top of page

PËRSIATJE RRETH LIVADHIT...


PËRSIATJE RRETH LIVADHIT TË TRAUMAVE TË ODISE GREMOS



Titulli i librit nuk është një toponim që ka të bëjë me emërtimin e një livadhi, por një metaforë, sepse poezitë kanë një përmbajtje të tillë, ku vetë poeti është një shpirt i trazuar i kohës që jetojmë. Ndërsa zbret për një shëtitje drejt livadhit, ndjen se lulet nuk kanë atë freskinë e mëparshme si dikur në fëmijëri. Gjithça poetit i ngjanë me një spital tani që vitet e jetës së tij po zbresin drejt të gjashtëdhjetave:

“Bletët si infermiere u qëndrojnë luleve në kokë, Zogjtë sjellin vazhdimisht cicërima të plagosura,

Dielli bën grafinë e kockave të legenit në trupin ditës.

Të sëmurët rëndë i çon vdekja në spitalin e Zotit

Për një trajtim më të mirë.”

Dhe mes kësaj traume shpirtërore thërret:

“Me mua , me mua çdo të bëhet?

Unë rri pranë shtratit të një luleje,

Me frakturë në të dy krahët e shpresave.”

Pastaj si për ta qetësuar i vjen, ndoshta e dashura e harruar prej vitesh:

“Po ti moj zëmadhe pse më fole

Dhe pse erdhe në këtë livadh të traumave? Mora frymë frymën tënde

Dhe më fute në anestezi të përgjithshme.

Fjeta tre orë e treqind ditë…”

Humori, ironia, sarkazma janë tre elementët bazë që e bëjnë poezinë e Odisesë sa kuptimplote aq dhe tërheqëse.” Ne e dimë se s’mund të ketë gjeni poetik, veçse atëherë kur poeti nuk gënjen” thotë poeti i madh francez Pol Elyar në një ese. Të mos gënjesh sot do të thotë të jesh origjinal dhe dihet se nga origjinaliteti buron gjenialiteti. E, pra është ky sinqeritet poetik që e bën poezinë e këtij autori të vërtetë dhe burrërore.

Për të në jetë kanë vlerë gjërat e rëndësishme “Me gisht/ Ju tregoj një lule, por jo një varrezë”

Ai është një atdhetar që e do vendin dhe nuk mund të heshtë para padrejtësive historike, pavarësisht kostos që mori nga njerëz nacionalistë e të shitur. Megjithatë nuk dorëzohet dhe as kërkon të largohet nga “livadhi” i tij plot trauma. Madje edhe kur babai i vjen një natë në ëndërr në dasmën e tij dhe i kërkon që të shkojë bashkë me të në Parajsë:

“Martohesha unë, nusen ma solli nga qielli im atë,

Nisi të më bindte me një zë të ngrehur:

Do vish me ne të jetojmë atje lart,

Mjaft të lash të vuash në këtë tokë të qelbur.”

Por Odisea e mohoi dhe në ëndërr duke ju përgjigjur babait:

“Faleminderit, për të dashurën që më prure,

Keq më vjen që këtë herë s’të eci fjala,

Se jam i vendosur të mos tundem nga këto mure,

Do jetoj me varfërinë time, me minj, gjarpërinj e nuselala.”


Ndaj themi se ka të drejt profesor Fran Caraj në prezantimin që i bën njërit prej vëllimeve poetike para disa viteve kur shkruan se Odise Gremo shfaqet para lexuesve si autor i të kundërtave, i gëzimeve dhe hidhërimeve, i dashurive dhe urrejtjeve, i të mirave njerëzore në luftë kundër të këqijave, i të bukurës dhe të shëmtuarës, i të madhërishmes dhe të ultës, i besnikërisë bashkëshortore dhe i dorëzuar para bukurisë femërore, partizan i të vërtetës dhe luftëtar kundër gënjeshtrës, i ulur këmbëkryq në sofër mes njerëzve të thjeshtë dhe të mirë, por me shpat në dorë në bedenat e jetës kundër politikanëve të mbrapshtë e pushtetarëve të paskrupull, i drejtpërdrejt në vlerësime, por i ashpër edhe në mallkime.

Këto fjalë i shkojnë për bukuri krijimeve të Odisesë , ndaj dhe e përmendëm më lart. Do t’i besoni realisht edhe poetit të shquar francez që thotë se nuk mund të ketë gjeni poetik veçse atëherë kur poeti nuk gënjen. Në libër gjetjet poetike janë të shumta e të derdhura bujarisht në tema të larmishme. Në pamje të parë duket se nuk ka tema që nuk i interesojnë poetit. Gjërat e rëndomta nga e përditshmja i kthen në art. Dhe pyetjes që mund të shtrohet se ku e ka origjinalitetin Odise Gremo, unë do të thosha se tek ai ka rëndësi konteksi historiko-letrar dhe politiko-shoqëror, pra tek të gjitha ato që ka parë, përjetuar apo lexuar në bashkëkohësinë e tij. Prej këtij konteksi krejt të veçantë për të dhe vetëm për të, se tek të tjerë autor të Klubit tonë letrar të Krijuesve Jonianë, gjejmë shpesh tema të sajuara apo mediokritet, sepse konteksti nga burojnë tekstet e tilla janë krejt të pangjashme me ato të Odisesë. Këto tekste të pasura poetike që na ofron bujarisht poeti janë të larmishme, plot maja idesh origjinale dhe mesazhesh humane, ndaj ka relativisht më pak nëntekse, sepse poezia e Odisesë është e dukshme në thellësinë e saj, e kthjellët si sy i kaltër.


Dr. Bardhyl Maliqi

Sarandë më 3 Janar 2023





38 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page