top of page

O ZOT SI ËSHTË E MUNDUR KADAREJA...


O ZOT SI ËSHTË E MUNDUR KADAREJA, TË KETË SHKRUAR GJËRA PA PIK KUPTIMI!..

Nga Robert Martiko


Zakonisht Ismail Kadarenë e kritikojnë se është shkrimtari që u bë i njohur në botë nga vetë diktatori Enver Hoxha. Sigurisht, me të drejtë, pasi as që mund të konceptohej në kohën e Diktaturës të mbërrinin librat e tij pa leje të veçantë në Francë, që u bë kështu edhe vendi i parë i njohjes së zgjeruar. E kritikojnë gjithashtu dhe për poezinë admiruese që i drejtonte Stalinit, Qenit të Kufirit apo për vetë thirrjen me vargje që i drejtonte Diktatorit, për të vrarë akoma më shumë shqiptarë, te e ashtuquajtura poemë e famshme “Pashallarët e kuq”. Sigurisht shkrime të kësaj natyre perverse, të pakonceptuara në botën e Artit të Vërtetë, kur burgjet e vrasjet gjëmonin, janë të panumërta, por problemi nuk është fare këtu.

Të them të drejtën, unë tani kam filluar të lexoj librat e Kadaresë. Para njëzetë ditësh publikova te faqja ime në Fb. një shkrim të shkurtër për librin e tij për Eskilin, dhe u befasova. Thashë me vete si është e mundur të shkruajë një shkrimtar i dëgjuar në botë pa pasur idenë e gjërave! Dhe si për çudi, tani që porsa mbarova së lexuari librin: “Kush e solli Doruntinën”, kjo bindje mu thellua akoma më shumë. Së shpejti, njësoj siç veprova me Eskilin, me argumente të thjeshtuara, por me kuptim të thellë për vetë cilësinë e jetës së shoqërisë, të njëjtën gjë do të bëj edhe për Konstandinin e Doruntinën.

Mund të lindë pyetja se përse e bëj një gjë të tillë. E bëj sepse e shikoj tragjike jo vetëm gjendjen e shoqërisë pa rrugëdalje, por edhe vetë mendimin intelektual shqiptar me njohuri vetëm të materializmit dialektik, pa pasur idenë e gjërave që ndryshuan botën. Prova është fare e thjeshtë. Mjafton të shkruash në Google fjalët “Rilindje Shpirtërore”dhe rezulton një Asgjë e madhe, e bukur. TURP PËR FAQE TË ZEZË për mendimin filozofik, akademik, profesorë, doktorë, shkrimtarë, me tituj në erë, pa pik kuptimi për të ndikuar në ndryshimin e shoqërisë. Pasi vetëm në një kulturë e qytetërim jashtë Kohës e Historisë, si në Shqipëri, jashtë Kohës Universale të Qytetërimit Perëndimor, mund të shkruhen gjëra që nuk kanë si objektiv ndryshimin e njeriut. Pikërisht për këtë do të merrem edhe me Kadarenë.

Në kohën kur filluan ndryshimet humane në Evropë, individë me kuotë inteligjence më të lartë në botë, iu drejtuan vetë Zotit në qiell për ta korrigjuar. Kështu doli Evropa nga Mesjeta. Jo me dokrra shkrimtarësh e poetësh që nuk kanë idenë e gjërave, të cilët gjatë gjysmë shekulli Diktaturë kthyen Kohën e Shoqërisë shekuj të tërë pas. Pikërisht këtë vuan shoqëria sot.

