top of page

NË PËRMET, BUKË PAK, LULE SHUMË E UJË DET



Shënime udhëtimi

Një libër për Dashmir Zaçen, këtë njeri që edhe t’i japësh titullin “Nderi i Kombit” është pak, shumë pak për nismën e madhe të mësuesve vullnetarë që vijon që nga 7 marsi 2001 në Greqi për t’i mësuar fëmijët të flasin, shkruajnë e këndojnë shqip, më solli përsëri në Përmet...

1.- PAK PËRMET NË JETËN TIME...

Për herë të parë Përmetin e kisha “matur me hap” në majin e vitit 1962. Student, pjesëtar i Ekspeditës Pedologjike që çoi në hartën e tokave acide të Shqipërisë, pata fatin që të “rrah me këmbë” qytete e fshatra të vendit tim nga Bularati e Saranda në Valbonë e Razëm... Në vitin 1978, në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit hapin drejt Përmetit e më tej drejt folesë së kulturës e historisë shqiptare, Frashrit, ma ndali një lajm: “Në Frashër nuk mund të shkohet. Rruga është e pakalueshme për çdo mjet...” Një dhimbje njerëzore në tetor të vitit 2016, më mori e më çoi në Përmet. Një grusht dheu mbi varrin e mësuesit të parë të gjuhës shqipe në mërgim, shokut tim të shqipes Dashmir Zaçe ma shkrifi shpirtin si kokrrat e dheut mes gishtërinjve...


Një libër për Dashmirin, këtë njeri që edhe t’i japësh titullin “Nderi i Kombit” është pak, shumë pak për nismën e madhe të mësuesve vullnetarë që vijon që nga 7 marsi 2001 në Greqi për t’i mësuar fëmijët të flasin, shkruajnë e këndojnë shqip, më solli përsëri në Përmet... Më parë, herët, shtatëdhjetë vite më parë, në Brezhdanin tim në Dibër kishte ardhur nga Përmeti Gavril Kota, një djalë i ri për të më mësuar mua e shokëve të mi si ta shkruaj gjuhën e nënës e për të më ngjallur dëshirën për të qenë një nga shkruesit e saj tash 61 vjet që nga 8 maj i vitit 1957 kur vura firmën në një gazetë të kohës... Më herët, 72 vjet të shkuara kur rinia mori përsipër të ndërtonte Rrugën e Rinisë Kukës-Peshkopi, një i ri përmetar, Kalo Asllani, do të bëhej dëshmori i parë i ndërtimeve në Shqipëri... Një lapidar i thjeshtë me emrin e tij të gdhendur në mermer hodhi themele e është në Zall-Sinë... Në bllokun tim të shënimeve kam edhe veprën e një vajze përmetare në “Rrugën e Rinisë”. “ E reja Vita Buda nga Përmeti me vrullin e saj sulmonjës ka arritur të gërmojë brenda një dite 7 netra kub dhe”- shkruan gazeta “Bashkimi” në numrin e saj të 2 gushtit 1946... E kisha në shpirt Përmetin...



2.- MËNGJESE TAKIMI E NDARJEJE...

Në Përmet nga Athina, me linjë e drejtpërdrejtë apo tërthorë, arrin në mëngjes, pa gdhirë... E njëjta gjë nisja nga Përmeti në Athinë... Autobusi i linjës ndërkombëtare Athinë-Tiranë u ndal tek Ura e Leklit. Një shesh i gjerë me një klub në ballë që vetëm dritat e zbehta kishte të ndezura. Shoferi i dytë nuk më la ta marr valixhen me gjithë shenjat që i tregoja se është imja. U qetësua kur më në fund, pasi i gërreva e ri gërreva xhepat i dhashë biletën e udhëtimet. As i pa numrat korrespondues mbi biletë dhe valixhe... Dy vetë do të udhëtonim më tej drejt Përmetit, një grua dhe unë... Shoferi i fugonit e bënte këtë rrugë thuajse çdo natë, sa herë që një telefonatë nga Kakavija do ta zgjonte me thirrjen e njohur “eja...” Rruga ishte e asfaltuar, e vizuar, me shenja në çdo pikë. Ato shihja, asgjë tjetër. Nata e kishte fshehur çdo gjë me napën e zezë. Vjosa që aq shumë e dëshiroja ta kem në sy na shoqëronte pambarim, herë djathtas e herë majtas. Kënga e rrjedhës së saj, rrjedhë aq e dashur për mua që isha lindur dhe rritur brigjeve të Drinit e të lumenjve shkumëzues të vendlindjes time, mbytej nga zhurma e makinës... Shoferi, kur nga biseda e kuptoi se nuk isha përmetar, më ligjëroi një varg, varg që do të ma ligjëronin shumë bashkëbisedues në ditët në vijim... “Përmet o xhenet, bukë pak dhe ujë det”... Në qytet arrita herët, pa gdhirë... Roja i natës i hotelit, pasi më tha se nuk ka vende, më ftoi të rrija në kolltuk dhe më kërkoi leje që “Të shohë ujin lart në se rezervuarët janë mbush apo jo”!!!

