top of page

Për fisin atdhetar Dervishi të Katër Grykëve të Dibrës


HISTORI

Për fisin atdhetar Dervishi të Katër Grykëve të Dibrës

Nga SAKIP CAMI

Fisi Dervishi i Lukanit të Dibrës ka shumë dëshmorë të Atdheut, ka derdhur shumë gjak për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.

Janë disa breza luftëtarësh e të rënësh që nga lufta kundër Hajredin pashës më 1844 e deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë shkrim do të flasim emër për emër se gjaku i dhënë prejt tyre nuk duhet të humbasë në shekuj.

Selman Dervishi, vëllai i madh i Avdiut, është lindur në Lukan më 1866.

Është vrarë në Kakarriq të Shkodrës kunder hordhive malazeze për mbrojtjen e Shkodrës së bashku me shumë katërgrykas të tjerë. Ai luftonte krah për krah me Smajl Nikën që e mbrojti flamurin me trupin e tij.

Shtatë ushtarë të shkjaut ju turrën me bajoneta për ta mposhtur.

Hysen Dervishi, vellai i Avdiut dhe Selmanit, lindur më 1864 u vra nga serbët në vitin 1913.

Avdi Dervishi lindur në Lukan më 1868, në ofensiven e madhe te dibraneve te vitit 1913 kunder hordhive serbe dhe greke në betejën e Petrinës në Ohër mori kstër plagë dhe vdiq prej plagëve në fshat.



Rustem Dervishi, i njohur për trimëri e guxim të madh, u vra nga forcat serbe ne shkallen e Deshëve në vitin 1920.

Abas Dervishi, njeri me ndikim të madh popullor.

Mbajti në shtëpinë e tij per nje periudhë të gjatë shumë familje me gra e fëmijë të larguara nga lufta e parë botërore.

U vra nga forcat austro hungareze në vitin 1917.

Shaban Xhafer Dervishi u lind në fshatin Lukan të Katër-Grykëve, më 10 nëntor 1890.

Mori dy plagë në betejën e Petrinës në fushën e Ohrit duke luftuar në krah të Avdiut.

Fisi Dervishi i Lukanit të Katër-Krykëve ishte një fis me tradita trimërie, mikpritje, bujarie e burrërie. Shabani u rrit dhe luftoi për krah xhaxhait të tij, Avdiut, luftëtari që mori katër plagë në fushën e Ohrit.

Burrat e Katër-Grykëve me komandant Llan Destani (Ndregjoni) e me luftëtarë si Shaban Xhafer Dervishi, Avdi Dervishi e të tjerë i gjeje kudo dhe kurdoherë që kishte nevojë atdheu.

Beteja e Petrinës sipas Haki Stërmillit dhe kujtimeve të luftëtarve ishte beteja ku luftuan dibranët, katërgrykasit dhe trimat e fisit Dervishi, krah për krah Avdi dhe Shaban Dervishi.

Ishte dhjetori i vitit 1912. Në Dibër u hodh kushtrimi për të mbrojtur trojet shqiptare nga serbët dhe grekët në.Manastir, Ohër e Strugë.

...Batalioni, ku bënte pjesë Avdiu, Shabani dhe bashkëfshatarët e tij mori detyrën për të luftuar ne Ohër.

-A besë a besë !Bini burra dushmanit !Zoti qoftë me ne !-ushtoi zani i Bajram Bucit( Hoxhë Bucit), udhëheqësit të tyre shpirtëror që nga Lidhja e Prizrenit.

-A besë-besë!-thirri edhe Shaban Xhafer Dervishi.

A besë a besë!-Thirri Shaban Margjoka nga Kacnia.

Vetëm pas disa minutash Shaban Margjoka goditet dhe vritet nga plumbat dhe mortajat serbe.

Shaban Dervishi e kishte në krahë dhe ja mbylli sytë. Në krah të tij vetëm disa metra larg vritet Sefer Bodini, Hoxhë Bodini.

Pak minuta më parë ishte vrarë edhe i biri i Bajram Bucit, Mustafa.

Por dhimbje më të madhe ndjeu Shaban Dervishi kur në krah të tij edhe xhaxha Avdiu mori katër plagë dhe nuk e ndihmonte dot. Ishte i ri dhe nuk e kishte kuptuar se edhe vetë ishte plagosur dhe kishte marrë dy plumba….

Shabani jetoi gjatë dhe këtë betejë dhe të gjitha luftërat që kishte marrë pjesë, në Shkodër, në Ohër, Në Lumë, në Vlorë i tregonte vetë me përpikmëri pa harruar edhe detajet.

…Në betejën e Ohrit Shabani mbeti pa ndjenja, gjysmë i vdekur dhe shokët e tij menduan se ishte i vdekur. Ata morën armët dhe sendet e tij me vlerë dhe i nisën për në Lukan, ku ia dorëzojnë xhaxhait të tij, Seferit. Në shtëpi u hapën dyert e mortit për djalin që kish mbetur i pajetë në luftën e Ohrit.

