top of page

PËRSIATJE NË ÇASTET KUR MË ISH AFRUAR VDEKJA




Në gusht të këtij viti, vitit 2023, në moshën 86-vjeçare, pata një krizë të rëndë. Aq të rëndë, sa mendova që, me kaq do ta mbyllja jetën time (biologjike). Nuk pata frikë. Nuk jam njeri që mburrem, por, në këtë rast po e shoh të përvajshme për ta thënë.

E kam filluar veprimtarinë patriotike, legale dhe ilegale, qysh 22 vjeç. Kam provuar zyrat e UDB-së jugosllave dhe, kuptohet, kërcënimet, në format që, rrallëkush, si spiunazhi sërb dinte dhe di t’i përdorë. Kam provuar kalimin e kufirit jugosllavo-shqiptar (me mision të veçantë), të thuash, përmes tytavet të rojavet të tyre kufitare.

Këtu, në Republikën e Shqipërisë, kam pasur sërish një jetë plot me ngjarje e situata të ndryshme.

* * *

...Lindëm dhe rritëm 5 fëmijë. Të pestë kanë kryer arsim të lartë, gjë që, me dy rroga mësuesish s’ish punë e lehtë. Por, falë sistemit, në të cilin jetonim, ku shkollimi ish falas, arritëm ta kryenim këtë detyrë familjare me rezultat të kënaqshëm.

Qeshë bërë mësues i gjuhës shqipe e i letërsisë dhe i pata dhënë këto lëndë plot 25 vjet, gjithnjë duke u munduar të mos jem thjeshtë një mësimdhënës.

Nga viti 1993 e këndej, u mora intensivisht me krijimtari shkencore në fushat e filologjisë, si dhe me krijimtari artistike. Arrita t’i botoj rreth 15 libra, duke lënë edhe aq në dorëshkrime “hallakatur” nëpër dosje andej e këndej.

Lidhur me të gjithë këtë gamë ngjarjesh, në çastet kur e sheh se po i mbyllet jeta biologjike, është e pamundur që njeriu të mos ketë pengje. Pengje në jetën personale (sa keq u solla në njerin apo tjetrin rast! Si nuk arrita t’i kryeja më mirë disa punë në shërbim të familjes?!) Pengje në veprimtarinë shoqërore. Në rastin tim, sidomos në veprimtarinë kombëtare.

...Midis tjerash, jam autor dhe i një platform me titull “Përkujdesja Gjithshqiptare”, qëllimi i së cilës është i realizueshëm vetëm përmes Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe. Ky është dhe mbetet pengu më i madh i jetës sime. E hartova projektin, e botova, por nuk arrita të shoh zbatimin e tij, qoftë edhe një shembull të vetëm në formë eksperimenti. E kam publikuar këtë platform, në më shumë se 600 faqe, kryesisht te portali “pashtriku.org”, nën kujdesin e atdhetarit të dëshmuar dhe mikut tim, Sheradin Berisha, por dhe në organe të tjera, revistë-portalin “fjalaelire.com”, “bota sot”, “darsi.com”, “zemra shqiptare”, te revista “Emathia”, gazeta “Mati”, kudo ku ka qënë e mundur të shprehen të këtillë mendime.

Në të vërtetë, platforma ime s’është tjetër veçse një përpjekje për ta materializuar, dmth për ta institucionalizuar një thirrje të Pashko Vasë Shkodranit këtu e 140 vjet më parë. Në atë kohë, Pashko Vasa pat thënë: “Mos shikoni kisha e xhamija, / Feja e shqiptarit ásht Shqyptraija!”

Arsyetimi krejt i thjeshtë, që njeriut i vjen në mendje këtë rast, është ky: Kishat quhen ndërtesa, në të cilat mblidhen besimtarët e krishterë, e pakta një herë në javë, zakonisht të dielën, dhe, pasi marrin pjesë në një ceremoni, dëgjojnë atje edhe fjalët e predikuesvet, i luten Zotit të tyre, Perendisë, në të cilën ata besojnë dhe shpërndahen për t’u mbledhur sërish pas një jave...

Xhamitë gjithashtu janë ndërtesa, ku besimtarët myslimanë mblidhen e pakta një herë në javë, zakonisht ditën e premte. Po Feja e shqiptarit që është shqiptaría, a i ka krijuar vendgrumbullimet e ithtarëvet të vet, vendtakimet e besimtarëvet të vet?!

