top of page

PËRJETËSOHET EMRI I FAN NOLIT


PËRJETËSOHET EMRI I FAN NOLIT NË AMERIKË

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve ameriano-shqiptare

Nga Frank Shkreli

Aktivisti i komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, Mark Gjonaj, para disa ditësh, njoftoi komunitetin këtu në Nju Jork dhe anë e mbanë Amerikës se të shtunën me 9 prill në ora 12, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461, do të zhvillohet ceremonia e emërimit të një rruge në kujtim të Fan Nolit, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461. Në njoftimin për këtë ngjarje që më dërgoi Z. Mark Gjonaj, thuhet se ky është, vërtetë, “një rast i jashtzakonshëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa festojmë trashëgiminë tonë në këtë vend si edhe kontributet tona si qytetarë, në jetën dhe veprimtarinë e Shteteve të Bashkuara”. Njëri prej nesh, si emigrant në këtë vend, Fan Noli (1882-1965) ka qenë një udhëheqës shqiptar, kryeministër, shkrimtar, akademik, diplomat, politikan, historian, orator si dhe themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe bashkthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë, thuhet në njoftimin që më dërgoi Z. Gjonaj. Prandaj, është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë, thekson Mark Gjonaj në njoftimin e tij.


Ceremonia e emrimit të një rruge të Bronksit në emër të Fan Nolit – e mbështetur nga disa dyzina organizatash shqiptaro-amerikano -- duhej të ishte zhvilluar fillim muajin e kaluar, në përvjetorin e vdekjes së Nolit (13 Mars 1965), por për arsye të disa çeshtjeve administrative u shty për këtë javë. Ishte caktuar muaji i Marsit edhe për arsye të datës 15 Mars, 19991, data e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të shënuar gjithashtu edhe 100-vjetorin, këtë vit, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Është me fat kjo koincidencë, sepse siç dihet, Fan Noli ka qenë promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i këtyre marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis dy kombeve tona. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve mbi të cilat ndërtuan e forcuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten pjesë e trashëgimisë së tij. Këta dy përvjetorë janë një rast që të mos harrohet roli dhe kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e diplomacisë midis dy kombeve tona.


Ia vlen të rikujtojmë, në kuadër të ceremonisë për emrimin e një rruge në nder të tij të shtunen në në Nju Jork, rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson, që Amerika të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar. Njihet tani gjerësisht fakti se Noli ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i fortë i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit, në fushën e diplomacisë, në mbrojtje të interesave shqiptare.


Arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare të Kombit shqiptar, janë gjithashtu të shumta dhe të mëdha. Rolin e tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetësimi i tij me Presidentin amerikan Uilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe pjesëmarrjen që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet -- besoj se përbëjnë vepër kulminante të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar. Gazeta angleze ‘London Daily Mail’ kishte venë re, në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe si rrjedhim e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë, jo vetëm ndër shqiptarët, por të mbarë Ballkanit.

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page