top of page

„Për mua e kishe atë tregim ?!“


Nga  Petrit  Malushi


 

Nuk ndodh që dy ditë të jenë të njëjta. Ende pa e ndierë të plotë ngarkesën e punës atë mëngjes, në telefon m’u shfaq mesazhi prej Selës, një prej shokëve të mi : „Ore po si nuk u kishe hequr një presje atyre që të pata treguar atëhere kur pimë kafe bashkë...“ U kapa i papërgatitur. Çfarë më kishte treguar ? Kur ? Kafe kishim pirë disa herë dhe ai çdo herë tregonte histori të ndryshme. Nuk po më kujtohej. „S’ta kam ngenë tani,-thashë me vete.- Më vonë, po m’u krijua ndonjë hapësirë me ulje ngarkese, do të shkruaj“.

        Hapa kompjuterin. Shtypa tre-katër komanda njëra pas tjetrës. Titullarja e institucionit kërkonte, sa më shpejt të ishte e mundur, disa shkresa për mbylljen e muajit.

        Por... „Alo, alo !...Mirëmëngjes !...Xhevua jam !...Bukur fare ! Sikur kishe qenë pas derës dhe i kishe dëgjuar e parë të gjitha ... Miku im...Je i madh...“  

Po ky ç’e pati këtë ? E ore Xhevo nuk hoqe dorë nga shakatë ! U përqëndrova mbi formën dhe përmbajtjen e shkresave, se kërkonin llogaritje dhe formulime. Ekrani i telefonit celular, të cilin e lashë mbi tavolinë, u dritëzua.   

„Përshëndetje koleg ! Sa i hollë qenke në përshkrimin e intimiteteve...Më bëre t’i jetoja edhe një herë ato çaste romantike. Ta dija se do të ta ngacmonin muzën rrëfimet e mia, do të kisha thënë edhe ca gjëra të tjera më të forta...“, - mesazh ky i dërguar prej një kolegeje.

Ndala gishtat mbi tastierë. Ç’janë këto shashka që po më dërgojnë ?!...   

„I kishe rënë pikës. Tamam ashtu i kalova ato orë gjurmëflorinjta me partneren...“, - një tjetër mesazh i sapombërritur.

„Si skulpturë mermeri nga ato të antikitetit, përkryer e kishe përshkruar trupin e mikes sime... fytyrën, flokët, gushën, gjoksin, vithet, përpara...eh...A thua kishe marrë sytë e mi...“, - një numër që nuk e kisha në listën e të njohurve.

         Ah ! U kujtova ! Para disa ditësh, një reviste letrare dhe dy portaleve, u kisha nisur për botim një prej tregimeve të mia. Mesa duket e kanë botuar. Këta e paskan lexuar e u qenkan ndezur xixat.

        „Mos më thuaj se për atë tregim nuk u frymëzove prej atyre që të kam molloisur unë...Më qafsh...ma bëre mendjen ujem...“, - ky ishte prej Rezit.

„Sa mirë që i kishe lënë personazhet pa emra, se do na kishe hapur punë pastaj...Sebep kërkojnë disa ...„- vazhdonte seriali pa shkëputje.

       -Ç’ka ai telefoni yt sot që e paska nisur ditën me regëtima ? - më ngacmoi gazmor shoku i zyrës në tavolinën tjetër.

-Lëre, lëre, - ia ktheva shkurt. - Ta them pastaj në kafe ,- dhe kalova përsëri te formularët në ekranin e kompjuterit.   

         „E meriton një qerasje për atë tregim. Nga fillimi deri në fund e ndjeva veten brenda tij, bashkë me të dashurin ... Ma hoqe dhimbjen e kokës që kisha sot...“,- më shkruante Tela, shoqe nga një kompani tjetër.

„U puthëm pesë herë pastaj filluam nga „lojërat e rënda“ ...Ti kishe shkruar katër...Nejse për ato të tjerat gjithçka ishte perfekte...“,- edhe ky nga një tjetër numër i panjohur.

„Ia dërgova tregimin tënd edhe të dashurës sime që ta ketë si kujtim. A pa pa, sa bukur na kishe përjetësuar të dyve...“,- ishte Dori ky.

„Nuk mund të rrija pa të falenderuar. Ah, je penëartë !... Më çove edhe një herë në krahët e magjisë së asaj dite... O Zot !...“,- lexova pjerrtas mbi ekranin e vogël, i cili vazhdonte të shfaqte mesazhe.

          Ndërkohë isha në përfundim të materialit të punës. Dhashë komandën përcjellëse për te titullarja dhe u çova. Shoku i zyrës kishte mbaruar para meje. Dolëm për te kafja që ndodhej në të djathtë të ndërtesës së institucionit.

Po ç’kisha gatuar, që atë ditë telefoni im celular nuk kishte të ndalur nga mbërritja e mesazheve dhe komunikimet ?!...Në rastet e mëparshëm numri i miqve që më shkruanin pas botimeve të vjershave dhe tregimeve ishte i pakët. Këtë herë u befasova. Përmbajtjet ishin mahnitëse. Përafronin shumë me njëra-tjetrën, thuajse i gatuante e njëjta mendje dhe i dërgonin duar të ndryshme.

          -Pa hë, se më bëre kurioz qeparë, - më nxiti shoku sapo u ulëm.

-...Vjershat e tregimet zakonisht i ndërtoj me tematika e përjetime sociale, familjare, shoqërore, emigracioni...,- nisa të shpjegohem. Por në tregimin „Si mund t‘i harroj ato çaste...?!...“ injektova ca doza rozë. Një çift dashnorësh, burrë dhe grua, pa emra konkretë, një ditë kishin udhëtuar si të vjedhur „në drejtim të paditur“, pa u diktuar prej „kujdestarëve“ dhe kureshtarëve. „Liridaljen“ e shfrytëzuan në një dhomë moteli. Përjetimet e tyre me çaste deliri e fanatzie i mbusha me veprime e fjalë ekzaltuese, të magjishme e të mjaltëzuara...Ja pra, kështu e gatova atë tregim !... Me një ngjarje erotike !

Por...a thua të gjithë këta që më shkruajnë kanë përjetuar rast si ky që unë e sajova ?!

- Edhe mundet,- ma ktheu kolegu dhe shtoi, - kur të kthehemi në zyrë më trego një nga portalet ku është botuar, që ta lexoj të plotë.

Duke u ngritur dëgjova që shqiptoi – Edhe unë kam përjetuar një rast të tillë...

Vështrimindyshues mbi të, s’po kuptoja në bëri shaka apo tha një të vërtetë ?!

 


19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page