është ky një muzikant mjaft i respektuar, dhe për këtë ka respektin dhe dashamirësinë e të gjithë muzikantëve dhe këngëtarëve në Londër e më gjerë të komunitetit shqiptar. Luan bukur në organo për kënaqësinë e klientëve si dhe me Dj në festa të ndryshme dhe evenimente familjare.

 

Përtej tastierës, thjeshtësisë, kulturës, profesionalizmit

 

Përtej tastierës, thjeshtësisë, kulturës, profesionalizmit që e trashëgon që nga Akademia e Arteve, për muzikantin e talentuar dhe me mjaft pasion e përvojë, Adham Prifti, shkon urimi i lartcituar meritor. Mes timbrit të muzikës dhe respekti kapërcen kufijtë e rrjetit social, ku dhjetra e dhjetra urime bashkojnë gjeografinë e një itinerari nga Durrësi në Burrel në këtë pikë ku Grinuiçi ndan botën në dy pjesë të barabarta. Londra që ka kohë që dëgjon muzikën e tij, ka kohë që ndjen dhe lëvizjen e ndjeshme të gishtave të tij në tastierë, duke na dhënë mjaft hare, gëzim dhe mbi të gjitha kulturë.

Adham Prifti që kohë më parë ka tentuar mrekullisht me këngën “Të lutem më merr…”, ku një këngëtare simpatike, Elona Vucaj, natyrisht të bën për vete me zërin e saj tipologjik dhe ku teksti i Lola Babit të entuziazmon, natyrisht edhe pse në një mjedis të ngarkuar sikurse është Londra, përditë e më shumë synon të shkarkojë tërë profesionalizmin e tij mes angazhimit jetik dhe vetë muzikës, jo thjesht si pasion dhe profesion, por dhe si një angazhim jetik e përkushtim për komunitetin shqiptar në Londër e më gjerë.

Në një respekt meritor, Adham Prifti, prek urimet e tërë viteve … Muzikanti dhe kompozitori Adham Prifti, është tashmë një nga rrezatuesit e kulturës komunitare, një nga personat që shfaq mes tërë dimensionit njerëzor dhe atë që të bën ta ndjekësh dhe ti përkushtohesh përzemërsisht. Është i tillë në bisedë, kur flasim për poetin dhe njeriun e tij, mikun tim Ilirian Zhupa, është dhe kur ne ndërrojmë temë dhe jeta e biseda na shpien majëtorbthi rrugëve të emigrimit. Është po aq i freskët në memorje kur pikëtakohemi rrugës kryesore të Burrelit të djeshëm, ku Shtëpia e Pionierit, dihaste melosin e timbrin e muzikës dhe peofesionalizmit të tij.

Dhe normalisht muzikanti ka në ndjenjë e sipër edhe atë që shenjohet mes rifreskimit kulturor. Ndërsa më 2 Dhjetor 1970, inagurohej Shtëpia e Pionierit në Peshkopi, Burreli do të duhej të mbante shpresat e veta në atë similaritet, ato shpresa që për disa vite i ndezi dhe I bëri plot pasion e realitet Adham Prifti. Frymëzimi që i dha Mati me shtrirjen e tij në pjesën qëndrore të Shqipërisë, me malin e Dejës, zbritjen në Qafë-Murrë dhe ngjitjet nëpër majat e maleve të Balgjajt, që rradhiten në drejtim të jugut, për të zbritur në Qafë të Buallit, pastaj me në jug me malësinë e Martaneshit duke u ndarë nga rrethi i Dibrës dhe Bulqizës, e bëri artistin e pazëshëm dhe tejet pasionat, Adham prifti të mbetej një model, një durimtar me vetë dallgëprodhuesit e kohërave.

 Qyteti i Burrelit me në një distancë prej 93 km nga Tirana dhe kilometrat e tjerë nga Durrësi e bënë jo pak të vështirë fillesën e artistit të muzikës, por i dhanë atij akoma më shumë forcë dhe përkushtim. Qyteti i vendosur mbi pllajë të rrafshët me lartësi 320 metra mbi nivelin e detit dhe i rrethuar nga male, kjo zonë që ka qënë e banuar që në kohë lë lashta ishte dhe mbeti memorje dhe jetë më vete për Adham Priftin. Kështu kjo zonë që mendohet si qëndër e banuar që në Shek e VIII B.C., që dëshmi për këtë fakt janë zbulimi i tumave, dhe që janë 54 të tilla në gjithë rrethin e Matit, të cilat gjënden në perëndim dhe veri perëndim të Burrelit, natyrisht në këtë festim familjar dhe miqësor të ditëlindjes së tij ka më shumë urime të largëta e të strukura në memorje se sa ato që shpërthejnë e vijnë vrullshëm mes kokrizave digjitale deri në Metropolin Britanik. Dhe kështu sa gjeografikisht, aq dhe miqësisht respekti pikëtakon kudo muzikantin shqiptar, Profesor Adham Prifti përtej aritmetikës së moshës, tek urimi rinor dhe jetëgjatë. Një gjë mbetet që të shkundet veshi institucional për nder më shumë dhe ky meritor institucional, qoftë nga Durrësi, Burreli e pse jo dhe nga Tirana për një figurë që ende I jep tonin muzikës dhe shpirtit muzikor shqiptar edhe në Londër.

 

 

93 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page