3.- NË PËRMET SI NË XHENET...

Përmeti është një qytet i qetë. Me një urbanistikë, që përveçse “Kishës-Pallat Kulture” çuditërisht në një betejë pa kuptim për kulturën e kohës, çdo gjë është në vendin e vet. Mbase është qyteti i vetëm që nuk ka pas ndërtime pa leje e ndërfutje ngrehinash ku të mundin e si të mundin. Një shesh tashmë i kalldrëmtë me “Hotel Përmeti” në ballë, një rresht ndërtesash shërbimi që përfundojnë me atë që dikur ishte “shtëpi e oficerëve” e tash “shtëpi kulture”, një bulevard i gjerë me ndërtesa shumëkatëshe që ngrihen mbi themele deri tutje fushës së gjerë plot shkurre e ferra... Nga Guri i Qytetit pamja e Përmetit futet në një gjashtëkëndësh të rregullt me një shtrirje gjatësore ku lulet formojnë padyshim “Xhenetin” e tij. Përmeti, siç e nisin historinë e tij të lashtë vendasit, në antikitet njihej me emrin “Trifilia”. Emrin e sotëm e ka marrë nga heroi i kohëve të lashta, Premti i cili për të mos rënë i gjallë në duart e armiqve u hodh nga Guri që i qëndron Vjosës sikur do të rrokulliset e ndalë rrjedhën e saj. Thashë t’i ngjitem Gurit të Përmetit që aq shumë e fuste në poezinë e tij Dashi e ta shoh qytetin me syrin e kujtesës, me syrin e aparatit tim të vogël fotografik. Isha vetëm dhe me mëdyshjen e një përvoje jetësore (dhe pleqësore) që të mos ngjitem vetëm... I rashë rreth e qark dhe e mora me vete në çantë për ta futur në arkivin e gazetarit... Qyteti u krijua si një qendër administrative, në shekullin e XV dhe XVI, cituar nga të dhëna historike otomane, si një lokalitet i pasur me tregje, dyqane magazina dhe bujtina që e bënë këtë zonë një qendër të lulëzuar tregtare. Të dhënat historike otomane e viteve 1431 - 1432 shënojnë se qyteti kishte 42 shtëpi... Në shekullin XVI numëronte 136 shtëpi... Në vitin 1938 Përmeti kishte rreth 3000 banorë dhe 104 fshatra si zona të ndara. Gjatë Luftës së Dytë Botërore është djegur e përmbytur katër herë... Kultura e qytetit shquan nga një traditë e gjatë letrare dhe muzikore. Përpos Naimit vargjet e të cilit edhe në ditët tona janë këngë (veçanërisht për shqipen) nga Përmeti vijnë edhe shkrimtarët e njohur  Bardhyl Londo apo Sejfulla Maleshova... Muzikantë të dalluar të nivelit kombëtar si Mentor Xhemali e Laver Bariu janë përkujdesur që muzika përmetare të dallohet me karakteristikat e saja të një tradite të gjatë kulturore. Përmeti është vendlindja e tre vëllezërve Frashëri dhe disa personaliteteve të njohura të kulturës mbarë shqiptare siç është skulptori Odhise Paskali, shkrimtari Nonda Bulka, Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço (Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashri i PërmetitThanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt)... Unë do t’i shtoja një Rilindës të Ri, një mësues vullnetar që më 7 mars të vitit 2001, në Selanik të Greqisë, zhvilloi orën e parë të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në mërgim, Dashmir Zaçen... Përmeti është një rreth tipik shqiptar ku raporti i banimit qytet-fshat është 1 me 4 me një popullsi prej 40.419 banorësh prej të cilëve 30.701 në fshat dhe 9718 në qytet. Në vitin 1969 kishte 4300 banorë kurse në vitin 1990 kishte 7600 banorë. (Vjetari Statistikor 1991) Si në gjithë Shqipërinë popullsia e Përmetit për shkak të emigrimit në Greqi e gjetkë dhe migrimin brenda vendit e kryesisht në Tiranë, u ul. Në vitet 2006-2016 nga Përmeti është larguar mbi gjysma e popullsisë... Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 (censusin) Përmeti kishte 5945 banorë nga të cilët 2984 femra dhe 2961 meshkuj. Në regjistrin civil 2017 Përmeti ka të regjistruar 9860 banorë prej të cilëve 5028 janë femra dhe 4832 janë meshkuj. Shumë prej përmetarëve, edhe pse janë larg Përmetit, kryesisht në mërgim, vazhdojnë të jenë qytetarë të tij, me gjendje civile e shpirt në vendlindje... Fshati ka pësuar uljen më të madhe. Frashri, fshati i njohur për historinë e tij të madhe me vëllezërit e tij të mëdhenj Abdyl, Sami e Naim ka popullsinë më të vogël në fshat (48 banorë) kurse Çarçova, Petrani e Peskova nga 100 banorë...

