PËRSIATJE TË QENËSISHME PËR JETËN SI DASHURI DHE PËR DASHURINË SI JETË
Libri “Çdo ditë është një thesar – 365 +1 Meditime dhe copëza nga rrjedha e jetës” e dom Dominik Kukelit SBP, përligj një dukuri të lashtë të njeriut: synimin t’i shprehë në mënyrë sublime dukuritë e jetës, besimin dhe fatin e tij. Ata që janë përcaktuar për një mënyrë të këtillë të të shprehurit duhet t’i kenë pasur, pos të tjerash, tri cilësi të rëndësishme: dijen, sa të gjerë aq dhe të thellë të fushave për të cilat kanë shkruar, përvojën e pasur jetësore dhe aftësinë për t’i thënë ato në mënyrë sa më të qartë e të përshtatshme që pastaj të përfillen dhe të bëhen pjesë e pasurisë shpirtërore dhe mendore e tjetrit.
Dom Dominik Kukeli këto prirje dhe cilësi i dëshmon nga fillimi deri në fund të librit, duke vështruar e shprehur disa nga dukuritë më të qenësishme që ndërlidhen me veprimin e njeriut në jetën konkrete, me besimin në Hyjin, me përshpirtshmërinë dhe me dashurinë ndaj tjetrit si kusht për jetë të mirëfilltë dhe për jetën e pastajme, pas vdekjes. E ndriçon sidomos dashurinë si jetë dhe jetën si dashuri, përkatësisht rëndësinë e dashurisë së Hyjit përballë njeriut dhe dashurinë e njeriut: “Lum ai që banon në shtëpinë tënde: / i këndon pa fund lavdet për ty” (Ps 84, 5)[1] .
Dashurinë e Hyjit ndaj njeriut dhe nevojën që kjo dashuri të përfillet dhe të bëhet pjesë e jetës dhe e frymëmarrjes në jetën e përditshme të njeriut, si krijesë e vetë Hyjit, dom Dominiku e shpreh në mënyra të ndryshme dhe përmes argumenteve që e kanë burimin në Shkrimin e Shenjtë dhe në literaturën teologjike, ku thuhet se çdo vepër e Hyjit është dëshmi e dashurisë dhe është e bukur: edhe kur e krijoi dritën, edhe kur i krijoi Qiellin dhe Tokën, edhe kur e krijoi njeriun “Zoti pa se ishte gjë e mirë... se ishte gjë shumë e mirë” (Zan 1, 12 dhe 31 dhe 1Tim 4, 4). Kjo shprehet në mënyrë sublime sidomos në Psalmin 118 (119): Dashuria jote le të jetë ngushëllimi im (76) dhe në Psalmin 18, 2 – 3: Hyj, shkëmbi im [...] shkrepi im në të cilin unë strehohem, mburoja ime, shpëtimtari im i fuqishëm dhe ledhi im.
Jetën e njeriut autori e cilëson si një mrekulli të krijuar nga Hyji dhe aftësinë e tij që, përmes besimit në Hyjin, të mund ta përjetojë dhe ta jetojë këtë mrekulli. Gjithë kjo ndërlidhet me besimin – me dashurinë hyjnore dhe me dashurinë e njeriut ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit, ndaj tjetrit. Nëna Tereze thoshte “Të besosh domethënë të jetosh [...] Besimi është e vetmja gjë që qenësisht është e jona [2]” dhe “Feja është një dhuratë e Zotit. Pa të nuk mund të kishte jetë[3] ”. Në të vërtetë, duke besuar në Hyjin e gjithëpushtetshëm dhe duke jetuar në dritën dhe hirin e Tij: Hyji është drita dhe shpëtimi im (Ps 27, 1) dhe njeriu bëhet “[...] një laps i Zotit. Një copë lapsi me të cilin Ai shkruan atë që do [4]”.
Nisur nga këto përcaktime dom Dominiku e shpreh dhe e ndriçon në disa rrafshe faktin se Hyji është mbrojtja e jetës sime (Ps 27, 1) dhe Hyji im më paraprin me dashurinë e tij (Ps 59, 11) ose “Gjithçka që bëjmë e bën Zoti nëpërmjet nesh[5] ”.
Mendimet e shprehura nga autori, shpesh marrin formën e fjalëve të urta, dëshmohet se etja për dashuri dhe etja për jetë, janë dëshmi e jetës për Zotin; jeta është dhuratë e Zotit për njeriun; të duash dhe të jesh i dashuruar në Hyjin dhe në njeriun, janë dy faqet e së njëjtës medalje. Dom Dominiku i ka dëshmuar këto në jetën e vet në dy mënyra: 1) dashurinë për Hyjin, duke u përcaktuar që gjithë jetën e vet t’ia kushtojë Atij dhe 2) këtë ta dëshmojë përmes flijimit të tij duke e dashur njeriun dhe duke u flijuar për të.
Këtë dashuri të dyfishtë, të pandarë, që e përligj dhe të vërtetën, don Dominiku e shpreh me ndjenjën e përvujtërisë, të përgjegjësisë dhe të bindjes; ai flet për mëkatet e njeriut, po dëshmon dhe për mëkatet që i ka bërë në jetën e përditshme përballë besimtarëve dhe nxënësve, duke qenë i vetëdijshëm për mëshirën e paskajshme, që Fjala e mishëruar është në gjendje t’ia fjalë, po dhe t’i japë forcën e duhur që të ngadhënjejë mbi dobësitë e tij dhe të tjetrit: Lum njeriu të cilit i është shlyer faji / dhe i është falur mëkati (Ps 32, 1).
Mendimi i don Dominikut në këtë libër është i thellë dhe ngrihet mbi përvojën e jetës e të leximit të vëmendshëm; është i sinqertë dhe thuhet me një shqipe të natyrshme dhe me drejtpeshim. Kështu, thesarin e përvojës dhe të dijes së tij të fituar nga veprat e autorëve paraprakë, sidomos Biblës, e ndan me të tjerët për arsye se tjetri, si qenie – krijesë e dashurisë së Hyjit dhe si etje dhe ndihmesë për jetë, pa tjetrin është i pavlerë.
Gjithë ajo që thuhet në këtë vepër në formën e mendimeve të përmbledhura, sublime, qoftë kur bëhet fjalët për dashurinë ndaj Hyjit, qoftë për dashurinë e njeriut ndaj tjetrit, për të vërtetën dhe për lirinë e mendimit dhe të veprimit të njeriut, për nevojën e shenjtërimit të tij në jetën tokësor, ndërlidhet me hapjen e shtegut për jetën e përtej vdekjes, me jetën në shtëpinë e Hyjit dhe në kopshtin e prehjes së amshuar.
Kush dëshiron të kridhet dhe të mësojë thellësisht për këtë botë, leximi i këtij libri të dom Dominikut i hap një varg mundësish dhe e bind për vlerat dhe rëndësinë e shumëfishtë të asaj që thuhet në të.
Prishtinë, prill 2022
[1]- Përkthimin e mora nga Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017.
[2]- Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations, Anevdots, Edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA) 2000, f. 114. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e
Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 195.
[3]- Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 8.
[4]- Edward Le Joly, Madre Teresa e le Missionare della Carità. Lo Facciamo per Gesù. Famiglia Cristiana. Milano 2003, f. 109.
[5]- Mario Bertini, Sulle strade di Madre Teresa. 2° Edizione. Paoline. Milano 2003, f. 124
Comments