top of page

Përshtypja e parë që le kopertina...


Pak histori letrare me rastin e 1 Qershorit: Përshtypja e parë që le kopertina mendon se ky libër është për fëmijë të kopshtit, ose në fillore; Lajthitje e piktores Safo Marko. Ky libër me 165 faqe, me 6 tregime e 2 novela, janë të llojit Letërsi Animalistike për adoleshentë e të rritur, rast i vetëm në Letërsinë Shqiptare. Asokohe, kur u botua ky libër, flitej për Bubin Kaçurel dhe për novelën Jurkani, që ishin tjetër gjë. Kritikët e letërsisë shqiptare e R. S. "lodronin e përkëdhelnin Bubin Kaçurel dhe i vinin grada ushtarake Jurkanit që kapte shkelësit e kufirit..." Rapon, mushkë personazhe e novelës Xanxarje e Gramozit, që i përgjigjej dhunës me shkelmime, njëlloj dhe Vovin, personazhin qen i njërës novelë të këtij libri, kritikët e letërsisë i shikonin vëngër. Ja pse: ndryshe nga Bubeshkat e Qentë e kufirit, Vovi, pjellë e kryqëzimit të langores me qen stani, gërmonte tunele nën gardhin rrethues të parkut të bletëve për të fituar lirinë...Megjithatë, ky libër u nderua me Çmimin e Dytë të Republikës dhe deri në v. 2005 rekomandohej në shkollat 8 vjeçare për mësim jashtë klase. Nuk është i larushitur me "ideale komuniste", nuk ka personazhe partiakë e as pionierë me shall të kuq, porse ka çunakë flokëpakrehur fshati, mëllenja, mace, thëllëza, qen, mushkë xanxare, etj. kafshë të egra e të domestikuara në mardhënie me njerëzit. Personazhet kafshë te këtij libri nuk flasin, por veprojnë me instinktet e tyre për të mbijetuar e përshtatur në mardhënie me njerëzit.

Asokohe kisha lexuar tregime animalistike nga Xh. London e ndonjë tjetër shkrimtar i huaj, si për shembull "Mustangu që vraponte linkthi," (nuk më kujtohet emri i autorit tani.) I përmenda këto libra e këto lloj tregimesh nga të shkrimtarëve të huaj, që lexohen me endje edhe sot nga adoleshentë e të rritur, sepse që Atëherë mendova "edhe unë mund të shkruaj të tilla tregime e novela" mbasi jam i ngjizur me përjetime për to.

Tre tregime animalistike janë edhe në librin e parë, me titull, Shtëpia e Përgjumur, sh. b. N. Frashëri, 1977, tregimi Balashi, Unë djali i rritur mes pyjeve dhe Duke kërkuar manarin.

E ja kështu, mbase këtë sqaresë po e lexojnë dashamirësit e mi që kanë marë pjesë në promovimin e këtij libri në Sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve Tiranë, e pastaj edhe në Pallatin e Kulturës Korçë në vjeshtën e v. 1987...

Që atëherë ka rrjedhur goxha kohë, mjaft aspekte kanë mbetur në harresë, por që edhe duhen rizgjuar për të vërtetuar se Klanet Letrare kanë egzistuar edhe atëherë dhe kush shfaqte Talentin i vinin Sinorin deri atje ku e kishte caktuar Partia. Dikush, (nuk po ia përmend emrin, që edhe pas çerek shekulli Klani Socrealist e mban për Patriark të Letërsisë për Fëmijë,) duke qenë kryetar i Komisionit të Letërsisë për Fëmijë në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës,) këmbënguli gjersa e hoqi këtë libërt nga lista e Leximeve Jashtë Klase. Ai që ma tha këtë, shkrimtar i dëgjuar, më la të kuptoj se edhe se u shemb sistemi komunist, Lufta me Bryla do të vazhdonte edhe më pas, paçka se unë kisha ikur aq larg, Kaptuar një Oqean, dhe pandehja se shpëtova dhe Brylat nuk do më godisnin ...E ç'ë pastaj, thotë ky që e ka shkruar këtë libër. Të tjerat janë pandehma që bluan sikush në mendje, edhe nga kolegët e mi krijues të të njëjtit brez, për opsione optimiste... Por dhe opsionet, optimiste tani po dalin nga moda dhe kjo është shenjë edhe e Mjerimit të Letërsisë. ..Para disa viteve më gudulisi trurin mendimi optimist që këtë libër mirë do ishte ta retushoja sadopak dhe ta ribotoja, sepse asaj moshe i jam shumë borxhli, porse ndrova mendje kur pashë se tirazhi ishte 4. 000 kopje dhe për fat ky libër shpëtoi pa u grirë e bërë karton...

55 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page