4.-ELVANA, GRUAJA E HEKURT E DASHMIR ZAÇES...

Ishte një ftesë e Elvana Zaçes, mësuese brezash të tërë në Përmet, veprimtare e palodhur për gjuhën shqipe dhe komunitetin shqiptar në Selanik, ku ajo punoi për rreth njëzet vjet. Ishte një ftesë që librin “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”, një prej katër veprave të mija për mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi (“Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës”, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”), ta sillte në vendlindje në dyvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Ishte një dëshirë e madhe e saj që njeriun e jetës ta ulte në kujtime e përjetime përballë shokëve të tij, banorëve të Përmetit që ai u këndoi me shpirt tërë jetën. Dhe e bëri, me përkushtim e dinjitet. Një bashkëshorte e hekurt, një grua me dinjitet të lartë, një zemër e madhe që mbledh dashuri për njerëzit e hidhërim për njeriun më të dashur të jetës së saj... Respektin për Të e kisha fut thellë në shpirt tek bëja librin, tek shfletoja faqet e jetës së tij në Përmet e Selanik, si mësues brezash në vendlindje e mësues vocërrakësh në mërgim. E ngjita më lart në atë tubim organizuar prej saj dhe njerëzve të saj në mënyrë të përkryer...



5.- DASHMIR ZAÇE NË NJË TUBIM MIQSH E NJERËZ TË GJAKUT

Në atë tubim me lot në sy u fol për Dashin, me mall e dashuri, nga shokë e miq, u thurën poezi dhe këngë për të, e morën dhe e vunë në krye të vendit të gjallë ashtu siç ishte dhe si e përcolli vlerën e tij si mësues në dy vende e veçanërisht si mësues i parë i shkollimit shqip të fëmijëve në Selanik të Greqisë më 7 mars 2001 me një sekuencë filmike të asaj dite kur ai betohej për ta ndezur e këndellur zjarrin e mësimit të gjuhës shqipe tek brezi i ri në mërgim. E përcolla me zë e figurë... Po e përcjell të shkruar... “...Jam nga Përmeti. Quhem Dashmir Zaçe. Kam punuar 28 vjet mësues. Kur erdhi një qytetar përmetar nga Selaniku në Përmet më tha: “Tani e kuptova Naim Frashrin, tani që isha vetë në kurbet.” Qesha... Por tani që jam vetë, tani kuptoj jo vetëm Naimin, por kuptoj të gjithë ata që janë këtu. (I rrjedhin lot) Eh ! Të gjithë kështu qanin... Mbase dikush ka dy vjet, siç kam unë pa shkuar në Shqipëri, dikush ka nëntë vjet, dikush ka pesë vjet, por të gjithë e ndjejmë me dhimbje atë tokë... Më fal (loton) Prandaj shpreha dëshirën nga të parët, jo i pari, por nga të parët që të vij dhe t’i mësoj fëmijët shqip pa shpërblim sepse e ndjej detyrë në shpirtin tim, e ndjejë detyrë patriotike që duhet ta realizojmë. Këtyre anëtarëve të shoqatës u tregova një rast. Isha në autobus, shkoja në Korkora. Ishte një fëmijë të them katër vjeç e të ëmën ruse. Nëna ia tregonte objektet rusisht. Më erdhi edhe shumë mirë që e bënte këtë, por më erdhi edhe shumë inat me veten time. Kur them “me veten time”, e them për të gjithë ne. Ne kur shkojmë rrugës, nuk kemi njeri pranë fare dhe i flasim fëmijës greqisht. Pse t’i flasim Greqisht? Ai do ta mësojë greqishten. Do ta mësojë në ambient, do ta mësojë në shkollë. Në qoftë se i flasim në ambiente shumë të ngushta dhe që je i “detyruar” kur je vetëm me fëmijën dhe i flet greqisht, për mua bëjmë padrejtësinë më të madhe ndaj vetes sonë. Duke parë këto situata unë po jua them: Jam totalisht me fëmijët dhe do tua mësoj gjuhën shqipe...