Në mënyrë analoge me sa ndodhi në agimin e Rilindjes Evropiane, ku u thirr vetë Zoti të zbriste në tokë, jo vetëm për Kadarenë, por për këdo tjetër në vendin e tij, duhet të mendoj për sytë e bukur të një padituri, që nuk sjell asgjë me aromë nga bota e ndriçuar e Dantes, Shekspirit, Gëtes, Hygoit, e deri te shkrimtari më i fundit perëndimor, që ndryshuan Njeriun, apo të lë shoqërinë shqiptare në Kohën e saj tmerrësisht të mbyllur nga vëllavrasja gjysmë shekullore, e shfaqur sot me përçarje e armiqësi shekullore! Pikërisht kjo është çështja. Disa ditë më pas, kur të shkruaj për Doruntinën do të habiteni se për çfarë gjëra pa kurrfarë lidhje ka shkruar Kadareja, të mbuluara nga errësira më e thellë.

Pikërisht këtë lloj errësire mendimi, shkrimtarët e poetët seriozë në Shqipëri duhet të shpërndajnë për të mundur të mendohet për një të ardhme ndryshe nga e sotshmja. Pasi nga Asgjëja nuk lind veçse Asgjëja.


ESKILI DHE KADAREJA


PROBLEMI NUK ËSHTË SE I MUNGOJNË “ESKILIT” TË KADARESË GJËRAT MË THEMELORE PËR TË PARAQITUR TË KOMPLETUAR NË ESENCË FIZIONOMINË GJIGANTE TË DRAMATURGUT GREK, POR SEPSE VETË SHOQËRIA SHQIPTARE MBETET E PAAFTË PËR TË MUNDUR TË NDRYSHOJË FATIN E SAJ

Vetë autori shkruan në librin e fundit se është marrë me Eskilin qysh në vitin 1985, e ka plotësuar gjatë ribotimeve të shumta, dhe se edicioni i III është përfundimtar. Konkluzioni është se “Eskili” i Kadaresë mbetet edhe sot e kësaj dite krejtësisht i zbehtë në thelbin e tij, për të mundur, të paktët individët me mendje të hapur të kuptojnë rolin e tij grandioz në histori, si Hapës Kohe, i shoqërisë humane.

Është interesante se në librin e titulluar “Eskili ky humbës i madh” Kadareja ka botuar në kopertinë edhe një shkrim lavdërues për vetvteten, të Alain Bosquet, poet e shkrimtar i dëgjuar francez, anëtar i Akademisë Mbretërore i Gjuhës e Literaturës Franceze në Belgjikë. Por me sa duket, as njeri dhe as tjetri njohin thelbin ndriçues të Eskilit.


Për të hyrë në temë, tragjedia “Orésteia” përmban tri tragjedi të titulluara: Agamemnoni, Koeforet e Eumenidet. Agamemnonin, kryekomandant i ushtrisë greke në Trojë, kur kthehet nga lufta, e vret gruaja e tij, Klitemnista. Për të marrë gjakun e babait, Oresti vret nënën e tij. Fantazma e Klitemnistrës zgjon Erinitë, shpirtra të gjakut e të hakmarrjes për të masakruar Orestin. Ato e arrijnë, janë gati ta vrasin, por i ndalon Perëndesha Athina me mendimin se fati i Orestit duhet të vendoset nga drejtësia. Gjyqtarët ndahen më dysh: tri vota pro dhe tri kundër. Vota e shtatë, e Athinasë, vendos që Oresti të deklarohet i pafajshëm. Mjaft e rëndësishme është se pas përfundimit të gjyqit, Erinitë gjakmarrëse kthehen në Eumenide me shpirt të pastër: iu hiqet e drejta për hakmarrje personale. Pasi një shoqëri nuk rritet e përparon me ligje xhungle, si ato të vëllavrasjes në diktaturën e kaluar.

