Përkapje a perceptime
Astrit Lulushi
Mënyra si shohim dhe kuptojmë se çfarë ndodh dhe çfarë të mësojmë nga ato ngjarje, krijon atë që quhet perceptim. Kjo është grimca më e vogël e ‘përkapjes’ a ‘përqasjes’ së mendimit. Në fjalorë, ‘perception’, paraqitet si fjalë që rrjedh nga latinishtja. Duket se shqipja fjalën e vet ‘përkap’ e ka dhënë dhe pastaj e ka marrë hua si ‘percept’, duke e quajtur të huaj - njësoj si prodhimet vendase që eksportohen dhe pastaj importohen të përpunuara duke u quajtur të huaja. Kjo vjen edhe nga mosnjohja thellē e gjuhës ose nga moskokëçarja, dhe pastaj dalim e themi se ‘na i kanë vjedhur’, kur ne vetë ia kemi dhënë apo s’kemi ditur t’i mbajmë.
Perceptimi, edhe pse i vogël, mund të jetë burim force të madhe ose dobësie të madhe për njeriun, i cili nëse emocionohet, ose tregohet subjektiv e dritëshkurtër, vetëm shton problemet e veta. Për të mos u mbingarkuar me ndikimet e botës për-rreth, të lashtët praktikonin kufizim e kontroll të emocioneve, një lloj manaxhimi të zemërimit.
Duhet disiplinë për të larguar perceptimet e këqija, për të dalluar grimcat e imta të besueshme të mendimit nga ato mashtruese, ose për të filtruar paragjykimet, pritshmërinë dhe frikën. Por mësimi i kësaj disipline ia vlen, sepse ajo që mbetet është e vërteta, që i kthen njeriut qetësinë e mendjes për t’i parë gjërat thjesht dhe drejtpërdrejt, ashtu siç janë - pa ngjyra më të bukura dhe as më të shëmtuara.
Kur njeriu fillon të besojë se është i madh, nis edhe vdekja e idesë ose krijimtarisë së tij, sepse vetëm rehatia e mban Egon nënkontroll. Njeriu pa ego bëhet i urtë; lufta e tij ka mbaruar; çfarë ëndërronte të bëhej është bërë, nga posti më i ulët në më të lartin, duke çarë me duar e brryla rrugën e suksesit, siç e quan. Suksesi në punë - qoftë në politikë, sport, art apo biznes - shpesh është i tmershëm, nuk kursen asnjë viktimë. Por Egoja e zbut këtë frikë; e nxit njeriun të çajë lart a përpara, varet si e percepton postin; i thotë ato që dëshiron të dëgjojë dhe kur t’i dëgjojë. Ky është një rregullim afatshkurtër me pasoja afatgjatë. Ego është gjithmonë këtu, tani, mes nesh, brenda nesh, prandaj i kemi vënë emrin UNI, që na bën të jemi jo të përsosur, por jo pa perceptim.
Rastësisht qëllova në artikullin tuaj, duke kërkuar për fjalën përkapje. Më erdhi të bëja thjeshtë këtë mbasshkrim si rrjedhojë pas leximit të artikullit. Më nxiti përqasja që i bëhet egos dhe doja vetëm të jepja mendimin tim. Ego ose Uni, është pjesë e tërësisë së qënies njerëzore dhe nuk mundet të zhduket por asduhet luftuar për t'u hequr nga vetja. Lufta ndaj egos është po ego vetë. Lufta në përgjithësi ndaj pjesëve përbërëse te vetes është ego dhe nuk sjell asnjë dobi për vetë njeriun që e ndërmerr këtë luftë. E vetmja gjë që ka nevojë ego-ja por edhe pjesët e tjera është, të afrohen pranë intuitës dhe të harmonizohen me njëra-tjetrën. Ndryshe kjo quhet integretion. Kur njeriu lind i…