top of page

Përsiatje mbi poezinë “Pa titull” të Fatmir Terziut


KUR POEZIA VJEN NGA BRENDA TEJE

Përsiatje mbi poezinë “Pa titull” të Fatmir Terziut.


Nga Timo Mërkuri

Ditën e sotme Fatmir Terziu publikoi në faqen e tij të fb poezinë e titulluar “Pa titull”, poezi që më tërhoqi vëmëndjen edhe për faktin se, sipas vetë poezisë, autori e kishte marrë frymëzimin nga qyteti im, ndonëse dallga poetike kishte lagur me stërkala edhe vende të tjera. Që frymëzimin autori e kishte marrë nga qyteti i Sarandës, kjo duket qysh në strofën e parë, por ajo që më bëri përshtypje është se poeti ka një tjetër këndvështrim për qytetin, tejë të zakonëshmes poetike.


I-Zakonisht kur shkruajnë për Sarandën, poetët e ndryshëm e personifikojnë me një vajzë bukuroshe që loz me stërkala, madje nuk kanë munguar as cilësomet si qytet i dalur nga stërkalat e detit, si vetë Afërdita, tempullin e së cilës gjatë antikitetit qyteti e kishte në breg të detit. Që ta prezantosh Sarandën si një Afërditës është më se e natyrëshme për vetë bukuritë natyrore dhe resurset urbane të saj, për natyrën plot diell dhe motin “pa” dimër.

Poeti i është shmangur qëllimisht kësaj tablloje afërditiane dhe na jep një Sarandë tjetër, të trishtuar si një plakë që falet te kisha e Shën Harallambit ditën e diel. “Saranda falet/Saranda falet” thekson autori, madje këtë e citon dy herë. Ky citim nuk është ndonjë klithmë “zbulimi” për ndonjë devotshmëri fetare, por në fakt është një pëshpërimë që me pahir e kalon pragun e buzëve, si ato pëshpërima që këmi dëgjuar në ato mote në shtëpitë tona, kur gjyshet duke sfiduar ateizmin shtetëror, ofronin veten për martirizim, duke hedhur lutjet si ura mes nesh dhe perëndisë. Duhej heshtur gjatë këtyre lutjeve që të dëgjonte perëndia, ta kuptonte hallin tonë dhe të na ndihmonte. Duhej heshtur edhe që të mos dëgjonte as komshia dhe as ndonjë kalimtar i rastit poshtë dritares sonë, sepse kishim dëgjuar për kalimtarë që nuk ishin dhe aqë të rastit

Në shtëpinë tonë vetëm gjyshja lutej, madje babai për të mos i nxjerrë telashe “shtëpisë” sonë, ikonës me portretin e Shën Gjergjit (mbi kalë dhe me heshtë në dorë duke vrarë kuçedrën) nga ana e pasme i kishte vënë një pikturë të Skënderbeut, dhe ai mbi kal, tek sulmonte turqit. Të dyja fotot, pasi i kishte vënë me shpinë nga njera tjetra, i kishte vënë në mes të dy xhamave dhe në këtë mënyrë konizma që tregontë nga njera anë Shën Gjergjin, të cilit aq shumë i lutej gjyshja ime. mjafton ta ktheje mbrapsh dhe të tregonte Gjergj Kastriotin që e donte babai. Gjyshja e shkretë që kishte probleme me shikimin, nuk e dallonte dot Shën Gjergjin nga Gjergj Kastrioti kështu që i lutej kujdo “shenjti” që të dukej, shënjti i perëndisë apo shenjti i Shqipërisë.

Qyteti i Sarandës përbëhet nga popullsi e besimit ortodoks, po aq dhe nga popullsi e besimit mysliman, që në fakt ishte popullsi kryesisht çame, por ajo që ishte karakteristike para vitit 1967 ishte fakti se gjithë të rinjtë e të rejat çamë vinin në kishë dhe ndiznin qirinj, madje pa asnjë pengesë nga familjet e tyre.Vinin në shtëpitë tona në Pashkë dhe mirnin vezë të kuqe e i çukisnin me ne, ndërsa ne fëmijët ortodoksë ngopeshim me bakllava në shtëpitë çame në Bajram.