E veçanta e tragjedisë “Orésteia” ishte se ditën tjetër nga dhënia shfaqjes, qytetarët e Athinës shkuan drejt e në Aeropag për të ndryshuar ligjin e hakmarrjes. Pra, pikërisht për këtë rol grandioz si Hapës Kohe përmendet Eskili në Histori. Ky pikërisht është roli i shkrimtarit: TË HAPË KOHËN. Kjo pikërisht ndodhi në Rilindjen Evropiane. Shpirti i pavdekshëm i Eskilit vlejti dhe vlen dhe sot e kësaj dite, për të ndërtuar dhjetëra gjenialë të tjerë, për të ndryshuar vetë shoqërinë humane. Mirëpo këto gjëra me karakter aq shumë ndriçues për vetë lexuesin shqiptar, as që përmenden fare në librin për Eskilin. Përveçse për të futur Perënditë në Lojë, përmes interpretimit human: pasi pikërisht kjo shënoi daljen nga Mesjeta në Evropë, sigurisht në tjetër nivel, nuk është i paktë përfytyrimi gjenial i Eskilit, për të kthyer Erinitë në Eumenide. Krejt ndryshe vëllavrasja e organizuar nga Propaganda nën Diktaturë pati vetë Kadarenë protagonist kryesor. (Te "Pashallarët e Kuq" i bënte thirrje diktatorit Enver Hoxha, me vargje, të vriste shqiptari shqiptarin). Sigurisht jo për të hapur Kohën si Eskili, por për të kthyer kohën e shoqërisë shqiptare shekuj të tërë pas. Prandaj shoqëria përballohet sot me një shtet grabitës, pa ligje, pa mirëqenie, pa siguri e sigurime të mjaftueshme shoqërore, me një emigracion që rend me shpejtësi skëterre, pa ndalim, me Njeriun e Ri Socialist të pranishëm kudo. Kadareja merret në libër me gjëra jo esenciale, bie fjala me gjakmarrjen në Veri të Shqipërisë. E bën nga padituria apo kërkon të fusë lexuesin tru-kokosh në qorrsokak! Mund të krahasohet gjaku sporadik i derdhur në Veri me gjakun e mijëra e mijëra shqiptarëve të torturuar e vrarë në masë nga gjysmë shekulli Diktaturë me Luftë Klase, Vëllavrasëse, të Organizuar!...

Është çudi, jo vetëm inteligjenca e kufizuar e intelektualit shqiptar të dalë nga kultura e vetëm marksiste që njohu në jetë: por edhe ajo e Alain Bosquet lë aq shumë për të dëshiruar. Në anën tjetër, janë vetë njohuritë Filozofike Perëndimore që lënë Kadarenë të zbuluar si shkrimtar. Asnjë përbindësh i artë si Dante, Shekspir, Gëte apo Hygo, do të shkruante qoftë edhe një rresht pa ato njohuri. Me sa duket, Kadareja nuk pati kurrë aftësinë apo dëshirën për tu kompletuar, të paktën kur ra Diktatura. Të shpëtonte nga shënimet e leksioneve të kufizuara të Moskës kur studjonte për letërsi. Pasi gjëra të sipërfaqëshme, pa inteligjencë, rrethrrotullon ne librin e tij. Konkluzioni është se të gjitha veprat e tij nën prizmin filozofik çalojnë. Dhe problemi nuk është Kadareja, por vetë shoqëria shqiptare e cila ka mbetur në duar jo të thelluara. Shkruan në Google: Rilindje Shpirtërore dhe rezulton një Asgjë e Tmerrshme me perspektivë veç kaosin e tragjedinë e pandarë për shoqërinë, sot në nevojë më shumë se kurrë, për sa kohë që Mendimi Intelektual nuk do të marrë situatën në dorë. Dhe përsëri e përsëris: se pa mbizotërimin në Mendim të frymës së një Pjetër Meshkalle të ndershëm, fisnik, burrëror, që futet në burg në kohën e tre milionë skllevërve-duartrokitës, Shqipëria është një vend pa të ardhme. Do të qarkullojë në shekuj mendimi gjysmak, i pafiltruar, tragjik, i vdekur për së gjalli, intelektual, marksist, aktual. Korrupsioni do të mbizotërojë në jetë të jetëve...

39 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page