top of page

Për njeriun e mirë


Homazh për njeriun e mirë me emrin Mira


Është bërë zakon që shkruajmë vetëm për njerëzit e shquar dhe akoma më keq për politikanët e këqinj dhe harrojmë njeriun e thjeshtë, njeriun e mirë që përsa kohë ndodhet midis nesh nuk ja dimë vlerat.

Emri i saj ishte Dashamira, por i thërrisnim Mira. Ajo idhte siç kishte emrin.

Ndonëse e kisha vajzë xhaxhai, unë e kisha motër të vogël, e merrja për dore dhe e dërgoja në shkollë në klasën e parë. Unë në vitin e parë të gjimnazit, ajo në klasën e parë fillore. Berti në klasën e tretë.

-Kam vëllain e madh, unë, që më mbron dhe nuk guxon kush të më ngasë u mburrej shoqeve, ashtu siç dinë të mburrem vetëm fëmijët e vegjël.

Kaluan vitet dhe Mira u rrit dhe u shkollua. U dashurua me oficerin Nezir Marku dhe u bënë me vajzë. Bashkuan dy gërmat e para të emrave dhe ja vunë emrin Neda.

Pikërisht pas lindjes së vajzës, Mira u godit nga leuçemia. Bashkëshorti i saj, Neziri ishte oficer i Artilerisë Kundër Ajrore dhe ushtarakët i dinë mirë vështirësitë e shërbimit në këtë armë të Ushtrisë, një natë në shërbim në repart dhe një natë pushim, por për Nezirin nuk kishte pushim fare, një natë me shërbim në repartin ushtarak dhe një natë në spital pranë Mirës, njeriut të dashur.



Në saj të kujdesit shëndetësor dhe të vitalitetit njerëzor Mira ja doli që ta mposhte sëmundjen e rëndë.

Pas disa vitesh u bënë me vajzën e dytë, me Marisën.

Kaluan vite e dekada, vajzat u rritën. Neda është nënoficere në Forcat e Armatosura, ndërsa Marisa pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më pas studimet e specializimet për mjekësi në Ankara të Turqisë, shërben si mjeke në një spital të Stambollit.

Mira, kjo nënë e mrekullueshme , me shqetësime shëndetsore, herë me të pasura e herë me të papasur i rriti vajzat më së miri. Marisa u bë edhe me djalë, por Mira arriti vetëm ta shikonte nipin e saj të vogël pasi Covidi e goditi në mushkëri dhe kjo ishte goditja e dytë fatale dhe nuk ishte 22 vjeçe si atëhere kur përballoi goditjen e parë, por 62 vjeçe.

Nuk do të të harrojmë sa të kemi jetë, Mira ! Buzëqeshja jote që buronte nga shpirti nuk mund të harrohet.

Thonë që njerëzit e mirë vdesin shpejt. Po përse ? Përse ?

236 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page