top of page

NË PENËN E BAJRAM HALIL GASHIT


Kadri Tarelli shkruan:


FRYMA ATDHETARE NË PENËN E BAJRAM HALIL GASHIT

Frymëzim nga veprat e tij.

Prej kohësh lexoj dhe redaktoj librat e kolegut tim, mësues dhe drejtues shkolle, Bajram Halil Gashit, tashmë edhe si bashkudhëtar në shkrimtari historie.

Duke qenë në një mendje dhe dëshirë atdhetarie, miqësisht dhe shoqërisht kam punuar mbi të gjithë librat e këtij autori. Madje kam marrë pjesë në të gjitha përurimet, si këtu në Durrës ashtu e dhe në Deçan, Gjakovë, aty në Dardani.

Pse ta fsheh, më pëlqen dhe më ngazëllen kjo frymë atdhetarie, që përcillet në të gjithë veprën e këtij autri. Janë disa libra: “Një shekull në udhën e dijes”. (Historiku i shkollës Së Shënavlashit), “Ah Shqipni, mos thuj mbarova”, kushtuar legjendës së folklorit shqiptar Dervish Shaqa, Demush Nezir, dhe grupit “Kosovar”, “Haki Taha, në kufi të legjendës”. (Monografi) dhe së fundi, “Kosova, Andrra e Jetës sime”. (Monografi). Kushtuar heroit Bajram Sali Gashi!

Besoj se cilido kështu do të vepronte, kur jeton e gjallon fryma kombëtare. Kjo ide më shtyn të bëj një vlerësim përgjithësues, duke gjetur edhe fillin tejet të dukshëm, që i përshkon dhe i përbashkon, që është atdhetarizmi. Nuk e teproj të shprehem, se është ndjenjë e fuqishme e shpirtit të autorit, të ushqyer në biseda dhe në oda e burrash, me shumë dashuri për trojet Arbnore, duke veçuar si “Vend të shenjtë”, Dardaninë, Istogun, Uçën, vendlindja e prindërve të tij, që u detyruan dhunshëm të lëshojnë ato vende, afro 100 vjet më parë.

Ka një hap të parë, siç thotë i dituri, kur Bajrami nisi të grumbullojë material për historikun e shkollës së Shënavlashit, fshat fare pranë Durrësit. Veç dokumenteve që janë të domosdoshme, Bajrami zbuloi se në këtë shkollë kishin punuar si mësues Bajram Sali Gashi dhe Haki Taha, dy bij nga Dardania jonë shqiptare. Nuk e mbante vendi nga kënaqësia, por vetëm kaq, asgjë më tepër, pasi prej gati gjysmë shekulli, as që ishte kujtuar dhe dëgjuar emri i tyre. Kush guxonte…..? Hakiu vrau Miladin Popoviçin, mikun e Partisë, ndërsa Bajrami u vra me pushkë në dorë kundër ushtrisë serbe, që ripushtoi Dardaninë. Të dy këta mësues, sapo u bë e mundur bashkimi kombëtar më 1941, (për fat të keq shumë pak kohë), vrapuan drejt vendlindjes për t’i shërbyer kombit. Çuditërisht, koha i bashkoi, i burrëroi dhe i lartoi, për të qenë bashkë edhe në përjetësi. Ata dhanë jetën për lirinë e Dardanisë, që në muajt e parë të vitit 1945.


Autor Bajrami e ndjente se kishte zbuluar dy gurë të çmuar të atdhetarizmit shqiptar. E hante meraku që nuk kishte ku të mbështetej dhe ku të kërkonte. Po guximi dhe durimi bën çudira, sidomos edhe në fushën e studimit dhe shkrimtarisë. Ai u dashurua me jeten dhe veprën e heronjve të Dardanisë, ndërsa unë mrekullohem me librat e Bajramit, sepse ka jetë, heroizëm dhe atdhedashuri të vërtetë.

Shpesh në disa shkrime kushtuar studimeve historike, meqë jam i fushës, kam shprehur një shaka e shqetësim dashamirës: “Është kokë krisur ai që fillon e merret me histori, por më shumë ai që nis të shkruajë monografi”. Bajramit nuk ia thosha këto fjalë, për më tepër e nxisja të mos thyhej e të linte në mes punën e nisur.

At zef Pllumi, na ka lënë dy falë të arta, që tingëllojnë si amanet: “Rrno për me tregue”. Fjalë që duhen mbajtur si yll ndriçues për cilindo krijues, sepse këtu mund të gjejë frymëzim, ushqim shpirti, trimëri, vullnet, guxim e durim pa kufi.

Më vjen mirë që ëndrra, më pas mendimi për një libër për Bajram Sali Gashin, nisi sapo mbaroi historikun e shkollës, rreth 10 vjet më parë. Mirëpo udha e krijimtarisë shumë herë nuk përfundon ashtu siç e parasheh. Materialet e grumbulluara sollën librat “Ah Shqipni, mos thuj mbarova”, pas tij librin “Haki Taha, në kufi të legjendës”. Pavarësisht vonesës, tani po del në dritë,Kosova, Andrra e Jetës Sime”. (Monografi).

Çdo kush, që e njeh sado pak historinë, e di mirë se pa shembuj, apo simbole heroizmi, nuk mbahet gjallë ndjenja e lirisë dhe aq me shume fryma e rezistencës dhe e luftës për mëvetësi. Ata dhanë gjakun, ndërsa të rinjtë guxuan, luftuan dhe fituan Dardaninë e lirë e të pavarur.

Fjalët janë të varfra për të shprehur kënaqësinë e përfundimit të një libri, sidomos kur i kushtohet një heroi. Nuk ka gjë më të bukur për çdo autor, se, kur në letrat shqipe, heronjve u nge monument përjetësie. Zëri dhe vepra e tyre është pasuri për brezat.

Më lind e drejta të mendoj dhe të shpreh dëshirën time, për të qenë i pranishëm në përurimin që mund dhe duhet të organizohet pikërisht në Istog, qyteti ku shpalos një memorial kushtuar heronjve të luftës: Bajram Sali Gashi, Ram Alia dhe Sali Rama. Të tre nga familja e madhe “Muzliaj”.

Edhe vetë autori është i bindur se në histori dhe sidomos në monografi, asgjë nuk ka vulën e përfundimit. Bajrami hodhi hapin e parë, të tjerë guximtarë kokëkrisur le ta vazhdojnë ta pasurojnë jetën dhe veprimtarinë e heroit dhe heronjve.

Urime i nderuar Bajram!

Jetë, shëndet të mirë dhe punë të mbarë në shkrime dhe krijime plot atdhetari.

Dardania ta gëzojë mëvetësinë!


Kadri Tarelli

Durrës. 12. Shkurt, 2023.



15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page