top of page

PËRGJIGJE TË HUMBURA


PËRGJIGJE TË HUMBURA

Tregim nga Fatmir Terziu

“Unë marr frymë në aromën e heshtjes“ – i tha doktorit, dhe unë e shihja në sy. Më duhej ta përktheja fjalë për fjalë. E pashë që priste të hapja gojën e ti shpjegoja doktorit në gjuhën e tij atë që ajo e thoshte në gjuhën shqipe. Mora frymë thellë. E ndoqa edhe frymëmarjen e saj. Ndoqa me bisht të syrit edhe veprimin e doktorit në kompjuterin e tij. Ajo dihati. Dihati thellë dhe foli sërrish.

„Marr frymë me aromën e heshtjes që hyn në heshtje në mushkëritë e mia.“ – shtoi ajo dhe u qetësua në krevatin e saj gjysëm të ngritur me komandë. Sërrish hapi sytë dhe ngadalë pëshpëriti lehtë.

„Eh, dhe ato pothuajse nuk funksionojnë.“

Atëherë pashë që doktori po priste përkthimin tim. Ia thashë fjalë për fjalë. U mundova të mos shtoj asnjë fjalë të tepërt. Madje as që të përmirësoja atë që tha ajo. Ndërsa mbarova ajo nuk priti që doktori të bënte ndonjë pyetje. Vazhdoi. Ndërsa doktori ma bëri me shenjë, duke zgjatur pesë gishtat e dorës. E kuptova pesë minuta pushim. Ne e ndiqnim nga pas xhamave të erëta që ndanin atë dhomë nga dhoma e vëzhgimit njëzetë e katër orëshe. Ajo fliste...

„Më vjen erë lulesh. Lulet e mia të preferuara, që vyshken në çdo vazo. Unë i zgjedh me këmbëngulje. Më bezdisin dhe thahen çdo të dytën ditë. I ndërroj çdo të dytën ditë. Jeta si një cikël vjetor. E njëjta gjë. Derdh kafen në filxhanin bosh rozë. Rozë, eh, për ngjyrën që …që ka. Po filloj të mendoj. Truri im punon me shpejtësi maksimale. Më duket se kacafytet çdo ditë për të luftuar vetëm një gjë. Për të më luftuar … mua. Unë mendoj se si pothuajse për çdo sëmundje ka një kurë. Nëse jo për shërim të plotë, atëherë të paktën për rehati të përkohshme. A ka ndonjë për sëmundjen time? Çfarë duhet të pi? Më përshkruani një pilulë, doktorë, ju jeni mjekë, që të jetoj në maksimum. Më jep një injeksion për të lëvizur në një vijë të drejtë. Mos e merrni si kërkesë. Nuk po pyes. Le të jetë një thirrje. Unë u bëj thirrje të gjitha fuqive. Ju lutem më shëroni! Sepse shtrati në të cilin flej më gëlltit dhe jam e pafuqishme. Më shpëtoni! Më shpëtoni sepse kam humbur gjurmët e shpëtimit personal. Më shpëtoni para se të vras çdo pikë të fundit sensualiteti që rrjedh nëpër venat e mia.”

Ajo ndaloi së foluri, u ngrit nga krevati dhe bëri më tej me kujdes nga tavolina e saj e vogël. Hapi një çantë me zinxhir dhe nxorri laptopin. Doktori nisi të habitej. Ai vetëm heshtte. Duke e parë dhe dëgjuar përmes secilit grup fjalësh të saj që e kishte si një çelës më vete, u ndal vetvetiu të bënte logjikën e vet me pyetjen e saj: Dhe tani..? nejse më bëri me shenjë që të ndiqja vetëm veprimet e saj.

Ajo vetë nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më pas dhe as çfarë pritej të bënte. Ndiqte atë që i shfaqej në laptop. Ashtu thjesht shikonte copat e pasqyrës së thyer që më parë e pasqyronin thuajse të lumtur dhe në çdo copëz shihte një shtresë tjetër të vetes, një fazë tjetër të jetës së saj.

Më e madhja pasqyrëz e thyer shtrihej veç të tjerave, e vetmuar dhe e zvetënuar. Ajo ia nguli sytë dhe ngriu në vend. Shihte me sytë e saj një vajzë 14-vjeçare, me flokë të gjatë që ia merrte dhe ia frynte era e stuhishme.

Mori frymë thellë. U mendua. Pastaj sërrish mbeti me vështrimin mbi copëzat e thyera të pasqyrës…Dhe nisi të rishikonte atë që ishte shkruar në laptopin që nxorri pak më parë.

Një përqafim. Buzëqesh. Lumturi. Gjerdan. Flutur. Dy fjalë. Gjithë jetën. Dukej se ishte shkruar gjatë. Doktori me qetësi më kapi krahun dhe dolëm nga dera. Hymë në sallën e madhe nga ku mund të shiheshin më ndryshe veprimet e saj.

Kaloi një orë para se më në fund të shikonte pjesët e tjera. Sërrish përhumbej. Dhe më pas i shikoi shtrembër, diku pa se dy duar të lëmuara morën fshesën dhe i fshinë. Pastaj dikush i mblodhi në një thes të zi, e lidhi me kujdes dhe më pas e hodhi. Dora e lëmuar nisi të shkruaj prapë…

Janë pasqyra të thyera. – u dëgjua një zë i mbytur në vaj. Pastaj heshtje. Doktori nisi të lexonte letrën që e kishte marrë atë ditë.

Janë pasqyra të thyera. Pjesa më e madhe, megjithatë, vazhdon të qëndrojë atje për 50 vjet. Është pasqyra e jetës së saj. Çdo ditë për disa orë ajo e shikonte, qante dhe dita vazhdonte. Aty e gjente dashurinë. Aty e shikonte veten e saj. Në fakt aty e kishte parë veten e saj vetëm 50 vjet më parë, atë vit kur ata e qëlluan në sy dhe ia morën dritën kur ajo kishte gjetur errësirën. Për vite me radhë ajo nuk e kuptonte se pjesa më e vogël që hodhi ishte e ardhmja e saj, e cila i solli dashurinë. E unë jam ajo që po ju shkruaj i dashur doktor. Jam e bija e saj e asaj errësire, që tashmë i jap dritë në sytë e saj.

Pastaj dera e bardhë u hap ngadalë. Ne shtangëm. Ajo ishte në këmbë.

“Unë marr frymë në aromën e heshtjes“ – i tha vetes.

79 views1 comment

1 comentario


Lame Fandi
Lame Fandi
21 oct 2023

Tregim terheqes, i shkruar bukur me stil bashkekohor, percjelles me kthjelltesi mendimi i mesazheve te dala nga nje pervoje jetesore e veçante dhe me drite qe mposht erresiren. Pergezime te merituara!

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page