top of page

PËLLUMBAT E MURMË


Thani Naqo

tregim

Fillimisht u dëgjuan goditjet e karrigeve që ktheheshin këmbëpërpjetë mbi tavolina dhe pastaj fshap-fshupet e mbulesave. “Kaurka e Bukur është kurvë. Fati ynë që nuk na zuri derën,”- por, pavarësisht nga sa i kishte thënë e ëma, ai përgjoi i malluar psherëtimat e Kaurkës së Bukur gjersa mbaroi larja e dyshemesë dhe karriget u vendosën këmbëposhtë. Numёroi dymbëdhjetë fshap-fshupet e mbulesave dhe dymbëdhjetë trokitjet e pjatëzave të duhanit. Vëzhgon siluetën e saj e atëherë u ndërmend se kishin kaluar dhjetë vjet që Kaurkën e Bukur e pati fshirë nga ëndërrimet platonike të dashurisë. Dalloi deformimin e zverkut, mirëpo, pavarësisht zverkut si shportë, ajo belin e kishte të hollë, vithet e gjoksin të ngrehura e të rrumbullta. Pikërisht kur mjegulla u dendua, sheshi përtej xhamave të klubit u zhyt në turbullirë, llambushka në shtyllën elektrike i ngjasoi si portokall, pikërisht atëherë dëgjoi zërin e tjetërsuar të Kaurkës së Bukur:

”Ç’m’u mërzit kjo mjegull murmashe.”

Pas këtij mllefi, dëgjoi se në lagjen e saj ishin disa qen të egër dhe ajo kishte frikë prej tyre. Atëherë ai piu gllënjkën e fundit me vodkë, përtypi gjysmën e peshkut sardele, ndezi cigaren dhe u kthye i gjithi nga ajo. Kaurka e Bukur buzëqeshi dhe ai dalloi se në anën e majtë të sistemit të sipërm dhëmbor i mungonin dy dhëmbë. Ajo qe veshur me pantallona doku ngyrë gri, me bluzëgolf prej leshi, ngjyer në çoçanik arre ose me lëvore lisi. Flokët e kafejta kishin humbur dallgëzimin e shkëlqimin e dikurshëm dhe atij i shkoi mendja se në stinën e dimrit femrat në vendlindjen e tij e lanin kokën rrallëherë dhe në dimër bënin një ose dy herë banjë në muaj. Nga që ajo ishte hequr në fytyrë, i spikatnin mollëzat dhe ovaliteti rinor i qe shprishur. Para se të mbyllte derën e klubit, ajo ia kujtoi sërish qentë e egër. E shoqëroi nëpër ca rrugica të ngushta e lakadredhëse, që hynin si pyka në lagjen e druvarëve e të sharrëxhinjve. Ai e dinte se i shoqi nuk ish i përnatshëm në shtëpi, mbasi punonte sharrëxhi dy a tre orë larg qytezës. E dinte gjithashtu se ajo pleksej me shoferët e transportit të druve dhe për shkak të dështimeve, nuk lindëte fëmijë. Kishte një hyrje-koçek njëdhomëshe prej druri, veshur nga jashtë me pllaka qerpiçi. Gjurmët e kafshëve, të qerreve, të zetorëve e të njerëzve, ishin të ngrira e të mbuluara me cipa akulli. Hapat e të dyve kërcisnin sikur ecnin përmbi qelqe.

Sa lanë kthesën pas klubit, Kaurka e Bukur e mori e para guximin dhe e kapi për krahu. Që të ecnin me të njëjtin ritëm, atij i qe dashur të shkurtonte hapin. Ish hera e parë që një femër e kapte për krahu, sikur të ishin burrë e grua dhe, mbase kjo, i la ndjesinë se dashnorët, qofshin edhe të vonuar, ecin pezull nëpër vorbullën e mjegullës. Ajo ngjeshi bërrylin pas trupit të tij dhe, kur i shkau këmba, e përfshiu për beli me njërin krah dhe vazhduan të ecin gati të ngjitur përanazi. Sinjaku ia veshi bluzën e leshtë dhe afshi që lëshonte kurmi i saj i pëlqeu sepse iu duk afsh femëror, epshndjellës, gjë që e bëri të ndjehej më i rritur e më i paturpshëm nga një orë më parë.

Nuk shihej një pëllëmbë larg hundës.

”Çuditem se si orientohesh në këtë tymnajë,” - tha ai.

