top of page

PËR PIKTORIN HILMI BANI, NUK KA HARRESË



ESSE NGA LUAN ÇIPI

Hilmi Bani lind në lagjen Muradie Vlorë, më 15 Shtator 1942 dhe vdiq në spitalin “Vitto Pazzi” në Lecce Itali, datë 23 Shtator 2014, pas një aksidenti tragjik ndodhur nga një goditje e beftë me biçikletë në Vlorë, në trotuarin e rrugës Skel-Vlorë dhe u varros, po në dheun e ëmbël të Vlorës, që ai e deshi aq shumë, më 2 tetor 2014, me një ceremoni madhështore.

Hilmi Bani bënë pjesë në grupin e artistëve vlonjatë, së bashku me Skënder Kamberin, Nestor Jonusin, Agron Dinen, Petrit Cenon dhe Rakip Shabanin, që u quajtën nga shtypi kohës (i viteve 1970-1980) si “Shkolla Vlonjate e Pikturës”.

Krijimtaria e Hilmi Banit është pjesë e çmuar e historisë së artit pamor shqiptar. Piktori Hilmi Bani lindi në familjen atdhetare të Rexhep Banit, një antifashist i njohur, i cili pasi u arrestua nga nazistët gjermanë, u internua dhe u nda nga jeta i torturuar në mënyrë çnjerëzore, në Kampin e Përqëndrimit në Mauthauzenit të Austrisë, ku dhe është ekspozuar fotografia me portretin e tij.

Vlonjati Hilmi Bani kreu studimet për pikturë në Liceun Artistik ”Jordan Misja” , Tiranë në vitin 1962 dhe më pas, në vitin 1967, përfundoi me sukses Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Diploma e tij kishte temë për Luftën eVlorës të 1920.-tës dhe i kushtohej kryesisht figurës së Selam Musait.

Pas studimeve piktori i spikatur Hilmi Bani, punoi për disa vjet mësues vizatimi dhe në vazhdim u emrua në Shkollën e Mesme Artistike “Naim Frashëri”, Vlorë, si Mësues nga viti 1983-1998, Drejtor Shkolle nga viti 1998 – 2000 dhe disa vite pedagog në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.

Gjatë kësaj kohe, për merita në krijimtarinë si piktor dhe shkrimtar, Hilmi Bani ishte për disa vjet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Vlorën dhe i përfshirë në veprimtaritë antifashiste nderkombëtare, në nderim të babës së vetë vitet e fundit ai u zgjodh dhe kontribuoi si anëtar i Përhershëm i Komisionit Ndërkombëtar Antinazist të Muzeut të Mathauzenit, Austri.

Një koleksion i rëndësishëm iu tij prej pesë tablosh, ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Ato janë krijime kulmore të tij, të viteve 1970 – 1981. Prej tyre, katër janë kompozime me temë historike, nga lufta dhe nga jeta shqiptare. Ato, fillojnë me një peizazh nga zona e bregdetit të Vlorës “Kodrat e Jonufrit” (1970) dhe vazhdojnë me tablotë kompozicionale: “Rreth Partisë” (1971, me bashkautor Nestor Jonusi e Skënder Milori), “Revolta fshatare” (1976), “Shpatën të mprehtë e mbajmë” (1978) dhe “Në familje” (1981).

Vepra e shumta të tij ndodhen në Galerinë e Arteve, Vlorë dhe në institucione të tjera publike, si dhe janë pjesë e koleksionistëve të qytetit të Vlorës dhe më gjerë.

Artisti i spikatur Hilmi Bani, për kohën kurr jetoi, ka qënë pjesmarrës në të gjitha ekspozitat dhe konkurset lokale dhe ato kombëtare të organizuara nga Rrethi i Vlorës, nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Më së ahumti, krijimtaria e artistit, ka patur si objektiv pasqyrimin e ngjarjeve të historisë së popullit shqiptar, të luftrave të tij për liri në shekuj dhe kryesisht ato të luftës antifashiste nacional – çlirimtare. Gjithashtu piktori Hilmi Bani, ka realizuar edhe tablo kompozicionale me temënsociale për ngjarje të jetës së përditëshme, peizazhe e portrete të ndryshme. Ai ka qënë aktiv dhe vazhdonte pikturonte duke qënë pjesë e grupimeve të artistëve edhe në ekspozitat që ata hapnin si pjesë e kolonive të artit. Kështu së fundi ai ishte pjesëmarrës në ekspozitën e çelur në Galerinë e Arteve “Eduard Lir” Berat me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë si dhe në ekspozitën e çelur në klubin “Labëria” ku, në gusht të vitit 2014 ekspozoi tri punime me vlerë.

