Rrëmova në bodrumet e mendjes Dhe mësëfundi të gjeta diku. Të kish ngjizur shkrimtari mes dhembjes, E hedhur kishe mbetur, në flu.
Dhe ndjeva freskinë e Çikës, Mbuluar me borën e Majit Se shkrimtari këtu kishte lindur, Të kish dhën’ aromën e çajit.
Të kish veshur me shkumë deti, Me të bardhin, të fundin fustan. Një dasmë gjëkundi nuk shkrepi, Ndaj mbete në detin kallkan…
Ti erdhe me luftën, Ana Mari. Ç’kërkoje: Pasuri a gëzim? Mbi supe kishe marr veç uri. Përqark, katrahur e mjerim.
E solle tek ne lirin’ e trupit Dhe e le në vendin tim, këtu. Shtatë ditë në “Qytetin e fundit” Pëshpëritej vetëm për ju.
Të mundi një “vështrim i zjarrtë”. Një të tillë s’kishe parë tjetërkund. Po në stinën e urrejtjes së gjatë, Ai s’mund të kish tjetër fund…
Dhe një ditë, në kohë të ndryshuar , Ana Maritë, këto bija të mundit, Mbi supe liri dhe uri ngarkuar, E ndërruan “Qytetin e fundit”…
Këtë rradhë atje, pas orësh lundrimi, Një “vështrim të zjarrtë” në kërkim. Dikujt t’i shisnin një fije dëfrimi. Pas shpine, katrahur dhe mjerim.
E renda të pyes: ku ishte shkrimtari? Por ai e kish mbyllur rrugëtimin e ti. Atëher’ mbështeta mbi pllakë, te varri Dy trëndafila: Një nga unë, një nga ti.
Nga Vaso Papaj
*Ana Maria Monti - personazh i romanit “Qyteti i fundit” i shkrimtarit Petro Marko.
Comentarios