top of page

Orë letrare në shkollën jo publike “Kampionët” Vlorë




Nga Rudina Alimerko

Me magjinë e përrallave “Gjiganti dhe Xhuxhi” nga letërsia për fëmijë e shkrimtares Vilhelme Vranari

Nuk na bie shpesh rasti të dëgjojmë nga fëmijët vlerësime, kritika, debate për vepra të shkruara enkas për ta, që u përshtaten veçorive psikologjike të moshës së tyre. Është bukur kur para syve të shpaloset një botë e pasur artistike plot emocion, ndjenja fëmijnore, me një fantazi të zhvilluar për atë moshë që kërkon të dijë gjithçka, brenda së cilës gjendet magjikja, e cila shfaqet mes përmasave të një fëmijërie të dëlirë, të një pafajësie engjëllore që të bënë për vete. Rrallë herë na ndodh që të dëgjojmë arsyetime dhe vlerësime nga goja dhe mendja e asaj moshe të dëlirë e të pafajshme fëmijënore, por e pastër si uji i burimit. Ndoshta ndikon te të rriturit ajo dëshira e pabesueshme e tyre, gjë që të lë përshtypjen se janë të etur për dije. Kështu ishte për mua ajo orë letrare mjaft e këndshme, e cila i kaloi caqet e orës akademike... por pa e kuptuar vazhdoi plot 90 minuta.

U ndodhëm tok me nxënësit e klasës së pestë të shkollës jo publike “Kampionët “ në qytetin e Vlorës ditën e mërkurrë, më 8 shkurt 2012.

Jashtë bënte shumë ftohtë, por aty brenda në klasë, dimri sikur e kishte të ndaluar të futej. Mes një mjedisi të ngrohtë e gazmor, duartrokitjet e fëmijëve, buzëqeshjet dhe cicërimat e tyre si tufat e zogjëve në fluturim, nuk reshtnin. Për ata dukej si një ditë feste përrallore. Kështu ndodh kur organizohet bukur, thjesht e njëkohësisht kur plotësohen dëshirat e tyre fëmijënore.

Shkrimtarja u afrua dhe i përshëndeti të gjithë nxënësit. Në sytë e tyre kishte gëzim. Për ta ishte një orë e veçantë, ku nxënësit, veç mësueses, kishin pranë tyre edhe një njeri të njohur që më parë, “nënën” dhe “gjyshen” e atyre përrallave të bukura që kishin lexuar.

Kishin rastin të bashkëbisedonin me të, të shprehnin mendimet e tyre, ta pyesnin për ndonjë gjë që i kishin bërë të mendoheshin. Në atë mjedis arsimor dhe kulturor ndihej që tek gjithsecili kishte emocion. Të gjithë donin të flisnin njëherësh...

Dhe kështu nisi pakuptuar, fare natyrshëm ora letrare. Një nxënëse faqekuqe filloi të lexonte poezinë në fund të librit “Gjiganti dhe Xhuxhi”:

“Mësoj ta dua gjuhën time.

Ti, o gjuhë e vjetër shqipe,

me gjak Ilirije më rrite...

me ëmbëlsi qumështi më ngjize,

ti, e shtrenjta, nëna ime...!”


Dukej që edhe autorja jonë u emocionua nga këto vargje që ajo i kishte shkruar në kopertinën e librit të dytë të ciklit me “Përrallat e Vendit Blu”, përmbledhje e titulluar “Gjiganti dhe Xhuxhi”. Kjo poezi në vetvete përciell tek lexuesit e vegjël, një mesazh të madh, dashurinë për gjuhën e ëmbël shqipe, gjuhën e mëmës.

Në këtë libër përfshihen pesë përralla, që janë vazhdimësi e librit të parë "Kuçedra dhe Dragoi". Të dy librat, në formë imagjinare, shtjellojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptar, duke dhënë ngjarje, fakte dhe tradita të të parëve tanë. Mbi të gjitha, këto përralla ndikojnë tek lexuesi duke edukuar dashurinë për Atdheun, për gjuhën e bukur shqipe, për të parët tanë ilirë dhe përpjekjet e tyre për liri.

Mësuesja u kërkon fëmijëve që të thonë titullin e veprës, shkrimtarin, gjithë bashkëpunëtorët si redaktorin, ilustruesin dhe emrin e Shtëpisë Botuese.