Selanik, 7 mars 2001 Shënova disa emra fjalë ëmbël... Ngriva në diktofon e fiksova në arkiv zëra të ngushtuar nga dhimbja e ngritur lart nga respekti dhe dashuria... Ligor Shyti që e hapi tubimin e mbajti një fjalë me mbresa “shiu lotësh”, Ramazan Gani Lamin që solli një rrjedhë me poezi momenti, analizën brilante të Llumo Kalleshit që e mbyll prozën e tij poetike... “Në faqet e këtij libri takohesh edhe me dhimbjen pikëlluese, me boshllëkun qe le një ikje aq e beftë dhe e papritur, por brenda kësaj dhimbje ka shumë të çara nga hyn dhe drita e kjo dritë e ka emrin mirënjohje e respekt për njeriun që eci në gjurmët e rilindësve të mëdhenj, por kjo mirënjohje mbetet diçka e munguar nga ana e institucioneve. Ndoshta kjo mbetet edhe brenga e vetme e autorit të këtij libri, të cilin e mbyll me një elegji të vetën”. Intelektuali i njohur Përparim Kabo ardhur nga Tirana e përcolli homazhin për mikun e tij me një poezi të ndjerë dhe një fjalim prekës... Një fragment nga poezia dhe një detyrim qytetar për ta zbardhur nga diktofoni fjalët e tij të shpirtit... Ja ku erdha miku im... dita nuk ka numër... as datë .... Është dita jote ... vjeshtuke... e barsur në ndryshkun e gjetheve... Ti je dhe s'je ...mik E pash rrugën si atë natë... kur hëna e shpirtit tënd... zbriti... e u bë qumështi i mjelur në mëngjes nga duart e  nënës ... tënde... ...Nuk i mbledh dot të gjithë, edhe as dhimbjen, as dashurinë, as respektin e madh... Me kohë do ti zbardh nga diktofoni... Më erdhi keq (keq në shkallën më të lartë të zërit) që në atë tubim promovues mungonte kryetari i bashkisë me një përkushtim nderi për Përmetin dhe përmetarët, “Qytetar Nderi i Përmetit”...

6.- FEHMI LLESHI...

Ishte njohur me Dashmirin, kishte dalë në fotografi me të... E kush nuk dilte me të në krah në atë buzëqeshje që të dhuronte e në zërin e tij që buronte jetë. E futa në libër bashkë në një fotografi dhe shënimin e tij kur Dashi iku... “Sa dhimbje, sa trishtim, sa lajm i hidhur sot për mua. Ndahet nga jeta Dashmir Zaçe, një mësues dhe njeri i madh, mësuesi i parë i gjuhës shqipe për fëmijët e emigranteve tanë në Greqi duke punuar vite me radhë falas, i përkushtuar dhe kontribuues i madh gjatë gjithë jetës në arsimimin e brezave të tërë në Përmetin e historisë dhe traditave më të mira shqiptare. Profesor Dashmiri dhe kolegu i tij, dibrani Abdurahim Ashiku së bashku me Galia Kotsin e mësues të tjerë kanë dhënë e japin një kontribut të madh në mësimin e gjuhës shqipe që fëmijët e emigrantëve tanë ta mësojnë atë dhe të mos asimilohen kurrë. Familja humbi njeriun e shtrenjtë, Përmeti një qytetar model dhe arsimi shqiptar një kuadër që zor të zëvendësohet për shumë vite. Të qoftë dheu i lehtë miku im, mezi prisja të takohemi sërish por nuk e mbajte fjalën, ike për të mos u takuar më në këtë botë.