”Si pëllumbat,” - u përgjigj Kaurka e Bukur dhe iu ngjesh edhe më tepër pas trupit dhe kukurisi femërishte. Ajo kukurisje i faniti kurmin e saj të hajthëm që ai e kishte parë të veshur me palaçeta në orën e fizkulturës, kurm që e përmendnin me fjalor kurvërie maturantët e paturpshëm. Pas dhjetë viteve ndjeu keqadhje për të dhe nga dëshira e rizgjuar e gjimnazistit ëndërrimtar e naiv, hoqi mendjen ç'kishte ndodhur pas shpullës të së ëmës dhe klithmës së saj, "nuk bëhet krushqi me kaurët dhe me armikun e klasës." Përfytyroi pëllumbat e murmë që

ngrinin foletë në shkëmbinjtë e thepisur. Përanash kokës kishin dy kokrriza si qiqra dhe mbi sqepa leskra të ngjashme me thjerrёzat. Që kur ishte në tetëvjeçare e dinte se ato ishin busullat e zogjve në shtegtim dhe, ndërkohë që ai meditonte për pëllumbat e egër murmashë, ajo iu ngjesh më shumë pas trupit dhe atij i ardhi mirë e nuk e kundërshtoi. Padyshim ish afrim i malluar dhe i mbetur peng, afrim dashuror, por dhe zëri e pëshpëritjet e saj ishin përmalluese, paçka se me zë të tjetërsuar:

”Ëndërroja të bëhesha dentiste, por përfundova kamarirere. Ëndërroja të martohesha me ty, por, nga që isha e bukur dhe me biografi të keqe, më ngarkuan me njëmijë thashetheme. Prandaj mbylla sytë dhe u martova me një kokëdru, përndryshe do kisha vdekur duke prashitur me kazëm dhe hapur toka të reja me bel e lopatë.”

Tregoi me dorën tjetër mjegullën e murme para fytyrave të të dyve dhe e ngriti zërin për t’i hequr atij ndrojtjen:

”Mos ki merak se të shikon kush. Këtu njerëzit bien të flenë sa mbyllin pulat në kotec. Zëre edhe se jemi dy pëllumba të murmë që kemi humbur tufën nga mjegulla e dendur.“

Ndërkohë që ajo mbushi stufën me dru, ai u pendua pse hyri në atë shtëpizë qerpiçi. Ashklat e pishës ishin ndezur menjëherë, kurse Kaurka e Bukur drejtoi trupin, fërkoi pëllëmbët me njëra-tjetrën për t’i ngrohur a për t’i shkundur nga hiri dhe qëndroi para tij symbyllur me pamje engjëllore dhe u bind se ajo ishte akoma e bukur dhe buzët e mbledhura porsi gonxhe iu njomëzuan. Ai akoma mbante duart në xhepat e xhupit dhe, nga hutimi, shkërmoqte nëpër to. Gishtat i prekën kokrrat e qiqrave që ia kishte dhënë magazinieri i fermës. Kaurka e Bukur bëri një çap më pranë tij, ende me sytë e mbyllura dhe, befas, krahët e saj e drapuan për beli. Atëherë ai dalloi se ishte një pëllëmbë më i gjatë se ajo dhe iu desh të përkulej për të puthur tulin e buzëve, të cilat i pati lakmuar heshturazi, që kur filloi shkollën e mesme bujqësore. Pastaj shikimin ia thëthiu syprina e stufës nga ku dilte e hynte flakëza si gjuhë djallushe e një femre epshndjellëse.

Ish hera e parë që puthi një femër dhe provoi atë që thoshin të tjerët “puthja është një lloj dehje që nuk të del për tërë jetën.” Por ja, atij i ndodhi të dehej pas dhjetë viteve me Gotën e Dashurisë, paçka se e dinte që me atë gotë kishin pirë të tjerë para tij. Pavarësisht se kishte menduar këto, dehja e ëndrrës së parë të dashurisë kishte dalldinë e verës së vjetër dhe ish vërtet magjike. Mbase shkak u bë përmallimi, pastaj bubulitja e tubave të stufës dhe afshi i kurmit të saj e mbështolli krejt dhe i hyri deri në mushkëri. Atëherë, siç ndodh pas dehjes, ai hapi sytë dhe u përball me realitetin. Kaurka e Bukur çliroi krahët nga beli i tij dhe shpleksi topuzin e flokëve; i dha kokës prapa me hijeshinë e dikurshme rinore dhe flokët ia mbuluan zverkun; tërhoqi fort bishtin e rripit dhe çliroi gjelkëzën metalike. Pastaj ia shkopsiti pantallonat me lëvizje të shkathta gishtatsh dhe ato shkanë nën gjunjë.