Po bëhen 150 vjet qyshkur është proklamuar kjo fé e ne ende nuk i kemi krijuar vendgrumbullimet, vendtubimet e ithtarëvet të kësaj feje! Do të ketë këtu gjithfarë filozofësh e pseudofilozofësh, që do të kërkojnë apo gjejnë, pa i kërkuar fare, lloj-lloj kleçkash, mbështetur që të gjitha në pseudoarsyetime. Por e vërteta mbetet gjithmonë po ajo: Idetë e Pashko Vasës, porosia e Pashko Vasës, por edhe të rilindasvet të tjerë, të njejtën ide, shprehur në forma e variante të ndryshëm, ne, pasardhësit e tyre, nuk e kemi zbatuar. Madje, mund të them lirshëm, nuk e kemi lodhur kryet fare, as për t’i përmendur e lé má për t’i analizuar ato ide.

Rezultati është një rezultat i mirëfilltë mjeranësh. Kudo ku nuk ka vepruar institucionalisht fjala shqipe, edukimi i masës së shqiptarëvet në gjuhën shqipe, shkollimi në gjuhën shqipe, mbajtja e administratës vendore në gjuhën shqipe, shqiptarët janë tjetërsuar, vajtimisht dhe tragjikisht.

Krahina e Sanxhakut dhe Rozhaja, madje deri në Plavën e lavdishme, truallin që pat lindur qindra heronj të kombit shqiptar, e mbuloi boshnjakishtja, një variant i gjuhës sllave, të cilën e përdorin hoxhallarët në xhamitë e tyre.

Qytetin dhe rrethinat e Tivarit... (nuk po flas për Podgoricën, ku rol të veçantë, rol të dorës së parë, ka politka prosllave e Londrës). Pra, qytetin dhe rrethinën e Tivarit, me ndihmën edhe të Vatikanit, brenda gjysëm shekulli e mbuloi dhe e përmbyti sllavishtja. Katolikët mësuan t’i luten Zotit sllavisht dhe u rregjistruam malazias apo kroatë. Madje disa prej tyre, shqiptarët, të asaj krahine, u rregjistruan edhe sërbë. Edhe myslimanët shqiptarë të Tivarit mësuan t’i luten Zotit sllavisht dhe u rregjistruan, ose thjeshtë myslimanë, ose boshnjakë (Bosanci). Ç’e solli Bosnjën në Tivar, qindra kilometra larg që këndej?! E sollëm ne shqiptarët, pasardhës të padenjë të Pashko Vasës dhe rilindësvet të tjerë!

Nëse do të kishim institucionalizuar postulatin “Feja e shqyptarit është shqyptaria” dhe zbatuar kudo ku kish shqiptarë, në asnjërin prej këtyre vendeve nuk do të kish ndodhur sllavizimi i shqiptarëvet.

...Në atë gjysmë të Shqipërisë Jugore, që Europa ia fali shtetit grek në vitet 1913 e këndej, gjendja është edhe më tragjike se në pjesët që iu dhanë Jugosllavisë. Në këto hapsira të Shqipërisë Jugore, në krye të herës u dhunua barbarisht pjesa myslimane e shqiptarëvet. Disa mijëra u vranë e u masakruan, disa dhjetra mijë u dëbuan për në Turqi, ose, një pjesë që mezi mbetën gjallë, arritën të strehohen në shtetin shqiptar.

Me pjesën ortodokse të shqiptarëvet të kësaj gjysme të Shqipërisë Jugore, pushtuesit grekë vepruan ndryshe. Ata përdorën Kishën greke për asgjësimin tonë, shpirtëror dhe kulturor. Pikërisht këtu na vjen në shteg përsëri thënia lapidare e Pashko Vasës:

Mos shikjoni kisha e xhamija,

Feja e shqyptarit ásht shqyptarija!

Ndërsa në Sanxhak, Rozhajë e deri në Plavë, shqiptarët na i boshnjakëzoi xhamia, në Shqipërinë Jugore, në atë pjesë që Fuqitë e Mëdha ia patën dhuruar shtetit grek, shqiptarët na i greqizoi kisha. Pse?! Sepse shqiptarët nuk e institucionalizuan Fenë e Shqiptarit. Atë fé që na rekomandoi Pashko Vasa, me aq ngulm, qysh në vitin 1881! (Të mos harrojmë që Pashko Vasa ish i pajisur me kulturë evropiane si rrallë ndonjë shqiptar tjetër i asaj kohe!)