Fehmi Lleshi, Dibran, 26.09.2016” Më kishte dhënë fjalën se do të vinte në Përmet ditën kur Dashamir Zaçe do të vinte faqeve të një libri që e kisha bërë publik. E la Sarandën tek pushonte bashkë me të shoqen dhe makinë më makinë erdhi. Më ngrohu, u ndjeva krenar që një dibran kishte lidhë miqësi kaq të ngushtë me përmetarët, gjë që do ta përjetoja duke pirë kafe e bërë biseda të ngushta që i lidhnin në një nyje të fortë, veçanërisht për sportin... Fotografoi momentet më shpirtërore të atyre njerëzve që atë ditë mbushnin sallën me emrin e Dashit në gojë...

Atë ditë, për herë të parë në një tubim, nuk fotografova. Më fotografuan. Mua dhe me radhë të gjithë ata që u ngritën e folën për Dashmir Zaçen... E bëri një dibran ardhur në Përmet... Faleminderit !

7.- NJË SHETITJE NËPËR PËRMET...

Të nesërmen, në pritje të mëngjesit të ardhshëm për tu kthyer në Athinë, e gjithë dita ishte imja dhe e Përmetit. Një ditë e bukur, mes një peizazhi lulesh shumëngjyrëshe e trëndafilash kokëvarur mbi degë nga pesha, Përmeti të vjen në shpirt e të mbetet si një tufë lulesh që hedhin rrënjë e s’thahen kurrë... Vendosa të shoh reliktet e qytetit. Fotografova një shtëpi dykatëshe të rrënuar faqe murit të së cilës kishte një pllakë që përkujtonte Përmetin në betejën epike shqiptare për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Më tej një tjetër pllakë nuk mund të mos e fusja në arkivin tim fotografik. Në njërin nga katet e asaj shtëpie kishte banuar krenaria e Përmetit e më gjerë e gjithë Shqipërisë, Javer Bariu... Më tej më tërhoqi shikimin një ndërtesë muretrashë që i fliste kohës me dritë, dritën e parë që Përmeti kishte marrë nga motorët diezelë... E mendova ndërtesën si një muze drite, muze ku të mblidhej jo thjesht drita elektrike por mbi të gjitha drita e diturisë të kësaj treve e cila në zërin e poetit thoshte: “Dhe drit’ e diturisë, përpara do t’na shpjerë”... I bëra një foto në profil Naimit... Në sfond Pallati i Kulturës... Në qosh një kishë...

8.- TREGU MË I VARFËR BUJQËSOR NË SHQIPËRI...

I hodha një sy tregut të qytetit... Treg vjeshte... Diku kisha lexuar se po të duash të dish vërtetësinë në një enciklopedie lexo ato rreshta që din e njeh më mirë... Unë do të shtoja se po deshe të dish begatinë bujqësore të një treve shih tregun e qytetit... Tregu i qytetit të Përmetit është tregu më i varfër në të gjithë Shqipërinë. I shëtita të gjitha shitoret, në gjatësi, gjerësi e thellësi, veçanërisht ato të fruta perimeve, tregues i zhvillimit bujqësor të një vendi. Nuk gjeta asnjë prodhim frutash e perimesh vendase. Patatet, me thasë të mëdhenj rrjete vinin nga Korça... Edhe domatet, edhe specat, edhe patëllxhanët... Preshtë, të tharë bishtash aq sa gjethet nuk bënin më për lakror, me afro një euro çmim (1200 lekë të vjetra) vinin nga Lushnja, ashtu siç vinin edhe bamjet... Për barishte të stinës nuk bëhej fjalë... Kërkova mos gjej ndonjë “shegë Përmeti”. Nuk gjeta as rrush, nga rrushi i Përmetit që nxjerr atë verën dhe rakinë që sa përmend emrin të vjen në buzë e në shpirt buzëqeshja dhe hareja...

