top of page

PËRPJEKJE, PËR HISTORIKUN E SHËRBIMIT MJEKSOR NË VLORË



Nga Luan Çipi

Siç dihet në rrjedhën e historisë, Vlora, ka njohur shumë pushtues. Ata, hiç, apo fare pak, janë kujdesur për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të popullsisë së saj. Megjithëse e kishin detyrë shtetërore, përkujdesjen shëndetësore edhe në territoret e banuara me Shqiptarë, vetëm në vitin 1850, Instituti Administrativ i Shëndetësisë të Perandorisë Turke, dërgon mjekë në teren, që njëkohësisht nisën të kujdesen dhe për popullatën vendase.

Dr. Dervish Ibrahim Mahmuti ishte i pari mjek, i lindur në Vlorë dhe që kujtohet se punoi në qytetin e vet, pasi mbaron fakultetin e mjekësisë në Stamboll.

Mjekë të tjerë të huaj apo vendas, që kanë punuar në Vlorë para Pavarësisë dhe fill pas saj, janë: Nikola Francisko, Niko Milo, Llambi Cukali, Epaminonda Koleka, Auerback (Austriak), Theodhori Lluka, Tasim Peshkëpia, Spiro Papakristo, Nasho Qirko, Eleni Andruci, Asllan Merlika, Natalia Myrzabeg, Kostandin Kauri.

Spitali i Parë në qytetin e Vlorës, u ngrit në Godinën e Karantinës, pranë Muzeut Hstorik të Pavarësisë Kombëtare në Skelë. Fillimisht kishte 8 shtretër.

Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit investoi dhe e kaloi Karantinën në Spital me 20 shtretër. Ky spital funksionoi deri në pushtimin Italian të vitit 1914. Më pas u zhvendos në godinën e sotme me dy baranga anash.

Organika e parë e spitali përbëhej nga Dr. Ali Mihali drejtor, Dr. Ismet Gega kirurg zv.drejtor, Dr. Musa Delvina dhe Ibrahim Dhrami si patolog, Bajram Emiri asistent kirurg, Emin Kuzumi si kryeinfermier, disa shërbëtorë e sanitarë, një kuzhinier dhe një roje, xhandar.

Në vitet 1911 – 1914, vijnë në Vlorë edhe mjekë të tjerë si Simon Simonidhi, Halil Kamberi, Halil Luloçi, Avdul Vranari, Bari Çobani, Bedri Përmeti, Isak Korça, Haki Mbaria, Bedri Puto, Omer Nishani, Ismet Gega, Xhafer Kongoli, Musa Delvina, Mihal Cani, Filip Papa, Musa Ohri.

Në 1916 u ndërtuan godinat që janë dhe sot (pavijonet me një kat) gjithsej 4 godina me 50-60 shtretër. Me vendim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, mjeku Ali Mihali emërohet drejtor i përgjithshëm, drejtor i spitalit dhe i laboratorit.

Me largimin e Italisë, drejtor emërohet mjeku patriot Shezai Çomo. Në vitet 1923 – 1924 një shoqëri Angleze mundësoi 6 shtretër për të sëmurët me TBC dhe 2 shtretër për observim infektivi.

Në vitin 1926 qeveria e Ahmet Zogut vendos drejtor Fahri Reshitin. Në këtë periudhë paguheshin edhe 8 mjekë të tjerë. Në vitet 1933 – 1935 drejtor emërohet Dr. Shyqyri Çupishti, kirurg. Në vitin 1939, me pushtimin italian, vjen dhe punon si kirurg Prof. Lemani (mjek Gjerman) më vonë vjen mjeku Italian Prof. Spinelli. Mjeku shqiptar Vasil Dhimitri, ishte drejtor i spitalit te Vlorës deri më 1944. Ai hapi Repartin e Radiologjisë më 1931 dhe drejtoi zgjerimin e mëtejshëm të Spitalit. (Rajoni i vjetër i pediatrisë ngeli në Qafë Babicë, deri vonë. Sot kjo godinë nuk ekziston.) Në prag të Çlirimit, në vitin 1945 Spitali i Vlorës kishte 160 shtretër.

Kështu, qyteti i Vlorës, qysh herët, ka pasur mjek të dëgjuar, të aftë dhe veprues, të përmendur si për arritjet e tyre në kohë epidemish dhe kapërcim rreziqesh emergjente, deri me ndërhyrje e operacione në raste tepër të vështira pa kushtet e një teknike të përparuar, po që u shquan për shprehje e qëndrime humane shembullore. Krahas kësaj, si pjesë e dalluar e inteligjencës së kohës, mjekët janë përmendur për shumë akte të guximshme profesionale e njerëzore gjurmëlënëse, që janë bërë pjesë e historisë gojore popullore.

Kujtoj me dashuri e respekt dhjetëra mjekë, ndihmës mjekë e infermierë, që pa u ndikuar nga sundimi diktatorial shtetëror, përkundrazi duke shfrytëzuar tendencat pozitive majtiste, shërbyen me devotshmëri e humanizëm të thellë edhe në rrethin e Vlorës: Në Spitalet e Vlorës, Selenicës, Himarës, Llakatundit, Bratit, Kuçit dhe Sevasterit, si dhe në të gjitha Qendrat e tjera Mjekësore, Farmacitë, Ambulancat, Maternitetet dhe Klinikat e shumta të Shërbimit Mjekësor, pa përjashtuar Klinikat Dentare, deri te ato në Qendrat e Punës e të Prodhimit, në Spitalin Neuropsikiatrik, si bazë e specializuar mbarëkombëtare, apo në Degën e Institutit të Kontrollit Shëndetësor dhe Laboratorin Obstetrikë dhe Epidemiologjik, në Seksionin e Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, etj.

Nuk gjen se cilin të vendosësh të parin në radhë, nga mjekët e emërmdhenj, që kanë shërbyer në Vlorë, po pa u trembur se gabojmë, le të përmendim, me këtë rast me nderim, Petraq Popën, që qysh në vitin 1920 vullnetarisht u largua nga Turqia për të ndihmuar luftëtarët vlonjatë të Luftës heroike të Vlorës në ekipin e Spitalit të Llakatundit; apo Sezai Çomon, që krijoi qysh në vitin 1921 Spitalin e Parë Psikiatrik të Vlorës; të famshmin Ali Mihali, e Ismet Gega themeluesit e Spitalit Rajonal te Vlorës, dhe pasuesit e tyre Azduriani, Dhimitri, Nashua, Agalliu, Çupishti, Dervishi, Fllokua, Pustina, Kauri, Shehi, Hysenbegasi, Kallfa, Shyti, Ashiku, Angjeli, Myrzabegu, Matathia, Tepelena, Bendo, Papingji, Kutulla, Memet Mihali, Engjël Isaraj, Tol Beltoja, Aristidh Sopiqoti, çifti Andoni, Bajram Bala, Osmani, Pavli, Gjidede, Gjoka, Nekiu, Iljazi, Konomi, Velo, Jazaj, Çela, Harizi, Papajani, Bisholla, Tetova, Gjodede, Dredha, Kapo, Kojdheli, Koçi, Papa, Gega, Muhameti, Islami, Mati, Hysi dhe dhjetëra të tjerë.

Për këtë material është shfrytëzuar interneti: Wikipiedia si dhe shkrime e studime nga Pajtim Bejtja, Flamur Tartari, Neki Dredha, etj.

Tiranë, më 01.02. 2020

96 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page