Megjithëkëtë, nuk po i vemë faj askujt. Ndodhi ashtu, sepse na erdhën punët. Por tash, 150 vjet mbasi Pashko Vasa e formuloi atë postulat, si të vetmin shpëtim për kombin tonë, a na falet të mos e përfillim?!

Po marr si shembull edhe shqiptarët që rrethanat historike i çuan të jetojnë në Turqi. Nuk janë pak. Janë me miliona. Por nuk u është krijuar asnjë mundësi për t’i ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar gjuhën shqipe, folklorin, historinë. Xhamia, ajo për të cilën Pashko Vasa (pa e veçuar nga kisha, por duke i bashkërenditur të dyja), u thotë shqiptarëvet të mos e shikojnë, sepse ashtu si kombin tiparet e vet të ekzistencës bëri që shqiptarët e atjeshëm të turqizohen.

Edhe popujt, kombet e tjerë, janë larguar prej vendevet të vet. Por shumë prej tyre i kanë ruajtur gjuhën dhe traditat, edhe atje ku kanë shkuar. Po marr si shembull anglezët. Në Amerikën Veriore, në Australi, në Zelandën e Re, në Afrikën Jugore, gjithkund ato kanë mbetur anglezë.

Edhe vetë ne, si arbër e si shqiptarë, e kemi një shembull të shkëlqyer të vetëruajtjes, që janë arbëreshët e Italisë Jugore. Ata i kultivuan gjuhën dhe kulturën tonë, madje, në disa aspekte, më mirë edhe se vetë ne, që nuk u shpërngulëm. I kultivuan në radhë të parë në kishë, në të cilën feja predikohej në gjuhën arbërishte.

Pos gjithë këtyre, a nuk është e arsyeshme të mendojmë, në mënyrë më të thelluar, lidhur me postulatin që na e ka lënë amanet Pashko Vasa: “Feja e shqyptarit ásht shqyptarija”? T’i hyjmë punës dhe të gjejmë rrugët, por të vemë në jetë paraprakisht atë postulat, duke thënë: Më mirë vonë se kurrë!

As në të kaluarën, para Rilindjes sonë të shekullit XIX, ne, si etní, nuk kemi pasur kujdes ndaj vetëvetes. Le të sjellim në mendje dhe le të analizojmë vetëm periudhën nga shekulli VII e këndej. Në fillim të shekullit VII, me dekret të Perandorit Irakli, i cili nuk ishte grek, por armen, u lejuan sllavët të vendoseshin në Jug të lumenjvet Sava dhe Danub. Krejt ajo hapsirë, nga Tergeste (Trijeshte) deri në brigjet e lumit Morava, ishte e banuar me popullsi ilire. Vërtetë të rralluar nga inkursionet e barbarëvet, por gjithwsesi shumicën e përbënim ne, dhe kjo dëshmohet nga fakti që sllavët u vendosën, jo në krejt territorin, por nëpër enklava, të quajtura skllavini.

Si ndodhi që, ato enklava, me kalimin e kohës, të bëheshin mbizotëruese, aq sa krejt ato hapsira të sllavizoheshin?!

Përfundimisht, kush ua pati fajin atyre qindra mijë ilirëve, që u sllavizuan?! Përfundimisht, fajin e patën vetë ata, të parët tanë, që nuk ditën të kujdesen për gjuhën e vet. Dhe prandaj, sot, po flasin sllavisht dhe po mburren se janë sllavë të gjithë ata popuj, nga Morava deri në Trieshte. Midis tyre, edhe shqiptarvrasësi i tërbuar, kral Alenksandar Karagjorgjeviq, me rrënjë nga Kelmendi ynë.

Unë nuk dua dhe s’kam arsye të mburrem, se jam ndonjë shqiptar i veçantë, i ndryshëm nga bashkëkombasit e mi. Por më ndodhi që e vrava mendjen për këtë problem dhe ia dola që ta gjej e ta formuloj mënyrën se si mund të vihet në jetë ai postulat i rilindësvet tanë, mbetur pa u realizuar në pothuaj një shekull e gjysmë.