Në këto punime dhe në koleksionin e veprave të krijuara nga autori në rreth 50 vjet krijimtari, spikat talenti, me koloritin e tij i veçantë, kryesisht i tonuar me ngjyra të ngrohta, i krijuar me mjaft kulturë e bukuri. Në në tablotë tjera të artistit spikat drita e fuqishme, kalimet harmonike koloristike dhe natyrshmëria e vendosjes së personazheve.

Hilmi Bani ishte edhe shkrimtar i respektuar. Kështu për piktorin e parë të qytetit, Vasil Talo, Hilmi Bani botoi librin “Përtej mjegullës”, monografi e letrarizuar, si dhe shumë botime të tjera, në shtypin lokal e nacional.

Piktori Hilmi Bani ishte krenar dhe i vetdijshëm për punëne vet. “Ishte vitit 1964 kur si punë diplome realizova tablonë e parë me temë historike që kishte në qendër Luftën e Vlorës dhe luftëtarin popullor Selam Musain”, tregonte piktori vlonjat. Për të realizuar këtë punim, që do të dëshmonte përpara komisionit të vlerësimit formimin e tij si piktor në Akademinë e atëhershme të Arteve në Tiranë, duhej të njihej pikësëpari me dimensionet e kësaj ngjarjeje dhe të atij personazhi historik, që do të ishte në qendër të kompozimit. Lexoi mjaft dhe arriti të krijonte një perceptim të mjaftueshëm epror për realizimin e tablosë, ku Selam Musai shfaqet në qendër të saj, i mbështetur nga një masë luftëtarësh kryesisht të rinj. Ky kompozim, i realizuar 50 vjet më parë, ndodhet aktualisht në Muzeun e Gjirokastrës.

Por, për piktorin Hilmi Bani, figura e Selam Musait, që simbolizonte një ngjarje mjaftë të spikatur të historisë së Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë, do të vazhdonte të ishte burim tematik edhe në vitet në vijim. Me këtë personazh qëndror, ai do të realizonte një nga punimet e tij më të arrira shumë vite më vonë, në kuadrin e një përvjetori të Luftës së Vlorës. Por, kësaj here tabloja do të ishte shumë më e plotë dhe shumë më e arrirë artistikisht. Për të arritur këtë, ai ngulmoi dhe u përpoq ta njihte më mirë jetën dhe veprën e Selam Musait. Takoi edhe bashkëkohës të tij dhe madje edhe një prej atyre bashkëluftëtarëve, që e kishte njohur direkt. Në bashkëbisedim, Hilmi Bani sjell kujtimet e një patrioti të njohur vlonjat, z. Shaqo Derrit për figurën e heroit të Luftës së Vlorës.

“Selam Musai ishte një fshatar i mesëm, në gjendje mjaft të mirë ekonomike për atë kohë. Për ta saktësuar më mirë figurën e tij, them se ai ishte ndër ata njerëz që nuk mbante gunë të zakonshme të zezë, mjaft e përhapur në banorët e Labërisë, por në një ngjyrë gri që kishte edhe një emër të veçantë, “guna çile”. Kjo veshje popullore, si një lloj pelerine, e cila nuk ishte e përbërë nga materiali i zakonshëm që përdorej për prodhimin e gunave të zeza, dallonte shtresën e mesme fisnike, nga fshatarët e zakonshëm”, citon piktori Ilmi Bani, tregimin e patriotit Shaqo Derri për bashkëluftëtarin e tij, Selam Musai. Ky ishte një përshkrim ndryshe për figurën e Selam Musait, që binte ndesh me perceptimin zyrtar të kësaj figure. Gjithsesi, me këto elemente dhe me gjithçka tjetër që mësoi për trimërinë dhe aktivitetin e tij, piktori vlonjat realizoi një tablo me vlera të veçanta, që fiksonte atë ngjarje madhore, përcaktuese për fatet e vendit.

