Për gruan time
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 7, 2023
- 1 min read

Për gruan time
Nga Fatmir Terziu
E di që sonte jam vonuar. E di
yjet janë lodhur me ty në dritare
e hëna të ka zbritur në sy
kristale…
… është vonë.
Pesha e qepallave i ka mjegulluar trotuaret…
Patjetër që do të dëgjosh edhe në gjumë,
kërcitjen e lehtë të një trëndafili.
Mos më pyet më shumë!
Derën lëre të hapur të futen ëndrrat
mos i lë jashtë në rrugë
hapat e mia
do të mësyjnë e ti do të zgjohesh
të thithësh aromën e munguar
të këtij trilli.
E pastaj do të lë një shenjë në buzë.
Në errësirë do të kërkoj trëndafilin
e ti do të më thuash më puth
shpejt se ëndrrat si petale po më ikin…
… ndaj vonesat janë një mall
që ne të digjemi si me zjarr!
I dashur Profesor Fatmiri,
Poezi e bukur që të ndez kujtimet, të përflladit ëndrrat, të rrëmben drejt hapësirave të ndjenjave fisnike. Dashurinë për melhemin e zemrës suaj, Perëndeshën Luçiana, kam dëshirë ta përfytyroj si një det që nuk gjen kurrë qetësi, tek nis dallgët kaltëroshe drejt brigjeve të zemrave tuaja.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 07 shkurt 2023
Dashuri e shprehur me shumë art por mbi të gjitha me një elegancë tepër mbresëlënëse. Pasi e ke lexuar, thua: ”Do ta lexoj përsëri. “
Të lë një shije estetike jashtëzakonisht të bukur dhe të zhyt si pa e kuptuar në kujtime të ëmbla... Përgëzime profesor Terziu!
Me respekt për ju,
Sefulla Kata,
Itali