… Shabani përmendet. I plagosur rëndë shikon që ai ka mbetur i vetëm ne fushëbetejë. Mbledh zorrët e dala dhe me dorën e zhuritur i fut brenda në bark. E mbështjell barkun fort me brezin e malësorit. Rreth e rrotull tij vë re që kali i komandantit serb ishte pranë të zotit, që ishte i vdekur. Ndërkohë Shabani tërhiqet zvarrë dhe e kap kalin. Pasi i ngjitet kalit udhëton gjithë natën deri në hyrjen e qytetit të Strugës. Në hyrje të Strugës, Shabani lëshon kalin teksa ecën duke u mbajtur nëpër muret e avllisë. Ashtu i plagosur mundohej të kërkonte ndihmë teksa me zë të ulët pëshpëriste: "A ka ndonjë shqiptar që të shpëtojë një shqiptar të plagosur në luftë për mbrojtjen e atdheut?!"

Nga ana tjetër e murit ndodhej një djalë i ri i cili iu përgjigj thirrjeve të Shabanit duke i thënë të kalonte në anën tjetër. Shabani në pamundësi për të lëvizur më tej iu përgjigj se nuk mundej. Djali i erdhi në ndihmë duke e mbajtur prej krahu derisa e mori brenda shtëpisë së tij.Kjo familje shqiptare e Strugës, babai dhe xhaxhai i djalit që e strehoi, i shërbyen gati një muaj derisa u shërua.

Teksa bëhej gati të nisej, plaku i shtëpisë i tha të maskohej. I maskuar si lypës zbriti në Shehër të Dibrës dhe doli në Viçisht. Atje arriti tek byrazerët e tij, në shtëpinë e Cameve. Ata e kthyen ardhjen e Shabanit në një dasmë. Pas 3 ditësh ata u mblodhën dhe e çuan me kuaj deri në Lukan. Atje u hap lajmi që Shaban Dervishi është gjallë. I gjithë populli u ngrit duke gjuajtur me armë nga gëzimi. Në shtëpinë e tij në Lukan u bë festë e madhe.

Në luftë kundër pushtuesve grekë ranë më shumë se 30 dibranë nga Dibra e Madhe, Malësia dhe Topalltia, ndër to: Fuat bej Kulla, Xheladin Kuka, Hasan Stërmilli, Izet Haziz Dema, etj.

Në Manastir gjithashtu pati shumë dibranë të rënë në luftë si Ramë Duka (Shtushaj), Rrahman Xheleshi (Mazhicë), Hasan Hidri (Pocest), Qerim Sula (Allajbegi), Rrahman Çupi (Vojnikë), Rrahman Tollja, Ali Kostenja, Sadik Demiri, Xhabir Sejdini (Striçan), Jashar Disha, Hasan Lila, Ismail Qorri, Sadik Balliu, Selim Loka, Ymer Margjoka, Dalip Demiri (Sopot), etj.

Në fushën e Orizares në Manastir ranë dhe dy imamët e qytetit të Dibrës së Madhe: Jusuf efendi Skikuli, Osman efendi Langu dhe kapiten Aqif Rusi. Në Preblicë u vra i riu Habedin Dema nga Homeshi.

Gjatë luftës antifashiste nacional çlirimtare Rrahman Dervishi, i biri i Avdiut, ishte ndër të parët që formuan çetën partizane të Dibrës me komandant Haxhi Lleshin.

Shtëpia e Rrahmanit u bë baza kryesore e lëvizjes naciomal çlirimtare.

Rrahman Dervishi, Ali Pepa, Sulë Muça, Bajram Buci në Katër Grykët dhe Musa Lala nga Strikçani ishin pesë gishtat e dorës së çetës së Dibrës. Ata e shoqëruan Haxhi Lleshin në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942 dhe në të gjitha aksionet luftarake.

Në shtator 1943 falangat komuniste e pushkatojnë vëllain e Rrahmanit, Mehmet Dervishin që ishte oficer në forcat e xhandarmërisë shqiptare me gradën toger.

Por Rrahmani e vazhdoi përsëri luftën antinaziste deri në çlirimin e vendit me besimin se gjërat do të sqarohen pas luftës.

Rrahmani u kujdes për djalin e të vëllait, Hysenin, i cili u shkollua, u bë regjizor dhe drejtues i veprimtarive kulturore në Bulqizë, Dibër dhe Mat.

Hysen Dervishi është autor i disa librave artistikë, historikë dhe etnografikë. Ai është Nderi i kulturës dibrane, qytetar Nderi i Bulqizës dhe Matit, Mjeshtër i Madh.

Djali i Hysenit, Sokoli është pedagog dhe profesor i asocuar në Universitetin “Epoka”.

Fryma atdhetare dhe nderimi për gjakun e të parëve po trashëgohet brez pas brezi.


54 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page