Këtij profili artistik ai vazhdoi t’i qëndrojë besnik gjithë jetës në një pjesë të madhe të krijimtarisë. Hilmi Bani është i prirur ndaj kompozimit, si një gjini e vështirë, por mjaft domethënëse në punën e një piktori. Për të kompozimi dallon vlerat e një krijuesi, pjekurinë e tij artistike, talentin e tij, sigurisht, alternuar edhe me drejtime të tjera. Brenda këtij koncepti, piktori vlonjat mbetet idhtar i artit realist, i shfaqur në të gjitha alternativat e tij. Duke bërë një krahasim me pikturën alternative moderne, ai thotë se ajo ka një element të spikatur, ngjyrat, ndërkohë që arti realist ka në përbërje të vet formën, vëllimin, përmbajtjen, linjat, dinamizmin, gjithçka jetësore që e bën atë të pavdekshme. Në një arsyetim të tillë, Ilmi Bani mendon se piktori e gjen fare mirë vetveten në një rrafsh të tillë krijues, i lirë në fantazinë e vet artistike.

Emri i profesor HilmiBanit është i mirënjohur jo vetëm në qytetin e Vlorës, jo vetëm në qarqet e pikturës shqiptare, por edhe nga shoqëria civile dhe gëzonte një respekt të merituar, me punën, me shembullin, me jetën, me veprën e tij.

Hilmi Bani është autor i dhjetra botimeve në fushën e artit figurativ në organet e shtypit letrar por edhe politik të kohës, para viteve 1990.

Ai ka fituar dy çmime kombëtare në konkurset kombëtare të kritikës dhe një çmim vjetor të revistës “Nëntori”. Pas botimit të monografisë së letrarizuar “Përtej mjegullës”, la në proces botimi një tjetrë libër metodik për edukimin figurativ me titull “Didaktika e edukimit figurativ”, tekst mësimor për shkollat e mesme, që ngeli nga autori në proces botimi. Ky tekst mësimor është përgatitur mbi një bazë të gjerë literature të huaj dhe vendase, që i ka dhënë mundësi autorit për krahasime, nga pikëpamja e ndërtimit dhe e niveleve. Mbi të gjitha i ka krijuar lehtësi për të futur në punë përvojën e tij shumëvjeçare. Teksti është i vlefshëm për mësuesit dhe nxënësit e shkollave të mesme, por edhe për çdo artdashës e amator të artit figurativ, për shkak të informacionit që përmban, për qartësinë e shtjellimit teorik të epokave artistike si dhe për mënyrën se si paraqiten rrymat, stilet dhe mjeshtrit e mdhenjë, jo duke u dhënë vende në krahasim me njëri-tjetrin, por duke evidentuar se çfarë sollën njëri dhe tjetri në proçesin historik të artit figurativ. Kjo mënyrë vështrimi u lë vend të gjerë lexuesve që të pëlqejnë cilindo nga mjeshtrat dhe stilet, por njëkohësisht të jenë të vetëdijshëm për t’i vlerësuar të gjithë ata ashtu siç janë realisht, si mjeshtra të mëdhenj. Libri është shkruar me një gjuhë të thjeshtë por duke ruajtur me fanatizëm të vërtetat shkencore artistike. Mënyra sesi është ndërtuar ky tekst didaktik i lë vënd mësuesve, që gjatë dhënies së mësimit, të marrin shembuj dhe të analizojnë vepra dhe autorë të tjerë jashtë tekstit, që i njohin më mirë apo që do t’ju duken më të përshtatshëm për argumentimin e temës

Ikja e piktorit të shquar dhe njeriut të mirë Hilmi Bani, pa dyshim primarit të fisit të madh të Banajve të Vlorës, nuk pikëlloi vetëm motrën e vetme, Burbuqe Xhyheri (Bani), bashkëshorten, mësuese Vitori Bani (Xhuveli), dy fëmijët e tij, djalin Blendin dhe vajzën Bojkenën (të dy arkitektë), nipin Enton, po dhe mbesën e vogël, Irsën e bukur, si dhe gjithë artëdashësit shqiptarë. Për, piktorin e shquar vlonjat, me vlera të spikatura kombëtare, Hilmi Rexhep Bani, nuk ka harresë!

Shënim: Për këtë shkrim janë shfrytëzuar, veç njohjes dhe marrëdhënieve vetiake direkte me protagonistin edhe materiale botuar nga Wikipedia, si dhe botime të Ylli Drishti, Arlinda Gjonaj, Albert Abazaj, Skënder Milori, Harilla Koçi, etj.

Tiranë, Tetor 2021

32 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page