II- Qyteti i Sarandës e ka ritualin e “faljes” qysh në origjinën e emrit të tij. Sarandë do të thotë “dyzetë”, që lidhet me 40 ushtarë kristianë, të cilët i përkisnin Legjionit 12-të “Rrufeja” dhe u martirizuan në ujrat e ngrira të liqenit nga përndjekësi Agrikola sepse refuzuan urdhërin për të mohuar besimin kristian. Kjo ndodhi në 9 mars të vitit 320.

Duke qënë se Manastiri i Dyzet Shënjtorëve në kodrën Qafë Gjashtë (ndërtuar ne shek. VI) është pikë zotëruese e qytetit dhe duket së largu nga deti, qyteti mori emrin e njëjtë me Manastirin. Madje dhe në italisht emri i qytetit quhet Santa Quaranta (Dyzet shëntorët), përkundër Ajo Saranda që shqiptohet greqisht.

Vetkuptohet që manastiret janë vende lutjesh dhe përkushtimi dhe gjatë ritualit të lutjes ortodoksët bëjnë kryqin me tre gishta të bashkuar duke prekur me përvujtshëmri ballin, barkun dhe më pas dy krahët. Simbolika e kryqit ka qënë dhe është e dukëshme në qytetin dhe jetën tonë, ndaj dhe poeti, duke ju ftuar për heshtje në respekt të ritualit thotë: “Saranda bën kryq/ Saranda bën kryq”, për të vazhduar më pas; “Lëkurrësi lutet / Lëkurrësi lutet”.

Tre pikat kryesore [Saranda (Qyteti), Manastiri dhe Lëkurësi] janë në një unitet shpirtëror: ”luten”, “falen” dhe “bëjnë kryq” duke dëshmuar shpirtin paqësor të banorëve të këtij “trekëndëshi”urban, ndonëse në këmbët e tyre “Joni dehet/ Joni pi sa s’bëhet” se : “Dallga e tij ka tërhequr zvarë anijen/ dallga ka humbur vetëdijen” dhe: “Stërkala godet guralecët/stërkala tretet … nuk ecën”.


III-Në Sarandë “Joni pi e dehet” me legjendat e shumta të qytetit, me Poseidonin, diku mes qytetit dhe Korfuzit, me Kodrat e Hermesit mbi qytetin e Sarandës, me Enea Trojanin dhe babain e tij, Ankizmin vdekur e varosur diku këtu, me tempullin e Afërditës dhe tempullin e Diellit, ku është ngritur kështjella e Lëkurësit, me Panin e dehur ne Butrint dhe Amazonat (moniviset) në fushën e Kestrinës (Vrinës). A mnois doni tju them se Zeusi ka lindur në Palavli (avllinë e vjetër) dhe Kroni qëndronte te mali i Kronjit, prej nga e shihte Bistrica me Syrin e saj të Kaltër. Nuk do ndonjë qytet tjetër në vend që të ketë një dendësi kaq të madhe legjendash e mitesh, ndaj dhe “Joni pi e dehet/ ndonjeherë ai godet brigjet” se “dallga e tij ka humbur vetëdijen” dhe “Stërkala godet guralecët/stërkala tretet … nuk ecën” se është e pafuqishme ti bëjë keq kësaj butësie shënjtërie shpirtërore ku “Vurgu lutet për shpirtin që thahet/se Bistrica ka djegur trupin” jo vetëm nga vapa.

Poeti është diku këtu : “Dhe ne shënojmë të mbushim Historinë përmes kësaj stuhie” shpalos synimin apo objektivin e tij qytetar dhe intelektual, por gjithsesi : ”dhe ne lutemi të jemi të mbështjellë në krahët e strukur/dhe ne lutemi/dhe ne lutemi”, “gjëmojnë” këto vargje me një pëshpërimë .