”Ç’m’i paske benevrekët ngjyrë mjegulle!” - kumboi zëri i saj kristal dhe kukurisi femërishte. Ai u ndërmend se ai zë ishte i njëllojtë me të dhjetë viteve të shkuara, kur ajo kishte thënë në sy të moshatarëve të tij: "Të gjithë juve më mbani në sy kur bini për të fjetur, kurse unë mbaj veç njërin." Dhe e kishte parë atë drejt në sy. Sa kujtoi këtë skenë rinore, nxori pëllëmbët nga xhepat e xhupit, por nuk dinte ç’të bënte me to. U dha shpatullave pas, xhupi i shkau pas shpinës e ra mbi dysheme. Gishtat e ftohta të Kaurkës së Bukur kapën llastikën e benevrekëve së bashku me të mbathjeve dhe me një lëvizje të beftë, ia uli edhe ato vrullshëm nën gjunjë. Atëherë sërish kumboi zëri i saj i kristaltë dhe i paturpshëm:

”Kot më mori inat jot ëmë; ti qënke kristian më shumë se unë!”

Humbën ekuilibrin e u plandosën mbi shtratin e vetëm që kishte dhoma. Ndërkohë lihnin disa qen, u dëgjuan edhe hapa dhe krap-krupet e cipëzave të akullta të gjurmëve. Pas gjysëm ore doli nga koçeku i saj, shtëllunga e mjegullës ishte tjerrë nëpër grykat e maleve dhe qielli ishte qëndisur me yje tejet të ndritshëm. Kjo nuk ishte hera e parë që iu bë sikur yjet hidhnin valle mbi kokën e tij dhe ai mjaftonte të nderte dorën dhe t'i këpuste për të thurrur kurorën e dashurisë së rigjetur. Ylli i Mëngjesit drithëronte bishtin diku sipër fshatit të tij dhe atij iu fanit sërish e ëma dhe faqja i flakëriu nga shpulla e saj. Hënën e kishte pingul mbi kokë, hënë e nemitur mes yjeve, vezake, e ngjashme me fytyrën e dikurshme të Kaurkës së Bukur.

Hija e tij petashuqe e ndoqi gjersa ngjiti shkallët e drunjta të zyrave të fermës ku ishte dhoma e gjumit e agronomëve. Por, njëlloj si hije, i ishte qepur nga pas edhe kutërbimi i fekaleve të lagjes së druvarëve.

“Të vish tek unë sa herë te kesh neps,” - i kishte thënë Kaurka e Bukur. Mirëpo mjegulla u var sërish nga shpati i malit dhe qyteza u zhyt në mugëtirë. Yjet u venitën gjersa humbën fare, kurse hëna porsi një pjepër i verdhë rrokullisej mbi kokën e tij. Atëherë iu kujtua dhoma koçek, por njomështia e buzëve të tulta e të nxehta të Kaurkës së Bukur i lanë shijen e mjellmët të një lëngëzimi të panjohur deri atëherë: lëngëzim ëmbëlcak dhe i krupët. Në rrugën e kthimit i qe dashur të pështynte gati në çdo hap dhe, sa hyri në dhomën e gjumit, ngarkoi furçën me kolinos. Ndërsa lante dhëmbët iu fanitën rrobat e nderura përkrah stufës; mbathjet e zverdhura dhe bluza prej leshi, nga ato që mbajnë druvarët për mishi dimër e verë. Pastaj dy a tre këmishë, edhe ato të të shoqit, me jakat e shkërmoqura. Disa palё çorape prej leshi, arnë mbi arnë, në pllaze e thembra. Në anën tjetër të stufës, ishin nderur sytjenat e mbathjet e Kaurkës së Bukur.

Edhe pse lau dhëmbët e shpërlau gojën dy herë, i erdhi për të vjellë. Atëherë u kujtua se kishte thëthirë avujt e diçkaje të lyrshme që digjej mbi pllakën e përskuqur të stufës. U çua dy herë nga shtrati: të dyja herët lau fytyrën me ujë nga muslluku dhe fërkoi fort pjesën qarkore përreth buzëve. Pastaj hoqi disa gllënjka vodkë, direkt nga shishja, të cilën kryeagronomi i fermës e mbante tek koka e shtratit. Megjithëse i turbulluar nga pija, edhe në gjumë e torturoi ndjesia e djaloshit të virgjër e qibar. I bëhej se goja dhe buzët i qenë llangosur me jargë shoferash e druvarësh. Ai u palos e u shpalos në shtrat, sa nga njëra anë në tjetrën ndërgjegjetrazuar. Gjersa u gdhi mbeti zgjuar, me gjuhën jashtë e sy të palëvizshëm. Në gojë i vërshonin ende jargë të krupta.

24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page