Është një proces i natyrshëm i të menduarit. Kushdo që do t’u hynte analizavet të këtij problemi, përmbledhur në shprehjen Feja e shqyptarit ásht shqyptarija, dua të them, problemit që e kanë trajtuar dhe shtruar për zgjidhje rilindasit tanë, do të arrinte në të njejtin përfundim.

Veç tjerash, unë kam shkruar te “Përkujdesja” domosdonë e krijimit të fjalëmiravet të gjuhës shqipe. Nuk është një shpikje. Është thjeshtë kompilim i mënyrës që njerëzimi e ka parashikuar mijëra vjet para nesh. Krishtërimi, pothuaj 2000 vjet, Islamizmi rreth 1400 vjet.

Në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe, me autor Kolec Topallin, kompiloj do të thotë “hartoj një punim duke marrë të dhëna të gatshme”. Kështu, unë, duke hartuar projektin e Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, kam marrë shembull pikërisht te Kisha dhe Xhamia. Kishat janë objekte, në të cilat predikohet krishtërimi. Xhamitë janë objekte, në të cilët predikohet e praktikohet islamizmi.

Pashko Vasa, vërtetë thotë “Mos shikoni kisha e xhamia”, por nuk thotë “Mos merrni shembull prej tyre”, sepse, mu në vargun pauses, ai ka proklamuar se “Feja e shqyptarit ásht shqyptaria!” Pra, edhe kjo është një fé, të cilën ithtarët e saj, pra shqiptarët, duhet ta praktikojnë ashtu siç praktikohen të gjitha fetë.

Fjala thuhet se ka ardhur në shqip nga latinishtja fedis, me kuptimin besim. Dallimi i vetëm është se FEJA E SHQIPTARËVET është çliruar nga besimi në një fuqi të mbinatyrshme dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia, sepse njerëzit janë mësuar ta lidhin fenë me konceptin mitik të një fuqie jashtëtoksore. Por, në e kish vështirë ta kuptonte Pashko Vasën shqiptari shekullit XIX, shqiptari i shekullit XXI nuk duhet ta ketë vështirë për ta kuptuar.

Mbështetur pikërisht në këto që thashë deri këtu, unë mendova që duhet të ketë ardhur tashmë koha që shqiptarët të krijojnë më në fund Institucionin e nderuar, jo vetëm prej Pashko Vasës, por prej një shumice rilindësish, si dhe pararilindësish.

Po marr shembull vetëm at Gjergj Fishtën. Te “Lahuta e Malcisë” heronjtë e asaj vepre janë kryesisht shqiptarë të besimit mysliman, filluar nga Oso Kuka e Ali pashë Gucia. Në krahun tjetër, të gjithë e dimë (duhet ta dimë) që jo pak shqiptarë ortodoksë të Jugut tonë i ka vrarë greku, pikërisht sepse nuk deshën të greqizoheshin. Deshën të mbeten shqiptarë, vëllezër e bashkëkombas me pjesën tonë myslimane, si dhe me pjesën katolike.

Nuk është aspak e rastit që, në Qeverinë e Vlorës të vitit 1912, u përfaqësuan të tre besimet. Në kohën e Enver Hoxhës, këtu në Republikën e Shqipërisë, u tentua të bëhej një lloj “plugimi” në drejtim të fevet, por, fill pas rrëzimit të regjimit komunist, rezultoi që këtu u derdhën shuma të mëdha parashë për të rivënë në punë kishat e xhamitë ekzistuese, si dhe për të ndërtuar sa më shumë kisha të reja dhe xhami të reja. Por këtu nuk është fjala për qëndrimin që kanë komunistët ndaj fevet. Këtu e kam fjalën për atë kërkesë që është shtruar para shqiptarëvet qysh në shekullin XIX dhe që vinte si domosdoshmëri para kombit tonë, jo më kot, por sepse të tilla i kishim pasur rrethanat si komb shekull pas shekulli. Aq sa vetë familja e Kastriotëve detyrohej të ndërronte besimin, herë Lindor e herë Perëndimor.

Kështu, në fillimet e shekullit XXI, unë mendova se ka ardhur koha të rishtrohet ky problem dhe t’i jepet një rrugëzgjidhje praktike thënies lapidare të Pashko Vasës: “Feja e shqyptarit ásht shqyptaria!”.