Dhe kështu bukur, magjishëm dhe këndshëm filloi bashkëbisedimi…Nxënësit ishin kureshtar për gjithçka, ndaj nuk përtonin të pyesnin. Ndërsa shkrimtarja Vilhelme Vranari përgjigjet me emocion, pasion, dëshirë, sepse ajo i do shumë fëmijët. Është një dashuri e veçantë që përshfaqet dhe në fillim të përrallës, Nëna Vili tregon... Por në këtë orë të gëzueshme letrare, ndodhi edhe e kundërta, kur shkrimtarja pyet dhe nxënësit përgjigjen... Ashtu sikurse ndodh në elektrizimin me influencë, tani po ndihesha edhe unë e emocionuar tek shihja nxënësit që flisnin me tërë atë pasion për çdo përrallë, ngjarje, histori... A thua sikur këta fëmijë i njihnin dhe kishin luftuar bashkë me heronjtë e tyre?!Qënie të tilla si Lubia e pangopur me emrin”Llufa” apo Gjiganti, Shtriga, Dragoi…Hyjnesha Buna e të tjerë personazhe të librit, që të bëjnë të mrekullohesh me botën e këtyre përrallave, duke fluturuar e shëtitur në vende të papara, a duke u ndeshur me qenie të panjohura mitologjike.

Mësuese Marga ndërhyri me një pyetje, drejtuar sidomos çamarokëve të klasës: “Secili nga ju do të më thotë se kujt personazhi të përrallave kërkon t'i ngjajë?”

Çuditërisht sipas tipit, secili zgjodhi t'i ngjante personazhit që i kishte lënë më shumë vragë në ndërgjegjen e tij.

Të bënte përshtypje komunikimi mjaft i përzemërt midis fëmijëve dhe znj. Vilhelme kur diskutonin për vlerat që mbart ky libër me një gjuhë të pasur letrare, që i tërheq lexuesit e moshës së njomë.

Përveç kesaj, nxënësit lexues nuk lënë pa u ndalur edhe te pyetjet “A bisedojmë pak?” të aparatit pedagogjik. Janë pyetje drejtuar fëmijëve për bashkëbisedim dhe ata kanë dëshirë të flasin dhe t’i trajtojnë të gjitha… E bukura ishte kur ata duke e vënë veten në rolin e shkrimtarit apo të mësuesit, pyesnin njëri-tjetrin. Aftësia e tyre për t'i thithur gjërat ashtu siç e kërkon libri, të befasonte, por më tepër të mahniste.

Në fund autorja saktësoi e formuloi bukur mesazhin e çdo përralle.

Si një mësuese me përvojë dhe shkrimtare që e njeh mirë botën e fëmijëve, Vranari i ka kushtuar rëndësi dhe fjalorit për secilën përrallë, duke u pëeqëndruar më shumë te shpjegimi i fjalëve dhe i emrave të panjohur për lexuesit e asaj moshe së cilës u adresohen ato krijime…

Dalengadalë kjo orë mbaroi pakuptuar. Nxënësit falenderonin autoren për përrallat kaq të bukura dhe nuk harruan të pyesnin:

-Nëna Vili, do të shkruash më përralla?

- Fëmijë, prisni pak kohë. Nëna Vili më parë do t’ia kallëzojë Princeshës Bi dhe pastaj do t’ua tregojë edhe juve librin me përralla që do të vijë më pas…

Kur mbaroi ajo veprimtari e këndshme dhe shlodhëse, m’u ndërmendën fjalët e poetit tonë shqiptar nga Kosova Vehbi Kikaj që thotë: “Vetëm kur del para fëmijëve, shkrimtari e sheh veten si në pasqyrë.” Dhe tani, pas këtij ballafaqimi të çiltër e të mrekullueshëm, shkrimtar dhe fëmijë, i dhashë plotësisht të drejtë poetit Kikaj...


Faleminderit znj. Vranari, faleminderit fëmijë për kënaqësinë që më dhuruat sot!

Mirë u takofshim në libra të tjerë!

Rudina Alimerko, Pedagoge në universitein “I.Qemali”

111 views1 comment

1 Comment


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Oct 24, 2023

Përshëndetje, Profesoreshë Rudina,

Ju përgëzoj për këtë Ese interesante, në të cilën, para 11 vjetësh, mes njomëzakve të klasës V të Shkollës jopublike "Kampionët", keni ndjekur "arsyetime dhe vlerësime nga goja dhe mendja e asaj moshe të dëlirë e të pafajshme fëmijënore, por e pastër si uji i burimit" për ato vepra të shkëlqyera për moshën e tyre të shkrimtares aq të talentuar në gjininë e letërsisë për fëmijë, Zonjës Vilhelme Vranari Haxhiraj. Besoj se nga auditoret e Universitetit "Ismail Qemali", me siguri që i kujtoni me nostalgji ata njomëzakë, të cilët tani janë studentë ose i kanë përfunduar studimet universitare.

Me respekt.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 23 tetor 2023

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page