“Jam me Shenjtorët dhe jam në gjunjë/pena dhe letra janë pranë meje/dhe ne lutemi/dhe ne shkruajmë” deklamon poeti qetësisht, por kjo qetësi ka diçka ëngjëllore, sepse ka praninë e shenjtorëve të cilët shkruanin e luteshin dhe ata, si poeti. Më me elegancë, më me finesë nuk mund ta shënjtëroje misonin e poetit Fatmir Terziu, ndaj dhe unë shkruaj për ty e lutem dhe për ty.

IV-Lind një pyetje në këtë poezi të Fatmir Terziut, ai nuk ndodhet në Sarandë këto ditë që ka derdhur shpirtërisht këtë poezi: si i erdhi frymëzimi për ‘të, madje një frymëzim i adresuar dhe jo i përgjithshëm.

Që Fatmir Terziu është i lidhur me Sarandën shpirtërisht, kjo është një gjë që dihet nga shumë veta. Ai ka qënë i pranishëm për disa vite rresht në Manifestimet tona Poetike të “Triremës Joniane”, madje tepër aktiv aq sa Shoqata jonë e ka vlerësuar me “Pendën e Artë” në vitin 2015 dhe me “Kurorën e Artë” me gjethe dafine në vitin 2016, Bashkia Sarandë i ka dhënë dy herë “Çertifikatën e Mirënjohjes”, poetët e shkrimtarët e Sarandës kanë shkruar për veprat e tij dhe për atë vetë ashtu si dhe ai ka shkruar për krijuesit saranditë me dhjetra artikuj. Për qytetin e Sarandës Fatmir Terziu shpesh herë ka botuar cikle poetike te fjalaelire dhe Albania Post, por vërejtur prej meje, këto krijime e kanë patur gjithmon një shtysë apo frymëzim gjatë një vizite të afërt me qytetin apo takim me ne krijuesit e Klubit të Krijuesve Jonianë.

Këtë herë kemi një dallim të dukshëm, vizita e tij e fundit shënon disa vite, kohë e mjëftueshme për t’u “ftohur” frymëzimi i momentit. Ajo që duhet vënë në dukje është këndvështrimi i tij në këtë poezi, një këndvështrim i një tjetër lloji, tepër shpirtëror, tepër “ortodoks”, si një mall, si një brengë, si një dashuri e “humbur”, diku në kohë dhe hapësirë.

Frymëzimi i poetit nuk është statik, i çastit, nuk është si “barut” i thatë që ndizet menjëherë posa poeti mer në dorë penën. Ka dhe një lloj tjetër frymëzimi që hyn në shpirtin e poetit dhe “fle”, madje mund të “flejë” për një kohë të gjatë, aq të gjatë sa dhe vetë poeti ta ketë haruar. Ndërkohë që “fle” ai jeton, pra rritet dhe duke u rritur kërkon më shumë hapësirë, kërkon ajër dhe dritë dhe kur nuk i gjen aty ku është duke “fjetur”, ai shpërthen në një moment. Është si procesi i lindjes së fëmijës, është si procesi i shpërthimit të vullkaneve, veçse këtu kemi të bëjmë me një tip “vullkani nënujor” që krijon dallgë dhe “godet brigjet” si një i dehur.

Është malli dhe dashuria e mbajtur nga poeti në shpirt për vite me rradhë, e shtypur nën trysninë e vetë, e shndruar në diamant poezie brenda shpirtit, e nxjerrë sot në dritë për ne, thjeshtë që ta dimë.

Ja që ne e kemi ditur gjithmon, se zemra e ndjen zemrën dhe në distancë, sidomos kur është zemër poeti.


Sarandë, më 17 gusht 2022

27 views12 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page