Si mund të veprohet, që kjo nismë të vihet në jetë duke ndërtuar e vënë në punë një numër Fjalëmirash të Gjuhës Shqipe? Nëse djemtë tanë, që janë sot në pushtet në viset ku jetojnë shqiptarët, do të njiheshin me këtë platformw dhe, natyrisht, nëse do të miratonin, secili prej tyre do të mund të hynte në historinë e këtij kombi si figura më e ndritur, e pakta në 1000 vjetët e ardhshëm.

Kështu, Albin Kurti, nëse do të ndërtonte nja 10 a 15 Fjalëmira nëpër krahinat e Republikës së Kosovës, jo me shpenzimet e shtetit, por duke nxitur e organizuar biznesmenë të ndryshëm, do të mbetej i përjetshëm në historinë e kombit shqiptar.

Të njejtën punë do të mund të bënte Ali Ahmeti midis shqiptarëvet në Republikën e Maqedonisë Veriore. Unë kam konsideratë për politikanin atdhetar, Ali Ahmeti, sepse, falë një libri dyvëllimësh të patriotëvet Sejdi Gega e Fazli Veliu, e njoh punën e tij qysh në Zvicër e vende të tjera të Evropës Perendimore e derisa u vu në krye dhe udhëhoqi, si politikan elastik dhe i shkathët, Ushtrinë Çlirimtare të shqiptarëve në Maqedoni. Por, në qoftë se ai do ta merrte përsipër të udhëheqë ndërtimin e disa Fjalëmirave të Gjuhës Shqipe, në ato hapsira tonat, emri i tij do të bëhej i përjetshëm në historinë e kombit shqiptar.

Gjithëkështu, të njejtën punë do të mund të bënte dhe Ed Rama këtu në Republikën e Shqipërisë. Ta lexonte dhe të njihej me platformën time, ashtu siç po lexon dhe po njihet me disa veprimtarë të tjerë të Kombit, (madje, me ndonjërin prej tyre po bën intervista të veçanta) dhe të angazhohej që, të paktën në disa komuna të ndërtohej një numër Fjalëmirash, sa për të parë se cili do të ishte efekti i tyre.

* * *

...I kalova të gjitha këto nëpër mendje, në orët kur po mendoja se ishin çastet e fundit të jetës sime dhe më erdhi keq, jo se po vdisja, por sepse platforma e Përkujdesjes Gjithshqiptare dhe e Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, po më mbetej jo vetëm pa u vënë në jetë, por dhe pa u lexuar, pikërisht prej atyre që do të duhej ta lexonin.

* * *

Falë ndërhyrjes shumë profesionale të personelit mjekësor, në spitalin e Durrësit, u bë e mundur që të rikthehesha edhe një herë në jetë. Më vjen mirë që ndodhi kështu, midis tjerash, edhe për ta risjellë në mendje këtë projekt aq jetik për kombin tonë.

Më vjen mirë që po mund të ritheksoj, edhe në këso rrethanash, këtë problem të madh të kombit tonë, por shpresat e mia përsëri mbeten të vakta, qoftë edhe për arsyen fare të kuptueshme, se “Përkujdesja Gjithshqiptare” nuk është dhe nuk mund të jetë Shoqatë, ashtu si nuk janë Shoqata Krishtërimi, Islamizmi, apo edhe Budizmi.

* * *

Në fund, për ta rikujtuar edhe një herë thelbin e asaj që parashtrova këtu, le t’ia bëjmë apo ribëjmë vetes disa pyetje. Në këtë kohë relativisht të vogël kohe, nga Lufta e Dytë Botrore e këndej: Pse u boshnjakizuan Sanxhaku, Rozhaja dhe Plava? Pse u shndërruan në malazias, në kroatë, në boshnjakë e madje edhe në serbë, shqiptarët e Tivarit me rrethinë? Pse e braktisën shqiptarët Mitrovicën Veriore dhe lejuan që ajo të popullohej me serbë?! Pse u greqizuan disa qindra mijë arvanitë dhe shqiptarë të Shqipërisë Jugore? Pse u turqizuan disa miliona shqiptarë, që rrethanat historike i çuan për të jetuar në shtetin turk dhe nuk u turqizuan as grekët, as hebrejtë që jetojnë po në atë shtet?


Pjezë, shtator-tetor 2023

29 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page