Vetëm mollë të verdha Korçe... Një gazetare e ardhur nga TV Korça për një reportazh, kërkonte “Gliko Përmeti” prodhim i duarve të grave përmetare. Ndërhyri një “mik” me zotimin se do t’ia gjente... Në mbrëmje tek ishim ulur në një kafene në sheshin e kalldrëmtë të qytetit u shtruam në muhabet me Kristaq Cullufen e Thoma Mishon. Kristaqi është një enciklopedi përmetare. Ai më tregoi se shtëpinë e tij e ka shndërruar në pikë turistike ku nëpërmjet artefakteve tërheq turistë. Më ftoi ta pinim atje një kafe por ishte vonë dhe unë të nesërmen do të nisesha pa gdhirë. Fjalën për bujqësinë dhe tregun e varfër bujqësor ata e lidhnin me ujitjen. Dikur, më thanë ata, mbi Vjosë ishin vendosur 14 pompa të fuqishme që merrnin ujë dhe e përcillnin në tërë Luginën e Vjosës. Tash asnjë nuk ekzistonte. Ishin shkulur vidash mbi beton dhe kishin përfunduar për skrap ashtu siç kishin përfunduar punishtet ushqimore nga dilnin e përcilleshin për treg glikotë, vera e rakia e Përmetit...

9.- PËRVEÇ DETIT KEMI GJITHÇKA TJETËR...

Një basoreliev harmonizuar bukur, me piktura, gjelbërim e lule, të pret e të përcjell në Përmet. Përballesh me të sapo kalon urën mbi Vjosë si një portë ku hynë pa trokitur... E do të doja ta kapja e ta merrja në dorë atë “gjithçka tjetër”. Të hapja rubinetet në çdo sekondë të ditës e natës dhe të mbushja grushtin me ujë të pastër qelibar, nga ai uji që rrjedh burimesh të shumtë malorë e ikën, ikën në det duke i lënë qytetarët “Anës Vjosës buzë tharë”... Të shihja trotuareve e vitrinave të dyqaneve verën dhe rakinë e njohur përmetare nga 426 hektarë vreshta që kishte Përmeti në kapërcyell të kohës sonë. Të shihja “Gatimet e gjysheve” të Kosinës e glikonë e famshme të Përmetit çantave të mbushura të turistëve... Një e dhënë statistikore 1991 më flet për 208.000 rrënjë pemë frutore, 12.000 rrënjë ullinj, për 12.300 ha tokë arë... Të udhëtoja në Banjë e të ndjeja se si avulli i ujit mineral ngrihej mbi urën e gurtë qindravjeçare e si vinte uji shkumuar kanioneve sa të dukej sikur rridhte dëborë... Të kishte një rrugë të asfaltuar e shërbim të përditshëm për tu takuar me Abdylin, Samiun e Naimin për të futur në shpirt poezinë e papërsëritshme të Naimit, vizionin e Samiut dhe atdhedashurinë e Abdylit të madh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit... Rruga ishte ende gurë e baltë e për të shkuar atje ishte pamundur... Më ngeli brengë që edhe kësaj radhe nuk shkova të takohem me vëllezërit Frashëri e më tepër me Abdylin që kishte bujte në kryeqendrën e Dibrës. Kisha një mesazh historik për të...

10.- IKJE ME NJË FILIZ LULESH PËRMETI

Herët, ende pa gdhirë, u largova nga Përmeti... Vjosa herë më dilte në njërin krah të pamjes e herë në tjetrin... Me vete mora kujtime të bukura, dashuri pa kufi njerëzish plot kulturë e dinjitet, shumë mirësi dhe respekt... Mora edhe një filiz lulesh shumëngjyrëshe. E rrënjëzova për disa ditë në ujë dhe e mbolla në saksi. E ka kaluar pëllëmbën në gjatësi e i ka katërfishua gjethet... Mora edhe një dorë me fara “lule kadife” përhapur në çdo cep të qytetit të luleve... Pres që të ngrohet koha që ti bëj pjesë të verandës së shtëpisë në Athinë. Nuk e di në se do të më bije përsëri rruga për në Përmet... Sido që të jetë Përmetin e kam me vete...

ABDURAHIM ASHIKU

74 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page